Besoj se duhet të ketë pasur banesa të vogla një dhe dykatëshe.
I gjithë kompleksi, duke përfshirë “Bar Republikën” ishte ndërtuar më mirë, se gjithë ndërtimet përreth. Prej ndërtimit ka “sunduar” formulimin arkitekturor të atij sheshi. Kishte qënë meritë e projektuesve, e ndërtuesve apo një kombinim i mirë i të dy palëve, por e vërteta është, që ndërtimi edhe pse me një hapësirë të madhe brenda, i rezistoi tërmeteve të fuqishme të viteve 1930 dhe 1960.
Në krah të tij, Kisha e Shën Sotirit (e vllehëve), ndërtesë e të njëjtës madhësie, u rrëzua në tërmetin e vitit 1930 dhe më vonë u “fshi” përfundimisht nga pjesa qëndrore e qytetit.
“Majestiku” nuk ishte e para kinema në Korçë.
Para saj, si sallë shfajesh filmi kishte funksionuar salla në “kazinoja” në të hyrë të pazarit dhe më vonë ishte ndërtuar kinema “Lluksi”. Por “Majestiku” ishte kinemaja më e madhe dhe më luksoze në Shqipëri dhe një nga më të mirat e Ballkanit, kur u ndërtua. (Vlerësimin e fundit e kam marrë nga “Gazeta e Korçës” e vitit të përurimit, pasi do më duhej të gërmoja shumë në historinë e ndërtimit të kinemave në Greqi, Rumani, Jugosllavi dhe Turqi, për të pasur një ide më të saktë se në ç’vend nderi qëndron kinemaja e Korçës.)
“Majestiku” ishte “vendi i takimit” të rinisë korçare me Europën dhe Amerikën. Kishte më shumë vende se “Lluksi” dhe njëkohësisht ofronte mundësi edhe për shfaqje të thjeshta teatri, me skenën dhe aksesorët e saj. Për më tepër ishin llozhat, ku grupe të rinjsh mund të shijonin në grup shfaqjen e filmit, ose edhe “të lëshonin” batutat, si bëhej në çdo sallë në botën e zhvilluar.
Sigurisht, që nuk kishte të njëjtën atmosferë, si ajo e filmit të famshëm “Kinema Paradiso” i Tornatores, pasi Korça ishte ku e ku më e përparuar se qyteza si]ilane, në të cilën zhvillohen ngjarjet e atij filmi.
Kinemaja ishte më pak se 100 metra larg nga Liceu Francez dhe studentët e tij(çuditërisht ata të Liceut nuk janë thirrur kurrë në Korçë nxënës), shkonin për të parë filma edhe në orarin e mësimeve. “Majestiku” ishte qëndra e jetës kulturore rinore. Endrrat me Greta Garbon, Carli Caplin, Al Xholson (një qytetar i njohur i Korçës mbajti nofkën “Allxhollson” gjithë jetën e tij) thurreshin pikërisht në këtë qendër kulturore.
Qyteti ishte në lulëzim të plotë pas Luftës së Parë Botërore dhe kishte marrë një “sharm” francez edhe si pasojë e ndenies së francezëve për gati 5 vjet, që prej vitit 1915 e deri në vitin 1919. Kjo kishte bërë, që edhe shumë të huaj të vinin e të punonin në Korçë.
Qyteti sa vinte e popullohej me të ardhur nga fshatrat e qarkut, Përmetit, por edhe Gjirokastrës. Të ardhurit rishmë ishin të etur të mësonin ato, që ofronin qytetet europiane të kohës, duke filluar me veglat muzikore dhe duke përfunduar në “dansi”. Mësues të dansit dhe muzikës patën ardhur nga Greqia dhe Italia. Mes tyre, një i lidhur ngushtë me kinematë dhe sidomos me “Majestikun” ishte Grigoris Metaksa. Muzikanti grek, ishte për vite të tëra “shpirti” i filmave pa zë, të cilat në gjithë botën shoqëroheshin me muzikë “live” në piano gjatë shfaqjes.
Një pjesë e mirë e pjesëve luheshin me partiturë, por nuk mungonte edhe improvizimi i pianistit. Deri vonë, ka erdhur jehona e korit të të rinjve korçarë, që nën tingujt e njohur të pianos të filmave, që i shihnin disa herë rradhazi, këndonin “Ku e ke lojtur Metaksa/ Në bulevard, në sinema”. Muzikanti grek, njohës i disa instrumentave, jepte edhe mësime private, por lidhja e tij me kinemanë mbeti legjendare edhe dhjetvjeçarë të tërë pas largimit nga jeta. E tillë ishte pesha e “Majestikut”.
Kinemaja është e lidhur me shumë emra të njohur të qytetit, duke nisur me pronarët e saj dhe familjet e tyre dhe duke përfunduar me “operatorët” e pasluftës apo ngjarjet historike brenda saj, duke nisur me gjyqet famëkeqe, konferencat, por edhe shfaqje të sukseshme teatrale. Nuk kanë munguar shfaqjet dhe ngjarjet politike edhe në kohët më të reja. Por do veçoja edhe një emër tjetër, i lidhur me kinemanë, që ka mbetur disi në heshtje gjatë dy dhjetvjeçarëve të fundit.
Ai i piktorit të madh korçar Guri Madhi, ose si njihej në rininë e tij, Guri Vëthka.
Guri ka qënë talenti më i madh në pikturë, që ka nxjerrë Korça, por për shkak të shtrirjes së veprimtarisë së tij artistike vetëm gjatë kohës së Diktaturës, nuk mundi të arrinte shkëlqimin e Vangjush Mios.
Që kur ishte adoleshent, punonte reklamat e filmave, që shfaqeshin në “Majestiku”, bazuar mbi “kopertinat” e krijuara në Hollivud apo Francë. Fasada e “Majestikut” mbajti për vite të tëra, “vulën” e furçave të përdorura me mjeshtëri nga Guri, deri në kohën kur piktori shkoi për studime të larta në Bashkimin Sovjetik.
Ishin breza të tëra korçarësh, që u lindën me “Majestikun” dhe u bënë artista nën ndikimin e tij. Ndohta një ditë do i rikthehet lavdia dhe ndikimi.
Edhe shkëlqimi i emrit të madh, që mban.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com