Nishani: Jam gati të ndihmoj
 për një takim Rama-Basha

Nishani: Jam gati të ndihmoj<br /> për një takim Rama-Basha
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, është i shqetësuar për fatin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Në kulmin e fushatës mes kandidatëve dhe partive politike, ai pranon të trajtojë për “Shekulli”-n disa nga pikat e nxehta të këtij konsultimi zgjedhor. Në mënyrë këmbëngulëse, Kreu i Shtetit ndalet me vlerësimet e tij në çështjen e blerjes së votave, që nuk ka munguar të zërë vend edhe në akuzat publike mes garuesve për zgjedhjet e 21 qershorit. Për Presidentin e Republikës, blerja e votës bëhet nga ata, që ai i cilëson si “politikanë shpresëhumbur”, ndërsa, sipas tij, ky fenomen duhet ndëshkuar, edhe nëse vërehet si diçka e mundshme.

Nga këndvështrimi i Presidentit Nishani, “shitësit e votës” po pakësohen dhe ata janë gjithmonë e më pak se “blerësit e votës”. Në intervistën e tij, Kreu i Shtetit jep mbështetje të plotë për nismën e Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar krimet elektorale. Ai fton gjithkënd të kontribuojë, duke e ndihmuar organin e akuzës për ta kthyer këtë nisëm në rezultate konkrete. Gjithashtu, numri një i shtetit e cilëson si shumë pozitiv edhe debatin e zhvilluar në muajt e fundit për ndarjen e politikës nga krimi, ndërsa deklaron se nuk zotëron të dhëna për individë me të shkuar kriminale, të cilët mund të jenë përfshirë në garën elektorale.

Në të njëjtën kohë, Presidenti Nishani angazhohet publikisht për të qëndruar në kontakt me institucionet përkatëse, që ligji i ngarkon të verifikojnë “dosjet” e individëve, të cilët kërkojnë të zgjidhen në drejtim të bashkive apo në parlamentet vendore. Tashmë këto bashki do të jenë më të pakta në të gjithë vendin, por shumë më të mëdha. Në këtë pikë, Presidenti i Republikës duket se mbetet dyshues për reformën territoriale, duke preferuar të presë efektet e saj konkrete. Ai sqaron se rëndësi në këtë drejtim duhet të ketë decentralizimi i pushtetit, duke u dhënë më shumë kompetenca të zgjedhurve vendorë.

Një hap ky ende i pahedhur nga ligjvënësi apo ekzekutivi. Në intervistën e tij, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shprehet i gatshëm të ofrojë ndihmën institucionale për një takim të mundshëm mes liderëve partiakë, për të dhënë një mesazh qetësie, pajtimi e bashkëpunimi në nivelet e ndryshme të qeverisjes së vendit. Politikani 49-vjeçar nuk preferon të flasë gjatë në këtë pikë, por mesazhi i tij është i qartë: “Nëse e kërkojnë ndihmesën time, me kënaqësi do t’ua ofroj”. Marrëdhëniet politike dhe ato institucionale mes kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, kryetar në largim i bashkisë së Tiranës, kanë qenë të tensionuara në dy vitet e fundit. Gjithashtu, fushata zgjedhore duket se e ka përkeqësuar më tej këtë klimë mes politikanëve kryesorë në vend.

Cili është vlerësimi i Presidentit të Republikës për ecurinë e deritanishme të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit?
Ka nisur, në mënyrë pak a shumë të ekuilibruar. Kjo jo “për fat”, por “për meritë” të palëve. Nuk ka “fat” apo “fatkeqësi” nëse kombinohen si duhen zbatimi i ligjit dhe respektimi i etikës. Një fushatë zgjedhore nuk ka arësye të jetë ndryshe, veçse e qetë. Aktualisht ka disa shqetësime nga ana e opozitës për lëvizje të dyshimta të votuesve nga zona të caktuara drejt zonave të tjera, çka kërkon një hetim të plotë dhe të paanshëm. Rasti i sulmit të liderit të opozitës në Ersekë është i papranueshëm dhe drejtësia duhet ta trajtojë me shumë seriozitet. Në tërësi, unë do të vlerësoja përqendrimin e kandidatëve dhe partive politike te platforma dhe çështje konkrete që janë të lidhura me interesin e qytetarëve.

Mes partive politike ka edhe në këtë fushatë elektorale akuza për përpjekje të manipulimit të zgjedhjeve apo devijimit të vullnetit të zgjedhësve. Në çfarë shkalle është shqetësues fenomeni i kontrollit apo blerjes së votës? 
Përpjekjet për manipulim të zgjedhjeve apo devijim të vullnetit të zgjedhësve të cilësdo përmasë që të jenë, janë jo vetëm të papranueshme, por edhe të rrezikshme, pasi rrezikojnë të eksplozojnë përplasje me pasoja shumë më të rënda nga sa është në dukje tentativa fillestare për manipulim. Blerja e votës, jo vetëm e konstatuar si fakt, por edhe si dyshim sado i vogël i shprehur nga kushdoqoftë, është një problem tepër i madh dhe i rrezikshëm, ndaj të cilit duhet ushtruar syçelësi e vazhdueshme.

Para disa ditësh bëtë një thirrje të fortë publike që shqiptarët të mos e shesin votën. A bazohej ky shqetësim i Juaji në të dhëna konkrete për përpjekje për blerjen e votave?
Blerja e votës është një krim dhe turp me pasoja deformuese katastrofike. Blerja e votës është një krim nga të rrallët, aq i rëndë, efektet shkatërruese të të cilit janë njëlloj të rënda, nëse ndodh pak ose shumë, në këtë ose atë mënyrë, lokalisht apo në të gjithë vendin. Blerja e votës është një krim me pasoja aq shkatërrimtare, të cilit mund t’i bëhet ballë, vetëm nëse ndalet para se të ndodhi, dhe jo pasi ka ndodhur, kur gjithçka e ka marrë lumi. Në këtë kuptim, paralajmërimeve lidhur me krimin e blerjes së votës, edhe nëse janë vetëm dyshime, u duhet dhënë rëndësi, njëlloj sikur ai krim ka ndodhur. Rreziku i blerjes së votës, është pra një lloj i veçantë rreziku, që edhe nëse konstatohet vetëm potencialisht, ndaj tij duhen marrë masa njëlloj, sikur ka ndodhur.

A e keni trajtuar çështjen e blerjes së votës me të huajt dhe faktorin ndërkombëtar në Shqipëri? 
Të huajt kanë sy e veshë. Të huajve të tilla gjëra as nuk u’a fshehim, as nuk u’a themi.

Në mënyrë graduale, fushatë pas fushate, zgjedhje pas zgjedhjes, duket se ka evoluar edhe koncepti i devijimit të votës së zgjedhësve. Nëse më parë flitej dhe jepeshin fakte për vjedhje të votave, sot flitet për blerjen e votave. A është devijuar apo cenuar kultura e përgjithshme politike lidhur me rëndësinë e votës?
Kultura e votës tek ne nuk ka qëndruar në vend, ka evoluar, është plotësuar, është përmirësuar. Pikërisht sepse është përmirësuar kjo kulturë, vjedhja e votës është bërë më e vështirë. Kjo është arsyeja që të interesuarit për marrjen me çdo kusht të votës, kanë kaluar nga krimi i vjedhjes së votës, tek një krim edhe më i rëndë, që është blerja e votës. Votën nuk e blen politikani normal. Votën e blen politikani shpresëhumbur, politikani i pandershëm, i pamoralshmi. Votën e blen banditi i politikës. Sigurisht që nuk ka “blerës të votës”, pa “shitës të votës”. Por mund të ngushëllohemi. Ka plot të dhëna që provojnë se “shitës të votës” ka gjithmonë e më pak se “blerës të votës”.

Prej rreth një viti, partitë politike po debatojnë për çështjen e dekriminalizimit. Si e vlerësoni rëndësinë e këtij debati? A vëreni hapa konkretë për ndarjen e politikës nga krimi? 
Debati mbi dekriminalizimin është nga gjërat më pozitive që po ndodhin. Iniciativat e ndërmarra në Kuvendin e Shqipërisë janë pozitive, por është në interesin e të gjithëve që marrëveshjet e arritura të zbatohen dhe politika të shkëputet njëherë e mirë nga lidhjet me persona me rekorde dhe veprimtari kriminale.

Si President i Republikës, a keni të dhëna për njerëz të inkriminuar, të cilët tashmë e kanë kaluar filtrin partiak dhe mund të ulen pas 21 qershorit në karrigen e qytetarit numër 1 në ndonjë bashki të vendit?
Nuk e kam një informacion të tillë, as nga KQZ, as nga Prokuroria e Shtetit dhe as nga Policia e Shtetit. Por do të vijoj të kërkoj të marrë informacionet e nevojshme nga të gjitha institucionet që janë të ngarkuara nga ligji për të verifikuar veprimtaritë e mundshme kriminale të atyre që garojnë për të marrë mandate pushteti.

Si e vlerësoni në këtë aspekt rolin e Prokurorisë, e cila ka premtuar të ndjekë nga afër dhe me shpejtësi, edhe të ashtuquajturit “krime zgjedhore”?
E vlerësoj dhe e inkurajoj me shumë entuziazëm. Ftoj me këtë rast gjithkënd që mund të japë një kontribut sado modest, ta ndihmojë sa të mundet Prokurorinë, Prokurorin e Përgjithshëm, që kjo iniciativë të mos mbetet vetëm ide, por të shndërrohet urgjent në një realitet funksionues me rezultate të matshme.

Në rast se do të ishte e nevojshme, a do të investohej Presidenti i Republikës për një takim të përbashkët mes liderëve kryesorë politikë të vendit për të dhënë një mesazh qetësie, pajtimi dhe bashkëpunimi në nivelet e ndryshme të qeverisjes së vendit? 
Nëse e kërkojnë ndihmesën time, me kënaqësi do t’ua ofroj.

Reforma territoriale, të decentralizohen kompetencat 

Zgjedhjet e 21 qershorit do të ndryshojnë, në një farë mënyre, edhe marrëdhënien mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve, pasi do të vihet në jetë reforma e re territoriale. Kjo reformë krijon 61 bashki të mëdha, me një forcë qeverisëse e administrimi më të madhe se më parë. A e shikoni këtë si një element të parë për mirëqeverisjen apo miradministrimin e njësive vendore? 
Marrëdhënia mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve është mpleksje e një numri aq të madh faktorësh, sa një shqyrtim shterues i kësaj marrëdhënieje është thuajse i pamundur. Në kuptimin tim politik termi “reformë” është shumë i gjerë dhe i thellë. Mbetet për t’u parë operativiteti i ofrimit të shërbimeve që do të mundësojë ndarja e re territoriale për qytetarët. Por ajo që mbetet thelbësore tek reforma ka të bëjë me decentralizimin e kompetencave, çka ende nuk ka nisur të bëhet. Kështu, së pari, duhet të bëhet kjo reformë e më pas të shohim se sa efektive do të jetë për qytetarët.

Sa mendoni se është i tuteluar votuesi i thjeshtë në një fushatë elektorale të mbushur me premtime, por në një masë të caktuar, edhe me akuza mes kandidatëve dhe partive politike?
Votuesi nuk tutelohet! Nuk ka “votues të thjeshtë”. Përkundrazi, votuesi është një realitet pafundësisht kompleks, që nuk i nënshtrohet asnjë skeme paragjykuese. Pavarësisht si mund të duket në pamje të jashtme apo si e paraqesin mediat, votuesi vetë i bën hesapet, vetë mbrohet, vetë i gëzon të mirat e preferencave të përshtatshme, vetë i vuan pasojat e zgjedhjes së gabuar. Është pikërisht pavarësia që i siguron votuesit ky status, që i tremb protagonistët e politikës, duke i bërë të aventurohen me mënyra kriminale, si vjedhja apo blerja e votës./shekulli/

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër