Mosi i flisni Blushit!

Mosi i flisni Blushit!
Sot, po të hysh në PS, shumica e njerëzve, ashtu si ne autobusët e vjetër të thonë: Mos i fol shoferit. Kur ti i pyet se për ku po shkon autobusi, ata bëjnë me gisht nga shoferi dhe duket sikur thonë: Vetëm ai e di. Kur t’i bëhesh gati të pyesësh shoferin, ku po shkojmë, njerëzit tregojnë me gisht tabelat ku shkruan: Mos i fol shoferit. Kjo që thashë pa dyshim duket si një shaka e trishtuar dhe shumë miq të mi do më thonë: E ç’rëndësi ka ku po shkojmë, rëndësi ka që autobusi po ecën. Kjo është e vërtetë. Autobusi po ecën, por rruga është e gjatë dhe unë nuk rri dot pa folur.
Ben Blushi, mars 2008

Kanë kaluar pesë vite tashmë nga deklarimi i famshëm i Ben Blushit se PS ishte kthyer në një autobuz ku nuk i flitej shoferit. Ironia e pesë viteve më parë, u kthye në realitet në vitin 2009, kur PS humbi zgjedhjet e përgjithshme dhe akuzoi PD për manipulimin e votave.

Por ja që dje Blushi dhe shoferi u gjendën në të njëjtin autobuz, atë që po i çonte rrugës drejt Elbasanit për të filluar fushatën e këtij qarku, ku Blushi, do të jetë organizatori, ideatori, triumfatori nëse arrin të fitojë mandatin e tetë të PS, por edhe nëse humbet, do të marrë kostot e humbjes së këtij qarku. Në ndryshim nga pesë vite më parë, Ben Blushi, i gjendur në një autobuz me Edi Ramën, është në pozita më komode ndërsa mund t’i flasë shumë thjesht shoferit, i cili mbetet i njëjti, si në 2008, ashtu edhe në 2013. Në analizë të fakteve, duhet të kuptojmë se në harkun kohor të pesë viteve, kanë ndodhur disa zhvillime të rëndësishme.

Ben Blushi vetë, u vu në qendër të një lëvizje që u quajt Lëvizja për Mendim Ndryshe (LMN). Fatin dhe historinë e kësaj lëvizjeje sot të gjithë e dimë, ashtu sikurse shohim, se i vetmi ish-anëtar i mbetur i kësaj lëvizje është Ben Blushi, që ka marrë përsipër detyra të reja, me një kompromis të ri me kreun e PS Edi Rama, (Arben Malaj, kandidat i pavarur; Kastriot Islami, deputet i PD; Marko Bello i përjashtuar nga listat e PS). Nëse Blushi dështoi për qëndrimet e tij për autobuzin, apo nëse ka ndryshuar rruga që ka marrë nga autobuzi, kjo është një çështje që do të shihet me kujdes pas zgjedhjeve të fundqershorit.

Por shoferi i ekipit të Elbasanit tashmë është vetë Ben Blushi, i cili ka marrë përsipër një detyrë të vështirë, kur në kalkulimet që bëhen brenda selisë rozë, socialistët në këtë qark duhet të maksimalizojnë votën për të çuar në Kuvend edhe një deputet të tetë. Blushi, si shofer i këtij autobuzi, ka disa vështirësi serioze, ashtu sikurse ka edhe elementë pozitivistë që mund t’i japin një impuls ndryshe fushatës: Së pari, ka mbetur jashtë liste deputetja e PS, Shega Ligori, e cila, sikurse u shpreh edhe në faqen e vet në facebook, kishte disa pakënaqësi pse nuk u përzgjodh dhe pse nuk iu dha një motivacion për të, apo punën e saj në parlamentin shqiptar në legjislaturën që po lëmë pas.

Thënë ndryshe, zonja Ligori jashtë liste, nuk i ka hipur këtij autobuzi, por është kthyer në profesionin e saj të avokatit, sigurisht, duke votuar Partinë Socialiste.

Në këtë autobuz, Blushi duhet të menaxhojë efektin negativ që lindi që ditët e para me kandidaten më të re të listës, së propozuar nga vetë ai, Evis Kushi. Pedagogia e ekonomikut në fakultetin e Elbasanit, që në prezantimin e parë u gjend përballë vështirësive jo të vogla, kur Jozefina Topalli i tundte letrën se ajo ishte firmëtare kundër Edi Ramës duke i bërë thirrje kreut socialist të votonte tre ligjet.

E gafa e saj, vazhdoi me deklaratën se nuk e dinte se çfarë kishte firmosur, se e kishte hedhur firmën në një letër të bardhë, duke shtuar akoma dyshimet sesi ka mundësi që një pedagoge, mund të japë një deklarim të tillë, e për më tepër, të firmosë me sy mbyllur.

Por, Blushit i duhet të menaxhojë edhe zonën e Peqinit, ku për herë të parë vjen një gazetar, Alfred Peza, në një bastion shumë të djathtë, me një deputet që gjithmonë ka qenë fitues nga PD, por dhe me një kandidat të PDIU që sikurse flasin banorët e zonës do të jetë një kandidat potent.

E shoferit të këtij autobuzi, pra Ben Blushit, i duhet që t’i japë një dorë Musa Ulqinit. Ish-kryetari i PS së Tiranës që nxorri tre herë Edi Ramën fitues në kryeqytet, u vendos në zonën e Cërrikut dhe Belshit. Musai sikurse e vlerëson Rama, është një socialist 24 karatsh. Por vetëm kaq nuk mjafton kur duhet të trokasësh në çdo derë, e të mundohesh pa asnjë kursim të hapë çdo portë.

Blushi në këtë autobuz të tijin mund të ketë edhe ndihmë deputetët më të vjetër, Gjiknuri, apo Ilir Bejtjan që do të përpiqet ta nxjerrë si deputet. Por, vështirësitë i ka të mëdha, nisur nga fakti se në qarkun e Elbasanit, Partia Socialiste detyrimisht duhet të fitojë edhe një mandat më shumë sesa kishin në këtë legjislaturë të majtët. Ky është autobuzi për të cilin do të flitet pas 23 qershorit. Ben Blushi nëse do ta arrijë këtë objektiv me autobuzin e tij, jam e sigurt që nuk do t’i flasë, por do t’i ulërasë shoferit nëse e sheh se do të dojë kthejë autobuzin, në karrocë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dritan Hila: Më mirë rrugëve!

Dritan Hila: Më mirë rrugëve!