Ngjarja tronditëse në kampin e Rinasit në ’56-ën: Aspirant Refati, i ra me dru në kokë të burgosunin që shkoi tek telat, ta vrisnin rojet...

Ngjarja tronditëse në kampin e Rinasit në ’56-ën: Aspirant Refati, i ra me dru në kokë të burgosunin që shkoi tek telat, ta vrisnin rojet...

Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makropolitikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.

Në verë të vjetit 1955, u transferuem në kampin e Rinasit, jo larg kryeqytetit. Aeroporti i ri do të ishte ma i madh se ai i Urës Vajgurore, e do të shërbente për detyra civilë e ushtarakë, njikohësisht. Në Rinas, barakat e kampit ishin të rrethueme me dërrasa. Brenda kampit, të burgosunit ndërtuen rrugë të ngushta të shtrueme me zhavor e kanalizime, me pengue inondimin e kampit e baltën e dimnit. Uji ishte i mjaftueshëm, e për të parën herë, u dha mundësia e nji pastrimi ma të mirë, të trupit e rrobeve. Ishte nji kënaqësi e veçantë. Komanda e kampit paguente 10 përqind të vlerës monetare të normës, me nji llogari të mbajtun, në nji dyqan brenda kampit. Me të hollat e grumbullueme, u ba e mundshme blemja e disa artikujve ushqimore. Pagesa për nji javë pune, na siguronte afërsisht nji kilogram sheqer. Metoda e re shërbeu, për nxitje në punë. Në mesin tonë, kishte mjaft nga ata që plotësojshin dy norma në ditë.

Zona e punës ishte nji pyll i degjeneruem, mbulue me ferra e drunj të vegjël. Filloi gërmimi i thellë i tokës, që të nxirreshin jashtë e mirë të gjitha rranjët e, të shkatërrohej çdo vegjetacion që mund të rrezikonte betonimin. Rreth e përqark ishin rojet e shumta, me pushkë, automatikë, e mitraloza. Nji ditë, ngjau diçka me të vërtetë tragjike dhe reveluese, e gjendjes në të cilën jetojshin. Nji ish-ushtar, i burgosun sepse kishte tentue kalimin në Jugosllavi, i dënuem rishtas e prunë në kampin tonë, e tentoi arratisjen. Ishte rreth njizetë e dy vjeçar, i qetë e shumë i njerëzishëm. Nuk kishte shokë, qëndronte i vetmuem, e me rrobet ushtarake, dukej jashtë vendit në mesin tonë. I dëshpruem nga burgimi e vuajtja, uli lopatën në shesh, e filloi me ecë drejt rojeve të jashtme, me hap të rregullt. Roja i drejtoi pushkën. Viktima nuk u ndal. Kishte vendosë me vdekë.

Të gjithë ndaluem punën, e ndoqëm me ankth zhvillimin e kësaj drame, që do të përfundonte në tragjedi. Ndigjuem zanin e Aspirant Refatit, komandant i rojeve të jashtme, që thirrte: “Mos shtini”! “Mos shtini”! e vraponte kah ushtari, që vazhdonte largimin me hapa të rregullta, pa thanë asnji fjalë. Aspirant Refati u afrue, e kapi të burgosunin për zverku, i ra në kokë me dru, derisa viktima ra në shesh. Aspiranti shfrynte, shante, rrihte me shkelma trupin e shtrimë e, gjysëm të vdekun. Mandej, ai shikoi përreth, gjeti nji gur të madh, e mori, u afrue përsëri pranë trupit të shtrimë, e tue ngritë me dy krahë të fuqishëm, e lëshoi me forcë mbi kokën e ish-ushtarit pa ndjenja. Nga kampi, nji britëm e fuqishme, u ngrit deri në qiell. Mandej, ra nji qetësi e plotë. Askush nuk foli! Askush nuk lëvizi!

“Xha Refati”, siç e quejshin rojet, e shikoi të vdekunin për nji çast, i ra me shkelm kufomës, u sigurue që kishte dhanë shpirt, e tue u kthye nga na bërtiti: Punoni derra, çfarë shikoni?” Mbylla sytë e zuna veshët me dorë, tue ulë kokën para kësaj skene të hatashme. Dojsha me hy i gjallë në dhe. Gjesti i “xha Refatit”, më delte përpara me fuqi, e klithma e mprehtë e shokëve, nuk më largohej nga mendja. Nji heshtje prej vorri, si ajo që ndoshta bota do të ketë provue mbas përmbysjes biblike, mbuloi gjithçka. Kur hapa sytë, motorri i kampit punonte si përpara, me zhurmën e randë e lodhëse të tijën, sikur donte me u thane punëtorëve të shtangun në vend, se asgja nuk kishte ndryshue…!

Të këputun nga tmerri i dëshmuem, ndigjuem përsëri që vinte nga ferri i krijuem me vullnet të njeriut të pazemër, nji za i njohun, i çjerrun, i shkëputun, i ashpër që njihshim mirë. Me nji dru në formë krrabe, të mbajtun nalt si trofe fitoreje, “xha Refati”, bërtiti me gëzimin djallzor të gjaksorit: “Kjo është diktatura e proletariatit”! Në atë çast, asgja tjetër nuk jetonte, nuk lëvizte, nuk tërhiqte mendjen e zemrën time, nga ai trup, që posa kishte vdekë. Ajo qenie, tani kufomë, për nji moment ishte e gjithë bota ime, qenia ime trup e shpirt! Oh, sa fort do të dëshirojsha, me pasë guximin e duhun, me thanë diçka, me ba diçka e, me dënue heshtjen time, ndoshta me shtrydhë fuqimisht e deri në fund, arteriet e grykës, deri në fund. Sa poshtë bien njeriu…! Shprehja e katilit, përcaktonte gjendjen. Megjithëse familjarë për të gjithë, ajo më lëkundi nga topitja, nga mpimja e minutit tragjik.

Jeta që u ndal për nji çast, rifilloi nën ogurin fatkeq të kërcënimit të vdekjes, që varej mbi kokë. Rojet gjithashtu, filluen britmat, e për ata që nuk gjejshin fuqinë me punue, filloi shkopi, që xhelatët e kampit, gjysëm të hutuem, përdoren me çlirue veten, nga nji djall që i mundonte përbrenda. Egërsia e rojeve, vazhdoi e pandërpreme, deri në mbramje. Askush nuk fliste. Vetëm mbas punës, kur po ktheheshim në kamp me kalue natën, tregimet e skenës qe kishim ndjekë me sy të zgurdulluem, më ndërgjegjsuen edhe ma shumë. Para meje, dilte guri i randë që xhelati i kuq, kishte ngritë me të dy krahët e, kishte hedhë me inat mbi kokën e viktimës në moshë të re. Shpjegimet e thjeshta, nuk punojshin, si rrahja me çekan në tamthet e kokës, që tashti ziente si nji kazan, nga përshtypjet tej-tokësore të asaj dite. “Xha Refati”, ishte nji “desperado”.

Ata që e njihshin mirë, ma treguen se kishte vra kushërinin, me qëllim që t’i marrë gruen. I bashkuem me çetat partizane gjatë Luftës, ishte ofrue vullnetarisht për veprime që i jepshin mundësi, me torturue fshatarët e zonës së Kolonjës, ku qëndronte njisiti i tij partizan. Mbas “çlirimit”, ishte ngarkue me mbikqyrjen direkte të qelive të burgut të Tiranës, dhe si kujdestar i seksionit të posaçëm, të torturave kundër të arrestuemëve politikë. Në kamp, kalonte me shkop në dorë. Sjellja e tij e zakonshme, ishte shamja e Zotit, ndoshta sepse në pamundësi me e heqë, nga pamundësia me torturue Zotin, me i ra me dru, ashtu si bante me ne! Disa herë, thirrte me za të naltë, si me dashtë me mbrojtë veten, nga nji ndjenjë e brendshme që e ndiqte hap mbas hapi, si hija e vet.

“Ore, uratë-e, sikur të kisha atë Zotin tënd tani këtu, do të ia thyenja brinjtë me këtë dru lisi, dëgjove ore”? Rojet qeshnin. Prifti, të cilit i drejtohej, punonte pa folë. Të nesërmen, xha Refati ishte në krye të kolonës së të burgosunve, si gjithëherë, me shkopin në formë kërrabë, si gjithëherë, e me nji ecje të rregullt, si gjithëherë. Asgja nuk kishte ndryshue te ky monster që vrau nji të ri dje, e qeshej sot. Me gjestet e tij, dukej sikur thonte: “Unë jam zoti juaj këtu. Dëgjoni? Jeta juaj është në dorën time”! Akti kriminel len padyshim, gjurmën e thellë në jetën e kriminelit, sepse ai thyen rregullat morale të shoqnisë. Megjithatë, xha Refati, sikur tërhiqej nga logjika e ngjarjeve dhe e vetë aktit, pa mendue, e qëndronte besnik në rrugën e krimit. Tashti, ai nuk kishte ma frikë nga ndëshkimi i meritueshëm; sistemi që e kishte pjellë, e mbronte atë. Nuk kishte dyshim që ai jetonte, në detin e gënjeshtrës së përhershme e të mohimit.

Ndoshta, në çaste qartësie edhe ai ndiente bremje ndërgjegjje, që e torturonte papushim! Në nji vend pa ligj moral, si Shqipnia nën komunizëm, kjo bremje mund të ishte dënimi ma i pamëshirshëm që meritonte krimi: drejtësia e ndërgjegjes. Sepse, edhe xha Refati, duhet të kishte nji kand, ku mshehej zani i ndërgjegjes së pastër. Të paktën, ashtu dëshirojsha me mendue! Ashtu më kishte thanë edhe frati në burg. Por, në kamp, asgja nuk kishte ndryshue! Komanda e kampit, nuk shqetësohej për masakrimin e nji të riu, sikur të mos ishte jeta e nji qytetari shqiptar, që mbrohej me ligje, sikur të mos ishte asgjasue përfundimisht, jeta e nji individi, mirëqenia e të cilit, duhej të ishte qendra e vëmendjes në mendimin e veprimin revolucionar. Akti monstruoz i këtij krimineli të kuq, ishte mohimi absolut i çdo parimi humanist, ishte shkelmimi ma i egër i çdo ideali, ishte prova me bindëse e degjenerimit komunist në Shqipni, ku përbuzej pa asnji skrupull e deri në fund, jeta e dinjiteti i qytetarëve shqiptare.

Mbi ne, nji avion fluturonte zhurmshëm në aerodromin e vjetër të Tiranës. E shohim tri herë në javë; ishte linja Tiranë-Budapest-Moskë. Ai transportonte gjerarkët e Partisë që edukoheshin në Bashkimin Sovjetik, e ktheheshin “ekspertë” të shtypjes diktatoriale. Të tjerë indoktrinoheshin me parimet e ekonomisë sovjetike, kolektivizimin e detyrueshëm, e vrasjen e iniciativës individuale. Gjithçka e shtetit, gjithçka për shtetin që kujdesohej për bukën e gojës, së masave të regjimentueme. Nji tjetër avion fluturonte ma nalt, e çdo herë që kalonte mbi ne, lëshonte rrezet e shkëlqimit të diellit, të reflektuem në aluminin e bardhë. Nga largësia, zhurma e tij ndigjohej pak. Sikur nuk dëshironte me randue edhe ma shumë atmosferën tonë mbytëse. Unë e quejsha moskokëçarje! Fluturonte në drejtim të Perëndimit, si nji vegim që linte mbas vetes kujtimin e vazhdueshëm të nji çasti kalimtar, si bishti i kometës ndriçuese. Çka bahet këtu mbi tokën e banueme nga njerzit që vuejnë, avioni që rrëshqet lëmueshëm mbi ajrin e rralluem të naltësisë, nuk e din. Dukej se as që e dëshironte me ditë, ky shok i pandame i reve të bardha, në hapësinën e kaltërt.

Megjithatë, në këtë tokë të trazueme nga fshamjet e viktimave, jetojshin qenie fisnike që pranojshin vdekjen, por jo regjimin që e shkaktonte. Ndoshta në atë avion kishte individë që nuk njoftën tjetër jetë, veçse të mirat e gezimet, e pëlqyen ambëlsinë e përkohshme të shthurjes. Në baltën e kanalit anësor ku punojsha, nuk hiqsha nga mendja idenë e nji ndryshimi kaq thelbësor, në mes të botës sime dhe asaj të nji të riu udhëtar në atë avion. Mbas nji buzëqeshjeje të hidhët për ironinë e fatit tim e, të shokëve të mi, nji ngritje e fuqishme morali më hidhte në sferën e idealizmit akoma rinor. Ajo më shtynte me përbuzë “moskokëçarjen” e avionit plot individë të shkujdesun, e me përqafue me zjarrin e të dënuemit me vdekje, jetën që shuhej në burgje e kampe pune për vjete të gjata, gjithëherë i mbushun me bindjen, se mbrojsha njeriun e lirë e dinjitetin e tij.

O mbajeni për vete, ju udhëtarë të shkujdesun të avionit kalimtar, shoqninë e çmendun mbas të mirave landore, udhëtimet në vende ekzotike, e vakancat e njimbasnjishme në plazhet madhështore e qendrat e skijimit zvicerane! Me jetën e shkujdesun që bani, ushqimi i tepërt që hani, ka asfiksue mendjet e paralizue ndërgjegjet tueja! Ju nuk dini ç’asht jeta, përtej dëfrimeve të natës e gjumit të ditës! Ju nuk dini çka don me thanë lufta me thonj, ditë e natë, në kënetë e baltë, për ruejtjen e tanësisë morale e shpirtnore edhe kur trupi coptohet me dru çdo ditë, ose kur pushon së qenuni nga nji plumb i nxehtë…ose nga nji gur i madh, lëshue me fuqi mbi kokë…! Udhëtarë të shkujdesun të avionit kalimtar që ulet në Perëndim: ju nuk kuptoni gjuhën tonë! Asht gjuha e ferrit ku jetojmë e që ju nuk e njihni, ju, të dehunit nga siguria e jetës në nji botë pa frikë! Shoqnia komuniste që ndërtohet në vendin tim, na ka dënue pa të tashme, pa të ardhme.

Por në këtë skëterrë tokësore që asht sot Shqipnia, na kemi gjetë lavdinë tonë, tue mos pranue me u ba pjestarë të lojës së kësaj shoqnie të falimentueme, e tue përqafue, përkundrazi, jetën tonë të vetmueme, në “qelinë” tonë private. Në këtë gjendje të imponueme nga shtypësi, na kemi shkelmue shoqninë e tij, e në “qelinë” tonë private. Në këtë gjendje të imponueme nga shtypësi, na kemi shkelmue shoqninë e tij, e në “qelinë” tonë mbrojtëse, kalojmë nëpër nji proces purifikimi shpirtnor. Na, jemi të vendosun mos me tradhtue “njeriun” që mbyllet në këtë “qeli”! Ky ndërgjegjshim, ndoshta nji verbim i joni para realitetit që shtypë, kjo mbyllje e ndërgjegjshme brenda mureve të ngrituna me qëllim shpëtimi, na lejonte me mbrojtë jetën tonë të brendshme, e siguronte mundësinë me ndjekë, të patrazueme, andrrat tona që, kurrë nuk u ndanë prej nesh…!

Në kamp, puna vazhdonte me ritëm të shpejtë. Urdhni nga nalt ishte me përfundue aeroportin, sa ma parë. Na punojshim pa pushim. Në kohën e lirë në kamp, lexojshim materiale që shokët e burgut të Tiranës, kishin pru me vete. Mbas punës, pastrimit, e darkës, grupe të vogla të rijsh, grumbulloheshin kokë me kokë e lexojshin me kujdes, pjesë të zgjedhuna nga tekstet në gjuhë të hueja. Edhe unë përfitova nga nji vëllim anglisht, i udhëheqësit laburist të së majtës britanike, Harold Lasky. Për të parën herë, lexojsha nji traktat, që trajtonte temat ma aktuale e ma jetësore, për momentin që jetojshim. Revelimi i ideve përparimtare të laburistëve anglezë, erdhi me nji fuqi tërheqse të jashtëzakonshme. Që në ditët e rinisë së parë, idetë sociale të shekullit XIX-të, thitheshin me entuziazëm prej gjithë moshatarëve. Kush nuk dëshironte me ushqye të uritunit, me sigurue pune për të vorfnin, shërbim mjeksor për punëtorët e familjet e tyne, e arsim gratis për të gjithë?!

