Statusi “non grata” i Sali Berisha në Mbretërinë e Bashkuar nuk është një vendim politik dhe mbetet në fuqi. Kështu u shpreh ambasadori britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, gjatë një interviste televizive, duke sqaruar se është një çështje ligjore dhe se statusi aktual i saj mund të ndryshojë vetëm në rast të një sfide ligjore.
“Në Mbretërinë e Bashkuar një çështje e tillë nuk është politike, është një çështje ligjore. Pra, për sa më përket mua, vetëm nëqoftëse mund të ketë ndonjë sfidë ligjore, do të mbetet si e tillë”, deklaroi ambasadori britanik.
I pyetur nëse mund të ketë rishikime apo masa të ngjashme edhe për politikanë të tjerë shqiptarë, Abbott nuk dha një përgjigje të prerë.
“Është një pyetje që shpesh më bëhet dhe nuk e di çfarë përgjigje të jap”, tha ai.
Gjatë intervistës, ambasadori britanik komentoi edhe rolin e opozitës në Shqipëri dhe raportet me Partinë Demokratike, duke i kujtuar rolin kyç që ka ajo dhe se bllokadat e saj nuk ndihmojnë.
“Opozita në Parlament dhe partitë opozitare kanë një rol kyç për të luajtur. Në sistemin tonë flasim për opozitën besnike. Opozita duhet të jetë aty për të sfiduar qeverinë, politikat e saj, dhe të sfiduar propozimet e qeverisë dhe ofrojë opsione dhe vendosur pikëpyetje. Sfida këtu shpesh herë është se opozita beson se është aty veç të bllokojë. Kjo nuk ndihmon. Ajo që Shqipëria ka nevojë është një opozitë që duhet të angazhohet dhe të ofrojë alternativa”, u shpreh Abbott.
Gjatë intervistës, Ambasadori pati kritika edhe për klimën politike në vend.
“Mendoj se shqetësimi im më i madh do të ishte që ndjesia ime është që shpeshherë klasa politike kapet me të kaluarën. Ata besojnë se politika mund të luhet sikundër ka qenë në të kaluarën. Vetë klasa politike është shumë e kapur në Shqipëri dhe që realiteti i botës ku jetojmë është që gjithnjë e më shumë problemet që na prekin janë përtej asaj çfarë ne shohim me sy”, tha Abbott.
Intervista e ambasadorit britanik vjen në një moment kur debati për raportet e politikës shqiptare me partnerët perëndimorë, çështjen e “non gratave” dhe të ardhmen e opozitës vijon të mbetet pjesë e fortë e diskutimit publik në vend.
Juristja Alesia Balliu (pretendente për të kandiduar për kryetare të PD-së, por e përjashtuar nga gara) ka hedhur akuza të forta ndaj Sali Berishës, pas një deklarate ditën e sotme të ambasadorit të Brianisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Abbott, në lidhje me shpalljen Non Grata të kryedemokratit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, duke cituar ambasadorin britanik i cili tha ‘non grata ndaj Berishës nuk është politike, por ligjore’, Balliu i kërkoi kryedemokratit që të mos mashtrojë më shqiptarët, me përalla se sanksionet do të hiqen.
Balliu ka shkruar gjithashtu se për vite me radhë, një pjesë e PD-së është mbajtur peng me gënjeshtra, thashetheme dhe propagandë, vetëm që Berisha dhe rrethi i tij të ruajnë pushtetin dhe pasurinë.
Postimi i Balliut:
E morre vesh për “non gratën”, Berishë frikacaku?
Ambasadori britanik foli qartë: “non grata” e Sali Berishës nuk është politike, por ligjore. Je shpallur i korruptuar, Berishë. Prandaj boll mashtruat demokratët me përralla se do të hiqet sot, nesër apo pasnesër.
Për vite me radhë, një pjesë e PD-së është mbajtur peng me gënjeshtra, thashetheme dhe propagandë, vetëm që Berisha dhe rrethi i tij të ruajnë pushtetin, influencën dhe pasurinë. Ndërkohë demokratët humbin kohë, energji dhe opozita mbetet pa të ardhme.
Berisha pasurohet, demokratët varfërohen!
Demokratët e kanë kuptuar tashmë: halli i Berishës nuk është halli i tyre.
Komente










