Nga ‘zbulimi’ i Sudes dhe Xhaferrit në ‘93, te letra sekrete e Meksit për Boden e Berishën në ’96: Historia e 26 firmave piramidale që i morën kursimet shqiptarëve

Nga ‘zbulimi’ i Sudes dhe Xhaferrit në ‘93, te letra sekrete e Meksit për Boden e Berishën në ’96: Historia e 26 firmave piramidale që i morën kursimet shqiptarëve

Sali Berisha

Ato kishin filluar të gëlonin që para vitit 1996, por atë vit u shfaqën me agresivitet të madh, duke përshpejtuar edhe shembjen e tyre të pashmangshme. Historia tragjike e fundshekullit, e shoqëruar me mbi 3000 viktima në njerëz, mijëra të plagosur, 1,3 miliardë USD humbje financiare dhe mbi 500 mijë armë zjarri të nxjerra anarkishëm nga depot e ushtrisë, kishte arsyet e veta politike, ekonomike, psikologjike, të brendshme e të jashtme. Injoranca e shqiptarëve të sapodalë nga sistemi komunist në fushën e panjohur të ekonomisë së tregut, u bashkua me përdorimin e saj për qëllime politike të ditës, duke çuar në krizën më të rëndë që nga krijimi i shtetit shqiptar më 1912.

FILLIMET

Kapitalizmi i ri shqiptar nisi të hidhte hapat e para pas vitit 1990 mbi baza empirizmi të theksuar, me njohuri të mësuara nga librat e shkollës komuniste. Në rrethanat e reja ekonomike, shqiptarët duhet “të çanin detin me këmbë”, pa pasur as ide të qarta dhe as kapitale financiare mënjanë, pa njohuri për biznesin dhe pa mbështetjen e duhur institucionale.

Ata nuk dinin thuajse asgjë nga grackat e ekonomisë së tregut. Shumë prej tyre iu drejtuan formës së mbledhjes së kursimeve të pakta të qytetarëve dhe investimit të tyre në biznese, duke u kthyer kreditorëve mbrapsht interesa të larta të panatyrshme fitimi.

Kanë qenë me mijëra bizneset e vogla dhe të mesme që u mbështetën në financimin informal prej huamarrjes nga publiku, në kushtet kur mungonin kreditë dhe kontrollet bankare, burimet e tjera të ligjshme të financimit për biznesin, strukturat shtetërore të kontrollit, baza ligjore për to etj. Publikisht dhe në mënyrë të frikshme, ato u shfaqën veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 1996.

Por veprimtaritë e dyshimta financiare, që grumbullonin paratë e qytetarëve për investime, ishin të njohura që në vitin 1991, me veprimtarinë e biznesmenit Hajdin Sejdia, me gropën e tij të famshme prapa Pallatit të Kulturës.

Më 1993 filloi aktivitetin firma piramidale me emrin e pronares së saj, ish-punëtoren e fabrikës së këpucëve, romen Sudja (Maksude Kadëna). Ishin, pra, marrëdhënie jo të rregullta (joformale) financiare midis njerëzve që pretendonin se merreshin me bishës të ligjshëm nga njëra anë, dhe qytetarëve që kishin diçka mënjanë nga kursimet e tyre, të siguruara në rrugë të ndryshme brenda apo jashtë vendit, por të pamësuar me rregullat e ekonomisë kapitaliste.

Dalëngadalë kjo dukuri u kthye në sëmundje epidemike për shumë arsye. Të shesësh shtëpinë, dyqanin, tokën, traktorin apo çdo lloj prone tjetër e t’i futësh paratë në firmën piramidale se “kështu të del më mirë”; të rrish duke pirë raki me bërxolla derri në kioskat që kishin mbërritur deri në sheshin “Skënderbej” – kjo epidemi u kthye në moto për shumë qytetarë.

Prej këtyre aktiviteteve “humbën kursimet rreth 1.8 milionë shqiptarë dhe përmasat e skemave piramidale arritën deri në 50 për qind e GDP-së”. (A. Malaj, “Panorama”, 11 maj 2021) Përvoja botërore me piramidat financiare Historia botërore në këtë drejtim është e hidhur.

Ato nuk janë “shpikje shqiptare”, por të vendeve me ekonomi dhe përvojë të zhvilluar kapitaliste. Në SHBA ekzistonte deri vonë një skemë e tillë, e njohur si “Skema Madoff” nga emri i drejtorit të saj, që kishte grumbulluar rreth 40 miliardë USD prej klientëve të mashtruar nga e gjithë bota dhe që u shkri një ditë si bora në ujë. Çështja ishte se kjo përvojë e hidhur nuk njihej nga “bijtë e shqipes” në mesin e viteve nëntëdhjetë. Të sapodalë nga ekonomia e centralizuar, ata “ranë brenda” lehtësisht si mizat në qyp.

Pronarët e firmave piramidale e kishin taktikë të punës së tyre publicitetin e shfrenuar dhe lidhjen me njerëz dhe struktura të pushtetit e të fushave të tjera të rëndësishme shoqërore, si pjesë e “marketingut” të aktivitetit të tyre për të tërhequr publikun. Në rrethana të tilla, edhe institucionet shtetërore të specializuara të kontrollit ndodh të sugjestionohen prej tyre. Fakti që kompania e Madoff në SHBA gjalloi me anë të mashtrimit deri në vitin 2009, tregon se ato janë rrezik potencial në çdo kohë, edhe sot, veçanërisht për ata që nuk i kanë provuar më parë.

FIRMAT PIRAMIDALE “ALLA SHQIPTARE”

Kompanitë financiare piramidale të paregjistruara ligjërisht ishin dukur herët, por në vitin 1996 morën leje aktiviteti në gjykatë dhe u shfaqën publikisht në numër shqetësues.

Sipas hetimeve të mëvonshme, ishin 26 të tilla në vend në vitin 1996. Kjo ndodhi veçanërisht para dhe pas zgjedhjeve parlamentare të majit të atij viti. Se sa informale ishin ato, kuptohet nga fakti që “Sudja”, me aktivitet që nga vitit 1993 dhe e regjistruar në gjykatë në vitin 1996, me rreth trembëdhjetë mijë kreditorë, nuk kishte fare llogari në bankë dhe paratë e qytetarëve i mbante në “qymezin” e shtëpisë së vet në pallat.

Kompania “VEFA hollding”, me pronar ish-kapterin Vehbi Alimuça, me shtrirje aktiviteti në të gjithë vendin, me 59 mijë kreditorë, ishte krijuar në 29 mars të vitit 1994 si firmë biznesi.

Fondacioni “Demokracia Popullore-Xhaferri” u krijua në vitin 1995 dhe filloi të shtrinte veprimtarinë e tij kryesisht në fshatrat e Lushnjës, Fierit dhe Beratit, pikërisht në vitin 1996. Fondacioni “Populli” u krijua më 30 mars të po atij viti “pjellor” në fushën e piramidave financiare.

Historia e lindjes dhe e “lulëzimit” të tyre tregon, pra, se periudhat zgjedhore, siç ishte viti 1996, ishin koha “e artë” e krijimit dhe ngritjes së tyre, si ndërtimet e paligjshme në kohë fushatash elektorale. Kanë ekzistuar dy modele të firmave piramidale financiare në Shqipëri: ato që kishin në bazën e tyre një lloj aktiviteti biznesi, sado minimal dhe prandaj ishin më joshëse për klientët, si dhe forma tjetër, ajo e “fondacioneve” që nuk kishin asnjë lloj kapitali konkret, por qarkullonin vetëm paratë e klientëve të tyre.

Ndër të parat bënin pjesë kompanitë “Vefa”, “Gjallica”, Kamberi”, “Cenaj” etj., ndërsa të dytat ishin Sudja, Xhaferi, Populli etj. Thelbi i aktivitetit të tyre ishte mbledhja e parave nga një masë investitorësh, për të shlyer detyrimet e investitorëve të mëparshëm e kështu deri në falimentim. Aktiviteti i kompanive piramidale ishte i mbuluar nga terri informativ për publikun.

Përmasat e vërteta të kësaj drame u mësuan vetëm kur u bë transparenca e tyre nga kompania e huaj “Deloite and touch” e caktuar nge qeveria shqiptare pas vitit 1997. Ato kishin hedhur në duar një shumë të përgjithshme prej rreth 1,3 miliardë USD kursime të qytetarëve dhe kishin deri në 81 mijë kreditorë vetëm njëra prej tyre, siç ishte “Gjallica”.

PËRSE U LEJUAN NGA AUTORITETET?

Përvoja në administrimin, kontrollin, verifikimin, ndalimin etj., të këtyre fenomeneve të zeza ekonomike, nuk ekzistonte. Vendi sapo kishte hyrë në rrugën e ekonomisë së tregut. Legjislacioni për parandalimin e tyre ishte jo i plotë. Në komunizëm nuk ekzistonin fenomene të tilla. Në njëfarë mase, pra, ato ishin produkt i rrugës së panjohur të ekonomisë së tregut, por vetëm kaq.

Shteti shqiptar kishte në dorë informacionin për gjendjen (siç pretendonte),legjislacionin për të ndaluar në kohë aktivitetin e tyre me pasoja të rënda dhe, gjithashtu, mund të miratonte legjislacion të ri sipas nevojave, por ai zgjodhi të bëjë (të paktën për njëfarë kohe) “sehirxhiun” në këtë aventurë vetëvrasëse financiare. Kjo lidhej me ngjarjet e rëndësishme politike të vitit 1996, pra, zgjedhjet.

Në Shqipëri nuk kishte sistem bankar privat të zhvilluar, i cili ka rregulla strikte në administrimin e parasë dhe nuk lejon të kryhen veprime “me urdhër nga lart”, siç ndodh me bankat shtetërore. Shteti shqiptar mendonte se me këto probleme të mprehta do të merrej sapo të mbaronin zgjedhjet dhe të sigurohej mandati i ri i pushtetit, por situata i doli jashtë kontrollit.

Në prag të katastrofës, për të shpëtuar veten nga përgjegjësia, ai u përpoq të paraqitej “duar jashtë” nga historia e piramidave, duke i paraqitur ato si “çështje personale” të individëve dhe prandaj ai, shteti, nuk kishte përgjegjësi për to, por kjo nuk funksionoi. E kishte marrë ferra uratën.

Aspekti politik i problemit Puna me zgjedhjet nuk u kishte shkuar mirë atyre që ishin në pushtet: Partisë Demokratike dhe Presidentit Berisha. Pas fitores plebishitare në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992, ata kishin humbur në ato për pushtetin vendor katër muaj më vonë, në korrik të atij viti. Dy vjet më pas, më 1994, kishin pasur një tjetër humbje turpëruese në një referendum kombëtar për Kushtetutën, me pesëdhjetë e tre për qind kundër tyre.

Në lojë ishte edhe mandati i ri i Presidentit të Republikës, i cili do të zgjidhej nga Kuvendi i ri në mars të vitit 1997. Ekonomia ishte në rrokullimë të pandalshme, pasojë e “terapisë së shokut” që zbatoi qeveria me ndërmarrjet shtetërore që, në njëfarë mase, mund të funksiononin ende, derisa të krijoheshin strukturat e reja të ekonomisë së tregut, por që u falimentuan artificialisht dhe u shpërbënë duke u privatizuar arbitrarishte duke hedhur në rrugë dhjetëra mijëra punëtorë.

Kostot e mëdha sociale të reformave në qytet dhe fshat kishin rritur pakënaqësinë ndaj pushtetit. Këto do të përktheheshin pastaj në kosto politike.

Në zgjedhjet e reja të zhvilluara në të gjitha vendet ishkomuniste, kishin ardhur në pushtet forcat e majta. Kjo pritej të ndodhte edhe në vendin tonë, si një prirje e pashmangshme historike. Forcat e djathta opozitare kishin ardhur në skenën e historisë për ta shembur sistemin komunist, por ishin të papërgatitura sa duhet për të qeverisur shoqërinë e re.

Këtë frikë, pra, se kjo do të ndodhte edhe në Shqipëri, e kishte edhe Partia Demokratike dhe prandaj po merrte masa të panatyrshme për të shpëtuar me çdo kusht nga humbja. Krijimi i iluzionit fals të “mirëqenies”, “bollëkut”, “pasurimit të shpejtë e pa punë”, me sloganin elektoral zyrtar të fushatës së tyre: “Me ne fitojnë të gjithë”, ishte një rrugë efektive për të mashtruar votuesit në prag të zgjedhjeve.

“ALARMI NË SHISHE” I QEVERISË

Qeveria e ish-Kryeministrit Meksi kishte dijeni për aktivitetin e firmave piramidale dhe për rrezikun e tyre për vendin, të paktën qysh në mesin e vitit 1996. Kryeministri ishte informuar nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë për rrezikun që paraqisnin ato. Ai kishte kërkuar të shikohej mundësia ligjore e mbylljes së aktivitetit të një pjese të tyre dhe kishte informuar edhe Presidentin e Republikës Berisha rreth kësaj situate, me anë të një letre “Sekret”.

(Se mos na e merr vesh njeri këtë punën e piramidave financiare në gusht të atij viti, kur atë e dinin të gjithë shqiptarët!)(Letra “sekret” e ish-Kryeministrit Meksi drejtuar institucioneve financiare dhe Presidentit të Republikës, 20 gusht 1996). Në letër, Kryeministri i trajton në mënyrë selektive firmat piramidale dhe nuk i godet në bllok, por vetëm disa prej tyre.

Ai kërkon mbylljen e atyre “që sapo kanë filluar një aktivitet të tillë si “Silva”, fondacioni bamirës “Populli” etj.”, ndërkohë që tanimë janë plot 26 kompani që zhvillojnë aktivitet informal kriminal nën hundën e shtetit.

Dukej se Kryeministri ose nuk merrte vesh sa duhej nga rreziku i pasojave të kësaj dukurie, ose nuk kishte autoritetin e nevojshëm për të vendosur për to. Janë të tjerë ata që marrin vendime, duke lënë të kuptohet Presidentin e Republikës. Të tjerët poshtë tij thjesht e njihnin problemin dhe këmbenin letra “sekrete” për të qetësuar veten se “ne e bëmë detyrën tonë”.

LEJIMI ME DASHJE I PIRAMIDAVE FINANCIARE

Përveç informacioneve nga burime zyrtare të institucioneve të specializuara, Presidenti i Republikës, Sali Berisha, kalonte dy herë në ditë para ndërtesës së gazetës “Zëri i popullit”, në bulevardin “Zogu i Parë”, në katin e parë të së cilës gjendeshin sportelet e Fondacionit “Populli” dhe ku rrinin në radhë natë e ditë për të futur paratë me mijëra njerëz.

Radha e gjatë e tyre pengonte shpeshherë edhe eskortën e Presidentit në rrugë. Ai i kishte mekanizmat për t’i kontrolluar e bllokuar ato, por kjo nuk ndodhi dhe kjo lidhet me arsyet e përmendura. Gjendja e këtyre firmave piramidale u rëndua veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 1996, si pasojë e zgjerimit të aktivitetit të tyre.

Autoritetet nuk mund të bënin ndërhyrje për mbylljen, sepse masat e kreditorëve do të bënin përgjegjëse ato për humbjen e parave dhe kjo do të reflektohej pastaj në votimet e 20 tetorit për qeverisjen lokale. Në popull ekzistonte bindja se këto firma piramidale funksiononin me dijeninë dhe miratimin e plotë të shtetit.

A nuk ka thënë vetë Presidenti Berisha: “Paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë”? Për këtë arsye nuk u ndërhy as kur erdhën rekomandime nga Banka Botërore dhe FMN për mbyllje. Le të mbarojnë zgjedhjet më parë, pastaj kemi kohë të merremi me to.

Politika. pra, në plan të parë. Presidenti Berisha deklaronte poshtë e lart se kompanitë rentiere janë “dallëndyshet e para të kapitalizmit në Shqipëri”. Në një intervistë për televizionin “Klan” tre vjet më vonë (5 dhjetor 1999) ish-zëvendëskryeministri Tritan Shehu deklaronte se bashkë me Kryeministrin Meksi, i kishin kërkuar Berishës të vihej nën kontroll Sudja, sepse ajo nuk kishte as llogari në bankë.

Edhe me Suden, pra, duhet të merrej Presidenti i Republikës. Ky ishte shteti “piramidal” i asaj kohe. Presidenti ishte përgjigjur se “çdo gjë është nën kontrollin e SHIK-ut dhe të institucioneve të specializuara”. Se sa “nën kontroll” e kishte SHIK-u situatën, kjo u duk kur piramidat financiare filluan të bien.

Letër sekrete nr. 2858 e Kryeministrit Aleksandër Meksi për piramidat

Drejtuar: Ministrit të Financave, Ritvan Bode, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Kristaq Luniku

Për dijeni: Presidentit të Republikës, zotit Sali Berisha

Në lidhje me zhvillimet e fundit të tregut joformal, nga ana juaj më është bërë e ditur për zhvillimet jashtëzakonisht të këqija që po vazhdon të vërehen në zhvillimin e huamarrjes me interesa tepër të larta nga disa firma tashmë të njohura si VEFA, Gjallica, Kamberi, Sudja etj., por edhe të sapokrijuarat si Silva, Populli, etj., gjë e cila, siç është theksuar edhe nga ana juaj, po çon në zhvillimin tepër negativ për tregun financiar, që mund të kalojnë në pasoja tepër të rrezikshme ekonomike, sociale, politike si dhe për zhvillimin e formave të ndryshme të kriminalitetit. Por në informacionet e dërguara nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, përveç evidentimit dhe konstatimit të këtij fenomeni tepër të rrezikshëm, nuk përcaktohen masat e nevojshme për eliminimin e këtij fenomeni, duke tërhequr vëmendjen sidomos në drejtimet e mëposhtme:

1. Kontrollin e aktivitetit të tyre nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve mbi detyrimet fiskale që këto firma kanë kundrejt buxhetit të shtetit në zbatim të legjislacionit të sotëm fiskal për aktivitetin ekonomik që këto firma kryejnë, si dhe rishikimin, konform legjislacionit të vendeve të zhvilluara, të politikës fiskale me qëllim vendosjen e tatimeve të reja për transaksionet financiare (përfshi këtu depozitat dhe kreditë) që kryhen nga institucionet e licencuara financiare, si dhe nga subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun joformal. Po kështu, të studiohet nga ana juaj vendosja e një takse për shitblerjen e pasurive të paluajtshme përpara regjistrimit të tyre në regjistrin e pasurive të paluajtshme.

2. Të kërkohet nga ana e Departamentit të Politikës dhe Operacioneve monetare që të gjitha firmat që kanë aktivitet në tregun joformal, të deklarojnë aktivitetin e tyre të përgjithshëm si dhe masat që ato parashikojnë në drejtim të bilancimit të arkivave dhe pasurive të bilancit të tyre. Në qoftë se ka pengesa ligjore për kërkimin e një informacioni të tillë, të studiohet mundësia e përgatitjes së shpejtë të një ligji të tillë.

3. Nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë të kërkohet ndihma e specialistëve të huaj për të treguar, ose gjetur forma më efikase për parandalimin dhe luftën kundër këtij fenomeni.

4. Për firmat e reja, që sapo kanë filluar një aktivitet të tillë si “Silva”, fondacioni bamirës “Populli” etj., nga ana juaj të kërkohet menjëherë mbyllja e aktivitetit të tyre, duke gjetur dhe përdorur në këtë rast argumentet dhe format e duhura juridike e ligjore. Për sa më sipër, nga ana juaj mund të studiohen edhe masa të tjera me karakter administrativo-ligjor, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e ministrive apo institucioneve të tjera shtetërore, që duhet të angazhohen në këtë drejtim, për plotësimin e kuadrit ligjor në këtë fushë.

Kryetar i Këshillit të Ministrave,

Aleksandër Meksi

Tiranë 20.08.1996

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shen Thomai: 22/11/2021 18:54

    Ore Hamdi, ti e mban veten per te mencur. Ta marrim shtruar, sipas ligjeve te vendit, pergjegjesi e kujt qe kjo puna e firmave? E Presidentit??? Po ato sikur rregjistroheshin neper gjykata si entitete, dhe mandej, si subjekte biznesi, ishin nen juridiksion te organeve te tatimeve, taksave. Pastaj te policise,SHIKit etj. Ketu vetem pergjegjesi e presidentit nuk duket. Ore kemi pare qe nga te tere, vetem monstra Gazidede sikur i goditi fort ato, duke i cuar edhe neper gjykata. Vetem qeveria e Meksit,Tatimet e Bodes,apo KLSH e kujdo qe, Policia me kuadro si Tonin Voca,Vahid Lame,Lenc Sallaku, apo Fidel Yllka,keta biznecmenet e ardhshem, ndrisnin syte??? Ore nuk na thua, mire Sala qe u pa cu pa puna, ta mbaje me shendet meqe i ngeli, opozita jote e kohes si e mandaxhoi kete ceshtje? Ose Keno Gjinushi, a Milo e te tjere, apo meqe Nano qe ne burg dhe helbete kishit tjeter hall. Te gjithe ishit dhe jeni pergjegjes! Nga Saliu, Meksi e me radhe. Ngelet duke i treguar prralla me qimet neper syte e te ngjashmeve dhe as qe ua ndjell per traret neper syte tuaj. Juane bere qymyr fare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare