SPECIALE/ Një shëtitje në muzeun e hapur të Durrësit antik, kanë nisur rezervimet edhe për vitin 2025

Qyteti i Durrësit, ditët e sotme shtrihet pikërisht mbi rrënojat antike të Epidamnit.

I themeluar rreth vitit 627 para e.r., është një nga qytetet më të rëndësishme në Shqipëri dhe në zonën e Adriatikut, i pasur me histori, arkitekturë dhe site arkeologjike të cilat e kanë shndërruar në një muze të hapur të gjitha periudhave historike.

I njohur ndryshe edhe si kryeqyteti i turizmit në Shqipëri, Durrësi është përballur dy vitet e fundit me fluks turistësh nga e gjithë bota.

Durrësi ofron site arkeologjike me dhe pa pagesë. Dy prej tyre gjenden sapo mbërrin në qendër, të aksesueshme pa biletë.

Në të majtë të Xhamisë së Madhe të Durrësit, përballë bashkisë, vërehet një godinë e bukur e tipit socialist: Teatri Aleksandër Moisiu, një nga teatrot më të njohur dhe më të dashur në të gjithë Shqipërinë për shfaqjet e tij të bukura. Ajo u përurua më 11 janar 1953, me shfaqjen "Vajza e fshatit", një komedi e artistit Fatmir Gjata.

Gjatë punimeve të ndërtimit të teatrit, u gjetën mbetjet e banjove të lashta romake, kështu që pjesa e pasme e ndërtesës u ndërtua posaçërisht mbi shtylla që mund të ruanin më së miri zonën arkeologjike; Të restauruara në vitin 2015, Banjat Romake të Durrësit u hapën zyrtarisht për publikun dhe tashmë janë të hapura për vizitorët.

Një objekt tjetër interesant shumë pranë banjave romake është Forumi Bizantin i njohur si Rotonda, që i përket sipas specialistëve të arkeologjisë shekujve të V-të dhe të VI-të pas Krishtit, me kolona mermeri. 

Në këtë vend nga gërmimet arkeologjike kanë dalë në dritë objekte që i përkasin një civilizimi më të vjetër se ai bizantin. Në të janë konstatuar dhe zbuluar fragmente muresh që i përkasin shtresëzimit të periudhës romane.

Vendndodhja më e vizituar nga turistët është Amfiteatri i Durrësit.

Mbetet një prej më të mëdhenjve të botës së lashtë dhe një ndër dhjetë amfiteatrot më të bukur romakë.

Amfiteatri i Durrësit mendohet se u ndërtua në fillim të shekullit II (të dytë) të Erës Sonë gjatë sundimit të perandorit Trajan i cili mbahet si i dyti prej Perandorëve të Mirë Romakë. Monumenti që tregonte nivelin e lartë të social-ekonomik të qytetit u ndërtua për të argëtuar banorët gjatë ndeshjes së gladiatorëve me njëri-tjetrin apo me kafshët ekzotike. Kapacitetit i amfiteatrit  Rreth 15 000 deri 20 000 spektatorë mendohet të uleshin në shkallaret e amfiteatrit.

Amfiteatri i Durrësit doli në dritë pjesë-pjesë në vitin 1966. Arkeologu Vangjel Toçi mundi të zbulonte pjesën më të madhe të monumentit antik gjatë gërmimeve intensive të viteve 1967-1970, duke shpërngulur nga aty 55 familje dhe prishur 33 banesa. Nga ana e tyre turistët që vizitojnë amfiteatrin janë të surprizuar nga ky objekt. Një pjesë e tyre kanë lexuar më parë për këtë objekt të antikitetit dhe si vërejtje kanë zbulimin tërësor të tij.

Jona Saraçi, punonjëse e qendrës muzeore Durrës, thotë se janë 1000 vizitorë më tepër se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Janë nga vende të ndryshme të botës. Vlera e biletave varion në bazë të grupeve dhe të moshës së vizitorëve.

Turi turistik vazhdon me një shëtitje nëpër rrugët e qytetit të vjetër të mbrojtur dikur nga muret e Kalasë së Durrësit, nga e cila gjithçka ka mbetur sot është një fortifikim venecian, një kullë, disa metra mure dhe tre porta për në qytetin e vjetër. E cilësuar si një nga strukturat më interesante historike mbrojtëse të qytetit të Durrësit, Torra Veneciane është pjesë e kalasë bizantine të Durrësit (shpallur monument kulture i kategorisë së parë), e cila konsiderohej si një nga kështjellat më të fuqishme të bregut perëndimor të detit Adriatik. Kalaja që shohim sot e ka origjinën nga fushatat e para ndërtimore të Perandorit Bizantin Anastasius I (491–518), i cili ishte nga Durrësi (Dyrrachium i lashtë). E ndërtuar në majë të kalasë bizantine, torra i përket shekullit XV dhe është e pajisur me topa që mbronin qytetin nga deti.  Ky objekt iu nënshtrua restaurimit nga ana e BE dhe tashmë është e hapur për vizitorët.

Torra Veneciane e rinovuar shërben edhe si Qendra e parë e Interpretimit të Trashëgimisë Kulturore dhe një motiv për turistët vendas dhe të huaj që të vizitojnë qytetin.

Qendra ofron lloje të ndryshme të veprimtarive të interpretimit të historisë përmes mjeteve moderne të tregimit digjital dhe multimedial, duke theksuar ngjarjet dhe momentet më të rëndësishme të historisë së Durrësit.

Vizitorët kanë mundësi të eksplorojnë historinë e Durrësit përmes projeksionit multimedial në kupolë, të zhyten në të kaluarën e lashtë përmes përvojave të realitetit virtual, të marrin informacion për historinë e Durrësit përmes një aplikacioni, tabletave në vendosura në hyrje të torrës dhe nëpërmjet një udhëzuesi audio të disponueshëm në pesë gjuhë.

Muzeu Arkeologjik është në proces restaurimi nëpërmjet UNOPSIT me fondet e BE.

Lajm i mirë është se edhe Muzeu Etnografik ose Shtëpia ku ka banuar aktori i famshëm Aleksandër Moisiu,i mbyllur që nga koha e tërmetit për shkak të dëmtimeve do ti nënshtrohet restaurimit po nga UNOPSI.

Jo vetëm qendra por edhe zonat periferike të Durrësit janë destinacione të rëndësishme të turizmit historik.

Në fshatin Arapaj gjendet Bazilika e Shën Mëhillit dhe është më e madhja e zbuluar deri më sot në vendin tonë. E ndërtuar në fillimin e shekullit VI, në qendër të saj gjendet një mozaik unik për nga përmasat dhe motivet që paraqet.

Një tjetër pikë turistike është kisha e Shna Ndout dhe kështjella e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Kisha e Shna Ndout është një kishë katolike romane, monument i trashëgimisë kulturore në me një arkitekturë romaniko-gotike e shek. XIII-të.

Kalaja e Rodonit e Gjergj Kastriot Skënderbeut i cili e ngriti këtë kështjellë, ndodhet ne një rrip toke në formë gadishulli dhe ka formën e një trekëndëshi. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë. Kjo kala u bë mburojë e tij pas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450, e cila përfundoi në vitin 1452. Për herë të parë Rodoni përmendet në vitin 1324 si një qendër piratësh.

Durrësi është më shumë se kaq. Ka ende site arkeologjike që qëndrojnë të fshehura poshtë pallateve. Kërkesat në rritje të turistëve nxjerrin në pah rëndësinë e zbulimit të këtyre objekteve.

Met Dervishi, historian dhe pedagog sugjeron se Mauzolemi i Luftës së Dytë Botërore,një vepër arkitekturore dhe historike me rëndësi të veçantë është lënë jashtë agjendave të vizitorëve në mënyrë të pakuptimtë. Sheshi para është kthyer në parkim makinash.

Gjithashtu e ashtuquajtura Rruga Tregtare duhet të emërtohet ndryshe sot me qëllim marrjen e vlerave arkitektonike të kohës kur u ndërtua.

Pavarësisht dëmeve që i ka shkaktuar mendësia grabitëse ndër vite, Durrësi vazhdon të kuriozojë turistë nga e gjithë bota.

Jo vetëm për të bërë një shëtitje në historinë e lashtë por edhe për të shijuar bregdetin.

168 hotele, me 4859 dhoma dhe afro 11,528 shtretër, tashmë janë rezervuar në 90% të kapaciteteve të tyre për sezonin veror dhe jo vetëm.

Për vitin 2024 Durrësi do të presë numrin më të lartë të turistëve krahasuar me vitet e fundit. Pushuesit kanë qenë të shteteve të ndryshme, por padyshim ata më besnikët janë polakët dhe çekët të cilët zënë pjesën më të madhe të rezervimeve. Ndërkohë që surpriza e këtij viti janë rezervimet nga pushuesit gjerman, të cilët janë shtuar ndjeshëm. Sakaq rezervimet për vitin 2025 duket se do të ndryshojnë krejtësisht faqen e turizmit durrsak, pasi deri më tani për pranverën e vitit që vjen, janë kryer 2700 rezervime, vetëm nga agjencitë austriake.

Të gjitha këto janë tregues se Durrësi vazhdon të jetë në krye të listës së qyteteve turistikë të Shqipërisë.

B.K/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë