Ndërsa protestat kundër projektit në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë po zhvillohen prej një jave, në internet po ndërtohet një realitet paralel, i mbështetur në video të nxjerra jashtë kontekstit, narrativa për “kolonizimin” e Shqipërisë dhe imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale.
“Protesta kundër resortit të Kushner-it, Trump-it dhe partnerëve të tyre sionistë. Situata në Shqipëri po del jashtë kontrollit”, publikoi një video llogaria në Instagram “lantidiplomatico” dhe që numëron 116 mijë ndjekës. Ajo i përket “L’AntiDiplomatico”, një media në internet me bazë në Itali.
Postimi përdori pamje nga protestat e opozitës, ku goditet ndërtesa e Kryeministrisë me molotovë dhe fishekzjarrë, duke krijuar një ide të pavërtetë për shkallën e reagimit të protestuesve për çështjen e Zvërnecit, të cilët nuk kanë sulmuar deri më tani ndërtesat qeveritare.
Publikimet e kësaj platforme kritikojnë shpesh politikën e jashtme amerikane, NATO-n, politikat e BE-së, si edhe publikon shpesh këndvështrime ruse, kineze dhe të vendeve që e kundërshtojnë perëndimin. Ajo po ashtu mbulon gjerësisht Palestinën dhe kritikon qeverinë izraelite.
Profile të ngjashme publikuan gjerësisht pamjet jashtë kontekstit të protestës së opozitës shqiptare, duke paraqitur një protestë tjetër nga ajo në bulevard, ku nuk sulmohen autoritetet, institucionet dhe nuk ka asnjë moment dhune nga ana e protestuesve.
“Lajm i fundit: Protestuesit shqiptarë sulmojnë shtëpinë e Hoxhës mes reagimeve kundër projektit të tokës së familjes Trump”, është një tjetër video e shpërndarë nga “viralstrange”. Aty paraqitej vila e ish-diktatorit Enver Hoxha, kur u sulmua gjatë një protestë të organizuar nga opozita në muajin shkurt dhe u ripërdor jashtë kontekstit të portestave për Zvërnecin.
Faqja e internetit që e posdeon, “Viral Strange”, prezantohet si një platformë digjitale që publikon përmbajtje virale, lajme të pazakonta, histori njerëzore dhe tema që gjenerojnë interes të madh në rrjetet sociale.
Megjithëse përmbajtja e faqes është në anglisht, nga verifikimet e Amforës rezulton se ajo administrohet nga shtetas shqiptarë dhe irakenë (sipas deklarimit të tyre), duke mos munguar kështu njohja e kontekstit të vendit, por një video e nxjerrë qëllimisht nga konteksti me qëllim gjenerimin e shikueshmërisë së lartë.
Ky është një nga mekanizmat më të zakonshëm të dezinformimit gjatë protestave, jo domosdoshmërisht krijimi i një ngjarjeje të rreme, por zhvendosja e një ngjarjeje reale nga koha dhe konteksti i saj origjinal. Në këtë rast, një episod i lidhur me protesta të mëparshme paraqitet si pjesë e mobilizimit kundër projektit të Zvërnecit, duke krijuar përshtypjen e një proteste më të dhunshme dhe më konfliktuale se sa ajo në terren.
Protestat e zhvilluara gjatë këtyre ditëve në kryeqytet janë karakterizuar nga një nivel i ulët tensioni dhe mungesë incidentsh të rëndësishme dhe nga raportimet në terren të Medias Amfora në Tiranë dhe Durrës, nuk rezulton asnjë episod dhune. Protestat kanë pasur grumbullime qytetarësh, fjalime publike dhe marshime, pa incidente të raportuara, e as që lidhet me sulme ndaj institucioneve, përplasje me policinë apo dëmtime të pronës private.
Episodi i vetëm i tensionit i raportuar gjatë protestave u regjistrua më 3 qershor, kur një grup protestuesish kaloi gardhin metalik të vendosur nga policia në bulevard, një masë sigurie që sipas policisë u mor për shkak të ndeshjes Shqipëri-Izrael dhe kufizimit të aksesit në zonën pranë Kryeministrisë.
Ndërsa protesta është fokusuar në Tiranë dhe është përhapur në qytete të tjera të vendit, versioni i saj digjital po rishkruhet nga fotografi, video dhe narrativa që shpesh nuk kanë lidhje me ngjarjet që pretendojnë se përshkruajnë, duke u përhapur me shpejtësi në të gjitha kontinentet përmes mediave ndërkombëtare, atyre në internet, faqeve komunitare dhe blogerëve.

“Firstpost” është një media digjitale indiane që vetëm në Instagram numëron 3 milionë ndjekës dhe bën pjesë në grupin mediatik “Network18”, i cili kontrollohet nga konglomerati indian “Reliance Industries”, i biznesmenit Mukesh Ambani. Teksa raporton pamje të protestës në Tiranë, ajo përdor të ndërthuruara foto që nuk kanë lidhje me protestën dhe që shfaqin protesta pro-palestineze nga ngjarje të tjetra ndërkombëtare dhe pa shpjeguar se janë ilustruese.
Irani, “mbrojtësi” i demokracisë shqiptare
“Iran Military” numëron vetëm në një prej profileve të saj në “Facebook” 1.1 milionë ndjekës dhe që prej vitit 2009 ajo paraqitet si media e pavarur për lajme dhe analiza ushtarake mbi Iranin, që në fakt janë postime propagandistike. Në faqe e dublikuar e saj postoi të shtunën foton e një vajzë me flamurin shqiptar dhe me mbishkrimin “Albania is not for sale”. Pasi shkruajti se Shqipëria nuk është për tu shitur, ajo mori 2200 pëlqime, 224 komente dhe 55 ndarje, duke ofruar një postim emocional.
Një tjetër postim në “Instagram”, në një faqe që përmes Inteligjencës Artificiale krijon video me lojën e preferuar të fëmijëve, “Lego”, shpjegoi konfliktin e krijuar në Shqipëri për projektin e Zvërnecit, duke portretizuar presidentin amerikan, familjen e tij dhe paraqiti një ushtar me flamur iranian në uniformën që mbante veshur, teksa valëviste flamurin e Shqipërisë si një mbrojtës i saj.
Profili “persiaboihemmat” shpjegoi rastin e Zvërnecit në një format kreativ, të fokusuar tek audiencat e reja dhe ngjashëm si të gjitha postimet që forcojnë propagandën e regjimit në Iran, paraqet perëndimin dhe kryesisht presidentin Trump në një kënd spekulativ.

Ndërsa profili “militarykrafte”, paraqiti një postim tjetër të ngjashëm me video me “Lego” dhe shënoi: “1.4 miliardë dollarë. Një ishull ushtarak i braktisur. Tunele nëntokësore për të cilat askush nuk flet. Dhe një kamp 3 orë më poshtë rrugës që bota e harroi”.
“E quajnë investim. Ne e quajmë kasafortë”, shtoi postimi, teksa rikujtoi edhe vendndodhjen e kampit të opozitës iraniane MEK, në Manëz, pak orë larg Zvërnecit.
Në vend të argumenteve që lidhen drejtpërdrejt me biodiversitetin, habitatet e mbrojtura apo ndikimin mjedisor të projektit, një pjesë e konsiderueshme e përmbajtjes ndërtohet mbi mesazhe ideologjike dhe gjeopolitike.
Në postime të ndryshme përsëriten slogane si: “Albania is not for sale” (“Shqipëria nuk është në shitje”), referenca ndaj investimeve izraelite në rajon, si edhe pretendime se Shqipëria po shndërrohet në një hapësirë nën ndikimin e interesave të huaja, kyresisht të Izraelit.
Kjo qasje bëhet e dukshme edhe në mënyrën se si ndërtohen materialet vizuale. Fotografitë, simbolet shtetërore, flamujt, liderët politikë dhe tabelat e montuara grafikisht përdoren së bashku për të krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes projektit në Zvërnec dhe një narrative më të gjerë për humbjen e sovranitetit kombëtar. Në këtë mënyrë, debati zhvendoset nga pyetja nëse projekti duhet apo jo të ndërtohet, drejt pretendimeve se pas tij qëndron një proces i organizuar i zgjerimit të ndikimit izraelit në Shqipëri.
Narrativa se Shqipëria nuk është në shitje përmes fotove të krijuara me Inteligjencën Artificiale dhe që e kthejnë gardhin e tokës së rrethuar fillimisht në Zvërnec si në një përplasje midis dy ushtrive armike, ka depërtuar edhe në grupet komunitare me mbi 300 mijë anëtarë, siç është rasti i postimit në grupin në Facebook të quajtur “Norman Finkelstein” dhe ku postohen kryesisht përmbajtje kundra Izraelit.
Investimi Trump-Kushner, “kurban” i prapaskenave shqiptare në Zvërnec
Përhapja e lajmit për protestën ishte e rrufeshme anëembanë botës edhe për përfshirjen e emrave që lidhen direkt me familjen presidenciale amerikane, duke tërhequr pas vetes po aq dezinformim sa edhe kureshtje ndërkombëtare.
Përtej raportimeve profesionale që tregojnë pozicionimin e palëve, një pjesë e publikimeve në mediat në internet dhe të blogerëve vendosin në një linjë projektin e Zvërnecit me të Sazanit, së bashku me supozime për vendosjen e kolonëve izraelitë në këtë pjesë të Shqipërisë, që sipas fakteve rezultojnë të ndryshme.