Në vendin tonë, “politika” ka qenë kuptue gjithëherë si luftë, e ngrohtë ose e ftohtë, në mes të forcave politike të vendit, e personaliteteve me rrjedhime tragjike për të mundunin. Paraqitja e problemeve me aftësi, e zgjidhja e tyne me profesionalizëm, ishte diçka që nuk zinte vendin e parë. Gjithmonë personalitetet politike, gjithmonë partitë politike…! Tashti, në këtë tekst të ndritun, unë, i riu pa eksperiencë, i papërgatitun intelektualisht, gjejsha hartën që më tregonte rrugën e përshtatshme, për krijimin e nji shoqnie që, pa sakrifikue liritë politike, sillte drejtësinë shoqnore. Çdo ditë, mbas pune, lexojsha me kujdes dy-tri faqe, të librit në anglisht. Aty mësova edhe disa shprehje të gjuhës politike, e kuptimin e tyne në kontekst. Aty kuptova randësinë e jashtëzakonshme që kishin sindikatat (“trade unions”) britanike, në jetën politike të vendit, dhe sa randësi kishte legjislacioni e roli i nji qeverie me prirje sociale, në ndërtimin e nji jete ma të drejtë, ma premtuese, e ma të angazhueme në mbarëvajtjen e shtetit, e të shoqnisë britanike.

Për mue e për shokët e mi, ai tekst hapi nji dritore të madhe pa hekura, që shikonte mbi nji botë plot probleme, por me perspektivën e nji të ardhme të lumtun. Ishte nji hap i madh përpara në procesin e pjekunisë sime politike. Çdo gja të re që mësojsha e ndajsha me shokët ma të rij, sidomos me Tomën e Et’hemin, dy të rij të etshëm për dituni të reja, e diskutimi bahej me seriozitet, megjithëse në nivel fillestar. Të gjithë ishim të kënaqun me nji dhuratë kaq të thjeshtë që, në kondita normale, do të kishte kalue pa ndonji fanfare. Por në gjendjen tonë, libri u ba nji çesme ditunie e, pjekunie politike. “Socializmi” që përfaqësonte burgjet e kampet e përqendrimit e, çdo gja tjetër antinjerëzore për ne, filloi me marrë nji ngjyrë të re. Fryma humaniste e autorit laburist, na bani për vete, na entuziazmoi. Përparimi i gjithanshëm pa diktaturë, ishte i mundshëm!

Puna vazhdonte me rregull. Vizitat e “udhëheqësve” nga Tirana ishin tashmë të shpeshta, e na kuptojshim vlerësimin e tyne për punën tonë, nga sjelljet e rojeve ditën e nesërme: ata na lejshin të qetë, ose ndërhyjshin me shkopij, për shkakun ma të vogël. Me fillimin e prodhimit të betonit, u caktuen skuadrat për çdo betonierë. Për fatin tim, rreshter Ismaili, nga Lushnja, nji shkurtabiq shpirtkeq, më zgjodhi për pjesën e çakullit, punën ma të vështirë. Shpejt, duert u mbushën me fshika uji që rriteshin, pëlcitshin, e thaheshin, pa asnji mjekim. Rreshter Ismaili, zhvilloi nji urrejtje patologjike për mue, mbas arratisjes nga kampi i katër shokëve, vlonjatë e tepelenas, dy prej të cilëve, flejshin pranë meje. Komanda dyshonte që unë kisha pasë dijeni paraprake, e kishte vendosë me u hakmarrë në punë. Ishin muejt e dimnit, e vendi i punës në betonierë ishte me ujë. Këpucët e vjetra nuk mbrojshin. Kur biente nji shi i lehtë, puna nuk ndërprehej. As kur bante ftohtë. Gjithçka varej nga betoni.

Na, ishim të parëndësi. Kur temperatura e ulët rrezikonte ngrimjen e betonit, na bajshim pastrimin e terrenit. Visheshim me rrobë mbi rrobe për ngrohje, e mbulojshim kokën me thasë çimentoje; kampi dukej si nji qytet i vogël, mbushë me dordoleca që endeshin poshtë e nalt, si lypsarët…! Vitin e ri 1956, e festuem me urime për nji lirim të shpejtë, e me za të ulët, me urime për përmbysjen e “pushtetit”. Për mue, ky ishte vjeti i fundit, mbas zbritjes së dënimit në dhjetë vjet, dhe shpresojsha se do të më lejojshin, me u kthye pranë familjes. Rastet e kundërta ishin të shpeshta. Të burgosunit thirreshin në komandë, ditën e lirimit, e njoftoheshin se “Gjykata e Popullit”, kishte vendosë zgjatjen e dënimit, me vjete të tjera në “kampet e dëbimit”, zakonisht në Myzeqe, ose përsëri në burg. Por unë kisha edhe nji shqetësim tjetër. Ishte rreshter Ismaili, që më binte në qafë, e kishte vendosë me më vdekë në kamp. Çdo ditë në mëngjes, më ngarkonte me punë të ndryshme, derisa fillonte prodhimi i betonit.

Gjithë ditën më vinte rrotull, më rrinte mbi kokë. Në fytyrën e tij satanike, dukej qartë urrejtja e dëshira e madhe me ndëshkue. Ai më shante, më kërcënonte, më jepte shkelma gjatë punës, por unë nuk përgjigjesha. Ishte e randësishme me plotësue dënimin, me dalë nga kampi, e me u bashkue me familjen. Me fillimin e vjetit të ri, komanda formoi nji skuadër, afër pesedhjetë vetash, nga ata që plotësojshin dënimin brenda gjashtë muejve. Në mesin e tyne, isha edhe unë. Planet djallëzore të Komandës u banë të qarta, kur grupi i ri filloi me punue edhe të dielat, e të mbetej në fushë, edhe kur të tjerët ktheheshin në kamp. Rojet ishin të pakta e, dukej se komanda ishte e mendimit se, me afrimin e ditës së lirimit, asnjeni prej nesh nuk do të tentonte arratisjen. Puna jashtë orarit e mungesa e pushimit, ishin gozhdët e fundit në arkivolin tim. Nuk kisha kohë të mjaftueshme për shoqnim me shokët, as për leximin e librave.

Nga puna, drejt në kazanin e gjellës, e mbas nji pastrimi sa me thanë, shtrihesha në krevat, gjysëm i vdekun, derisa ngrihesha në mëngjes për punë. Me përmirësimin e kohës, betonimi i pistës u shpejtue. Kamionet e ngarkuem me çimento, vijshin zakonisht mbas kthimit të punëtorëve në kamp, që të pengohej kontakti me shoferët. Atëherë, “Grupi 50” priste përjashta, e të përcjellun prej dy rojeve, shkonte te makinat e fillonte shkarkimin, thes mbas thesi, në “depon” e çdo betoniere. Acidi i çimentos, na rrjepte lëkurën e duarve. Pa doreza, pa asnji mjet mbrojtjeje, ngarkim-shkarkimi, jo vetëm na mbushi mushknitë me pluhun, por na dërrmoi edhe kurrizin, gjysëm të zbuluem nga këmishat e shkyeme.

Me qindra thasë shkarkoheshin për çdo kamion. Shpeshherë, kur puna ishte krye e na drejtoheshim kah kampi, vinte nji kamion i dytë. Komanda na kthente mbrapa, shkarkojshim kamionin, e të lodhun aq sa nuk na mbajshin kambët, hyjshim në kamp me natë. Nji ndryshim kaq i thellë në jetën e kampit, e frika se do të dërrmohesha fizikisht aq shumë, saqë do të dilsha nga kampi si invalid, i paaftë me fitue bukën e gojës për vete e për familjen time, më hodhën në nji gjendje pesimizmi nihilist, aq sa nuk dëshirojsha ma takimet e zakonshme, me shokët e vuajtjes. /Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë