Nën 'frymën' e një miqësie 25-vjeçare, Zenepe Luka shkruan librin e saj të pestë për Al Bano Karrisi

Nën 'frymën' e një miqësie 25-vjeçare, Zenepe Luka shkruan librin e saj të pestë për Al Bano Karrisi

Këngëtari italian Al Bano Karrisi

Shkrimtarja Zenepe Luka ka nxjerrë  librin e saj të pestë që i kushtohet  këngëtarit italian e njëkohësisht mikut të saj Al Bano Karrisit, në kuadër të 75-vjetorit të  lindjes.

Fletët e librit “Kjo dashuri e ka emrin Al Bano” kanë  ardhur të  mbledhura tok për lexuesit në  maj të  2018-s, duke u promovuar fillimisht në Vlorë në praninë e këngëtarit të mirënjohur. Duke e cilësuar si më  të  bukurën pranverë, Zenepe Luka shprehet në  parathënien e librit se frymëzimi i saj i pashtershëm për të  shkruar për këngëtarin italian ka ardhur pikërisht nga dashuria që  ndjen karshi zërit të  tij brilant, magjik dhe të  papërsëritshëm. Luka vijon më  tej duke thënë  se vlerësimi që  ndjen karshi “mikut të  shtrenjtë  të  shqiptarëve” ka ardhur edhe në sajë të vlerave që ai ka e mesazheve që  përcjell, me rrënjë tek dashuria dhe humanizmi.

Duke theksuar se ky fakt është pohuar edhe nga Al Bano, i cili ka rrëfyer se vlerat njerëzore i ka të trashëguara nga i atij i tij, Luka shkruan se dashuria sfidon çdo mentalitet dhe përbuz cilindo që  i jep kuptim ndryshe.

Në të pestat botimet e saj, në epiqendër është pikërisht jeta dhe karriera e këngëtarit, si edhe miqësia dhe dashurinë e të atit Karmelo me Shqipërinë. Vend të gjërë zënë gjithashtu veprimtaritë e shumta, që janë organizuar në Shqipëri dhe në Itali, ardhja e këngëtarit 7 herë në Shqipëri për koncerte dhe veprimtari të tjera me ftesën e shoqatës, që janë finalizuar më pas me marrjen e pasaportës shqiptare nga Al Bano, duke u bërë resident në lagjen “Pavarësia” në qytetin e Vlorës.

Librat e shkrimtares Zenepe Luka janë “Al Bano dhe Romina Power”, "Al Bano dhe Albania”, "Kjo është jeta ime” dhe së fundi i është shtuar edhe "Kjo dashuri e ka emrin Al Bano" ( e përkthyer në gjuhën italiane "L’Amore Albanese per Al Bano")

Shkrimtarja Zenepe Luka dhe këngëtari italian Al Bano Karrisi

 

Pjesë të shkëputura nga libri "Kjo dashuri e ka emrin Al Bano":

Darkë në bregdet, nisja me traget nga Durrësi

Një aventurë e bukur kjo me këngëtarin e famshëm italian, Al Bano Karrisi. Me një shpejtësi skëterre, me dëshirën emirë për të qëndruar sa më shumë në bregdetin e Vlorës, duket se limuzina fluturonte bashkë me gëzimin tonë. Isha në siklet për darkën, ku do të shtrohej dhe kush do tëpërballonte shpenzimet, por shpejt mësova se Konsullata Italiane në Vlorë kishte porositur darkën tek lokali buzë detit, “Paradise”, madje ne i gjetëm atje përfaqësues të konsullatës si dhe drejtues të forcave ushtarake italiane, që operojnë në Vlorë. Sidoqë e ngarkuar me emocione, më ra ndërmend të telefonoj kolegun tim, drejtorin e TV Amantias, Genc Demiraj, që të dërgonte një gazetar për të intervistuar Al Banon. Kaluam bashkë një darkë të paharruar. Ngritëm dolli me peshkun e freskët dhe kallamarë që u pëlqye nga të gjithë. Gjatë gjithë kohës, kryefjala e muhabetit ishte Vlora, bregdeti dhe bukuria përrallore që ka servirur natyra në këtë vend. - Është e rrallë, - tha Al Bano, - që një qytet si Vlora të ketë kaq pranë gjirin, gadishullin, ishullin. Natyra e ka bërë të sajën, por duhet mendja dhe dora e njeriut, që këto resurse t’i vërë në funksion të njeriut. Kur pra po shkonte 2200, Al Bano pa orën si i trembur dhe m’u drejtua mua nxitimthi: - Sa larg është Durrësi që këndej, mos na u bë vonë? - Për të qenë brenda, dy orë, - i përgjigjem. - E po, duhet të ngrihemi, se në orën 2400, niset trageti për në Bari. - Përse vendosët që të niseni nga Durrësi? Më mirë rrini këtu sonte se sa të udhëtoni me traget tërë natën, - i them. - Biletën e avionit ma dogje, kërkon që të më lërë edhe trageti? - tha ai me të qeshur dhe u ngrit. Al Bano fshinte xhamin e lagur nga shiu për të parë detin dhe bregdetin, që llamburiste nga dritat. Qëndruam vetëm dhjetë minuta në Skelë, sa të shkoja dhe të kthehesha nga shtëpia për të lënë haber, se do të shkoja në Durrës për të përcjellë Al Banon dhe se do të kthehesha vonë. Me vete mora edhe fqinjën, mësuesen e italishtes, Visi Billën, por ajo nuk mundi të komunikonte me Al Banon, pasi e zuri limuzina. Gjatë rrugës për në Durrës, këngëtari më rrëfeu se gjatë minutave që priste të kthehesha unë, kishte takuar rastësisht vlonjatë, njëri prej të cilëve ishte parodist i Vlorës. Kërkuan të bëjnë foto dhe u preka së tepërmi që kalimtarët më thërrisnin Al Bano, Al Bano. - Më vjen keq që për aq kohë sa qëndrova këtu, nuk munda të dal nga makina për shkak të shiut të rrëmbyeshëm. Doja të bëja një shëtitje në qytet dhe të përshëndetesha me këta njerëz të mrekullueshëm dhe artdashës.

Trageti priste Al Banon. Porosi nga Ministri Arben Malaj

Me deputetin e Vlorës, z. Arben Malaj, ishim vazhdimisht në kontakt në telefon dhe për çdo problem që lindte, ishte njeriu i vetëm që më ndihmonte. Ndërsa po mbërrinim në portin e Durrësit, drejtues të doganës kërkuan që të ndaleshim në zyrën e tyre, pasi kishte një porosi të Ministrit. Al Bano nuk deshi të zbriste, pasi kishte merak për nisjen e tragetit, por drejtori tha prerë. - Ka dhënë urdhër ministri që trageti i linjës të mos niset pa ardhur Al Bano, kështu që rrini të qetë. Në zyrën e doganierit, Arben Malaj kish lënë edhe një dhuratë të çmuar për Al Banon, që e preku së tepërmi këngëtarin. Një takim i papritur edhe me biznesmenin vlonjat Artan Çela, që gjithashtu i dorëzon dhuratën e tij. Pas dhjetë minutash qëndrimi aty, doganierët, por edhe udhëtarë e qytetarë të rastësishëm, uronin dhe përqafonin këngëtarin, duke thirrur me zë të lartë: “Al Bano! Al Bano, ti je shqiptar! ” Më duhej ta shoqëroja deri në traget, madje i sigurova edhe dhomë, ku do të kalonte natën për të mbërritur në mëngjes në qytetin e Barit. Duke u ndarë me gjeniun e muzikës italiane, Al Bano Karrisi, i shpreha mirënjohjen e thellë që iu përgjigj ftesës për të dhënë koncert në Shqipëri dhe se ndihesha e prekur që më plotësoi dëshirën duke ardhur në Vlorë, çka e bëri të djegë biletën e avionit dhe të kryejë një natë udhëtim me traget. Kur dola jashtë, pashë marinarët që po zgjidhnin cimat. Dikush më tha se për pak kishin harruar që isha brenda dhe trageti do të nisej. Pashë orën dhe vërtetë trageti po nisej një orë me vonesë, si rrallë ndonjëherë tjetër. Teksa po dilja nga mjedisi i portit, më ndaloi një person, që doli nga një mjet që shkruante me germa të mëdha “Antikontrabanda”. Ishte një porosi e deputetit Malaj, që të më shoqëronte deri në Vlorë. U preka nga kjo surprizë dhe përkujdesje e mikut tim, që më bëri të kthej limuzinën dhe të udhëtoj me atë mjet që mësova se shoferi ishte Miri Skëndaj, nipi i kunatit tim, Leka Skëndaj. Ai më fliste, ndërsa unë ndjehesha e lodhur, si rrallë herë, nga emocionet.

…Autografe, vlerësime, dhurata, emocione që nuk kanë fund. Për gjatë një çerek shekulli, aktivitetet e shumta në Shqipëri dhe Itali, ashtu edhe vizitat private me këngëtarin, janë mbarsur me emocione të mëdha, që evidentojnë miqësinë e sintertë, dashurinë dhe respektin e ndërsjelltë, që shkojnë në drejtimin, për misionin e përbashkët: Forcimin e miqësisë midis popujve. e mbi të gjitha Nëse duhej t’i përshkruaja të gjitha, duhej një libëri veçantë. Mendova të veçoj disa prej tyre.  Natë e bardhë në shtëpinë e Al Bano Karrisit. Tri festa në një ditë. -Promovohet libri “L’Amore Albanese per Al Bano” -Dorëzohet dekreti Presidentit Bujar Nishani për dhënien e nënshtetësisë shqiptare -Festohet edhe ditëlindja e autores së librit

Libri “Dashuri shqiptare për Al Bano”, përkthyer në gjuhën italiane nga Laura Kule, është promovuar në shumë qytete në Puglia. Në vitin 2012, u promovua për herë të parë në Komunën e Celino San Markos, ku mori pjesë edhe ish-Presidenti i Republikës Prof. Bamir Topi, më pas në Komunën e Frankovila, në Bari, Barleto, Mesagne në zonën arbëreshe Frashino e Civita, për të vijuar në San Pjetro, San Marcano etj. Librit i është kushtuar vëmendje edhe nga media italiane dhe në disa raste ka qenë i pranishëm edhe këngëtari Al Bano Karrisi. Protagoniste e organizimit të këtyre veprimtarive ka qenë “Mjeshtër iMadh”, pianiste e famshme shqiptare, Aksinja Xhoja. Miqësia mes dy vendeve, Albania dhe Al Bano Karrisi. Me këtë qëllim është organizuar veprimtaria, në ambientet e shtëpisë së këngëtarit Al Bano Carrisi, në Celino San Marko. Mbrëmja e 12 gushtit, është cilësuar nga pjesëmarrësit si “Nata e Bardhë”në shtëpinë e këngëtarit Italian Al Bano Karrisi .Në qendër të aktivitetit ka qenë promovimi i librit “L’Amore Albanese per Al Bano”, por mbrëmja është bërë më intime, duke sjellë edhe surprizën, pasi bëhej edhe me rastin e ditëlindjes së autores. Nuk ishin të rastit pjesëmarrësit në këtë aktivitet, por të ftuar të veçantë, personalitete të policisë së Brindizit, miq të afërt të këngëtarit, si mjekë, shkrimtarë, historian deri edhe tek miket e afërta të tij, Monika Seta, gazetare dhe prezantuese e famshme e TV italiane dhe e famshmja Rita Dallachiesa. Të pranishëm në këtë event, që i kushtohej miqësisë së Shqipërisë me familjen Karisi dhe popullin Italian, ishin të pranishëm edhe shumë miq të protagonistes, artistes Aksinja Xhoja, që e moderoi në mënyrën më perfekte aktivitetin. Miq, me të cilët ajo ka organizuar dhjetëra veprimtari kulturore, që kanë në themel promovimin e vlerave kulturore të dy vendeve dhe që kanë shërbyer e shërbejnë si ura miqësie mes dy popujve. Ka qenë vetë Al Bano ai që prezantoi autoren e librit, duke e cilësuar si gjithmonë “Orjana Falaci albaneze” dhe më tej “Një grua, një histori”. Ky prezantim, ka bërë që pjesëmarrësit të duartrokasin gjatë dhe autorja të përkulet me nderim, përpara tyre. Al Bano foli dhe për lidhjet e tij me Shqipërinë. Këngëtari flet me emocion për historinë e të atit, Carmelo, që erdhi ushtar në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, malli i tij për këtë vend dhe dashuria për ta riparë dhe takuar shqiptarët 40 vjet pas luftës. Më tej ai ka vlerësuar punën e shoqatës kulturore me emrin e tij, që festoi 20 -vjetorin këtë vit, që ka ndikuar me veprimtaritë e saj të thellojë miqësinë mes tij dhe Shqipërisë. Gurthemeli i miqësisë është Karmelo Karrisi. Në fjalën e saj, mbushur me emocione, autorja e librit, themeluese dhe kryetare e shoqatës kulturore “Al Bano Karrisi”, është ndalur tek libri, që sjell për lexuesin Italian lidhjet e Shqipërisë me popullin Italian, ku gurthemeli është Karmelo Karrisi.

