TIRANE-Nesër ndryshon orari i daljes nga shtëpia. Për fundjavën do të ketë vetëm një orar për të dalë nga shtëpia për të bërë pazaret dhe për të kryer nevojat e tjera imediate. Nesër, ditë e shtunë do të jetë i lirë për të lëvizur vetëm orari 05:00 e mëngjesit deri në orën 13:00. Kjo fashë do të jetë edhe për biznesin për shitjen e ushqimeve, farmacitë apo bankat si edhe orari i punës së punonjësve të administratës. 

Ndërkohë nga nesër në orën 13:00 gjatë gjithë ditës së diel, deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit do të jetë gjithçka e mbyllur, në të gjitha qendrat urbane të republikës së Shqipërisë. Pra ditën e diel nuk do të ketë asnjë orar të lirë për të dalë nga shtëpia asgjë hapur për të blerë. Qeveria ka publikuar edhe tabelën e plotë me të gjitha bizneset që lejohen dhe që do të mbyllen në këtë fashë orari.

Kryeministri Edi Rama shkruan se nuk kemi kohë për të humbur në luftën me koronavirusin. "Nga nesër regjimi i lëvizjes ndryshon, sepse nuk kemi asnjë orë e jo më ditë për të humbur me edukimin e të pabindurve, të cilëve shumë shpejt do të detyrohemi t’ua kthejmë me të njëjtën monedhë, jo vetëm duke i ndëshkuar me gjobat e sanksionet në fuqi po edhe duke u ndërprerë çdo lloj ndihme e shërbimi shtetëror! thirrjet për mirëkuptimin e tyre po mbarojnë! Nga nesër orari i lëvizjes do të jetë 05.00 - 13.00! Ky do të jetë në vijim edhe orari i pikave të shitjes së ushqimeve, ilaçeve apo shërbimeve bankare, si edhe orari i punës së punonjësve të administratës.

Nga nesër në orën 13.00, gjatë gjithë ditës së dielë, deri të hënën në orën 05.00, do të jetë gjithçka e mbyllur, në të gjitha qendrat urbane të republikës së Shqipërisë. Në rrugë do të jenë vetëm forcat e policisë, ushtrisë, njësive kritike të shërbimeve shtetërore dhe atyre të kompanive mediatike! Kjo është luftë dhe armiku nuk po largohet, por po afrohet çdo minutë! prandaj mblidheni mendjen bashkë me mua që duhet të shtrëngojmë çdo ditë vidat e zinxhirëve mbrojtës, nëse nuk duam të na grijë si helmi mizat!" thotë Rama.

Nga e hëna e javës që lamë pas ka pasur ka pasur vetëm dy fasha orari për të dalë nga shtëpia 06:00-10:00 paradite dhe 16:00-18:00 pasdite, por nisur nga fakti që ndërgjegjësimi ishte zero, pasi qytetarët respektonin orarin, por jo distancën mes njëri tjetrit qeveria ka shtrënguar masat duke lënë vetëm një orar për ditën e shtunë për t'u furnizuar, ndërsa të dielën nuk do të lejohet dalja nga banesa.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:28
Urdhri i ri/ Tabela e plotë me bizneset që do të lejohen hapur dhe që do të mbyllen

Kryeministri Edi Rama njoftoi se nesër, që është ditë e shtunë do të ketë vetëm një fashë orari për të dalë nga shtëpia që do të jetë ora 05:00 deri në 13:00, ndërsa më pas gjithçka do të jetë mbyllur deri të hënën në orën 05:00. Por cilat biznese do të lejohen hapur dhe cilat do të mbyllen? Qeveria ka publikuar vendimin dhe tabelën e plotë me të gjitha bizneset që do të lejohen që të hapen në vetëm këtë fashë orari, për t'u mbyllur më pas të gjitha dhe rihapur të hënën në orën 05:00. Mbyllur do të jenë të gjitha qendrat tregtare, materialet e ndërtimit, dyqanet jo ushqimore, tregtia me pakicë, sallonet e estetikës, aktivitetet çlodhëse, etj. Industria e prodhimit do të jetë hapur, ushqimoret, farmacitë, agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë, etj. Lista me aktivitetet e përcaktuara hyn në fuqi më pas në orën 05:00 të 24 marsit, pra të martën. Punonjësit e institucioneve financiare të linjave prodhuese e ushqimore dhe të gjitha aktivitetet e lejuara sipas tabeles bashkëlidhur këtij urdhri do të lejojen të qarkullojën vetëm në itenerarin shtëpi – punë.

