‘Në burgun e Burrelit, Goni Treska më tregonte se si e kishte njohur nga afër Enver Hoxhën ...’/ Dëshmitë e të dënuarit që vuajti 21 vjet

‘Në burgun e Burrelit, Goni Treska më tregonte se si e kishte njohur nga afër Enver Hoxhën ...’/ Dëshmitë e të dënuarit që vuajti 21 vjet

Burgu i Burrellit në komunizëm

Uran Rasim Kalakulla lindi në Tiranë në vitin 1929, ndërsa origjina e familjes së tyre është nga Libohova e Gjirokastrës. Ai kreu në vend-lindje studimet pedagogjike dhe punoi si arsimtar i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, në Berat dhe në fshatrat e rrethit të Tiranës. Në vitin 1960-të u arrestua në grup për organizimin e një partie social-demokrate dhe u dënua me vdekje (pushkatim). Mbas dy muajsh i falet jeta dhe dënohet me 25 vjet burg, nga të cilat bëri 21 vjet, kryesisht në Burrel. Mbas burgut u internua 5 vjet në fshatrat e Kavajës. Në vitin 1991, u bë iniciator i krijimit të Shoqërisë Kombëtare të ish – të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë. Vitet e fundit, iu dedikua shkrimeve dhe ka botuar disa libra ndër të cilët “Vargje në pranga”, “Shqiptarizmi dhe prirja e tij Europiane”, “Arshi Pipa – njeriu dhe vepra”, “21 vjet burg komunist”. Uran Kalakulla ndërroi jetë në vitin 2001. Shkrimi që po publikojmë më poshtë, është marrë nga libri “21 vjet burg komunist”.

 “Nana ishte e moshueme dhe s’mujti me na ndjek burgjeve, mua e vllaun, kjo i ngeli motrës, Marijes, e cila plot 37 dimna e 37 vera…”/ Dëshmitë rrëqethëse të Dom Nikollë Mazrekut

“Në vitet 1947-’48, në Burrel vdiqën 720 të dënuar dhe Banush Goxhaj me Vangjel Rrëmbecin, urdhëronin rojet që kufomat t’i përcillnin me…”/ Dëshmitë e rralla të dënuarit, që vuajti 37 vjet

Goni Treskën e njoha në kamp-burgun e Elbasanit e, më pas, u afruam më shumë edhe në burgun e Burrelit, kur pak kohë si më kishin çuar atje, sollën një grumbull pleqsh po nga ai kamp-burg, që nuk ishin më të aftë për punë, pikërisht në dhomën nr.1 ku ndodhesha atëherë. Atje Gonit i caktuan vendin, për fat, krejt afër meje.

Në atë kohë Goni i kishte kaluar të gjashtëdhjetë e pesë vitet, por, megjithëse ishte për të tretën herë në burg, që nga ‘45-a, prapë mbahej mirë dhe mendjen e kishte qiqër. Vetëm se, domosdo, shenjat e lodhjes dhe të pleqërisë së parakohshme dukeshin qartë. Flokët i kishin rënë dhe vetëm anës kokës i kishin mbetur ca qime të rralla, të kuqe, si tela bakri dhe rreth syve të kaltër dukeshin shenjat e mundimeve të mëdha që kishte hequr.

Goni ishte prej një nga familjet më të dëgjuara të Korçës. Prindërit kishin pasur vetëm atë djalë dhe si fëmijë të vetëm, e kishin rritur me të gjitha të mirat. I ati kishte qenë tregtar, dhe të birin e kishte çuar të mbaronte shkollën Tregtare në Korfuz.

Atje Goni kishte mësuar jo vetëm financë, por domosdo edhe greqishten si dhe frëngjishten, si gjuhë të dytë. Por as tregtia dhe as ndonjë zanat a kulturë tjetër nuk i kishte ngjitur fort shpirtit Gonit, se ai kishte parapëlqyer më fort të mësonte kulturën dhe filozofinë e jetës praktike. Kështu, në një farë mënyre, ishte bërë disi epikurian, ku veç ndershmërisë së ndikuar nga karakteri i tij, kishte qenë fort i lidhur me hedonizmin, ku shija ndaj bukurisë femërore kishte zënë vendin e parë.

Por Goni nuk ishte nga ata horrat që u qepen femrave si qentë e pazarit bushtrave, sepse mbi të gjitha, ai ishte një zotëri i vërtetë dhe shija për jetën galante nuk ia kishte zhdukur aspak ndjenjën e dinjitetit dhe të zotnillëkut. E mbi të gjitha edhe ndjenjën e fortë të qytetarisë, sidomos të shqiptarizmit.

Dhe për këto tri të fundit unë e doja, e respektoja dhe isha afruar shumë në miqësi me të. Apo s’kishte një të folur të rrjedhshme, me atë korçaren e vet sa klasike aq edhe elegante. Apo s’ishte edhe elokuent. Sikur të kishte pasur prirje letrare dhe të shkruante tregimet e tij që ishin që të gjitha ngjarje të vërteta, me siguri që Goni Treska do të kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe, posaçërisht në narrativen me karakter sa galant e pse jo edhe historik.

Se Goni kishte qenë dëshmitar dhe nganjëherë edhe protagonist i ngjarjeve me vlerë historike për sot. Për shembull, ai kishte njohur së afërmi Zai Fundon, Koço Tashkon, Koçi Xoxen e shumë nga ata të Grupit Komunist të Korçës, por sigurisht pa, pasur asgjë të përbashkët me ta, përkundrazi duke qenë në opozitë të hapur. Ai kishte njohur edhe plot të tjerë nga historia e vendit tonë, posaçërisht të rrethit të Korçës, si Themistokli Gërmenjin, Mihal Gramenon, e kështu me radhë.

Por kishte njohur në Korçë edhe Enver Hoxhën, kur ky ishte nxënës i liceut, ashtu edhe mësues me kontratë. Dhe e kishte njohur kaq mirë, saqë kur shëtisnim në oborrin e burgut në Burrel, krejt papritmas i binte ballit me dorë, saqë unë shqetësohesha se mos kishte marrë ndonjë lajm të keq nga familja. Por ai ma kthente:

– “Jo, shyqyr, nuk kam lajm të keq nga familja, por kur mendoj se kë kemi mbi kokë e kush e qeveris sot vendin tonë, më vjen të ulërij nga inati”!

– Po pse, o Goni, si e ke njohur ti Enver Hoxhën?

Të them të drejtën, këtë pyetje ia bëja me qëllim se e dija që ai do t’ia fillonte ndonjë historie që lidhej me diktatorin. Në atë kohë unë mblidhja sa mundja nëpër burg materiale nga ata që e kishin njohur personalisht diktatorin në kohë e periudha të ndryshme, drejtpërsëdrejti apo me anë të ndonjë personi të tretë.

Dhe të gjitha i shënoja në një fletore me kriptogram, domethënë me një alfabet që e kisha sajuar vetë, i cili të jepte përshtypjen, së jashtmi, se ishte një fjalor shqip për fjalët e rralla të gjuhës sonë, por në të vërtetë aty kishte ç’më kishin njoftuar njëri e tjetri për diktatorin. Sepse kisha qitur ceken të shkruara një monografi për këtë personazh tragjikomik të historisë sonë fatkeqe. Dhe po pata ende jetë, pa dyshim që do ta shkruaj.

Kështu Goni ka treguar shprehimisht se si Enver Hoxha, kur ishte student në lice, merrte dollarë të Zogut si dylber i një kasapi me emrin Kia. Kur ishte “profesor”, vite më vonë, po në atë lice, ia vidhte këmishët drejtorit francez të liceut që nga dritarja; si e përbuznin njerëzit e ndershëm e seriozë, si i vinte vërdallë një vajze me emrin Galata, bijë e një familjeje fisnike që atëherë mësonte piano; si i kallëzonte në pastiçeri përralla dhe aventura me gratë anëtare të Grupit Komunist të Koço Tashkos e Koci Bakos, duke ia ngrënë pastat qyl, gati përditë.

E plot kësi gjërash. E Goni në këtë drejtim ishte një minierë e vërtetë. Po edhe për shumë anë të tjera të jetës. Puna ishte vetëm ta gërgisje e ta bëje të fliste. Dhe këtë zanat unë e pata mësuar fare mirë, por ama pa humbur asnjë çast dashurinë miqësore dhe respektin e merituar për të.

Mjerisht, kur dola nga burgu dhe internimi, ai nuk ishte më, se kishte vdekur në mjerim, së paku në gjirin e familjes së vet të nderuar, por jam i sigurt me një pezmatim të pashuar në shpirtin e tij, se nuk arriti ta shohë me sytë e vet shembjen e turpshme të diktaturës enveriste.

Njohja me Engjëll Çobën

Në burgun e Burrelit u njoha, veç pleqve të tjerë, edhe me Engjëll Çobën, nga familjet më të mira dhe fisnike të Shkodrës. Ishte një burrë i shkurtër edhe ai, që kishte kohë që i kishte kaluar të shtatëdhjetat. Ai bëri jo pak, por mbi 23 vjet burg, shumicën e të cilave e kishte kaluar në burgun e Burrelit.

Engjëlli gati të gjithë arsimimin e tij, nga e mesmja e deri në universitet, e kishte kryer në Itali, në mos gaboj në Romë dhe në çdo kategori shkolle ishte shquar si një ndër më të mirët. Kështu ai kishte marrë një formim kulturor të përsosur, veçanërisht në dijet humanitare. Edhe pse specialiteti i tij ishte drejtësia, ai njihte letërsinë, ekonominë, filozofinë dhe sociologjinë.