Djaloshi i ri nga Celino San Marko,që e dërguan me mijëra të tjerë të luftonte në Shqipëri, e sfidoi shtetin e tij, duke flakur pushkën dhe mbolli miqësinë, dashurinë për vendin e shqiponjave që Ai e nderoi dhe shprehu gjatë gjithë jetës së tij. Fakti që Karmelo Karrisi, që në atë periudhë ndodhej në Shqipëri, i dërgoi lajm bashkëshortes, Iolandës që djali i porsalindur, do të quhej Albano dhe jo Oktavio, sikurse ishte menduar, tregon qartë forcën e dashurisë që kishte puljezi për shqiptarët. Ishte fati i italianëve, por edhe i shqiptarëve, që kjo foshnjë e pagëzuar me emrin, që simbolizonte Shqipërinë fqinjë, të bëhej një këngëtar i famshëm, gjeniu i këngës italiane, për të lumturuar shpirtrat e dy popujve. Dhuratat simbolike për këngëtarin. Ka qenë moment emocionues për Al Bano dhe pjesëmarrësit, dorëzimi i kopjes së noterizuar të dekretit të Presidentit, për marrjen e nënshtetësisë shqiptare të këngëtarit, që është duartrokitur gjatë nga të pranishmit. Po kështu i janë dhuruar nga shoqata Flamuri shqiptar, Shqiponja e qëndisur me gurët e çmuar të Minierës së Trepçes në Kosovë, qylafi me shqiponjën, që shqiptarët e vendosin në raste festash. Gjatë 20 viteve, këngëtarit i janë dhuruar shumë peshqeshe, që me kujdesin e tij, është shndërruar në një muze, por këtë herë, merrnin rëndësi, pse Al Bano, tashmë ishte shtetas shqiptar.

Vlerësimet

Artistja, moderatorja Aksinja Xhoja, i dorëzon këngëtarit Premio “Nikolin Xhoja’”, për kontributet që ka dhënë e jep në forcimin e miqësisë mes popujve shqiptar dhe Italian. Surprizë ka qenë për autoren e librit, dorëzimi nga Al Bano i medaljes “Mirënjohje”, që pas leximit të tekstit, e ka bërë atë të shpërthejë në lot. Në të thuhet: “Ia dedikoj zonjës Zenepe Luka, “Orjana Fallaci” e Shqipërisë, për kontributin e madh, që ka dhënë me shoqatën Kulturore “Al Bano Karrisi”, që ka shërbyer si urë miqësie mes dypopujve. Të falënderoj megjithë zemër dhe të uroj të gjitha të mirat e botës “Al Bano Karrisi”. Medalja është shoqëruar edhe me një foto të përbashkët dhe librin “L’Amore Albanese per Al Bano”, ku këngëtari firmos shënimin: “E dashur Zenepe Luka. Falënderoj Zotin, që ekziston” Al Bano Karrisi. Kënga “Tanti auguri” Zenepe Luka Ka qenë befasi jo vetëm për protaganisten e këtij aktiviteti, por për të gjithë të pranishmit përgatitja e një torte gjigante nga Al Bano, me kopertinën e librit, me rastin e ditëlindjes së autores, sidoqë kish kaluar një javë nga data. Më pas Al Bano ka marrë mikrofonin dhe nën interpretimin në piano nga mjeshtër i Madh Aksinja Xhoja, ka kënduar këngën “Tanti Auguri”. Gazetarja e njohur italiane, Rita Dalla Chiesa: "Mund të marr edhe unë pasaportën shqiptare?" Ishte një kënaqësi e rrallë të takoje dhe bisedoje me dy yje të gazetarisë dhe Tv Italian,mike të këngëtarit,Monika Seta dhe e paarritshmja Rita Dalla Chiesa. Al Bano, ju kish folur për eventin dhe ato ishin të interesuara për librin, autorja ua dhurova me autograf dhe shoqatën në Shqipëri që kish emrin e mikut të tyre. Ato u befasuan nga gjithçka që panë e dëgjuan dhe Rita më drejtohet: Si mund të marr edhe unë nënshtetësinë shqiptare? I thashë se “me gjithë dëshirën dhe privilegjin që i bëhet vendit tim, më duhet t’ju them se duhen respektuar ligjin për nënshtetësinë, ku duhet të plotësoni disa kushte. Kushti i parë është që të keni dhënë kontribut për Shqipërinë, me prova të bindeni se e doni dhe punonin për këtë vend. Ju nuk e keni vizituar vendin tim, ndaj, nëse vërtetë e dëshironi, mendoni se çfarë mund të bëni në vitet që vijnë…”. Ajo buzëqeshi dhe u përgjigj: Sigurisht që do të mendoj, do të vij në Shqipëri. Ditët e qëndrimit tonë në Celino San Marko, u mbyllën me ftesën që na bëri Al Bano, për të ndjekur koncertin e tij në Casalabate naten, ku ishin të pranishëm mbi 10 mijë artdashës dhe ku përshëndeti edhe Shqipërinë. “Në Tiranë do të vij si një shqiptar. Ishte një veprimtari e bukur, organizuar dhe drejtuar nga mikja ime, pianiste e shquar, Aksinja Xhoja, meemocione, me miq të rëndësishëm të jetës sime, që ishin të interesuar për të njohur veprimtarinë e shoqatës kulturore, që ka emrin tim në Shqipëri, që e keni ngritur dhe e drejtoni ju, që unë, me bindjen time ju thërras Oriana Fallaci Albanese. Është shumë pak, në raport me atë që keni bërë shoqata, që ka ndikuar fort në forcimin e miqësisë mes dy popujve tanë."

Batutat e Al Bano Karrisit

Ta njohësh nga afër Al Banon, do të mrekullohesh me humorin e tij të hollë, por që kanë në brendësi dashuri,mirënjohje dhe respekt. Herë herë ato marrin formën e një thënieje filozofike. Janë shumë, por unë do të flas për disa të fundit.

Në darkën me Presidentin e Republikës Ilir Meta

Zoti President, e dini që kjo mikja ime, që unë i them Oriana Fallaci, më do shumë? Juve ju do i gjithë populli shqiptar- përgjigjet Presidenti.

Telefonata në Aeroport 

Teksa prinim për të ardhur avioni dhe përcjellë këngëtarin, bie zilja në el e Al Banos. Askush nuk e vuri re që po fliste me një fanse nga Italia, pse ishte diçka normale. Pasi mbaroi, m’u drejtua: U bëre xheloze? Unë, s’ka asnjë arsye, madje gëzohem që ka fanse, që të duan e të ndjekin kudo vete. Kam rastin të theksoj, i dashur mik, sikurse e kam thënë në të gjitha takimet që kemi bërë në Itali…Miqësia mes nesh, dashuria që ka lindur në rininë time dhe që vijon përgjatë gjithë jetës, ka tjetër mision, ka tjetër peshë. Është një dashuri që ka në themel vlerat, kontributet, njeriun e madh...

Kopertina e librit "Kjo dashuri e ka emrin Al Bano"

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rritet lehtë edhe inflacioni bazë, në nëntor arriti në 2.34%

Rritet lehtë edhe inflacioni bazë, në nëntor arriti në 2.34%