Ndryshimet në Kodin Zgjedho

Ndryshimet në Kodin Zgjedho
Ndryshimet që ju bënë Kodit Zgjedhor janë të shumta. Pa studimin e vëmendshëm të tyre, vështirë të shfaqësh ndonjë mendim. Për këtë del nevoja të njihemi edhe një herë me rekomandimet e paraqitura nga OSBE/ODIHR-I në raportet e viteve 2009 dhe 2011 ku bëhet fjalë përkatësisht për zgjedhjet parlamentare dhe ato të organeve të qeverisjes vendore. Por jo vetëm kaq: mendoj se duhen patur parasysh edhe problemet e tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe që i ka diktuar praktika. Deri më sot vetëm një sy të shpejtë i kam hedhur ndryshimeve të shtesave të miratuara. U njoha gjithashtu edhe me Raportin për punën dhe konkluzionet e komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Pa hyrë në detaje, dy çështje më tërhoqën vëmendjen dhe që mund të shfaq qysh tashti ndonjë mendim. Ato janë:

1)KQZ-ja megjithëse përbënte një një problem kyç dhe mjaft të debatuar, komisioni i posaçëm në raportin e vet e rrjeshton atë pa asnjë koment në pjesën institucioni i zgjedhjeve. Kjo natyrisht nuk ishte e detyrueshme të bëhej, por meqë një numër i konsiderueshëm i partive politike dhe organizatave jofitimprurëse, kishin propozuar dhe shprehur mendime për një KQZ profesionale të krijuara jo në bazë të propozimeve (kandidaturave) të paraqitura nga partitë politike përkatëse, ndoshta do të duhej të jepej një sqarim (qoftë edhe për efekt transparente) përse nuk ishte e mundur të merreshin paraaysh propozimet e mësipërme: për mungesë të vullnetit politik, apo pse mënyra e zgjedhjes së KQZ-së, siç është parashikuar me Kod ishte më e mira, më e përshtashme, më e besueshme.
E shikoj të nevojshme që lexuesi që nuk është njohur ende me kodin e miratuar të dijë se: sipas nenit 13, pika 1 të ndryshuar, anëtari i KQZ-së ka mandat 6 vjeçar me të drejtë rizgjedhje, ndërsa kryetari i KQZ-së ka mandat 4 vjeçar, me të drejtë rizgjedhje.
Asnjë ndryshim nuk ka pësuar neni 14, i Kodit Elektoral që parashikon zgjedhjen e 6 anëtarëve të KQZ-së nga partitë përkatëse parlamentare të pozitës dhe opozitës.

Ka ndryshuar neni 15 i Kodit, ku bëhet fjalë për zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së. Është një formulim i gjatë prej 26 rjeshtash që nuk e shikoj të nevojshme ta citoj. Megjithëkëtë do të mjaftonte të përmendja se çdo shtetas që do të plotësonte kriteret ligjore mund të kandidonte. Komisioni i Ligjeve kishte të drejtë të përzgjidhte për t'u paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatët që do të gëzonin mbështetjen më të madhe të anëtarëve të komisionit, por jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse kjo nuk ndodh, komisioni identifikon katër kandidatë që kanë marrë mbështetjen më të madhe, ndërsa përfaqësuesve të pakicës parlamentare në komision u është lënë e drejta të përjshtojnë dy nga kandidatët e zgjedhur. Kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvednit për votim.

Kryetari i KQZ zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysma e votave të deputetëve të Kuvendit d.m.th mbi 71 vota.
Kam përshtypjen se kjo procedurë zgjedhjeje e Kryetarit është miratuar për ti zbutur disi deri në një farë mase mosbesimin partiak sidomos ndaj tij, megjithëse është praktika që do të vërtetojë sa i paanshëm do të jetë ai. Është e vërtetë se nisma për paraqitjen e tij është individuale, por përfundimisht edhe e zgjedh Kuvendi.

OSBE/ODIHR-i që ka rekomanduar riformatimin e KQZ-së nuk besoj të ketë patur parasysh vetëm zgjedhjen e kryetarit, por një formatim për rritjen e besimit me pavarësinë e tij dhe zbatimin e paanshëm të Kodit Zgjedhor, jashtë ndikimeve partiake. Natyrisht nuk kemi të drejtë të paragjykojmë zgjedhjen e Kryetarit. Do të dëshironim që ai të kishte cilësi drejtuese dhe organizimi, por mbi të gjitha të kishte integritet. Kemi parasysh se sidomos me raportin e fundit të OSBE/ODIHR (2011) ka patur kritika jo të lehta në adresë të KQZ-së dhe në mënyrë të veçantë të kryetarit të saj. Nga përvoja më negative duhet mësuar.

Propozimi ose kërkesa e 26 partive

Në Raportin e komisionit të posaçëm parlamentar sqarimit të kësaj çështje i kushtohet vëmendje e veçantë. Për këtë janë formuluar 21 rjeshta. Në propozimet e 26 partive politike të pozitës dhe opozitës, siç dihet, është kërkuar që vota propocionale të llogaritej në shkallë kombëtare, gjë që do të garantonte barazinë e votës dhe do të parandalonte deformimin e vullnetit të zgjedhësve.

Në raportin e mësipërm thuhet se komisioni ka treguar "mirëkuptimin maksimal" dhe në vijim të angazhimit politik që ishte marrë nga të gjitha partitë pjesëmarrëse, u ngarkua "grupi i ekspertëve teknikë" që të shqyrtonte dhe të pregatiste materialin përkatës.
Cilat ishin arsyet që përmenden në raport dhe që kushëzuan mospranimin ose "ndërprerjen e mëtejshme" të shqyrtimit të propozimeve të 26 partive politike?
a) Objekti i punës të komisionit të posaçëm, siç thuhet në raport, ishte detyra për "hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe ato vendore 2011. Në asnjë nga këto rekomandime nuk trajtohet çështja e sistemit zgjedhor dhe për pasojë ajo nuk mund të përbënte objekt juridiksioni të punës së komisionit.
Kam mendim se ky nuk është argument. Është justifikim për të mos thënë preteks.

Së pari sepse në Kodin Zgjedhor janë bërë shumë ndryshime dhe shtesa për të cilat nuk ka rekomandime të OSBE/ODIHR-it as bë vitin 2009, dhe as në vitin 2011.
Së dyti OSBE/ODIHR-i nuk ka udhëzuar (edhe as që mund të udhëzonte)që komisioni duhet të analizonte vetëm rekomandimet që ai kishte bërë.
Së treti, objekti i punës së komisionit mund të ndryshonte. Vendimi nr 141, datë 17.11.2011 që përcaktoi objektin nuk ishte tabu.
Së katërti, nëse do të ishte ky shkaku (d.m.th objekti i punës së komisionit) nuk kishte arsye përse komisioni të ngarkonte "ekspertët teknikë" për të shqiptuar propozimet e 26 partive politike. Derisa komisioni ngarkoi "ekspertët teknikë' a veproi në kundërshtim me objektin e punës të caktuar me vendimin e mësipërm të Kuvendit?! Nëse komisionin e pengonte vendimi i Kuvendit (për sa i përket objektit) mos vallë angazhimi politik që thuhet në raport, kishte përparësi ndaj vendimit të Kuvendit?

Qofsha i gabuar, por kam mendimin se shqyrtimi i këtij problemi (kuptohet i cunguar) nuk ishte transparent dhe as me predispozicioni pozitiv. Sipas raportit, ekspertiza teknike arriti në përfundimin se propozimet e 26 partive "mund të kërkonin ndryshime kushtetuese". Ekspertiza "teknike", mendoj se në këtë rast nuk ka pse të konsiderohet absolute aq më tepër që vetë ekspertët "teknikë" nuk janë shprehur në mënyrë kategorike.
A ishte e mundur (ose më mirë të themi a duhej) që me një rast të tillë grupi i ekspertëve teknikë të zgjerohej edhe me ekspertë dhe specialistë të tjerë të fushës Kushtetuese? Komisioni, mendoj se e kishte mundësinë dhe kohën që problemi të trajtohej në mënyrë gjithëpërfshirëse duke diskutuar edhe për variantet e mundshme.

Por le të pranojmë për një çast se e vetmja zgjidhje do të ishte ndërhyrja në Kushtetutë, nëse për këtë do të kishte konsensus, përse të ngurohej(natyrisht duke e studiuar dhe debatuar problemin)? Kam mendimin se duhej ti jepej përgjigje pyetjes (kërkues) nëse me këtë mënyrë të përllogaritjes së votës propocianale, a cenohet barazia e votës? Ka patur jo citim deklarate, por edhe argumente se kjo pabarazi është e ndjeshme. A është kështu?
Nëse dikush edhe në këtë rast mund të thoshte se ndërhyrja në Kushtetutë nuk mund të behej se për këtë nuk kishte rekomandim të OSBE/ODIHR-i, përgjigjia do të ishte e thjeshtë dhe e qartë: sistemi zgjedhor (neni 64, i Kushtetutës) më 21 prill 2009 u ndryshua edhe pse me raportin OSBE/ODIHR-it të vitit 2007 nuk kishte ndonjë rekomandim të tillë.
(nj/gm/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital