Në muajin e parë të pandemisë, u rritën shitjet vetëm në dyqanet e lagjeve, u tkurrën me 66% veshjet

Në muajin e parë të pandemisë, u rritën shitjet vetëm në dyqanet e lagjeve, u tkurrën me 66% veshjet

Foto ilustruese

Javën e parë të marsit, koronavirusi që po përhapej me shpejtësi në botë dhe sodomos në fqinjin tonë Itali, i ngjante thjesht një filmi me aksion. Por, me deklarimin e dy rasteve të para me Covid-19 në vend, në datën 9 mars, filmi u bë shumë shpejt realitet. Gjithçka ndryshoi kryekëput.

“Që ditën e parë që u njoftuan rastet me Covid-19, në dyqan nuk hynte më asnjeri”, thotë Anila që administronte një njësi tregtimi veshjesh në një qendër tregtare në Durrës. Pak ditë më vonë, dyqani i saj, ashtu si dhe shumë të tjera në aktivitete të ndryshme u mbyllën për gati 2 muaj me urdhër të qeverisë. Edhe sot Anila nuk e ka hapur dyqanin e saj, pasi e kishte të pamundur të përballonte pagesat e shtyra të qirasë dhe për menaxhimin e ambienteve të përbashkëta.

Të dhënat e INSTAT për indeksin e tregtisë me pakicë tregojnë se në muajin mars, shitjet (indekset e vlerës) në kategorinë “Veshje, këpucë dhe artikuj prej lëkure” ranë me 66% në raport me marsin 2019, duke shënuar tkurrjen më të madhe nga të gjitha kategoritë e tjera (në shkurt shitjet e kësaj kategorie ishin rritur me 14.4%).

Në të kundërt, konsumatorët, të pasigurt për atë që mund t’u rezervonte e ardhmja, nxituan drejt blerjes së produkteve të domosdoshme ushqimore, kryesisht në dyqanet që kishin aty pranë. Po sipas INSTAT, indeksi i vlerës në “Artikuj të përzier kryesisht ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara” u rrit me bazë vjetore me 12.1%.

Ndonëse radhët në supermarket u shtuan, edhe për shkak të kufizimeve që u vunë në orare, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, shitjet e tyre ishin me rënie në mars. Indeksi i vlerës në “Ushqime pije e duhan në njësi tregtare të specializuara”, u tkurr me 14.4% me bazë vjetore në mars.

Të dhënat tregojnë se përveç dyqaneve ushqimore të lagjeve, dhe shitjeve të produkteve farmaceutike , që u rritën lehtë me 0.4%, të gjithë të tjerët janë përballur me tkurrje të ndjeshme të shitjeve. Në total, indeksi I vlerës në tregtinë me pakicë u tkurr me 22% në mars, në krahasim me marsin 2019. Në shkurt, kur gjithçka ishte normale, ky indeks u rrit me 9.2% dhe në janar me 15.5%, me bazë vjetore.

Mbyllja në shtëpi dhe ndalimi i transportit publik bëri që tregtia me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara të bjerë me gati 40% në mars, ndonëse njësitë e tyre të tregtimit nuk u mbyllën në asnjë çast.

Individët e bizneset nuk blenë as pajisje të teknologjisë së informacionit, ndonëse puna nga shtëpia u kthye në një domosdoshmëri. Indeksi i vlerës i “Pajisje kompjuterike, informatike dhe te komunikacionit” u tkurr me 29% me bazë vjetore në mars.

Ndonëse të mbyllur në shtëpi, pakkujt i shkonte në mendje të merrej me rregullimin e saj. Indeksi i vlerës i “Paisje të ndryshme elektro-shtëpiake, mobiljet dhe pajisje të tjera shtëpiake” u tkurr me 40%, në raport me marsin normal të 2019-s.

Edhe shitjet e librave e gazetave ranë me 48%, teksa u mbyllën dhe njësitë e tregtimit të tyre në gjysmën e dytë të marsit.

Prilli, që ishte pothuajse totalisht i mbyllur pritet të rezultojë me shifra edhe më negative, ndërsa nga gjysma e majit hapja nis gradualisht, ndërsa qershori ishte pothuajse tërësisht i hapur. Por shifrat e indeksit të tregtisë me pakicë për tremujorin e dytë e më pas do të tregojnë se sa afatgjatë do të jenë në konsum pasojat e Covid-19./Monitor

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    5 Dhjetor, 08:50

    Beteja në Kushtetuese, a duhet që listat për deputetë të hapen plotësisht?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e CEO-s së UnitedHealthcare në SHBA, policia amerikane publikon fotot e autorit të dyshuar pa maskë

Vrasja e CEO-s së UnitedHealthcare në SHBA, policia amerikane publikon fotot e autorit të dyshuar pa maskë