Rreth 30% e naftës që shitet sot në tregun Shqiptar prodhohet nga Rafineria e ARMO-s. Por edhe pse produkti vendas ka kosto shumë më të ulëta se nafta e importit, çmimi i karburanteve në treg është shtrenjtuar me rreth 5 lekë që prej javës së shkuar.
 
Koordinatori i Shoqatës së Hidrokarbureve, Bardhi Sejdarasi, thotë se çmimi i shitjes me pakicë mbahet artificialisht i lartë për shkak të borxheve të trashëguara me të cilat përballet sot ARMO.
 
“Kjo lidhet me rritjen e prodhimit vendas, kemi një kompani e cila sot ka një kontratë me kompanitë e nxjerrjes së naftës, është një kompani prodhuese siç është ARMO e cila për shkaqe të njohura ka filluar prodhimin vendas. Ky është një prodhim që deri më sot ka plotësuar nga 30 deri në 35 % të nevojës që ka tregu. Kompania që prodhon sot naftë është debitore jo vetëm  ndaj shtetit por edhe ndaj të tretëve. Kjo është arsyeja që pavarësisht nga kosto e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në vendin tonë, kompania vazhdon të mbajë sikundër edhe disa vite më përpara çmime që nuk pasqyrojnë koston reale të saj. Kjo është e gabuar dhe do të thotë që abuzohet me koston dhe çmimin që ka produkti në treg“, u shpreh Bardhi Sejdarasi.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në janar të këtij viti, importi i karburanteve ka rënë me 38% krahasuar me një vit më parë, sasi që është zëvendësuar produkti vendas. Por Shoqata e hidrokarbureve ngre pikëpyetje serioze mbi cilësinë e kësaj sasie nafte që hidhet në tregun shqiptar dhe atë kosovar.

“Edhe pse është rritur prodhimi, përpunimi, tregtimi qeveria nuk arrin dot të arkëtojë detyrimet ligjore siç është akciza në këtë rast, e njëjta gjë ndodh edhe me TVSH-në. Duket që kemi një treg informal por ajo që më shqetëson është edhe cilësia e këtij produkti. Në dijeninë time Inspektorati Qendror Teknik dhe Industrial që ka për detyrë të kontrollojë cilësinë nuk ka ende një deklarim zyrtar lidhur me cilësinë e produktit, gjë që më bën të mendoj që jo vetëm ka një treg me evazion të lartë sa i përket të ardhurave por ka edhe një problem shumë të madh me cilësinë”, tha  Sejdarasi.
 
Nga shtatori i vitit të shkuar, Rafieneria e ARMO-s në Ballsh është marrë në përdorim nga Ionian Refining dhe Trading Company, kompani e regjistruar në një parajsë fiskale.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com