Postimet në gjuhën angleze, italiane, greke dhe spanjolle, nga vëzhgimi i Amforës rezulton se dominojnë një pjesë të mirë të postimeve me karakter dezinformues, që së pari nisën duke krijuar një marrëdhënie të rreme midis Jared Kushner dhe garancisë se ai do të sillte vendosjen e kolonëve izraelitë në zonën e Zvërnecit.
Në Instagram profili, “menoume_energoi_”, së bashku me një rrjet tjetër me të paktën 5 faqe shpërndau në greqisht dhe anglisht përmbajtje ku pretendohej se investimi i Jared Kushner-it në Shqipëri lidhet me interesat e Izraelit dhe vendeve arabe në kuadër të Marrëveshjeve të Abrahamit. Postimet sugjeronin gjithashtu se qeveria shqiptare po e përdor këtë projekt për të siguruar mbështetje më të madhe nga vendet perëndimore.
E njëjta faqe vijoi ta përdorte rastin si një kambanë alarmi për një investim në turizëm në Greqi nga kompania zhvilluese “IDM Kalamata”, e lidhur me grupin izraelit “IDM Capital”. Duke hequr paralele nga 2 realitete të ndryshme, më tej faqja tjetër që ndan postime të përbashkëta me të, “partizan_greece”, ndau video nga protestat dhe përplasjet në kantierin e ndërtimit të projektit turistik në Rrjoll, duke ofruar një pamje larg realitetit të protestave në Zvërnec. E njëjta video është shpërndarë gjerësisht megjithëse nuk ishte nga Zvërneci dhe në një tjetër profil numëron 2.7 milionë shikime.
Narrativat e shpërndara gjerësisht në internet ditët e fundit po shkojnë përtej lidhjes Krushner – Izrael, në një pozicionim më të drejtpërdrejtë të vetë çiftit Ivanka Trump – Kushner, përballë protestave të gjera në Shqipëri – protesta të cilat më shumë se ata si investitorë targetojnë praktikat jo transparente dhe korruptive të qeverisë sqhiptare, duke kërkuar anulimin e projekteve në Zvërnec specifikisht, si dëmtues të potencialit natyror të zonës.
Vetë Ivanka Trump u shfaq në një intervistë për podkasterin e sipërmarrësit David Senra, duke e përshkruar projektin që po zhvillon së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, duke ju referuar si një ishull në Mesdhe, që korrespondon me Sazanin dhe jo drejtpërdrejtë me gadishullin e Zvërnecit.
“Po punoj për një projekt të jashtëzakonshëm me bashkëshortin tim në Mesdhe. Është një projekt me përmasa gjigande. Bëhet fjalë për një ishull privat prej 14 mijë hektarësh në zemër të Mesdheut”, shpjegoi Trump duke u fokusuar tek “ishulli”.
“Përveç ishullit, kemi edhe rreth pesë milje vijë bregdetare përballë tij, një gadishull të mrekullueshëm me lagunë në njërën anë dhe det në anën tjetër, me plazhe të bukura me rërë të bardhë. Për mua kjo ndihet më shumë si një sfidë se sa si një biznes”, shtoi ajo, por pa shpjeguar plane specifike ndërtimi.
Për projektin e përqendruar në Ishullin e Sazanit qeveria shqiptare i dha statusin e Investitorit Strategjik kompanisë së lidhur me Kushner, “Atlantic Incubation Partners LLC”, në fund të vitit 2024. Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, investimi i planifikuar parashikon zhvillimin e një kompleksi turistik në një pjesë të ishullit dhe arrin në 1.4 miliardë euro.
Nga ana tjetër në investimin e shumë debatur këto ditë në Nartë po investon kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, ligjërisht e ndryshme nga ajo e Sazanit dhe me lidhje që shkojnë tek një rrjet kompanish lokale, të përfshira në blerje pronash dhe negociata me banorët, ku emri i biznesmenit Musa Kastrati – djali i biznesmenit Shefqet Kastrati – është identifikuar me rol aktiv në takime dhe negociata për projektin. Ndërsa struktura e pronësisë së kompanive të përfshira në projektin e Zvërencit nuk e bën të qartë se kush janë përfituesit përfundimtarë të tij.
Media Amfora iu drejtua me kërkesa për koment subjekteve “Sazan Operations Holding LLC”, “Zvërnec South Adriatic Development”, “The Trump Organization, Affinity Partners” dhe përfaqësuesve të lidhur me Jared Kushner, duke kërkuar sqarime mbi rolin dhe interesat e tyre në këtë investim – Por deri në momentin e publikimit të kësaj analize, asnjë prej palëve të kontaktuara nuk ktheu përgjigje./ Amfora.al
Komente







