Nuk ka marrëveshje, PD-LSI: Dakord për listat, por koalicionet të mos preken

PD nuk heq dorë nga kushti që koalicionet nuk duhet të ndryshohen. Opozita jashtë parlamentit edhe në mbledhjen e sotme të këshillit tha se është dakord për hapjen 100% të listave, por jo për të ndryshuar formulën e koalicioneve.

"Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik kërkuam përsëri nga maxhoranca që të shprehet në parim, nëse është dakord që të ecet me propozimin që të hapen 100% listat e kandidatëve, duke ruajtur të paprekur koalicionet zgjedhore siç janë sot dhe formulën e shpërndarjes së mandatave. Përsëri u ndeshëm me refuzimin e Partisë Socialiste, refuzim për të pranuar këtë propozim kompromisi të Opozitës së Bashkuar. 

Partia Socialiste nuk ka ndryshuar asnjë centimetër pozicionin e saj, të veprimit të njëanshëm dhe ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës.  E bëmë të qartë siç e kemi bërë të qartë më përpara që janë veprime që do të prishin Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Ne propozuam që të hiqet dorë nga ndryshime të njëanshme, të hartohet një amendament i përbashkët në lidhje me hapjen e listave dhe pa prekur asgjë tjetër në Kushtetutë dhe këtë ta bëjmë me ekspertizën ndërkombëtare. 

Për të garantuar që procesi do të mbetet i paprekur dhe përtej lojrave diabolike të Edi Ramës dhe të maxhorancës, ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore në këtë Kod Zgjedhor të jenë bashkë dhe t’i çohen parlamentit në mënyrë që të jetë çdo gjë e qartë.

Kemi një model që është tashmë prej 17 vitesh i konsoliduar, marrë nga Italia dhe i përdorur dhe nga shtete të tjera, është miratuar në vitin 2003, nuk ka prodhuar asnjë lloj krize dhe problemi në zgjedhje modeli i koalicioneve që përdor Shqipëria.   

Nuk ka asnjë rekomandim të OSBE-ODHIR apo të Komisionit të Venecias për ndonjë problematikë dhe që duhet ndryshuar kjo. Është vetëm një lojë e Edi Ramës për të ndryshuar rregullat para zgjedhjeve për t’i hequr mundësinë shqiptarëve që përveçse të përcaktojnë se kush është fuqia me vota e çdo kandidati, gjithashtu të përcaktojnë në mënyrë transparente me votën e tyre, kush është fuqia elektorale e çdo partie.

Edi Rama përpiqet të bëjë këtë lloj konfuzioni për të arritur qëllimet e tij nga frika që ka përballë koalicionit të opozitës së bashkuar. E përsërisim, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë diskutimin me transparencë dhe konsensus për të bërë së bashku amendime që do të hapin listat e kandidatëve 100% pa prekur asgjë tjetër që ndryshon rregullat themelore të procesit zgjedhor" tha Oerd Bylykbashi. 

Për Petrit Vasilin, Edi Rama po tenton të ndalojë koalicionet nga frika e humbjes. "Desha t'u sqaroj që në 6 muajt e këtij komisioni kërkush askush as nga PS-ja dhe as nga të tjerë në atë sallë apo kuvend nuk është kërkuar edhe njëherë që të flitet për koalicionet parazgjedhore. I vetmi argument që është ngritur ka qenë për listat e hapura. Edhe zonja Hajdari tha sot se kishte firmosur vetëm për listat e hapura, jo koalicionet, i gjithë ky puç bëhet nga PS-ja.

Koalicionet parazgjedhor do të thotë humbje për Edi Ramën. Gjiknuri pyetjes për modelin e fletës së votimit iu shmang duke thënë se është problem teknik, por Edi Rama është çjerrë duke thënë fletë votimi sa një çarçaf, ndërsa kur zgjidhja është para syve e shmangin". Në fund, Vasili kishte një vërejtje për SPAK, se përse nuk e fitoi hetimin nga krimi zgjedhor në Dibër por nga Durrësi. "SPAK nga nuk ka filluar nga numri më i vogël 184, por 339".


Lajmi kryesor:

S'ka pakt në Këshill, ekspertët: Garimi me listë unike s'pengon koalicionet! PD-LSI: Mos preket formula! Rama nuk tërhiqet: E votojmë në 30 korrik


  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki