Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i OSHEE-së Adrian Çela inspektuan sot investimet që po kryhen për zgjerimin e nënstacionit elektrik të Selitës. Vlera e investimit të parashikuar për këtë nënstacion arrin në 6 milion Euro.
 
Parashikohet dyfishimi i kapacitetit nga 30 në 65 MW ndërsa fuqizohen me 50% edhe fiderat përkatës.
 
Me këtë nënstacion lidhen 23 fidra çka nënkupton se investimi ndikon në përmirësimin e cilësisë së funrizimit me energji për një numër të konsiderueshëm konsumatorësh përgjatë zonës së Unazës së Madhe, Rrugës Teodor Keko, ish-Fushës së Aviacionit, Pallatet Hauai, Laprakë etj.
 
Vendosja e 6 fiderave të rinj do të mund të krijojnë unazën për të menaxhuar më mirë ngarkesat, sidomos në zona problematike si Misto Mame dhe Yzberishti.
 
Ministri Gjiknuri deklaroi se konsumi i rritur për shkak të uljes së fortë të temperaturave shërbeu edhe si një test për të parë vlerën e investimeve të kryera nga kompania deri më tani.
 
Ndërprerjet kanë qenë shumë më të pakta ndërsa koha e riparimit të tyre më e shpejtë çka tregon se sistemi ka qenë në gadishmëri të plotë dhe investimet kanë dhënë efektin e tyre.
 
Siguroj shqiptarët se pavarësisht se do kemi probleme me motin në ditët në vijim, OSHEE do të jetë në gadishmëri për tër riparuar defektet në kohë shumë të shkurtër dhe kjo po konfirmohet jo vetëm nga të zgjedhurit vendor por dhe qytetarët që e bëjnë vet diferencën
”, u shpreh Gjiknuri duke sqaruar se pavarësisht të metave që ka ende sistemi nuk duhet harruar se deri para tre vitesh sektori po “vdiste” nga “tumori” që e kishte përfshirë.