EURO 2020-Trajneri i Kombëtares, Edy Reja ka bërë publike mesditën e sotme listën e futbollistëve të grumbulluar për 2 ndeshjet e vlefshme për kualifikueset 'Euro 2020'.
Ajo që vihet re në listën e 25 lojtarëve të grumbulluar është mungesa e sulmuesit Armando Sadiku, apo i Eros Grezdës dhe afrimi i shumë lojtarëve të rinj, nga ku mund të përmendet rikthimi i Rei Manajt, i Marash Kumbullës apo i Klaus Gjasulës në mesfushë, që zë vendin e Migjen Bashës, i cili i dha "lamtumirë" kombëtares. Në konferencën për shtyp, para ndeshjes me kampionen e Botës, Francën dhe Islandës, Reja vuri theksin tek rinovimi i ekipit kombëtar me emra të rinj, si një kërkesë kjo edhe e Federatës Shqiptare të Futbollit.
"Hija" e Gianni De Biasit nuk është larguar, nga ku duket se arritja kryesore e çdo trajneri pasardhës, përfshirë këtu edhe Rejan, është kapërcimi i rezultateve që kuqezinjtë kanë marrë nën drejtimin e tij.
"Do doja që të përsërisim me këtë grup lojtarësh të njëjtën gjë që ka bërë edhe trajneri De Biasi", tha Reja.
Sa i përket dy përballjeve me Francën dhe Islandës, që do të luhen konkretisht në 7 dhe 10 shtator, tekniku 73-vjeçar u shpreh se do të hedhë në fushë një skuadër që do të përpiqet në maksimum që të vënë në vështirësi kampionët e botës dhe për të marrë më të mirën nga kjo ndeshje.
"Jemi shumë koshient që do të luajmë kundër një skuadre si Franca, më parë kemi arritur që ta vëmë në vështirësi këtë skuadër dhe do mundohemi që ta përsërisim. Dua që ta vendosim në vështirësi. Me Islandën, kanë bërë një ndeshje shumë të mirë. Patën një rënie me Moldavinë, gjithsesi mendoj se duke arritur rezultatin pozitiv arrihet besimi tek skuadra. Gjithçka do të varet nga formacioni që ato do të përdorin. Franca dihet që ka një një më të lartë se Shqipëria. Do jetë shumë e vështirë që të gjejmë hapësira në sulm, e rëndësishme është që të fusim në fushë një skuadër sa më të kolauduar. Duhet të mundohemi që të marrim një rezultat sa më të mirë", tha Reja./Përgatiti Brunilda Kazani
Lista e lojtarëve të grumbulluar
Portierë: Thomas Strakosha, Etrit Berisha dhe Alban Hoxha
Mbrojtës: Hysaj, Dermaku, Mihaj, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Veseli, Mërgim Mavrajn
Mesfushorë: Ramadani, Lenjani, Xhaka, Bare, Abrashi, Memushaj, Klaus Gjasulën dhe Kristi Qosen
Sulmues: Uzuni, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Odise Roshi, Rei Manaj