Si njohës i shkëlqyer i italishtes, ai e njihte fort mirë edhe shqipen, madje edhe toskërishten, pas dialektit të tij të lindjes. E po ashtu njihte frëngjishten dhe anglishten. Dhe sido që tashmë në moshë të thyer, me një barrë vitesh të gjata në burg, pasioni për dijen dhe etja për lexim nuk e kishin braktisur fare.

Apo s’kishte edhe një kujtesë të mrekullueshme, gati djaloshare! Kështu ai mbante mend pasazhe të tërë librash që kishte lexuar, ashtu si biseda të bëra me personalitete të njohura historike e politike të kohës para komunizmit.

Të vetmit njeri, gjatë gjithë burgut tim, që i tregova fill e për pe historinë e grupit politik për të cilin isha dënuar, qe ai. Dhe sido që mes nesh kishte ca ndryshime në pikëpamjet dhe botëkuptimin politik, ai prapë më kuptoi shumë mirë dhe madje miratoi veprimin tim.

Ishte një kënaqësi e vërtetë të bisedoje me të. Në të folurën e tij kishte një elegancë të vërtetë, a thua se lexoje një libër dialogjesh të zgjedhura. Ekspozimi i mendimeve të tij apo i një teze të caktuar, jo vetëm bëhej menjë elegancë stili në të folur, por kishte në të një thellësi të shquar mendimi dhe një fjalor fort të pasur e të qëlluar, që i shkonte për shtat mrekullisht argumentit në fjalë. Apo nuk kishte edhe një thimth fort të hollë, ku humori gjente shteg lehtësisht të shpërthente me tërë lezetin e tij argëtues.

Engjëlli kishte ushtruar më parë profesionin e tij si jurist, sapo ishte kthyer nga studimet universitare në atdhe. Më pas kishte pasur pozita të larta shtetërore. Kështu, në kohën e zaptimit italian kishte punuar si sekretar i përgjithshëm në Kryeministri, në kabinetin e Mustafa Krujës.

Kurse në qeverinë e Këshillit të Lartë (shtator ’43, nëntor ’44), kishte punuar si nënministër i Punëve të Brendshme. Detyra shumë delikate në një kohë shumë delikate ato të tijat! E pra ishte një patriot i kulluar. Por, a nuk ishte kjo punë një kontradiktë e madhe, e papajtueshme?

Ai kishte një konsideratë madhështore për Mustafas Krujën, qoftë për pikëpamjet e tij politike, qoftë edhe për formimin e tij kulturor. Dhe, në ndonjë rast, kishte edhe adhurim. Por këto konsiderata sikur nuk ma mbushnin mua fort mendjen. Dhe atëherë pata me të një diskutim disi të fortë.

Unë e pranoja kulturën disi gjuhësore në lëmin e shqipes të Mustafa Krujës, si dhe pozicionin e tij politik mes viteve ‘20-‘24, por nuk doja të dëgjoja fare për kohën e emigracionit të tij politik, kur ai kishte shfaqur haptazi pikëpamjet e veta pro-italiane. Pse, a nuk e dinte Musta Kruja oreksin e imperializmit italian ndaj Shqipërisë? A nuk e dinte ai Protokollin e Firences si dhe paktin Tito-Venizellos? E atëherë?!

Unë e çmoja nismën e Mustafa Krujës për ngritjen e të parit Institut të Studimeve Shqiptare, ku, ndër të tjera, ishte ngritur me të madhe ruajtja e pastërtisë së gjuhës shqipe dhe pastrimi i saj nga shumë barbarizma. Por politikisht a shkonte qëndrimi i tij (i Mustafait) si kryeministër nën fashizmin, e duke mos qenë, si thoshte Engjëlli, asfare fashist?

Pastaj si ai, bir i një familjeje patriote shkodrane, kishte pranuar të bashkëpunonte në një kabinet të tillë qeveritar, që atëherë, dashur pa dashur, kishte marrë nofkën e një qeverie kuislingë, term fort i përdorshëm në atë kohë kritike?

Nga replikat e mia, Engjëlli nuk e prishi fare terezinë dhe atëherë nisi shpjegimin e tij, që më ka mbetur në mendje:

– “Si unë dhe plot të tjerë, që morën pjesë në atë qeveri, si dhe në qeverinë e mëvonshme të Rexhep Mitrovicës apo të Maliq Bushatit, u nisëm nga parimi që italianët e thonë me shprehjen e njohur: “Salvare il salvare” (të shpëtohet ç’mund të shpëtohet). Duke ua lënë qeverinë tërësisht italianëve, ata do të bënin ligjin në vendin tonë dhe italianizimi i Shqipërisë do të bëhej me hapa të shpejtë. Pra, ne hymë në qeveri që ta pengonim sa të ishte e mundur këtë proces shkombëtarizues.

E po kjo punë qe edhe në kohën e pushtimit gjerman, jo pse gjermanët deshën gjermanizimin e vendit, se ti e di pse erdhën ata në Shqipëri, por për të minimizuar, sa të ishte e mundur, represionet e tyre ndaj rezistencës së armatosur të forcave të ndryshme politike të kohës, që donin çlirimin sa më parë të vendit nga të huajt.

Kështu, kur të çlirohej Shqipëria nga zaptuesit, në saje të luftës së fuqive të mëdha antifashistë dhe po qe se në vendin tonë do të ngrihej një qeveri demokratike si ato të perëndimit pas luftës, unë dhe shokët e mi ishim bërë gati të dilnim në gjyqin e lirë të demokracisë për të dhënë llogari, ashtu si dha Peteni në Francë e duke pranuar çdo dënim që mund të na jepej, deri në jetë, siç i ndodhi Lavalit, që francezët e pushkatuan. Pra ishte një vetësakrifikim i ndërgjegjshëm ai yni”!

Shpjegimi i tij më vuri në mendim. Ishte një shpjegim i sinqertë dhe serioz dhe gati për të mbushur mendjen. Kur tjetri pranon ta vërë veten në bankën e të akuzuarit para gjyqit të drejtë shqiptar, çfarë mund t’i thoja më? Edhe sikur teza e tij të mos ishte fort e saktë, ajo të krijonte, për këtë njeri, një respekt të natyrshëm, sa për sinqeritetin, aq edhe për burrërinë e tij.

Dhe Engjëlli vazhdoi:

– “Kisha mundur edhe unë të arratisesha si të tjerët, që ikën nga Shkodra, që nga Mithat Frashëri e deri tek Bazi i Canes, megjithëse as njëri dhe as tjetri nuk kishin bashkëpunuar fare me zaptuesin. Pse, a nuk mund të ikja me ta, duke pas qenë në atë kohë në Shkodër? Të them të drejtën unë atëherë, si shumëkush, mendova se do të vijnë anglezët dhe atëherë ngritja e një qeverie demokratike të vërtetë do të ishte e mundur.

Por fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi, unë ndenja dy vjet i fshehur dhe në vitin ’46, më në fund, kur e preva çdo shpresë, dola nga skuta dhe u dorëzova. Më dënuan me vdekje dhe më falën jetën. Dhe ja, tash ndodhem, pas 23 vjetësh, ende në burg, me gjithë vështirësitë e rreziqet e mëdha që kemi kaluar bashkë me të tjerët, e kam kryer me qetësinë më të madhe.

Por edhe si të dal këndej, meqë po më afrohet lirimi, unë e di se ç’lloj jete më pret. Por, të paktën, të vdes në shtëpinë time, po më lanë, në gji të familjes sime. Ja, kështu paska qenë fati im”!

– Pas kësaj bisede unë heshta. Ai kishte thënë në fjalët e tij të fundit një të vërtetë të pamohueshme, edhe pse fort të hidhur.

Engjëll Çoba ishte nga të burgosurit e vjetër, që kishte “përuruar” burgun e Burrelit dhe i kishte provuar të gjitha tmerret atij burgu. Dhe aty ishte njohur e miqësuar me të gjithë personalitetet e intelektualët e asaj kohe, që kishin qenë ajka e kulturës shqiptare. Dhe dinte të të kallëzonte për secilin, gjithçka.

Ai ishte një enciklopedi në këtë drejtim. Por edhe kur burgu nisi gradualisht të ndryshojë si përmbajtje, ai kish mbetur si një shembull sjelljeje dhe serioziteti. Dhe i gjithë burgu e nderonte në kulm. Madje sjellja e tij e urtë, e matur dhe serioze e kishte detyruar deri komandën që ta respektonte, sepse edhe hasmi, kur ka parasysh figurën e një njeriu të tillë, detyrohet të jetë i matur e madje të të respektojë.

E përcollëm Engjëllin kur doli, më në fund, nga burgu, me dashuri e nderim. Dhe që atëherë në atë burg unë nuk gjeta më një njeri tjetër që ta plotësonte qoftë edhe përgjysmë boshllëkun që më la ai.

Ai u kthye në familjen e tij të përgjysmuar, si të shumëkujt, dhe pas ca kohësh vdiq i vetmuar nga ceroza epatike. Kështu unë isha atëherë ende në burg dhe nuk u pamë më kurrë. Por, kur botova librin tim të vjershave, një nga ato, me titullin “Vdekja e shtërgut”, ia kushtova kujtimit të tij, se lënda e asaj vjershe kishte mjaft gjëra të përbashkëta me jetën e fatin e tij./Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër