Nëse ëngjëjt do të ekzistonin, do të vishnin bluza të bardha dhe do të ishin mjekë në profesion

Nëse ëngjëjt do të ekzistonin, do të vishnin bluza të bardha dhe do të ishin mjekë në profesion

Foto ilustruese

…sepse mund të vijë një ditë që do të ketë mure, por jo spitale; një ditë kur mund të kenë aparatura, por jo specialistë për t’i përdorur; e njëjta ditë kur mund të ketë shiringa, por jo infermierë për të bërë injeksionet. …sepse mund të vijë një ditë që Shqipëria të bëhet më e madhe jo duke u bashkuar, por duke u ndarë nga shqiptarët që ikin prej saj. Dy alarme serioze, të përsëritura vit mbas viti, këtë gusht të ngushtuar nga pandemia, patën shumë më tepër vemendje mediatike se më parë.

Dhe sipas parimit, nëse nuk del në media, nuk ekziston, ky problem duket sikur kësaj here doli fiks tani, i shpikur nga hiçi. Numri i ulët i mjekëve dhe rrudhja e popullsisë gjeneruan dhe një herë barrikadizimin e opinionit në dy krahë. Duke hedhur e pritur në prehër granatën e zakonshme: kush e ka fajin? Fatkeqësisht, ende për shumëkënd nuk ka pikën e rëndësisë vetë mëkati, por vetëm kryqëzimi i mëkatarit. Jo ngulmi për të njohur shkakun, por hallaktja me dritëhijet e pasojës. Të djathtët e opozitës, të bindur në fenë e tyre të re: gjithë fajin e ka Rama, e vunë direkt gishtin te kryeministri që është djalli që predikon vesin në mbretërinë e virtytit që ata lanë pas.

Për simetri, e majta është pasqyrim i një besimi edhe më të hershëm: gjithë faji vazhdon të jetë i Saliut! Dhe ish-kryeministrit i numërohen me radhë krimet nga Gërdeci në vrasjet e bulevardit, nga grabitjet e pronës publike e deri në përdorimin e pushtetit si pronë private. Prehëri i dy kryeministrave ku përfundon granata e nxehtë, e përdorur prej dishepujve të tyre dhe e hedhur edhe nga ata vetë, shihet si shkak i vetëm i këtyre dy pasojave, tkurrjes së popullsisë në vend dhe numrit të ulët të mjekëve. Por, si në të gjitha rastet, aty ku ulërin pasioni, e vërteta që dikton logjika rri në heshtje dhe fshihet diku përtej ekstremeve. Edhe kur bashkëjetojnë disa të vërteta alternative me njëra-tjetrën, edhe kur duket se ato e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Politikanët janë si reçipetat. Ata premtojnë shumë më tepër sesa kanë realisht brenda e pas vetes. Vetëm kur largohen, nis e kuptohet se sa vlejnë, por kjo është një aksiomë që nuk vlen në rastin e Shqipërisë, sa kohë ata nuk ikin në heshtje, por presin rikthimin me zhurmë. Sa kohë nuk kokulen kur humbasin, por mallkojnë fituesit që ngrenë kokën. Nuk qarkullojnë, por vetëm riciklohen. Sa kohë që sillen si të përjetshëm, duke qenë tmerrësisht të përkohshëm. Kështu që, në gjithë këtë debat, ata janë të paragjykuarit e parë, edhe kur thonë të vërtetat e tyre, edhe kur i gënjejnë të tjerët. Siç bëjnë vajzat e bukura në gjithë botën: nuk duan kurrë çfarë kanë dhe nuk dinë kurrë se çfarë duan!

Demografia do të jetë një nga sfidat kryesore të Shqipërisë në dekadat e ardhshme. Lajmi i keq që trondit pesimistët është komplikimi i ekuilibrit mes brezave, i raportit mes atyre që punojnë dhe moshës së tretë, aftësisë së shoqërisë për të prodhuar shërbime dhe nevojës në rritje për shërbime të një numri në rritje progesive individësh që i konsumojnë ato. Lajmi i mirë që ngushëllon optimistët është se Shqipëria nuk është vendi i vetëm që po i nënshtrohet këtij trendi. Gjithë Ballkani po ngjitet në veri të Evropës. Dhe gjithë veriu i Afrikës apo edhe Lindja e Mesme, synon si portë dhe stacion të parë Evropën e Jugut. Lindshmëria në rënie dhe emigracioni në rritje janë dy arsyet kryesore të tablosë që veç pesimistëve dhe optimistëve, do të godasë pa dallim gjithkënd.

Edhe ata që besojnë se ekuilibri nuk pranon boshllëk dhe çdo ndryshim i tij, vetëm sa krijon ekuilibra të rinj dhe përshtatje ndaj tyre. Ka një paradoks që mund të shpjegohet thjesht mes nevojës pa dëshirë për të lënë vise të bekuara nga Perëndia me diell e det, dhe për të përfunduar në veri, ku dielli ngjan si dhuratë njeriu e deti është akull, por ku njeriu ka bërë mrekulli për ekzistencën e tij, si individ dhe shoqëri. Si një proces që është njerëzor në thelbin e tij, i varur nga psikologjia e turmës dhe e individit, emigracioni është vështirësisht i kontrollueshëm. Është e pamundur t’i thuhet një prindi që vendos të ikë se duhet të qëndrojë për të sakrifikuar për Shqipërinë. Njëlloj i kanë thënë edhe prindërve të tij. Është cikël që i nënshtrohet ligjësisë së cikleve. Instrumentet që ka në dorë shoqëria, duke nisur me politikëbërjen, vetëm mund ta zbusin fenomenin.

Me kusht që qasja ndaj tij të jetë e thellë. Jo fasadë, por thelb. Jo premtim mandati, por mandat për të ndryshuar. Duke filluar me arsimin. Me një reformë që nis nga poshtë lart dhe jo si deri më tani, nga lart poshtë. Me investime që synojnë çerdhet e kopshtet përpara universiteteve. Ky është keqkuptimi i madh që hileja apo padija, llogaria e momentit dhe jo vizioni për të nesërmen, ia kanë faturuar amokut edhe shqiptar të ikjes.

15 vjet më parë Sali Berisha me liberalizimin e arsimit të lartë, me universitetet qesharake që lejoi të hapen si vitrina mashtruese të mrekullisë që premtonte, prodhoi një bombë njerëzore mashtrimi, pasojat e shpërthimit të së cilës do të ndihen edhe për shumë vjet të tjerë. Gënjeshtra e shumëfishtë: prindër që mendonin se po u jepnin arsim famijëve, gjimnazistë që besonin se po bëheshin studentë dhe studentë që merrnin një copë letër që pandehnin se kishte vlerë diplome, është një nga krimet më të mëdha që i janë bërë këtij vendi. Edi Rama në nisje të mandatit të tij të parë, bëri ndoshta një nga aktet më të ndershme politike kur mbylli një sërë akshihanesh arsimore, por edhe ai u dorëzua kur studentët iu vunë përballë dhe iu duk se i kërcënonin pushtetin.

Ai u bë palë me gënjeshtrën e madhe: të gjithë gjimnazistët studentë! I vetëm në qeveri, e në përgjegjësinë qeverisëse, edhe ai u shmang nga çmontimi i kësaj bombe, duke e lënë të lirë për të shpërthyer më vonë. Dhe sot ora e kurdisur dhe nga pandemia, thotë se është Vonë fiks! Arsimi është investimi i parë dhe më i rëndësishëm në këtë botë drithëruese, e cila po tenton t’i përshtatet ndikimit të pandemisë. Debati si nis ky vit shkollor është vetëm minimumi. Ai duhet të jetë se si i gjithë sistemi duhet të bëhet komplementar me atë çfarë po ndodh. Në këtë fushë Shqiperia ka ende nevoja bazike që nisin që me rikrijimin e modelit të mësuesit dhe pedagogut, rikthimin e tyre në atë lartësi që i shihte edhe vetë diktatura. Më mirë më pak kilometra rrugë, më mirë rrugë më të ngushta për të siguruar të ardhmen e përbashkët. Pakkush sheh se analfabetizmi funksional nuk është një trill, nuk është një fantazmë, por një realitet që prek Tiranën dhe skajet e vendit.

Të arsimosh mirë e me çdo kusht fëmijët e të rinjtë është si të mbjellësh ullinj që e japin frytin vonë, por të sigurt e për shumë e shumë vjet atë. Mbetet në dorën e shoqërisë për të zgjedhur përballë ullirit të përjetshëm apo domates së përkohshme dhe elektorale që kanë ofruar qeveritë shqiptare. Vitin e ardhshëm arsimi do të duhet të jetë një kartë elektorale e partive në garë. Si një debat që nuk lyp thjesht votën, por si ndërhyrje në të nesërmen e gjithë vendit.

Mjekësia është muzika që herët a vonë luhet për gjithkënd. Sido që t’i nisë jeta dikujt, epilogu është gjithmonë requiem i përzishëm. Mjekët janë ata që vihen mes individit dhe vetë fundit. Mungesa e tyre është shenja drithëruese e një sërë sëmundjesh të vetë shoqërisë. Sepse kësaj kaste tërësisht të veçantë të shoqërisë, që sakrifikon më shumë se kushdo tjetër (e ka idenë ndokush se ç’do të thotë provime mjekësie? Diplomë që minimalisht mbas dhjetë vjetësh duhet “rimarrë” sërish?). Ka 30 vjet së paku, që i numërohen kafshatat që fut në gojë. Që e ndiejnë si Zot vetëm kur kanë hall, por e trajtojnë si kalë sapo kalojnë lumin. E gjithë shoqëria sillet ndaj tyre me një hipokrizi të skajshme, u jep thërrime dhe u kërkon që në këmbim të mundin vdekjen rast pas rasti. Pandemia fatkeqe solli momentin e lumtur për të ndryshuar çfarë është më e vështira: mentalitetin që është mësuar të shohë te mjeku “bluzën e zezë të krimit”, siç e quajti për herë të parë një ish-doktor politikan.

Një përcaktim që u pëlqeu të gjithëve, duke kriminalizuar gjithë këtë pakicë njerëzish të domosdoshëm. Të majtët erdhën në pushtet edhe për shkak të gjetjes së madhe elektorale të tyre për mjekësinë falas. Në këtë botë, asgjë nuk mund të jetë qelepir, as shëndetësia, natyrisht. Por një shtet i fortë mund të zgjedhë që të gjithë të paguajnë për atë që ka nevojë. Dhe këtë tentuan të bëjnë socialistët. Mes morisë së mëkateve që mund të ketë edhe në shëndetësi, Rama 1 e Rama 2, në kërkim të Ramës 3 ai duhet të tërhiqet pa dyshim nga një çift i zgjedhur kuajsh. Dy ministrat e tij të Shëndetësisë, Beqaj në fillim e Manastiliu në vijim, nuk sollën vërtet mrekullinë, por projektuan ndryshimin. Nuk bënë revolucionin, por dëshmuan evolucionin e munguar më parë. Por nëse ata të dy janë politikanë dhe hesapet i kanë me shefin e tyre dhe votuesin, janë të tjerë njerëz që sot sillen si monumente të gjalla. Shihni çfarë ndodh në Sanatorium. Doktor Perlati, Alma, Silva, Ariani, Juli, Viola, Serxho dhe një kompani grash e burrash, më së paku meritojnë që pacientë të shpëtuar nga ata dhe familjarët e tyre, t’u bien në gjunjë e të luten për ta. Dhe po në gjunjë t’u puthin duart!

Shihni çfarë ndodh tek Infektivi, aty ku të tjerë heronj të heshtur me doktoreshë Najadën, Lulin e Artë, Tritanin, Arianin, Nevilën, Entelën e të tjerë si ata, bëjnë atë që vetëm njerëz të jashtëzakonshëm mund të bëjnë në rrethana të jashtëzakonshme. Në mëngjes e në mbrëmje, doktor Maksi duket sikur po ngjitet në skenën e ndarjes së Oskar-ëve, pavarësisht se zbret në ferr dhe bashkë me të doktor Albani, Arbenët, Koli, Mondi, Monika, Mira, Turi e shumë të tjerë si ata që, si rregull, luajnë veten në Blackjack-un e fatit. Ata duhen falënderuar se janë, dhe lutur të mos ikin. Sepse pa ta, muret nuk janë spitale, aparaturat janë vetëm sende dhe bisturitë janë vetëm brisqe që nuk vlejnë as për të rruar mjekrën. Ky është alarmi i vërtetë që duhet ngritur.

Si do të rritet numri i tyre, si duhen përkëdhelur e trajtuar si një kastë ndryshe e shoqërisë, përpara të cilëve, herët a vonë, duhet rënë në gjunjë, siç ndodh kur flitet për Perëndinë. Në fushatën e 2021-shit, mjekësia do të duhet të jetë fusha e ndeshjes. Duke pasur parasysh se askush, sado që të premtojë para, nuk mund t’i bëjë dot miq doktorët. Mjafton të paguajnë me respekt që të mos jenë armiqtë e tyre. Sepse kudo, në Perëndimin e pasur apo Lindjen e trazuar, në Veriun e ngrohtë dhe Jugun që mërdhin, doktorët janë bekimi i parë që një shoqëri duhet t’i japë vetes. Por vetëm shoqëritë e emancipuara, që janë në gjendje të kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë: nëse engjëjt ekzistojnë vërtet, ata do të ishin të veshur me bluza të bardha dhe mjekë me profesion!

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Ergys Mërtiri: Ç'na tregoi më 23 nëntor Altin Dumani?

Ergys Mërtiri: Ç'na tregoi më 23 nëntor Altin Dumani?