Një ligj i ri për hallet e vjetra të kryeministrit Edi Rama, i quajti Partia Demokratike ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të prezantuara sot.  Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhit, Kodi nuk është reflektim pas shqetësimeve reale për mbipopullimin e burgjeve me të paraburgosur, por për të shmangur masat për zyrtarët qeveritarë para dënimit. 

Sipas Bardhit, Këshilli i Europës kishte paralajmëruar që në fillim të qeverisjes së Ramës për përdorimin e tepruar të paraburgimit dhe kishte rekomanduar alternativa të tjera. Ai lidh ndryshimet e fundit me arrestimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke pretenduar se Rama e ngriti publikisht çështjen e “burgosjes pa gjyq” vetëm pas këtij rasti. Sipas Bardhit, Ramës nuk i dhimbset Veliaj, por i trembet drejtësisë, pasi sipas tij, Ergys Agasi dhe Belinda Balluku kanë shumë për të thënë.

Reagimi i Bardhit:

Një ligj i ri për hallet e vjetra të Ramës!

Edi Ramës nuk i intereson se kush rri në paraburgim me të drejtë dhe kush jo. Po t’i interesonte vërtet, nuk do ta kishte shpallur dhe ndjekur “BURGUN” si rrugën e shkurtër të zgjidhjes së çdo problemi social në Shqipëri, që ditën e parë të ardhjes në pushtet. Burg për ndërtimet pa leje. Burg për energjinë. Burg për punën në të zezë. Burg gjatë COVID-it. Sa herë ai dështonte të mbante një premtim elektoral, përgjigjja politike ishte e njëjta: më shumë penalizim, më shumë burg.

Në tetor 2014, gjatë operacionit për energjinë, u arrestuan mbi 1 mijë persona vetëm në muajt e parë. Një politikë që pati edhe histori tragjike. Qamil Zela, 52 vjeç, baba i tre fëmijëve, qëndroi dy muaj në paraburgim për një borxh prej 35 mijë lekësh të vjetra dhe, më 28 dhjetor 2014, u vetëvar në qeli.

Prandaj Edi Rama nuk mund ta sjellë sot Këshillin e Europës sikur sapo ka zbuluar se Shqipëria ka problem me paraburgimin. Këshilli i Europës e kishte thënë këtë që në muajt e parë të qeverisjes së tij. Më 16 janar 2014, Këshilli i Europës paralajmëroi për “mbështetjen e tepruar te paraburgimi” dhe rekomandoi që kjo masë të përdorej vetëm si zgjidhje e fundit, duke u dhënë përparësi alternativave. Raporti i Këshillit të Europës konstatoi se, nga tetori 2013 deri në shkurt 2014, numri i të paraburgosurve ishte dyfishuar, duke arritur rreth 2,300 persona, ose afërsisht 40% të të gjithë popullsisë së burgjeve.

Pra, Edi Rama e dinte. Paralajmërimi europian ishte bërë dhe shkaktari ishte identifikuar: politika e qeverisë.

Atëherë, kur iu kujtua Edi Ramës se liria duhet të jetë rregulli dhe burgu përjashtimi?

Sigurisht, jo në vitin 2014, kur Këshilli i Europës ngrinte alarmin. Jo kur, sapo ai erdhi në pushtet, paraburgimet u dyfishuan. Dhe jo kur Qamil Zela u vetëvar në paraburgim për energjinë elektrike.

Edi Rama u kujtua se kishte shkaktuar këtë problem në shkurt 2025, pas arrestimit të Erion Veliajt.

Më 12 shkurt 2025, dy ditë pas arrestimit, Edi Rama foli për “burgosje pa gjyq” të Veliajt dhe tha se gjykimi mund të vazhdonte në gjendje të lirë. Vetëm atëherë zbuloi edhe “zonën e lirisë” të Këshillit të Europës.

Jo se i dhimbset Veliaj. Edi Rama po punon për veten. Ergys Agasi ka shumë për të thënë. Belinda Balluku ka shumë për të thënë. Besoj të gjithëve u kujtohet deklarata publike se SPAK-u nuk ia merrte dot telefonin Edi Ramës.

Ndryshimet e sotme shpjegojnë gjithçka.

Deri tani Edi Rama ka bërë ligje me porosi për të tjerët. Sot, po qep një ligj sipas masës së vet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:05
Rama tha se edhe Rusia ka më pak të paraburgosur, Blushi: S'krahasohesh dot as me Putinin, arrestimi i Metës 'aksion terrorist'

Partia e Lirisë e konsideroi sot arrestimin e Ilir Metës si shembullin më domethënës për t'iu kundërvënë deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi paraburgime gjatë prezantimit të draftit për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale sot në Tiranë.

Pasi Rama tha se edhe në Rusi, të cilën e cilësoi "atdheun e represionit", ka më pak të paraburgosur se në Shqipëri, sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, publikoi video krahasuese të arrestimit të Metës dhe të opozitarit rus Alexei Navalny si argument se, sipas tij, Rama nuk mund të flasë për represionin në Rusi, ndërsa kundërshtari i tij politik përballet me të njëjtin trajtim.

Në reagimin e tij, Blushi e akuzon Ramën se arrestimi i Ilir Metës nuk ishte një procedurë e zakonshme ligjore, por një “rrëmbim” i organizuar me urdhër politik.

Deklarata e plotë e Blushit 

Si nuk të vjen turp Edi Rama kur krahasohesh me Rusinë?! 

Ti që në mënyrën më kriminale dhe mafioze e rrëmbeve kundërshtarin tënd politik, Ilir Metën, në mes të ditës, duke përdorur Gysin, Prodën, Vilson Balën dhe horrat e bandave të Durrësit dhe Elbasanit. 

Duhet të jesh vërtet i paturp të barazohesh me Rusinë, ti që nuk krahasohesh dot as me Putinin, që e arrestoi Navalnyn me forca policore të identifikuara dhe me procedura formale publike. 

Ti që e ktheve arrestimin e Ilir Metës në një aksion terrorist rrëmbimi me dhunë, me sjellje tipike mafioze, të çertifikuar si rrëmbim edhe me vendim gjykate. 

A ke fytyrë ti, të krahasohesh me Rusinë, kur ke urdhëruar personalishtn, që Ilir Meta të mos japë asnjë intervistë nga paraburgimi, edhe kur gazetarët kanë marrë leje nga SPAK-u, ndërkohë që Putini i lejonte Navalnyn dhe Khodorkovsky të jepnin intervista për mediat ndërkombëtare nga burgjet e Rusisë. 

Ti ke fytyrë e krahasohesh me Rusinë, kur ke urdhëruar personalisht që deputetë dhe eurodeputetë, që të mos lejohen të takohen me Ilir Metën.

Si mund të krahasohesh ti me Rusinë, që i ke kthyer burgjet në institucione persekutimi çnjerëzor politik për kundërshtarët e tu, por në vende rehatie dhe qejfesh perverse veç për bedelët e tu? 

Para se të tregosh me gisht Rusinë, jep llogari për kapjen e shtetit nga mafia dhe për represionin kriminal politik ndaj kundërshtarëve të tu!

Dhuna është fytyra jote!

Se je ti që fute mijëra njerëz në burg se nuk kishin mundësi të paguanin energjinë elektrike dhe je gati t’i mbipopullosh burgjet edhe për parkim dysh apo se riparojnë kotecet e pulave dhe tualetet e shtëpive!

Edi Rama sot ti nuk ke asnjë vend të Europës me të cilin të krahasohesh sepse ti je njolla e zezë e Europës dhe mënxyra më e madhe e Shqipërisë!