Ndërhyrja e dytë e kryetarit të PS-së për problemet e vijës bregdetare

“Besoj që gjithë këto mendime vlejnë edhe për ata që na ndjekin. E, jo pa qëllim dëshiruam që kjo të ishte një bisedë në praninë e mediave për të rritur sa më shumë ndjeshmërinë lidhur me një fakt shumë të thjeshtë që ne nuk do të tolerojmë absolutisht asnjë ndërtim pa leje.Çdokush që hedh beton sot me idenë se do të ja hedhë, ia ka hedhur vetëm vetes. Kjo është pak, por e sigurt. Absolutisht, këto dy çështje duhet të zgjidhen me dy faza.

Njëra fazë është faza e emergjencës, në kushtet kur të gjithë e shikojnë se qeveria në detyrë nuk ka asnjë lidhje me problemet e përditshme të vendit dhe të njerëzve dhe kur shumë janë turrur për të kapur pronat e orës së fundit dhe për të hedhur tonelatat e betonit të orës së fundit, ne duhet ta ndalim tani këtë masakër. Duhet të rrëzojmë përtokë të gjitha ngrehinat që janë në ndërtim e sipër pa leje nga Velipoja deri në Sarandë.

Faza tjetër është pastaj fillimi i një pune sistematike për ta pastruar gjithë vijën bregdetare. Me vijën bregdetare do të bëjmë atë që bëmë me Lanën në Tiranë, çdo gjë e ndërtuar pa leje dhe që cenon perspektivën e vijës bregdetare duhet të rrafshohet. Ndërkohë që, në afat të shkurtër duhen marrë masat për të garantuar plazhet për të gjithë. Në plan afatgjatë duhet një ligj ose ndërhyrje në ligj, qoftë për mënyrën se si do të menaxhohen hapësirat publike të plazheve, qoftë për si do të garantohet që gjithë cikli i ndëshkimit të ndërtimeve pa leje të jetë një cikël i mbyllur e jo një cikël i hapur siç është sot.

E vërteta është se ato që parashtrojnë kryetarët e bashkive dhe komunave janë të vërteta reale të jetës së përditshme, praktike në territor. Nëse cikli nuk mbyllet nga ndëshkimi i godinës tek ndëshkimi i autorit të veprës pa leje, veprat pa leje do t'i kemi përditë në zhvillim. Në qoftë se cikli nuk mbyllet dhe nuk përcaktohet zinxhiri i përgjegjësive të qarta nga identifikimi, tek lajmërimi, tek goditja dhe tek ndëshkimi përsëri këto vepra do të vazhdojnë të mbijnë kudo në të gjithë territorin.

Sigurisht që, këto janë pjesë e një reforme komplekse, ne nuk do kemi më polici ndërtimore ne do të kemi Polici Shteti dhe Policia e Shtetit do të marrë përsipër kontrollin dhe mbrojtjen e territorit në çdo metër katror të Republikës së Shqipërisë. Çdo njeri që cenon territorin duke hedhur beton, duke gërryer lumë, duke prerë pyll, duke vjedhur pasuritë e përbashkëta duhet të jetë objekt i Policisë së Shtetit dhe duhet të ndëshkohet në kuadrin e gjithë atij kompleksi elementesh të veprave penale që kanë të bëjnë me cenimin e një pasurie të përbashkët.

Nga ana tjetër pushteti vendor duhet të ketë mbështetjen absolute të Policisë së Shtetit, ashtu sikundër dhe përgjegjësia duhet të jetë e qartë kush bën çfarë. Kjo do të garantojë kontroll reciprok të dy organizmave, që do të bashkëpunojnë dhe do të monitorojnë njëri tjetrin për çështjet e territorit. Gjëja që unë do të kërkoj është që ky grup përfaqësuesish të PS në qeverisjen vendore dhe të zgjedhurish siç jemi ne të gjithë këtu, në zonat të kujdestarisë që lidhen me bregdetin, të hartojë një projekt propozimesh për ndërhyrjet në ligj që kanë të bëjnë me territorin, me mbrojtjen e vijës bregdetare, me ndëshkimet për çdo ndërhyrje pa leje në vijën bregdetare. Ju e dini se në programin tonë ne kemi një vëmendje të posaçme për vijën bregdetare, kemi projektin e ngritjes së një Agjensie Kombëtare të Bregdetit, që do të trajtojë çështjet që lidhen me mbrojtjen e bregdetit, por padyshim pjesë e gjithë projektit të mbrojtjes së vijës bregdetare është forcimi i të gjitha masave kundër ndërtimeve pa leje.

Jo vetëm kryetarët e bashkive dhe komunave, por edhe ne si deputetë të gjithë vijës bregdetare duhet të jemi në krye të kësaj detyre në këto dy muaj për të çuar deri në fund zbatimin e këtij detyrimi që është ligjor, nuk është detyrim partiak, nuk është as një detyrim që lind nga dëshira që kemi për të bërë punë para se të fillojmë formalisht punën. Është një detyrim ligjor, që siç e tha Stefan Çipa, nuk është zbatuar gjithmonë për shkak të mos mbështetjes së Policisë së Shtetit. E kemi ndeshur herë pas here, që nga Vlora, në Sarandë, në Himarë dhe po kështu në zona të tjera. Sot, të paktën, nga komunikimet që kemi pasur me Policinë e Shtetit gatishmëria e tyre për të mbështetur këtë aksion është me fjalë e konfirmuar, me fakte e konfirmuar në Vlorë ku ka nisur aksioni. Prandaj, do të kërkoja që të vihemi në dispozicion, secili sipas detyrës që ka, nuk diskutohet deputetët nuk mund të bëjnë punën e kryetarëve të bashkive dhe komunave, por është shumë e rëndësishme ndjekja e punës nga ana e tyre dhe prezenca e tyre në mbështetjen të strukturave jo në momentin kur ekzekutohet aksioni, por gjatë gjithë procesit të ndjekjes dhe monitorimit të aksionit. Ashtu sikundër, për të marrë feed back-un nga publiku, por edhe nga njerëzit që mund të kenë ankesa të caktuara, kërkesa të caktuara, legjitime ose jo legjitime kjo është një çështje tjetër.

Është shumë e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë se ky nuk është aksioni i radhës. Nuk është përsëritja e një avazi 20 vjeçar hajde po bëjmë një aksion, po rrëzojmë disa po lëmë disa, po bëjmë sikur po rrëzojmë, ca po i falim, me ca po mbyllim sytë, me ca të tjerë po fitojmë ndonjë lekë dhe po e mbyllim këtë histori dhe kur të vijmë në një ngjarje tjetër apo një problem tjetër politik po i kthehemi prapë ndërtimeve pa leje. Në asnjë mënyrë jo! Ne do jemi shumë rigorozë dhe shumë këmbëngulës. Mbrojtja e tokës sonë, mbrojtja e territorit të kësaj Republike, mbrojtja e pasurisë së përbashkët, fillon pikërisht nga mbrojtja e çdo centimetri territor. Është e vërtetë që me ligj, pa ligji, arnë pas arne të ligjit të legalizimeve u bënë gafa të mëdha dhe u hapën hapësira për abuzime të mëdha.

Ne do t’i qëndrojmë deri në ndërtesën e fundit premtimit tonë për të legalizuar çdo shtëpi në zonat informale. Por, ne nuk do të bëjmë legalizime aty ky cenohen interesat strategjikë të zhvillimit ekonomik, të zhvillimit turistik, të zhvillimit shoqëror të këtij vendi. Kush ka ndërtuar një shtëpi për të jetuar dhe ka lënë gjakun dhe kursimet e një familje të tërë në gjithë këto territore rreth Tiranës, rreth Durrësit, rreth Lushnjes, rreth Fierit rreth Vlorës e me radhë, meriton mbështetjen tonë. Kush ka ndërtuar për përfitime atëherë do të shikohet në funksion të interesave strategjikë, jo si pjesë e këtij programi legalizimi pa pagesë të gjithë atyre familjeve që janë mijëra dhe dhjetëra mijëra që kanë nevojë ta mbyllin përfundimisht këtë kalvar të gjatë premtimesh, gënjeshtrash, premtimesh e përsëri gënjeshtrash për një copë shtëpi. Ama të tjerët, sigurisht që, nuk mund të pretendojmë të uzurpojnë pronë të përbashkët duke u bërë pronarë asetesh nga të cilat nxjerrin dhe përfitime, ndërkohë që populli shqiptar humbet territor, humbet tokë buke, humbet plazhe, humbet pasuri që nuk janë pasuritë e gjeneratës sonë. Janë pasuritë e gjeneratës që vjen dhe këtë ne e kemi detyrim. Prandaj, të ndajmë aksionin e sotëm, që është një aksion 2 mujor emergjence, nuk do të zgjidhim problematikën e ndërtimeve pa leje, thjesht do të ndalojmë çka po ndodh tani.

Çdo karabina që po ngrihet tani duhet të shkatërrohet.

Çdo lloj hedhje gurësh në det jo vetëm duhet të zhbëhet, por ata që kanë cenuar detin duhet t’i çohen organeve të prokurorisë. Ndërkohë që, për pjesën tjetër na duhet të forcojmë ligjin, na duhet struktura e duhur dhe na duhet një plan kombëtar veprimi mbi ndërtimet pa leje që do të zgjasë katër vjet pa pushim ditë për ditë, që nga veriu deri në jug, në gjithë vijën bregdetare. Kjo është një nga arsyet pse njerëzit na kanë votuar dhe ne nuk do t’i zhgënjejmë. Në mënyrë që këto bukuri të rralla dhe kjo pasuri e madhe të jetë vërtetë në funksion të zhvillimit dhe të ketë vërtetë një turizëm që zhvillohet normalisht. Pastaj, patjetër, që janë gjithë këto problemet e tjera të ujërave të zeza, të ndotjes akustike dhe me radhë, pafund probleme që nuk janë objekt fare i këtij takimi dhe as i punës sonë në këto dy muaj.

Të bëjmë projektin e propozimeve për Kuvendin e ri me të gjitha idetë dhe me të gjitha shqetësimet që kthehen në arsye për të bërë propozime nga ana e të gjithëve ju dhe të gjithëve ne këtu në tavolinë, si përfaqësues të popullit, në gjithë vijën bregdetare dhe të ezaurojmë këtë aksion. Do të doja që kryetarët e bashkive të ishin zemërgjerësisht në funksion dhe të mbështetjes së komunave fqinje apo dhe më tutje përsa i përket logjistikës, që tek komunat është pak më e vështirë ose tek bashkitë e vogla pothuajse është njësoj si tek komunat, pothuajse inekzistente. Bashkia e Vlorës të mbështesë dhe Bashkinë e Himarës. Jam i bindur që Bashkia e Sarandës do mbështesë dhe gjithë pjesën tjetër. Bashkia e Durrësit do mbështesë dhe komunat më pranë dhe kështu dhe më lart. Të flasim dhe me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, të marrim një mbështetje, dhe me patjetër pastaj të gjejmë dhe mënyrën për të ndihmuar dhe komunat e pjesës së sipërme në Adriatik.

Besoj që mund ta mbyllim duke kërkuar që, ashtu sikundër në Vlorë, për Sarandën, Himarën, pra, vijnë bregdetare të Vlorës kemi bërë pak a shumë një plan veprimi, ashtu të bëhet dhe në pjesën tjetër, nën drejtimin e deputetëve në bashkëpunim me kryetarët e bashkive dhe të komunave për ta ndjekur këtë proces deri në 9 shtator.   

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë