Një kafene mes gjelbërimit dhe qetësisë së Liqenit Artificial të Tiranës ishte prej vitesh vendi i preferuar i gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë. Çdo mëngjes Kadarenë do e gjeje pikërisht aty te “Juvenilja”, ku përpos kafes së mëngjesit, ai takonte miq e admirues së tij.

Kafja e fundit e Kadaresë në këtë vend u konsumua të hënën e një dite qershori. Pikërisht më 24 qershor 2024, një javë para se zemra e tij të ndalonte së rrahuri. Ndërsa sot, më 28 janar, në ditën kur ai do të mbushte 90 vjeç, miqtë, familjarët dhe shoqja e tij e jetës, Helena Kadare, e kanë përjetësuar kujtimin e tij përmes një statuje, pikërisht në vendin ku ai ulej çdo ditë për të shijuar kafen.

Helena Kadare, gruaja e shkrimtarit u ul sot pikërisht në tavolinën që ai ulej gjithmonë për të “konsumuar” kështu një kafe të “fundit” me Kadarenë.

Kjo skulpturë u derdhur në bronz u realizua me mjeshtëri nga skulptori Henri Nimani, ndërkohë që ideja ka qenë e aktorit të mirënjohur Timo Flloko, me mbështetjen dhe bekimin e miqve të familjes Kadare.

Sot, kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, do të festonte 90-vjetorin e lindjes. Kadare u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 1 korrik 2024, por vepra e tij nuk do të shuhet kurrë.

Kadare ka lënë pas një trashëgimi të vyer, dhjetëra libra, shkrime e poezi, një identitet për kohën dhe atëherë kur për popullin ishte e pamundur të shihte përtej kufijve. Etnograf sarkastik, romancier duke alternuar groteskun dhe epikën, Ismail Kadare eksploroi mitet dhe historinë e vendit të tij, për të zbërthyer mekanizmat e një të keqeje universale, totalitarizmit.