Oficeri Çitozi para SHÇBA: Ja si e tërhoqi Xhisiela denoncimin

Zbardhet e plotë dëshmia e oficerit të policisë Gentjan Çitozi që momentalisht është pezulluar nga detyra, për shkak se kishte marrë një deklaratë për heqjen dorë nga kallëzimi kundër Rexhep Rrajës, djalit të deputetit Rahman Rraja, të bërë nga shtetësja Xhisiela Maloku. Kjo e fundit ka kallëzuar Çitozin në SHÇBA-në e Durrësit, aty ku një oficer ka nisur të kryejë veprime hetimore për “Shpërdorim detyre”, pasi ka marrë deklaratën për heqje dorë nga kallëzimi të vajzës.

Në dëshminë e tij oficeri Gentjan Çitozi ka pranuar se ka kryer një gabim ligjor, duke marrë deklaratën vajzës, por sipas tij këtë gjë e ka bërë për shkak të ngarkesës së madhe në punë dhe që nuk ka pasur dashakeqësi ndaj askujt apo të kishte ndikuar për të favorizuar dikë nga palët.

Çitozi ka pohuar se nuk duhet të kishte marrë deklaratën por në këtë rast duhet të mbante një procesverbal, dhe ta fuste në dosje, duke treguar dhe anën tjetër të kallëzimit, që vajza kishte shfaqur dëshirë të tërhiqej.

Sipas rrëfimit të tij, të gjitha veprimet e kryera i ka bërë duke u këshilluar me prokurorin e Krujës, shefin e stacionit policor të Fushë-Krujës dhe shefin e komisariatit të Krujës. Më poshtë ndiqni të plotë dëshminë e Gentjan Çitozit të dhënë përpara oficerëve të SHÇBA në policinë e Durrësit.

Dëshmia e plotë

Pyetje: Ju lutem na jepni shpjegime për arsyen e marrjes së deklarimit të shtetases Xhisiela Maloku, duke pasur parasysh faktin që kjo e fundit ka bërë kallëzim pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, në Tiranë. Çfarë nënkupton me shënimin te procesverbali, konkretisht shënimin “gabim në përpilimin e procesverbalit”? Cila është arsyeja e thirrjes së psikologes dhe mbrojtësit, avokatit? A është kërkuar diçka e tillë nga deklaruesja dhe ku i bazon veprimet e thëniet e tua? Cila është arsyeja e thirrjes së shtetasit Rexhep Rraja? Gjatë ushtrimit të detyrës tënde funksionale, me kë ke komunikuar për rastin, me eprorët e tu, me prokuror apo me kë?

Përgjigje: Ju shpjegoj se veprimet procedurale të kryera atë natë në lidhje me shtetasen Xhisiela Maloku i kam kryer sipas kërkesës së vetë shtetases, e cila vërtet kishte bërë kallëzim në komisariatin e policisë në Tiranë, por në bazë të Kodit të Procedurës Penale ishte e drejta e saj për të hequr dorë nga kallëzimi pranë stacionit të policisë në Fushë-Krujë, vend ku dhe territorialisht ajo ka bërë kallëzim për shtetasin Rexhep Rrahman Rraja, duke pretenduar se ishte përndjekur, dhunuar, sharë dhe ofenduar mga ky i fundit. Për rastin jam njoftuar unë nga salla me qëllim të verifikoja rastin dhe të kryeja veprime procedurale, të cilat do të ishin të nevojshme për hetimin e rastit. Kam njoftuar shtetasin Rexhep Rraja, i cili është paraqitur pranë stacionit të policisë në Fushë-Krujë, rreth orës 2000, i shoqëruar me kallëzuesen së bashku me dy avokatë dhe një psikologe. Me kërkesën e tyre kam përpiluar procesverbalin si person që ka dijeni, duke kërkuar nga vetë kallëzuesja heqjen dorë nga kallëzimi që kishte bërë pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë. Të gjitha veprimet e sipërpërmendura i kam kryer në konsultim me drejtuesin e Prokurorisë së Krujës. Dua të shtoj se nga ngarkesa në punë, në momentin që kam përpiluar aktin, e kam përpiluar gabim nga shpejtësia dhe ngarkesa, duke marrë deklarim dhe jo proces-verbal për heqjen dorë nga kallëzimi, gjë e cila më ka shpëtuar vetëm nga ngarkesa në punë. Por përmbajtja dhe fabula nuk është ndryshuar në dëm apo në favor të askujt.

Pyetje: Me kë ke komunikuar përveç prokurorit të Krujës dhe konkretisht për veprimet që ke kryer?

Përgjigje: Kam komunikuar me shefin e stacionit, me shefin e policisë kriminale, si dhe me shefin e Komisariatit të Krujës.

Pyetje: Nga eprorët, në lidhje me rastin, ju është ndërhyrë apo thënë që të kryeni ndonjë veprim favorizues ndaj ndonjërës palë?

Përgjigje: Jo, në asnjë rast, vetëm jam urdhëruar të kryej veprime ligjore.

Pyetje: Nga keni marrë dijeni lidhur me kallëzimin e bërë nga e dëmtuara?

Përgjigje: Kam marrë dijeni nga salla operative e Krujës dhe më pas nëpërmjet e-mail-it nga salla operative e DVP-së së Tiranës.

Pyetje: Ke njohje apo lidhje me ndonjërën nga palët? Nëse po, çfarë lidhjeje?

Përgjigje: Jo. Me asnjërën nga palët nuk kam lidhje shoqërore, farefisnore apo ndonjë lidhje tjetër. I njoh thjesht si krutanë, të dyja palët.

Gjë tjetër nuk kam për të shtuar. Procesverbalin pasi e lexoj, e gjej të rregullt dhe e nënshkruaj pa asnjë vërejtje.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Francë/ Makinisti hidhet nga treni me shpejtësi të lartë! Bllokohen mijëra udhëtarë

Francë/ Makinisti hidhet nga treni me shpejtësi të lartë! Bllokohen mijëra udhëtarë