Njeriu që futi shqiptarët, në listën e popujve të pavdekshëm

Njeriu që futi shqiptarët, në listën e popujve të pavdekshëm

Shqipëria do t’i jetë mirënjohëse Ismail Kadaresë për së paku tre kontribute të mëdha të tij, të cilat në rrëmujën e tanishme dhe relativizmin e sistemit të vlerave, nuk bien dhe aq në sy.

E para, është unifikimi i gjuhës kombëtare dhe pasurimi i saj. Ka shumë debate dhe rezerva për mënyrën se si është shkuar tek norma letrare e gjuhës shqipe, por këtë debat e ka mbyllur letërsia e Ismail Kadaresë.

Ismail Kadareja është i vetmi shkrimtar i madh shqiptar që adhuron gegërishten dhe letërsia e tij ka në shumicë subjekte nga Veriu i Shqipërisë.

Në fillim Naim Frashëri dhe më pas Gjergj Fishta, provuan të shkruajnë secili në dialektin e tyre dhe megjithëse vlerësohen si eterit themelues të letërsisë sonë, ata mbetën brenda gegërishtes dhe toskërishtes.

Vepra e Ismail Kadaresë i ka dhënë fund debatit për normën letrare, pasi Ismail Kadareja është shkrimtari që lexohet me po aq endje në Kosovë, në Mal të Zi, Maqedoni apo Gjirokastër.

Vetëm letërsia e madhe arrin te krijojë një autoritet mbi standartin e gjuhës dhe Ismail Kadareja e ka mbyllur këtë debat me fuqinë e veprës së tij.

Pasurimi që i ka bërë ai gjuhës shqipe, unifikimi që ai i bën gegërishtes me toskërishten, qasja e kujdesshme që ai ka ndaj padrejtësive që ka norma letrare ndaj gegërishtes, e kanë bërë atë një rithemelues të gjuhës shqipe.

Shqipëria nuk ka asnjë shkrimtar më të pranuar se Ismail Kadareja në çdo cep te trevave shqiptare ku flitet shqip, çka është provë se ai është unifikuesi i gjuhës sonë kombëtare dhe konsensusi ynë kombëtar për normën letrare.

Kontributi i tij i dytë i madh është të qenit një gardian i orientimit perëndimor të Shqipërisë. Ai ishte i tillë gjatë komunizmit dhe mbeti i tillë pas tij.

Shoqëria shqiptare gjatë komunizmit kishte nënshtresat e saj kulturore, kishte njerëzit e ideologjizuar dhe lexuesit që kërkonin qoftë dhe një fije shprese tek letërsia për t’u ndjerë perëndimorë.

Ismail Kadareja është lexuar dhe është përpirë pikërisht për të gërmuar shijen perëndimore të veprës së tij. Tek ai çdo lexues shqiptar shikonte antenat që sillnin sinjale nga Perëndimi në Shqipëri.

Ai ka qenë e vetmja gjë perendimore në Shqipërinë e 45 viteve komunizëm, që mund ta prekje me dorë dhe mund ta lexoje.

Më pas, në kaosin e tranzicionit, fjala e tij, alarmet e tij për rrëshqitjet e herë pas hershme të Shqipërisë drejt sjelljeve anti-perëndimore, kanë qenë vendimtare për të riorientuar shoqërinë.

Kontributi i tij i tretë i madh, që në fakt është puna e tij e gjithë jetës, është se na ka futur në listën e popujve me letërsi të madhe.

Një popull pa letërsi të madhe është një popull jo serioz dhe i asgjësueshëm. Vepra e Ismail Kadaresë i ka bërë shqiptarët popull elitar, duke ushqyer dhe kulturat e popujve të tjerë të mëdhenj, me një copë Shqipërie në çdo bibliotekë të çdo vendi të botës.

Duke bërë këtë, Ismail Kadareja ka vënë kandidaturën e popullit shqiptar në listën e popujve dhe gjuhëve të pavdekshme.

Një popull dhe një gjuhë vdes nëse nuk kanë letërsi të madhe. Ky rrezik për ne si popull i vogël, do të ishte edhe më i madh, sikur të mos kishim këto 85 vjet, Ismail Kadarenë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • antony: 28/01/2021 22:52

    HAPPY BIRTHDAY ,,,THE BEST WRITER FROM ALBANIA..

    Përgjigju
  • Urime ditëlindja: 28/01/2021 20:19

    Urime ditelindjen gjeniu i letrave Kadare!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë