Shënohet viktima e parë nga Covid-19 në radhët e të burgosurve. Ka ndërruar jetë në spital, 74-vjeçari Çaush Banaj nga Mallakastra, i cili vuante dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës. Banaj cilësohet si pacienti zero, që ka infektuar edhe 9 të dënuar të tjerë, që tashmë janë transferuar në Tiranë dhe Lezhë.

Burime zyrtarë thanë për Report Tv se Banaj ka ndërruar jetë dy netë më parë në spitalin "Shefqet Ndroqi" në Tiranë. Përpos Covid-19 ai vuante edhe nga sëmundje bashkëshoqëruese.

Sakaq, 9 të dënuar të tjere të burgut të Drenovës kanë rezultuar të prekur me Covid-19 dhe tashmë janë transferuar dy në spitalin e burgut në Tiranë dhe 7 në spitalin e burgut të Shënkollit në Lezhë, me simptoma të lehta të sëmundjes.

Çaush Banaj që humbi jetën nga Covid-19 ishte dënuar për tre vrasje bashkë me të birin. Ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1997. Ende nuk dihet se si është infektuar i dënuari, pasi takimet me familjarët në burg janë pezulluar prej 3-4 muajsh.