Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria ndodhet në momentin vendimtar të procesit të integrimit europian. Sipas tij, vendi është në udhëkryqin e fundit për tu ulur në sofrën e BE, duke theksuar se kjo nuk është betejë e PS për të qëndruar në pushtet.

“Shqipëria është në udhëkryqin e fundit që e lidh me rrugën për në shtëpinë e madhe të Europës. Ajo shtëpi nuk është më vetëm një dritë që herë duket larg, herë zhduket, nëpër shtigjet e rrugës sonë. Është mu aty, është para nesh, është reale njësoj si dyert e kësaj godine. Dihet botërisht se ajo nuk është një derë që rri hapur në pafundësi, por hapet njëherë në çdo brez dhe mbyllet papritur, pa pyetur dhe papritur askund. Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetës të vijë vërdallë rreth udhëkryqit apo të ndryshojë mendim në mes të rrethrrotulllimit. Ta themi qartë që mos të keqkuptohet nga askush, të paktën jo nga ata që nuk duan ta keqkuptojnë. Kjo nuk është beteja e PS për të mbetur në pushtet, por beteja e Shqiptarëve për të zënë vendin që i takon në sofrën e BE. Ne nuk kërkojmë pronësinë e historisë, por do ta mbajmë përgjegjësinë që historia na kanë vënë mbi supe për të çuar këtë betejë deri ne fund, kjo s’do te thotë që Shqipëria nuk duhet të njohë rotacionin, këtë e përcakton popullit, por detyra që kemi marrë nga populli është që të bëjmë gjithçka që viti 2030 ta gjejë Shqipërinë brenda derës së Europës dhe jo duke ardhur rrotull në udhëkryqin e fundit”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

‘Prania besnike’, dokumenti i ri i Ramës: Transformim makinerisë elektorale të PS, detyrim për të dëgjuar njerëzit! S’ka dorëheqje pa u ulur në sofrën e BE