Ora 20:22
Rama poston videon me pamjet dramatike nga Italia: Shikoni çfarë i gjen të pabindurit

Kryeministri Rama vijon që të sjellë pamje dramatike nga Italia për të ndërgjegjësuar shqiptarët që të mos dalin pa arsye nga shtëpia, por edhe në momentin që vendosin që dalin të respektojnë distancën dhe masat. "Hapini sytë e veshët dhe shikojeni e dëgjojeni vetë, se çfarë i gjen ata që nuk duan ta marrin vesh në kohë qindin që të punon ky armik që po luftojmë! Dhe ku? Në Bergamo! Një nga spitalet më të famshëm të Europës! Zot na ruaj. Mos i lini fëmijët ta shohin këtë video" shkruan Rama.

Ora 19:47
627 viktima sot në Itali, Rama: Po ne si do i’a bëjmë, do vrasim njëri-tjetrin apo do rezistojmë?! Rrini brenda

Në 24 orët e fundit në Itali janë shënuar 627 viktima nga koronavirusi. Kryeministri Edi Rama teksa ka risjellë bilancin tragjik të Italisë, u bën apel shqiptarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe jo të dalin xhiro dhe të njëri-tjetrin.

"O njerëz! Në Itali sot kishte 627 të vdekur. Gjashtëqind e njëzetë e shtatë!!! vetëm sot!!! 24 orë 627 të vdekur!!! Në lombardi ku Italia ka një sistem spitalor që është në majën e Europës, nëntë në dhjetë vdekje ndodhin në shtëpi!!! Pse??? Sepse masat shtrënguese u morën vonë, njerëzit u tallën me masat në emër të lirisë për xhiro, për sullaco e për festa dhe armiku u vajti të tërëve nëpër shtëpi! Numri i të sëmurëve e kaloi me galop numrin e shtretërve dhe ja si ka ardhur puna!!!

Tani si do i’a bëjmë?! Do vrasim njëri-tjetrin dhe do rrimë duke numëruar me qindra të vdekur e mosozot mijëra? Apo do rezistojmë dhe do shpëtojmë njëri - tjetrin?! Po njerëzit kanë ndenjur 30 vjet në burg apo 30 ditë në grevë urie dhe nuk kanë vdekur, e pse duhet të vdesin sot duke ndenjur në shtëpi pa dalë xhiro apo duke ndenjur në radhë pak më gjatë, pa u ngjitur me njëri-tjetrin?!" shkruan Rama.

Ora 17:20
Njerëzit zbarkojnë në rrugë për shëtitje, Rama: Nëse këto tradhtarë nuk tërhiqen, do arrestohen (VIDEO)

Kushdo që del në rrugë për shëtitje do të arrestohet. Këtë ka deklaruar kryeministri Edi Rama, i cili duke i quajtur këta njerëz si tradhtarët e vërtetë të përpjekjeve kombëtare për të ruajtur jetën, i ka paralajmëruar se nëse nuk tërhiqen urgjentisht nga kjo rrugë e gabuar do të arrestohen.

Rama tha se ushtria do të vihet e gjitha në mbrojtje të popullit nga kjo pakicë njerëzish që tregohen ende të papërgjegjshëm dhe dalin në rrugët e qytetit për shëtitje si të ishin në kohë pushimesh.  Nëse këta persona nuk tërhiqen urgjentisht nga rruga e tyre qorre, do të përdoret çdo mjet deri në heqjen e lirisë së plotë apo thënë ndryshe arrestohen.

Duke i cilësuar këta persona si tradhtarët e vërtetë në këtë përpjekje kombëtare, Rama tha se pikërisht kjo pakicë e pandërgjegjshme do të na sjell hatanë e vërtetë. Sipas Ramës askush nuk do të lejojë që këta individë tradhtarë të marrim në qafë përpjekjet e popullit për të mbrojtur jetën.

"Ushtria do të vihet e gjitha në mbrojtje të popullit nga një pakicë fare e vogël individësh të papërgjegjshëm, tradhtarë të vërtetë, që mund të na bëjnë hatanë dhe nuk duhet të lejohen në asnjë mënyrë të marrin në qafë mijëra e mijëra të pafajshëm, e t’u sjellin vuajtje të mëdha dhjetëra mijëra të tjerëve. Duhet t’i ndalim me çdo kusht dhe do të përdorim çdo mjet, deri në heqjen e plotë të lirisë nëse nuk do të tërhiqen urgjentisht nga rruga e tyre qorre. Populli nuk i’a ka borxh asnjë individi tradhtinë në këtë përpjekje kombëtare për jetën e njeriut", shkruan Rama.