Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e së mërkurës në fshatin Grabovë të Përmetit, ku dy punëtorë u plagosën pas shpërthimit të një lënde plasëse që dyshohet të ketë qenë një bombë e vjetër e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas informacioneve paraprake, dy burrat po kryenin punime në një banesë të vjetër kur ndodhi shpërthimi. Më rëndë ka mbetur i plagosur Ervis Bregu, rreth 38 vjeç, i cili fillimisht u transportua në spital dhe më pas mbërriti me helikopter në Tiranë për trajtim më të specializuar. Pamjet nga helikopteri tregojnë momentin kur ai zbret me barrelë, i fashuar në disa pjesë të trupit, veçanërisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme.

I plagosur ka mbetur edhe Mustafa Koçi, 53 vjeç, i cili sipas raportimeve mjekësore ka pësuar dëmtime të lehta në dorë, kryesisht djegie, siç raportojnë burimet e Report TV.

Banesa ku ndodhi ngjarja i përket 68-vjeçarit Koço Zyba. Hetimet vazhdojnë

Njoftimi i plotë i policisë

“Rreth orës 13:00, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Përmetit shtetasit E. B., 38 vjeç, dhe M. K., 53 vjeç, të dy banues në Përmet.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ata janë dëmtuar aksidentalisht nga shpërthimi i një lënde plasëse të mbetur nga periudha të mëparshme (dyshohet bombë e vjetër), gjatë kryerjes së punimeve në murin e një banese të vjetër në fshatin Grabovë, Përmet.

Të dëmtuarit janë transportuar për mjekim të specializuar dhe ndodhen në kujdesin e mjekëve”, njofton policia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:54
38-vjeçari i plagosur nga shpërthimi i lëndës plasëse në Përmet mbërrin me helikopter në Tiranë (VIDEO)

Ervis Bregu, 38-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë pas shpërthimit të një lënde plasëse në fshatin Grabovë të Përmetit, ka mbërritur me helikopter në Tiranë për trajtim më të avancuar mjekësor.

Pamjet nga heliporti tregojnë momentin kur ekipi mjekësor e zbret nga helikopteri me barrelë. Bregu duket i fashuar në disa pjesë të trupit ndërsa transportohet drejt ambienteve të Traumës.

Burime nga spitali i Traumës për Report TV, thonë se ai ka marr plagë në gjymtyrë, kryesishtë te krahët dhe në bark, ç’ka e rëndon më shumë gjendjen e tij. 38-vjeçari po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore, ndërkohë që të njëjtat burime thonë se pritet të mbërrijë tek Trauma me autoambulancë edhe 50 vjeçari, Mustafa Koçi, i cili po ashtu mbeti i plagosur nga lënda plasëse.