Ngërçi/Rruga e negociatave 
epike dhe roli i amerikanëve

Tre muaj tension, përbetime, letra ultimative, përbaltje, kërcënime, tryeza të dështuara dhe negocitorë që largoheshin të zhgënjyer nga Tirana. Gjithçka nisi në 18 Shkurt, ku pas një proteste masive, opozita shqiptare u ngujua në një çadër para Kryeministrisë, si një formë e pazakontë proteste, për t’i imponuar shumicës krijimin e një qeverie teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve. Lëvizja erdhi në prag të finalizimit të reformës në drejtësi si dhe pas disa humbjeve radhazi të opozitës në zgjedhjet parlamentare të 2013, zgjedhjet lokale të 2015, zgjedhjet e pjesshme në Korçë, në Dibër dhe Kolonjë. Javën e parë të ngujimit, ndërkombëtarët u treguan indiferentë. Më pas, kur afatet për ngritjen e organeve të Vetingut po viheshin në rrezik, erdhën edhe reagimet e para nga Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për gati 80 ditë me radhë, përfaqësues të Brukselit dhe SHBA u shprehën kundër bojkotit të zgjedhjeve dhe bllokimit të Vetingut, duke hedhur poshtë kërkesën për largimin e kryeministrit. Reagimet e njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve, përfshirë edhe të djathtën evropiane, prodhuan reagime të forta nga ana e opozitës. Sulmet e PD kulmuan kur Lulzim Basha e shpalli Vetingun projekt mafioz, ku ishin të përfshirë edhe diplomatë të huaj. Në të njëjtën kohë, Lulzim Basha foli për një komplot ndërkombëtar kundër PD. Ndërkaq, në fund të muajit të dytë, nisën edhe lëvizjet konkrete për zgjidhjen e ngërçit.

Përpjekja e parë
Pas më shumë se dy muajsh ngujim të Partisë Demokratike para Kryeministrisë, erdhi përpjekja e parë ndërkombëtare për zgjidhjen e ngërçit politik, ku Zëvendëspresidenti i Partisë Popullore Evropiane (PPE) David McAllister dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, zbarkuan në Tiranë me një marrëveshje konkrete. Drafti parashikonte 12 pika, për të mundësuar futjen e PD në zgjedhje. Të 12 pikat u pranuan nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, por marrëveshjen e hodhi poshtë Lulzim Basha, i cili kërkoi kryeministër teknik, numërim elektronik dhe shtyrjen e zgjedhjeve përtej muajit tetor. Marrëveshja parashikonte katër ministra teknikë, shtyrjen e zgjedhjeve deri në 16 korrik, drejtimin e KQZ nga PD, ndryshimin e Kodit Penal për rritjen e dënimit për krimet zgjedhore, ndryshimin e krerëve të policisë etj. Dy negociatorët evropianë dështuan për arritjen e një marrëveshje.

Përpjekja e dytë
Një javë pas largimit të dy përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, kreu i shtetit Bujar Nishani, uli në një tryezë kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, në një përpjekje të dytë për të arritur një marrëveshje. Në tryezën e dytë të negociatave, Rama befasoi Lulzim Bashën me një paketë të re, që adresonte shqetësimet e PD për zgjedhjet. Rama i ofroi Lulzim Bashës monitorimin e disa ministrive, Policisë së Shtetit, administratës së burgjeve, drejtorive arsimore dhe çdo veprimtarie shtetërore në lidhje me zgjedhjet, me anë të një grupi monitorimi. Grupi i monitorimit ose Task-forca do të drejtohej nga një zëvendëskryeministër, i cili do të propozohej nga opozita. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha e hodhi poshtë paketën, ndërsa këmbënguli në kushtin e kryeministrit teknik dhe votimit elektronik, kusht i cili diktonte shtyrjen e zgjedhjeve. Basha akuzoi Ramës se u tërhoq nga drafti i McAllister.

Përpjekja e tretë
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, mundësoi tryezën e tretë të negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik. Një ditë pas tryezës së Nishanit, me ndërmjetësimin e ambasadorit Lu, Rama dhe Basha zhvilluan një takim kokë më kokë, po në Presidencë. Takimi erdhi disa orë pasi kryeministri Edi Rama modifikoi ofertën për Bashën, duke i ofruar një zv/kryeministër, një ministër shteti për Teknologjinë, një zv/ministër Arsimi, një zv/ministër për Punët e Brendshme, një zv/ministër për Drejtësinë si dhe një zv/Drejtor të Policisë së Shtetit. Në këmbim të të gjitha lëshimeve, kryeministri Edi Rama vuri vetëm një kusht: Votimin e Vetingut. Edhe kjo tryezë nuk prodhoi një marrëveshje mes palëve. Kryetari i opozitës u tërhoq nga kryeministri teknik, por këmbënguli për numërim dhe votim elektronik. 

Përpjekja e katërt, amerikanët  
Pas dështimit të paralajmëruar të evropianëve, në lojë hynë amerikanët. Atë që nuk e mundësuan dot evropianët, për disa javë me radhë, pra për të bindur Lulzim Bashën dhe Sali Berishën të futeshin në zgjedhjet parlamentare, u përpoqën që ta realizonin amerikanët. Ditën e hënë, në Tiranë zbarkoi Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee. Zyrtari amerikan zhvilloi takime me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe me kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Gjatë një takimi me gazetarët, zyrtari amerikan artikuloi disa deklarata të forta, ku vuri në dyshim arsyet e opozitës për bojkotin e zgjedhjeve, paralajmëroi se zgjedhjet do të njiheshin edhe pa PD, ndërsa shtoi se bojkoti do të dëmtonte më shumë PD se sa vendin. Hoyt Brian Yee nuk erdhi në Tiranë me një marrëveshje të re, por aktivizoi propozimin ‘McAllister’, me disa modifikime, për shkak të zgjedhjes së Presidentit dhe afrimit të zgjedhjeve. Gjatë takimit me Lulzim Bashën, Hoyt Brian Yee i la kryetarit të opozitës 24 orë kohë për të dhënë një përgjigje. Zbarkimi i Hoyt Brian Yee riaktivizoi edhe një herë negociatat mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e ngërçit politik. Pas takimit me Hoyt Brian Yee, Lulzim Basha u tërhoq përfundimisht nga kryeministri teknik dhe votimi e numërimi elektronik.
 
Dy letrat që nervozuan opozitën
 
1. Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn

“Ishte zgjedhja e qëllimshme e opozitës aktuale për të mos kandiduar në zgjedhje. Unë duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë ta shoh me keqardhje të thellë këtë vendim nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që sigurojnë një ofertë të gjerë politike dhe respektojnë standardet zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa, vendosin të qëndrojnë mbrapa. Demokracia dhe standardet demokratike nuk do të pengohen duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratike. Zgjedhjet do të vlerësohen sipas meritave të tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare. Prandaj, le të jem i qartë edhe për një gjë: Dënoj fuqishëm çdo njoftim që bën thirrje për "veprime" që do të dëmtonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liritë e tjera themelore. Këto "veprime" nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk mundën të zhvilloheshin nuk është fitore për askënd. Kjo është një humbje e qartë për demokracinë”.
 
Zv/kryetari i grupit të CDU-CSU, Franz Josef Jung
“Duke qenë se ka mënyra të tjera për të ulur rrezikun e zgjedhjeve jo të drejta, do të doja t’u drejtoja lutjen tonë urgjente, për t’i dhënë fund menjëherë bojkotit parlamentar, për të marrë pjesë në mënyrë aktive në zbatimin e reformës në drejtësi dhe për t’u regjistruar në zgjedhjet kombëtare pa vendosur parakushtet e përmendura më sipër. Për këtë ne jemi të gatshëm me të gjitha forcat tona për të ndërtuar ura dhe për të bërë gjithçka për të siguruar zgjedhje të drejta. Pasi grupi im parlamentar u angazhua fuqishëm për reformën në drejtësi në vendin tuaj dhe më pas kjo u votua me votat e grupit tuaj parlamentar më 21 korrik, ne tani jemi shumë të pakënaqur që kjo reformë e rëndësishme, e dëshiruar nga 90 për qind e shqiptarëve, nuk po vihet në zbatim, sepse Partia Demokratike po bojkoton Parlamentin. Vonesa e reformës në drejtësi dhe bojkoti i zgjedhjeve nga opozita do ta kthenin Shqipërinë shumë mbrapa në rrugën e saj drejt BE-së. Dhe do të dëmtonte shumë marrëdhëniet mes PD-së dhe CDU/CSU-se. Kjo nuk është në interesin tonë”. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave