/ATSH/- Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Lezhës kreu një operacion blic në qytetin e Laçit, në pikat e lojërave të fatit, njoftuan burime zyrtare të ministrisë së Financave.
Nga kontrollet në 7 kazino, janë konfiskuar 20 makina elektronike (automate) lojërash fati, 3 tavolina pokeri, tavolina Black Jack, rulete, etj. Deri më tani janë proceduar penalisht 4 persona, ndërkohë që aksioni po vijon edhe në dy pika të tjera.
Subjektet ushtronin aktivitet duke mos respektuar ligjet e shtetit, pa paguar taksat dhe në kushte të plota informaliteti.
Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit bën të ditur se aksione do të ketë çdo ditë, ndërsa në bashkëpunim me policinë, si në rastin e kontrollit blic në Laç janë vendosur në target disa qytete.