Një mandat për krizën e radhës

Një mandat për krizën e radhës
Debati më i fundit rreth mandatit të një deputeti të opozitës risolli përsëri në vemendje lehtësinë e madhe me të cilën politika shqiptare futet në krizë, si dhe standardet e dyfishta të leximit politik të Kushtetutës dhe legjislacionit. Preteksti i radhës është i njohur: dhjetor 2011 deputetja Seseri (PS) ka dhënë dorëheqje nga mandati i saj. Kushtetuta e Shqipërisë (neni 71) përcakton se përfundimin e mandatit b) kur heq dorë nga mandati. Në vijim, Kodi Zgjedhor (neni 164) përcakton se mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatës“, dhe “nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës“. Në zbatim të kësaj praktike KQZ me 19 janar 2012 ka shpallur vendimin për dhënien e mandatit të zonjës Seseri, kandidatit të radhës në listën shumëemërore Gjon Bardhi. Ky i fundit, duke qënë njëherësh edhe kryetar i bashkisë Fushë Krujë, ka njoftuar KQZ zyrtarisht për refuzimin e mandatit parlamentar dhe vijimin e funksionit të tij në krye të njësisë vendore. KQZ nuk ka marrë vendim të dytë edhe pse ligjërisht është përgjegjësia e tij për ta bërë këtë gjë (afati 30 ditor i refuzimit), dhe kështu katër muaj më pas çështja e mandatit të opozitës është shndërruar në mollë sherri midis mazhorancës dhe opozitës. Kryetarja e parlamentit mendon se për këtë çështje duhet investuar Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit, në një vendim analog të marrë në vitin 2011 ka deklaruar se “kërkesa për interpretimin përfundimtar të nenit 69 të Kushtetutës jashtë një konteksti konkret nuk përfshihet në juridiksionin e saj” duke refuzuar kërkesën e palës ankuese. Në vitin 2000 e njëjta gjykatë pati vendosur se “kryetarët e bashkive dhe komunave nuk kanë të drejtë të kandidojnë e të zgjidhen deputetë dhe anasjelltas, deputetët nuk kanë të drejtë të kandidojnë e të zgjidhen kryetarë bashkie e komune, pa hequr dorë nga kjo detyrë. Funksioni i deputetit, është i papajtueshëm me atë të kryetarit të bashkisë apo komunës”. Opozita mendon se është përgjegjësi e parlamentit dhe konkretisht e kryetarit të parlamentit dhe e këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin (neni 13 i rregullores) për ta zgjidhur këtë problem. Së fundi në debat u përfshi edhe kryeministri, sipas të cilit çështja duhet të kalojë në gjykatën Kushtetuese, pasi zoti Bardhi, “është me dy mandate” pasi “ka garuar dhe fituar për kryetar bashkie pa dhënë dorëheqje nga lista shumëemërore për deputet”.
Në fakt, më shumë se me konflikte të interpretimit kushtetues kemi të bëjmë me lojën politike të radhës. Legjislacioni është i qartë, ekzistojnë madje edhe praktika të njëjta në të kaluarën, të cilat janë zgjidhur ndryshe nga të njëjtit aktorë politikë. Psh, më 2009 konkurruan për deputetë pa dhënë paraprakisht dorëheqje nga posti zyrtar pesë kryetarë të njësive vendore, - një shkelje fragrante e kushtetutës. Palët e pranuan me konsensus këtë shkelje dhe vetëm një vit pas zgjedhjeve në kulmin e konfliktualitetit njëra palë ndërroi mendje dhe iu adresua Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit mori vendimin e cituar më lart, duke i dhënë fund debatit mbi dy mandatet.
Nëse u referohemi praktikave të tjera të mëparshme dhe atyre aktuale analogjia bëhet edhe më e dukshme: më 2005 në listën shumëemërore të PS kandidoi psh, M.Veizi, kryetare e një njësie bashkiake në Tiranë, dhe askush nuk pretendoi papajtueshmërinë e dy mandateve të saj. Më 2009 krahas pesë kryetarëve të njësive vendore, kemi edhe raste të tjera më flagrante: psh, në listën e PD në Vlorë kandidoi B.Leskaj, aktualisht i zgjedhur nga parlamenti Kryetar i KLSH. Sipas logjikës së kryeministrit, Leskaj është njëherësh kryetari i KLSH dhe kandidat për deputet, madje nëse lirohet edhe një vend, mund të vendosë të hyjë në parlament!. E njëjta logjikë vlen edhe për rastin e I.Fortuzi, kandidat në listën shumëemërore të PD në Tiranë (2009) dhe njëherësh kandidat e fitues për kryetar bashkie (nr. 9) në Tiranë. Pra, në logjikën e titullarëve të mazhorancës edhe Fortuzi, ashtu si Bardhi ka njëherësh dy mandate!
Absurditete të tilla vetëm në Tiranën politike mund të dëgjosh. Jashtë lojës me nene ligjore në fakt fshihen interesa politike të ditës: dikush ka interes që jeta politike t‘i rikthehet konfliktit dhe parlamenti t’i rikthehet bojktotit, dikush të krijojë një konflikt ligjor për të imponuar zgjedhje të reja në Fushë Krujë, dikush për të mohuar një votë kundër në llogaritë e zgjedhjeve presidenciale, dhe të gjithë së bashku po tregojnë edhe njëherë sa qesharake, arrogante dhe primitive është sjellja e mentaliteti politik i atyre që marrin vendime për të sotmen dhe të ardhmen tonë. Konflikti vjen në kohën kur dy palët politike po thurin lavde për reformën konsensuale për zgjedhje të lira e demokratike, një premtim pesimist dhe gati i pabesueshëm, për palë që ndërsa premtojnë zgjedhje të ndershme për 140 deputetë nuk janë në gjendje të bien dakord për zgjidhjen e mandatit të një deputeti.
Një teatër të tillë absurd mund ta ndeshësh në Bjellorusi apo Rusi, në Kazakistan apo ndonjë vend tjetër parademokratik, por për një vend anëtar në NATO dhe me aspiratë anëtarësimin në BE, - konflikti në fjalë është i papranueshëm, i padenjë dhe me pasojë në imazhin e seriozitetit të shtetit të së drejtës dhe institucioneve. Nuk ka rëndësi nëse konflikti zgjidhet e socialistët marrin deputetin që u takon, nëse demokratët kanë një numër më shumë apo më pak kundër, nëse në parlament mbetet një apo më shumë karrige bosh; me rëndësi është fakti se në 100 vjetorin e shtetit shqiptar po sillemi me keq sesa në hapat e parë të tij.
Në çdo demokraci perëndimore, siç ne gënjejmë veten të jemi, konflikti do të ishte zgjedhur brenda dy minutave, nga KQZ dhe Parlamenti. Në Shqipërinë e mentalitetit politik oriental edhe njëherë vijon tradita kur interesa të vogla meskine të politikës së ditës dominojnë dhe errësojnë interesat e mëdha publike, ku diferenca midis demokracisë funksionale dhe jofunksionale është aq e brishtë, sa mjafton një detaj teknik për ta ndryshuar balancën.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Memaliaj, Balla: Performanca e policisë duket në total! Në një vit u parandaluan 163 ngjarje kriminale

Atentati në Memaliaj, Balla: Performanca e policisë duket në total! Në një vit u parandaluan 163 ngjarje kriminale