Moti i keq/ 1400 ha nën ujë në Shkodër, 15 banesa të përmbytura në Obot! Bllokohet aksi Lurë-Peshkopi! Rruga e Arbrit e kalueshme vetëm me zinxhirë

Në të gjithë vendin situata e motit paraqitet e përmirësuar, pa reshje shiu më përjashtim të zonave malore në veri dhe lindje të vendi ku ka prezencë të reshjeve të dëborës. Megjithëse përmirësimin e situatës, në disa zona të vendit paraqiten problematika, kryesisht në Shkodër, Dibër, Lezhë e Vlorë.

Sipas Emergjencave Civile, deri tani sipërfaqe nën ujë në Shkodër është 1400 ha, ndërsa prezencë uji ka në 15 banesa të fshatit Obot. Rruga e Obotit ka prezencë të ujit 75 cm. Në njësinë administrative Dajç 100 hektar tokë bujqësore është nën ujë. Në vendin e quajtur Urrelat e Shiriqit, rruga e Shiriq-Darragjat ka prezencë të ujit në rrugë 10 cm, rruga është e kalueshme.

Në Dibër për shkak të reshjeve të dëborës, ka pasur probleme në rrugën e Arbrit konkretisht në Qafë-Murriz ku kalohet vetëm me goma dimërore dhe zinxhirë. Ndërkohë prej 4 ditësh mësohet se rruga Peshkopi-Lurë ka qenë e bllokuar për shkak të reshjeve të dëborës. Por ndërkohë po punohet për hapjen e këtij aksi.

Në Vlorë si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e dendura, rruga në drejtim të fshatit Sevaster ka pësuar rrëshqitje dherash. Është dëmtuar bazamenti i rrugës në një gjatësi prej 56 metrash. Njëra anë e rrugës është bllokuar dhe kalimi realizohet vetëm në një sens, për shkak të rrezikshmërisë. Gjendja dhe situata e rrugës është parë nga Autoriteti Rrugor, ndërsa banorëve dhe drejtuesve të mjeteve u është kërkuar të tregojnë kujdes në lëvizje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:07
Situata nga moti i keq, Emergjencat Civile: Ka ndërprerje të energjisë në disa zona në Elbasan, Berat, Gjirokastër e Shkodër

 

Emergjencat Civile kanë bërë një përditësim të situatës nga moti i keq. Në Shkodër dhe në Lezhë situata vijon të mbetet e njëjtë. Në Shkodër janë 1400 ha tokë bujqësore e përmbytur, ndërsa në Lezhë vetëm 230 ha.

Furnizimi me energji elektrike vijon pa ndërprerje në pjesën më të madhe të vendit, me përjashtim të shkëputjeve herë pas here në disa zona rurale të qarqeve, Tiranë, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Shkodër.

Në qarkun e Vlorës në rrugën Vajzë - Ploç, e cila ka të dëmtuar bazamentin e saj po punohet nga firma kontraktore për riparimin e saj. Në qarkun e Korçës është bërë e mundur hapja e segmentit rrugor Shtyllë - Panarit. Në aksin Bogë - Theth është funksional segmenti Bogë - Qafë Thorë.

Situata për shkak të kushteve të motit, 24 janar 2023

Sipas parashikim të motit nga Instituti Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik ushtarak ditët në vazhdim do të jenë me kthjellime dhe alternime vranësirash në të gjithë vendin.

Ditën e sotme do të ketë reshje bore me intensitet të ulet në qarkun e Korçës, ditët në vijim do të ketë edhe në qarqet Kukës dhe Dibër.

Si pasojë e temperaturave në vlera negative do të kemi ngrica përgjatë akseve rrugore në relievet malore të vendit.

Nga raportimet në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile situata ditën e sotme paraqitet e qetë.

Niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.

Kuotat e lumit Drin në pikëmatjen në Lezhë është në nivelin 0,6 m nga 2 m që është niveli kritik. Në Shkodër në hidrometrin Ura e Bahçallëkut shënon kuotën 6,10 m nga 7,5 m niveli kritik. Niveli i liqenit në hidrometrin Ura e Bunës shënon kuotën 8,55 m nga 8,7 m niveli kritik. Niveli i lumit Vjosa në pikëmatjen Ura e Mifolit është 5,9 m nga 8 m që është niveli kritik. Hidroforët vijojnë funksionalitetin me kapacitet të plotë.

Sasia e prurjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës ditën e sotme është 500 m3/s. Në basenin ujëmbledhës Koman janë 250 m3/s dhe Vau i Dejës 40 m3/s. Shkarkimet do të vijojnë me 300 m3/s. Shkarkimet në Digën Ura e Fanit janë 39 m3/s. Në hidrocentralin Ulëz dhe Shkopet shkarkimet janë 220 m3/s.

Furnizimi me energji elektrike vijon pa ndërprerje në pjesën më të madhe të vendit, me përjashtim të shkëputjeve herë pas here në disa zona rurale të qarqeve, Tiranë, Elbasan, Berat, Gjirokastër, KorCcë dhe Shkodër.

Strukturat e OSHEE janë duke punuar në terren pa ndërprerje për të rikthyer energjinë elektrike në kohë.

Në qarkun e Shkodrës sipërfaqja e përmbytur mbetet 1400 ha përkatësisht në njësinë administrative Ana e Malit 1300 ha dhe njësinë administrative Dajç 100 ha. Banesa me prezencë uji në oborre janë 15 në fshatin Obot, bashkia Shkodër. Në qarkun e Lezhës vijon të ulet shifra e sipërfaqes së përmbytur në 230 ha, ku 200 ha janë në bashkinë Lezhë dhe 30 ha në bashkinë Kurbin.

Infrastruktura rrugore vijon të jetë e qarkullueshme pa probleme në të gjitha rrugët nacionale dhe turistike.

Në bashkinë Shkodër: Rruga e Obotit vijon me prezencë uji me një nivel 75 cm, për të cilën Forcat e Armatosura po mundësojnë transportin. Rruga Shirq-Darragjat ka prezencë uji në rrugë me një nivel 10 cm, është e kalueshme. Në bashkinë Vau Dejës ka problematika në disa nga rrugët rurale, për të cilat janë duke punuar strukturat vendore. Në qarkun Elbasan, janë pastruar akset rrugore Librazhd - Prrenjas dhe Gramsh – Moglicë, ku gjatë mbrëmjes së djeshme ka pasur rënie inertesh. Në qarkun e Vlorës në rrugën Vajzë - Ploç, e cila ka të dëmtuar bazamentin e saj po punohet nga firma kontraktore për riparimin e saj. Në qarkun e Korçës është bërë e mundur hapja e segmentit rrugor Shtyllë - Panarit. Në aksin Bogë - Theth është funksional segmenti Bogë - Qafë Thorë.

Ka vijuar puna nga ARRSH për pastrimin nga ortekët në segmentin tunelet panoramike. Në qarkun e Dibrës në disa segmente trashësia e dëborës varion nga 10-15 cm. Rruga e Dardhës në km e 7 trashësia e dëborës varion nga 5-10 cm. Rruga e Voskopojës km 13 trashësia e dëborës varion nga 3 cm - 5 cm.

Vazhdon pa ndërprerje bashkëpunimi dhe angazhimi i të gjithë institucioneve dhe strukturave të Sistemit të Mbrojtjes Civile për mbajtjen nën kontroll të situatës në të gjithë vendin. Deri me tani janë angazhuar në nivel qendror 68 forca ushtarake me 7 mjete te kalueshmërisë së lartë.

Ministria Mbrojtjes dhe Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile, do të vijojnë të jenë në gatishmëri dhe do të aktivizojnë kapacitetet në nivel kombëtar për të mbështetur të gjitha kërkesat e pushtetit vendor me qellim përballimin e situatave që mund te krijohen si pasojë e kushteve të motit.

U bëjmë edhe një herë thirrje qytetarëve të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të lëvizet me goma dimërore dhe zinxhirë sipas rekomandimeve si dhe të njoftojnë strukturat vendore dhe operacionale në çdo rast nevoje.

Ora 08:56
Reshjet e borës në Korçë, bllokohet segmenti Shtyllë-Qafa e Mashkullorës-Panarit

 

Gjatë ditës së djeshme dhe natën në qarkun e Korçës ka patur reshje shiu me intensitet deri mesatar, ndërsa në lartësitë mbi 1000 m ka patur reshje dëbore.

Kontraktorët kanë punuar duke kriposur e mirëmbajtur rrugët nacionale dhe ato turistike, për rrjedhojë ato kanë qenë plotësisht të kalueshme dhe pa probleme.

Për drejtuesit e automjeteve që do të përdorin segmentin Boboshticë-Dardhë rekomandohet përdorimi i pajisjeve dimërore, ndërsa segmentet e tjera nacionale janë plotësisht të kalueshme dhe pa probleme. Edhe rrugët dytësore dhe ato lidhëse në bashki janë të kalueshme dhe pa problematika.

Për momentin është i bllokuar vetëm segmenti Shtyllë-Qafa e Mashkullorës-Panarit në bashkinë Korçë, për rihapjen e të cilit është duke u punuar me mjetet e bashkisë.

Reshjet nuk kanë ndryshuar prurjet e lumenjve dhe të degëve të tyre furnizuese; ato vazhdojnë të mbeten në kuota normale dhe pa probleme.

Nga strukturat e EC në bashki nuk raportojnë problematika të tjera.

Lidhur me furnizimin me energji elektrike, njoftohet se ka ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në fshatra të veçantë të bashkisë Pustec vetëm një fshat (Cerje) dhe në bashkinë Maliq zona e Gorës.

Ora 08:43
Reshjet e shiut në Lezhë, 230 hektarë tokë nën ujë, përmirësohet situata gjatë orëve të fundit

 

Situata e krijuar nga përmbytjet në Lezhë ka njohur sërish përmirësim gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare të Emergjencave Civile, sipërfaqja e përmbytur është zvogëluar në 230 hektarë, nga 350 që ishte një ditë më parë.

Konkretisht ndodhen nën ujë 100 hektarë në Fushën e Torovicës të Njësisë Administrative Balldre, 100 hektarë në kënetën Spiten-Tresh të Njësisë Administrative Zejmen dhe 30 hektarë në Fushë-Gjorm të Bashkisë Kurbin.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë rreth 11 mm shi në territorin e Qarkut të Lezhës dhe Lumi Drin  është në nivelin +0.6 m, nga +2.0 m që është kuota kritike,  kurse kuota e lumit Mat vazhdon të ketë gjendje të ngritur duke shkuar tek normalja, për shkak të shkarkimeve të hidrocentraleve Ulëz e Shkopet në masën 220 m³/s, kurse nga Diga Qafë Mollë e hecit mbi lumin Fan shkarkimet janë rreth 39 m³/s, por pa krijuar probleme.

Hidrovoret janë gadishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa probleme. Edhe gjatë ditës së martë, strukturat e emergjencave civile të bashkive të qarkut Lezhë, do të jenë në terren për të  ndjekur situatën dhe problematikat, në zbatim të detyrave të deleguara nga Prefekti i Qarkut Lezhë Gjergj Prendi.

Ora 08:36
Reshjet e dëborës në Dibër, aksi Peshkopi-Lurë i bllokuar prej katër ditësh! Probleme edhe në rrugën e Arbrit

Pavarësisht se ka pasur më pak reshje shiu gjatë orëve të fundit, në Dibër, për shkak të reshjeve të dëborës, ka pasur probleme në rrugën e Arbrit konkretisht në Qafë Murriz ku kalohet vetëm me goma dimërore dhe zinxhirë.

Ndërkohë prej 4 ditësh mësohet se rruga Peshkopi-Lurë ka qenë e bllokuar për shkak të reshjeve të dëborës. Por ndërkohë po punohet për hapjen e këtij aksi.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pavel Nedved harron Juventusin, gati kontrata e re në Arabinë Saudite

Pavel Nedved harron Juventusin, gati kontrata e re në Arabinë Saudite