Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi të shtunën panairin " Prishtina 2015", ku i premtoi bizneseve stimulim dhe nxitje.
Ai tha se, qeveria po angazhohet për hapjen e vendeve të punës dhe konkurrimin e bizneseve kosovare në tregun rajonal dhe evropian.
Mustafa tha se, edhe në këtë panair ka vërejtur se situata është më e mirë se sa prezantohet. Ai tha se bizneset kërkuan që Qeveria të punojë më shumë në politikat fiskale dhe zhvillimore.
"I premtova bizneseve që do t'i përkrahim në stimulimin dhe nxitjen e tyre, në hapjen e vendeve të punës dhe konkurrencës, sepse ne nuk jemi të interesuar që të kemi biznese vetëm në Kosovë, por jemi të interesuar që bizneset tona të dalin dhe të konkurrojnë edhe në tregun rajonal dhe evropian", ka thënë Mustafa.
Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se bashkërisht duhet të orientohemi në fuqizimin e sektorit privat.
"Ky është i vetmi sektor që mund të gjenerojë stabilitet ekonomik dhe social dhe mbi të gjithë të përmirësojë imazhin e Kosovës dhe të promovojë vlerat integruese", ka thënë ai.
Panairi ku morën pjesë rreth 150 biznese në Kosovë dhe rajon ka qenë i hapur për 4 ditë radhazi./atsh/