Kreu i PD-së, Sali Berisha, në konferencën e kësaj të premteje, mes të tjerash, shprehu edhe një herë refuzimin e forcës politike që ai drejton për të marrë pjesë së bashku me mazhorancën socialiste në Komisionin për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore, duke u shprehur se do t’i realizonin vetë këto dy reforma.
Ky refuzim vjen një ditë pas votimit në Kuvend të Edi Ramës për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, prej së cilës, në thelb, PD dhe opozita nuk është se ka ndonjë përfitim të drejtpërdrejtë elektoral.
Ndërkohë që kur vjen diskutimi te dy prej reformave më të rëndësishme edhe për të ardhmen e saj politike, në një kohë kur vetë kanë kërkuar dhe kanë ndërmarrë nisma për t’i ndryshuar dhe përmirësuar, duket sikur jetojnë politikisht në realitete paralele.
Për hir të së vërtetës, nuk është hera e parë që veprojnë kështu, sepse të njëjtën gjë kanë bërë kur kanë bojkotuar Reformën Territoriale në vitin 2014, kur kanë djegur mandatet në 2017 dhe kur kanë bojkotuar zgjedhjet vendore në 2019 (të gjitha të inicuara, të mbështetura dhe të realizuara nga e njëjta filozofi që drejton aktualisht), pasojat e së cilës opozita dhe PD vijon t’i vuajë edhe sot.
Pra, opozita vazhdon të jetë në opozitë jo vetëm se Edi Rama ia vjedh zgjedhjet, por edhe se Sali Berisha është në krye të saj dhe se ka një sistem zgjedhor dhe një ndarje territoriale që jo vetëm nuk e favorizon, por e ndëshkon.
Në vend që të korrigjojnë pikërisht veten në qëndrimet dhe në prioritetet e opozitës dhe të Partisë Demokratike, kur vjen puna për të bërë pazar me pushtetin jo vetëm që ndajnë kulla dhe leje ndërtimi, apo votojnë amnisti penale apo sistem elektoral që favorizon të mëdhenjtë dhe ndëshkon të vegjëlit, e kanë të lehtë ta shesin si interes të përgjithshëm për reforma që i kërkon Bashkimi Evropian etj., ndërsa kur vjen diskutimi te këto çështje ekzistenciale për vetë opozitën, thonë do t’i bëjmë vetë (siç i kanë bërë në të kaluarën???!!!) apo përngrihen për protesta që mund të degradojnë edhe në dhunë (dhe ata nuk mbajnë përgjegjësi!!!), por që dihet si do përfundojnë.
Të ulesh për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore nuk është Pazar me pushtetin. Përkundrazi, është e vetmja gjë e duhur që duhet të bëjë PD-ja dhe opozita në gjendjen që është. Sigurisht askush nuk e ndalon të protestojë apo të kërkojë rrëzimin e qeverisë, por në fund të ditës sërish do të shkojë në zgjedhje dhe në përballje. Dhe përsa kohë që nuk përmirëson rregullat e lojës, të mos presë rezultate të tjera dhe pastaj të vijojë të ankohet se kundërshtari i vjedh zgjedhjet./Tema
Komente










