‘Në zyrën e Kadri Hazbiut, Haznedari na tha; kemi pushktuar 22 persona dhe…’/ Dëshmia e ish-prokurorit në ambasadën sovjetike

‘Në zyrën e Kadri Hazbiut, Haznedari na tha; kemi pushktuar 22 persona dhe…’/ Dëshmia e ish-prokurorit në ambasadën sovjetike

Memorie.al / Një javë pas pushkatimit pa gjyq të 22 intelektualëve më 26 shkurt të 1951, për të mbuluar gjurmët e krimit, regjimi komunist përpiloi në mënyrë të fshehtë një vendim formal, i cili “përligjte” aktin e ekzekutimit. Zbardhet sot proces-verbali i plotë i 2 dhjetorit të vitit 1993, të Prokurorisë së Rrethit Tiranë, lidhur me dëshminë e Vangjel Koçanit (ish-kryetar i Gjykatës së Lartë Ushtarake, në vitin 1951), në të cilin ai dëshmon se si, klika më e lartë e regjimit komunist, e urdhëroi të përpilonte vendimin gjyqësor, pas ekzekutimit të 22 intelektualëve, të cilët u pushkatuan pa gjyq, natën e 26 shkurtit të vitit 1951, në afërsi të Urës së Beshirit, nga regjimi komunist, pas autokritikës që Enver Hoxha kishte bërë në telegramin dërguar Stalinit.

Arrestimi dhe më pas pushkatimi i tyre u bë menjëherë pas alarmit dhe bombës që shpërtheu në dyert e ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë në shkurt të vitit 1951. Përmes kësaj dëshmie, Kocani tregon se, rreth një javë pas pushkatimit të 22 intelektualëve, ai është thirrur nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti, ku ishte informuar për ngjarjen e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike, si dhe pushkatimin e 22 personave si autorë të kësaj ngjarjeje.

Kocani dëshmon se, në këtë takim, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë Ushtarake, i është kërkuar që të përpilojë një vendim gjyqësor penal vetëm formalisht, në të cilin të deklaroheshin fajtorë dhe të dënoheshin me vdekje personat e pushkatuar më parë. Më pas, ngjarjet zhvendosen në Ministrinë e Brendshme, në një zyrë, ku Kocani tregon se aty, e priste Kadri Hazbiu. Ky i fundit i ka dorëzuar Koçanit listën emërore të personave të pushkatuar dhe më pas, nisi përpilimi dhe arsyetimi i vendimit.

Vetë Kocani konfirmon se; ky vendim nuk ishte pasojë e një gjyqi, pasi nuk ishte bërë asnjë seancë gjyqësore, nuk kishte patur asnjë të pandehur për gjykim dhe as kishte patur një seancë gjyqësore me personat të cilët ishin pjesë e vendimit, pasi ata ishin pushkatuar më parë. Ndaj dhe Kocani pohon e ripohon për të disatën herë se; nuk njihte asnjë prej personave, të listuar në vendimin gjyqësor formal që ai ka firmosur, ku 22 intelektualët deklaroheshin fajtorë dhe dënoheshin me vdekje.Gjithçka ishte vendosur në mbledhjen urgjente të Byrosë Politike të Partisë Komuniste Shqiptare, të 20 shkurtit 1951. Mehmet Shehu, atëherë ministër i Brendshëm, urdhëroi marrjen e masave për represion, pa marrë parasysh ligjet në fuqi si dhe bëri analizën dhe masat e menjëhershme që duhet të merreshin në ndëshkimin e “terroristëve”, në seancën e mbledhjes me anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror.

Në këtë mbledhje, Mehmet Shehu theksoi se: “kjo është një ngjarje politike e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”.

PROCESVERBAL I PYETJES SË DËSHMITARIT VANGJEL KOÇANI

Tiranë, më 2 dhjetor 1993

Unë Marenglen Rrapi dhe Petrit Shehu, hetues të Prokurorisë të Rrethit Tiranë, mbajmë këtë proces-verbal të pyetjes së dëshmitarit Vangjel Koçani, i biri i Kiços dhe i Sofijes, i datëlindjes 1.03.1922, lindur në Dhërmi të Himarës dhe banues në rrugën “Niko Avrami”, Pallati 7, Shkalla 2, Apartamenti 23 Tiranë, me arsim të lartë juridik, i padënuar, pensionist.

Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka sipas nenit 202 të K. Penal në rast se bën dëshmi të rreme.

FIRMA E DËSHMITARIT

PYETJE : Çfarë detyrash shtetërore keni kryer gjatë kohës që keni qenë në marrëdhënie pune me shtetin?

PËRGJIGJE: Pas çlirimit të Tiranës, mua më kanë dërguar ne seksionin e SEMP-it (kështu quhej Sigurimi Shtetit) në rrethin e Shkodrës, me detyrën e zëvendësshefit të seksionit, pasi shef, kisha Zoi Themelin. Këtu ndenja rreth një muaj, dhe më kanë arrestuar dhe më kanë dënuar për moszbatim të rregullave gjatë kryerjes së detyrës. Dhe konkretisht më dënuan se përdora dhunë, sipas urdhrit, ndaj një oficeri të Brigadës. U dënova 8 muaj. Pasi u lirova m’u njoh prapë grada kapiten i dytë dhe vajta në Ministrinë e Mbrojtjes.

PYETJE: Meqenëse në vitin 1951, keni punuar në Gjykatën e Lartë Ushtarake dhe në këtë kohë ka ndodhur dhe një ngjarje në Ambasadën Sovjetike të akredituar në Tiranë, çfarë mund të na sqaroni, në lidhje me trajtimin juridik të kësaj ngjarjeje, nga organet e drejtësisë së asaj kohe?

PËRGJIGJE: E kujtoj mirë se në vitin 1951, ka ndodhur një ngjarje në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike. Se çfarë masash represive u morën nga shteti në atë kohë, sa dhe cilët persona janë arrestuar unë nuk di gjë fare. Pas ca ditësh, të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga ish-kryetari i Gjykatës se Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe bashkë me mua, më ngjan se janë thirrur ose Nonda Papuli ose Hilmi Telegrafi, që ishin anëtarë të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

 

Kur na thirri në zyrë, Shuaipi na tha se; për ngjarjen e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike, nga Ministria e Punëve të Brendshme, janë pushkatuar 22 persona. Shuaipi na tha se; neve duhet të bëjmë, përpilojmë një vendim gjyqësor penal, vetëm formalisht, në të cilin të deklarojmë fajtor dhe të dënojmë me vdekje, personat e pushkatuar më parë. Pas kësaj, kemi shkuar në kohë paradite, në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkova unë, Shuaipi dhe ose Nonda ose Hilmiu, tjetër njeri nuk më kujtohet.

Hymë në Ministrinë e Brendshme nga dera kryesore, nga bulevardi dhe vajtëm në një zyrë të Sigurimit në katin e dytë, ku unë mbaj mend se në këtë zyrë, ka qenë Kadri Hazbiu, tjetër njeri nuk më kujtohet, por në këtë zyrë, kam vënë re se hynte e dilte dhe Nevzat Haznedari (sot i vdekur). Nga drejtuesit e tjerë të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk më kujtohet se kush ka ardhur në këtë zyrë…!

Sqaroj se, si unë dhe kolegu tjetër, që ishte në takim me Shuaipin, kur nuk kishim shkuar akoma në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i thamë kryetarit se; si mund të përpilojmë një vendim gjyqësor, pa qenë prezent personat që gjykohen dhe kur më tepër ata janë pushkatuar pa gjyq. Shuaipi na tha se; ashtu është, por neve megjithatë, duhet ta bëjmë një vendim gjyqësor formal, se neve duhet të kemi besim tek udhëheqja, se ashtu na thotë ajo.

Në atë kohë, në udhëheqje të shtetit ishte Enver Hoxha, kryente detyrën e Kryeministrit, ndërsa Mehmet Shehu, ishte ministër i Punëve të Brendshme. Shuaipi nuk na tha se kush e kishte thirrur nga udhëheqja e asaj kohe dhe kështu, neve na u mbush mendja të bënim një vendim gjyqësor formal.

Siç thashë, ne vajtëm në zyrën ku ishte Kadri Hazbiu, ku erdhi dhe Nevzat Haznedari dhe na thanë se; ne kemi pushkatuar 22 persona dhe duhet bërë vendimi gjyqësor. Nga ana e Kadriut, na është dhënë lista emërore e personave të pushkatuar dhe filluam përpilimin dhe arsyetimin e vendimit. Nuk na është dhënë ndonjë aktakuzë, por nuk mbaj mend se kush e ka shkruar vendimin, por konceptimin e bënte Shuaipi.

Nuk më kujtohet nëse vendimi gjyqësor, është bërë me dorë apo me makinë shkrimi. Nuk më kujtohet që krahas vendimit, të jetë përpiluar dhe proces-verbali i seancës gjyqësore, me sa di unë, është bërë vetëm vendimi. Kemi ndenjur në zyrën e Kadriut sa përfunduam përpilimin e vendimit gjyqësor dhe kujtoj se kam firmosur unë dhe Shuaip Panariti, për të tjerët nuk e di…!

Në këto rrethana, është bërë vendimi për deklarimin fajtor dhe dënimin me vdekje të 22 personave që ishin pushkatuar më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme, për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike…! Vendimin gjyqësor formal, pasi e firmosa dhe unë, e ka marrë Shuaip Panariti.

Ky vendim nuk ishte pasojë e një gjyqi të zhvilluar, pasi neve, nuk bëmë asnjë seancë gjyqësore, nuk na janë sjellë të pandehurit për gjykim, nuk kishim përpara një seance gjyqësore, personat e shënuar në këtë vendim, pasi ata ishin pushkatuar më parë.

Prandaj unë nuk kam parë dhe as njoh asnjë nga personat e pushkatuar pa gjyq, për të cilët bëmë këtë vendim gjyqësor formal më pas. Si mbaruam punë në Ministrinë e Brendshme, vajtëm në Gjykatën e Lartë. Shuaipi na dha porosi që, për këtë që dëgjuam, që janë pushkatuar pa gjyq 22 persona dhe për vetë vendimin formal gjyqësor që përpiluam pas pushkatimit të tyre, mos t’i themi njeriu, ta ruajmë sekret, si sekret shtetëror.

Që nga kjo kohë, unë e kam mbajtur gojën të mbyllur dhe nuk ia kam treguar të vërtetën ndonjë personi…! Në ndonjë rast tjetër të mëpasëm, mua nuk më është kërkuar që të bëj ndonjë vendim tjetër gjyqësor formal…!

PYETJE: Më pas, në lidhje me ngjarjen e hedhjes të një bombe në Ambasadën Sovjetike, a është bërë ndonjë gjykim në lidhje me autorët e vërtetë të kësaj ngjarje?

PËRGJIGJE; Pas përpilimit dhe nënshkrimit të vendimit gjyqësor penal dhe formal të deklarimit fajtor dhe (dënimit me vdekje të 22 personave), gjatë gjithë kohës që unë kam punuar në organet e Drejtësisë, nuk di dhe as kam dëgjuar që të jenë gjykuar dhe dënuar persona të tjerë për hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike në vitin 1951…!

PYETJE : Dëshmitarit i tregohet dosja e hetuesisë Nr. 1687-A e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, në të cilën ndodhen dhe vendimi gjyqësor penal nr. 64 dt. 27.II.1951 për dënimin e 22 personave dhe që fillon me të pandehurin Tefik Shehun e përfundon me Sabiha Kasimatin, i cili përbëhet prej 3 fletësh dhe në fund të të cilit ekzistojnë 2 nënshkrime të trupit gjykues. Gjithashtu procesverbali i seancës gjyqësore prej 5 fletësh, në fund të të cilit nuk ka asnjë nënshkrim. Çfarë mund të na sqaroni në lidhje me këtë dosje e dokumentet që ndodhen në të?

PËRGJIGJE: Dosjen hetimore të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, sot po e shikoj për herë të parë. Fletën e inventarit të kësaj dosje, nuk e kam plotësuar unë me dorëshkrimin tim. Vendimin e gjykatës së Lartë Ushtarake, e shoh që është i daktilografuar dhe në përbërje të trupit gjykues, është shënuar si kryetar Shuaip Panariti, ndërsa si anëtarë, unë dhe Nonda Papuli, kurse me detyrën e sekretarit, Idajet Bejo.

Në këtë vendim thuhet se, seanca gjyqësore është zhvilluar pa pjesëmarrjen e prokurorit, në bazë të ligjit të ri mbi gjykimin e akteve dhe organizatave terroriste dhe janë deklaruar fajtorë 22 persona dhe konkretisht Tefik Shehu, Hekuran Troka, Lluka Rrashkoviç, Haki Kodra, Pandili Nova, Thoma Katundi, Fadil Dizdari, Ali Qoraliu, Jonuz Kaceli, Gafur Jegeni, Petro Ikonomi, Zydi Herri, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Qemal Kasaruho, Manush Peshkëpia, Andon Delhysa, Reiz Selfo, Xhon Temali, Pjetrin Gruraziu, Mehmet Shkupi dhe Sabiha Kasimati.

Asnjërin prej këtyre personave nuk e njoh dhe nuk i kam parë. Nuk është e vërtetë që ata të jenë sjellë për gjykim para trupit gjykues dhe me këta persona, nuk kam zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, as në zyrat e M. P. Brendshme, as në zyrat e Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe as në një vend tjetër.

Në fund të vendimit, në faqen 3, shoh se janë hedhur vetëm 2 nënshkrime. Ajo në emër të kryetarit të seancës e njoh se është e Shuaip Panaritit, një firmë e anëtarit të trupit gjykues, është firmë e vënë nga ana ime.

Anëtari tjetër i trupit gjykues dhe sekretari, janë pa firmë. Këtë firmë, siç shpjegova më lart, unë e kam hedhur, duke qenë i thirrur në zyrat e Sigurimit të Shtetit, duke qenë bashkë me Kryetarin e Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti. Duhet të kenë qenë në zyrën e Kadri Hazbiut, kështu më kujtohet mua, dhe Nonda Papuli dhe sekretari, Hydai Bejo.

E vërteta është se personat e shënuar në këtë vendim, nuk kanë dalë fare në gjyq, pasi ata kanë qenë pushkatuar më përpara nga organet e Sigurimit dhe vendimin e kemi përpiluar dhe nënshkruar krejtësisht formalisht, për të justifikuar pushkatimin e tyre, të paligjshëm dhe arbitrar.

Megjithëse na e mbushi mendjen kryetari Shuaip Panariti se përpilimi dhe nënshkrimi i këtij vendimi iu shërbente interesave të shtetit të asaj kohe, unë përsëri e ndjej se moralisht nuk duhej të isha pajtuar me këtë arbitraritet dhe nuk duhej të pranoja firmosjen e këtij vendimi. Por në këtë rrugë të gabuar më ka futur frika e kohës, prandaj edhe kam heshtur…!

Pash edhe proces-verbalin e seancës gjyqësore dhe kam për të thënë se, është e para herë që e shoh. Ky proces-verbal është krejt fiktiv, ky nuk na është paraqitur për ta firmosur atë ditë që firmosëm vendimin, ose më vonë.

Në faqen e dytë të proces-verbalit të seancës, shoh që në numrin rendor 23, është shënuar dhe emri i Vesel Pitarkës me gjeneralitetet përkatëse, të cilat janë prishur me vizë me bojë shkrimi ngjyrë kafe dhe është shënuar në kllapa, prishen 33 fjalë. Këto shënime nuk janë bërë dhe nga ana ime. Në këtë proces-verbal, janë fiksuar deklarimet e të pandehurve në seancë gjyqësore, pas leximit të aktakuzës së prokurorit, deklarime që fillojnë me të pandehurin Tefik Shehu dhe mbarojnë me të pandehurin Reiz Selfo.

Përmbajtja e këtyre deklarimeve, sikurse e gjithë përmbajtja e proces-verbalit të seancës gjyqësore, është krejtësisht e rreme, pasi këta të pandehur nuk kanë dalë në gjyq, pasi siç shpjegova ishin pushkatuar disa ditë më parë nga organet e Sigurimit të Shtetit.

Në këtë dosje shoh dhe aktakuzën prej 2 faqesh që ka dhe nënshkrimin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm Ushtarak, Siri Çarçani, por dhe këtë akt-akuzë po e shoh për herë të parë sot. Në kohën kur kemi përpiluar vendimin gjyqësor në zyrat e Sigurimit të Shtetit, nuk kam parë që të ketë ardhur dhe në zyra në atë kohë dhe Siri Çarçani…!

PYETJE: Dëshmitarit i lexohen shpjegimet e dëshmitarit Hydai Bejo, të datës 26.11.1993. Çfarë keni për të thënë?

PËRGJIGJE: I dëgjova shpjegimet e dëshmitarit Hydai Bejo, dhe sqaroj se nuk kam ndonjë kundërshtim për sa thotë ai. Unë siç shpjegova, vura në dukje se mund të ketë qenë dhe Hydai, kur na thirrën në M.P. Brendshme, por derisa thotë Hydai se nuk ka qenë, ai e di më mirë, sepse mua nuk më kujtohet mirë.

E vërteta është se për personat e pushkatuar nuk është bërë asnjë lloj gjyqi. Procesverbali mbyllet dhe pasi lexohet nënshkruhet pa vërejtje. Këtij procesverbali i bashkëlidhet dhe deklarata me dor

 DËSHMITARI                               SEKRETARE                                    HETUESË

Vangjel Kocani                       Loreta Paparizo                           Petrit Shehu Mariglen Rrapi

(Si lexova procesin, dua të shtoj se në atë kohë që është bërë formalisht vendimi, neve nuk na kanë bërë të njohur ndonjë dekret të posaçëm për gjykimin e veprave terroriste pa prokuror, pa avokat dh pa praninë e të pandehurve).

Letra e Enver Hoxhës dërguar Stalinit, pas incidentit të bombës në ambasadën sovjetike

Pas ngjarjes së klasifikuar si një akt politik terrorist, Enver Hoxha, përmes një telegrami urgjent drejtuar Stalinit, u zotua për besnikëri ndaj kauzës së komunizmit e Bashkimit Sovjetik dhe se do të ndëshkonin rëndë autorët dhe mbështetësit e tyre.

                                               Datë 21.02.1951

                                Shokut Josif Visarionoviç Stalin

Kremlin, Moskë

Atentati i poshtër që armiku i egër i popullit tonë dhe i Bashkimit Sovjetik na bëri kundër Legatës Sovjetike në Tiranë në datën 19.02.1951, në orën 19:47, duke hedhur dinamit në oborrin e Legatës, na ka goditur mu në zemër të Partisë dhe të popullit tonë.

Ky akt politik terrorist i armikut na ka prekur jashtëzakonisht, sepse ai u drejtua ndaj çka është më i dashur, më i shtrenjtë dhe më i shenjtë i popullit tonë, Bashkimit Sovjetik, që është gjithçka për ne e që pa atë nuk kishte dhe nuk mund të ketë jetë për popullin dhe Partinë tonë.

Shoku Stalin, ne nuk kemi qenë vigjilentë sa duhet, sepse mund ta kishim evituar atë gjë të tmerrshme që na ngjau ne, atë mungesë vigjilence që ne e konsiderojmë një nga gabimet më të rënda tonat, nuk duhet të na falej lehtë nga populli dhe Partia jonë. Ne, shoku Stalin, ju betohemi, juve dhe partisë bolshevike të lavdishme se do t’ia lajmë partisë dhe popullit tonë këtë gjë kaq të rëndë që u shkaktua nga mungesa e vigjilencës sonë.

Ky akt i poshtër i armikut na ka egërsuar pa masë dhe na ka bërë të dhjetëfishojmë luftën dhe vigjilencën tonë ndaj imperialistëve gjakatarë, luftënxitës amerikano-anglezë, ndaj tradhtarëve fashistë të Beogradit, të Athinës dhe të Romës, dhe reaksionit të brendshëm, vegël e tyre.

Shoku Stalin, Partia jonë do të jetë e pamëshirshme kundër armiqve të Bashkimit Sovjetik, të popullit tonë e të paqes. Partia jonë, si kurdoherë, do të vërë të gjitha forcat e saj për të çelikosur dashurinë e popullit tonë ndaj shpëtimtarëve të tij, Bashkimit Sovjetik, Partisë Bolshevike dhe jush, shoku Stalin.

Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm nuk do të arrijnë kurrë të gërvishtin dashurinë dhe besnikërinë e pakufishme që ka populli ynë për ju dhe Bashkimin Sovjetik. Shoku Stalin, në emër të të gjithë shokëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, të mbledhur në Plenum, ju kërkojmë ndjesë Juve, Partisë Bolshevike dhe Qeverisë Sovjetike dhe ju betohemi do t’ia lajmë këtë fatkeqësi që na ngjau ne.

Ne do të jemi të pamëshirshëm dhe vigjilentë ndaj armikut të brendshëm dhe të jashtëm, do ta forcojmë dhe do ta çelikosim partinë tonë, do ta bolshevizojmë atë dhe do të forcojmë çdo ditë e më shumë mbrojtjen e vendit tonë. Duke ju shprehur dashurinë dhe besnikërinë më të madhe që ne kemi për Partinë Bolshevike dhe për Ju, mësues gjenial dhe i shtrenjtë yni, pranoni të falat tona revolucionare.

Në emër të plenumit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë