Politologu Ermal Hasimja është shprehur se sot Partia Demokratike ka nevojë për më shumë gjallëri, meritokraci, frymëzim dhe riaktivizim.

Komentet Hasimja i bëri në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, ku komentoi edhe lëvizjen e takimet e Ervin Salianjit në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Hasimja tha se lëvizja dhe idetë e Salianjit po e sfidojnë PD-në nga brenda, teksa shtoi se tezat që ish-deputeti i PD ka paraqitur para qytetarëve, i duken të drejta.

“Në thelb ideja ime dhe qëndrimi im është që të kemi një bashkëpunim mes forcave të ndryshme të opozitës, me qëllim që të zgjidhet ajo që është problem urgjent. Pastaj çështja e betejës së brendshme brenda opozitës është diçka që mund të presë më vonë. Shehaj dhe Lapaj mund të futen në bashkëpunim me PD duke ruajtur qoftë objektivat afatgjatë, qoftë edhe identitetin e tyre partiak. Por për momentin ka një objektiv madhor në këtë vend, ajo e realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Patjetër, është normale që të ketë edhe ide të ndryshme. Tani është normale që të ketë gjëra të tilla. Pastaj është në dorën e vetë partive që t’i zgjidhin këto çështje. Mua më duket shumë gjë e mirë që të ekzistojnë ide të ndryshme, përfshi edhe ato të Salianjit, të cilat e rigjallërojnë, e sfidojnë nga brenda PD-në, pasi duket se opozita ka nevojë për të tepër gjallëri dhe sfidë të brendshme. Sepse sfidat e jashtme i ka. Pra të bëhet më frymëzuese, më udhëheqëse, më e aftë për të udhëhequr opinionin publik opozitar.

Çdo lloj akuze që të bënte Salianji ndaj Berishës dhe anasjelltas, janë të pakrahasueshme me akuzat që i bëhen qeverisë. Ajo që unë kam parë te Salianji është qëllimi i shpallur që PD të ringjallet, të riaktivizohet, të jetë më frymëzuese e meritokratike. Mesa di unë nuk ka një përjashtim formal të Salianjit. Kjo do të thotë se nesër, pasnesër, kjo lloj përplasje e brendshme mund të riparohet përmes diskutimit dhe negociatave”, tha mes të tjerash Hasimja.

Hasimja ka komentuar edhe tryezën e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha, ku u mblodhën faktorë të tjerë opozitarë.

Teksa foli për mungesën e Adriatik Lapajt, Agron Shehajt dhe Arlind Qorit në tryezë, Hasimja tha se në këto tryeza, të thirrura nga një parti politike, është e vështirë që të shkojnë edhe partitë e tjera.

Hasimja shtoi se tryeza e thirrur nga Berisha është në kuadër të përpjekjeve të shtuara të opozitës për gjetjen e një emëruesi të përbashkët për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Ka një lloj vështirësie kur një parti fton partitë e tjera, është vështirë në fakt që edhe të vijnë. Unë kam qenë edhe në tryezën e thirrur nga Partia Mundësia dhe i njëjti problem ka qenë edhe aty, që nuk kanë qenë partitë e tjera. Pra ekziston kjo lloj vështirësie. Kështu që nëse rrethanat janë të përshtatshme, atherë partitë duhet të merren vesh paraprakisht pa qenë njëri që e organizon apo i fton. Ose të jetë një palë e jashtme që t’i ftojë të gjitha. Natyrisht është një përpjekje. Nuk besoj se PD me këtë tryeze pretendon të zgjidhë gjithë problemet, apo të nisë një lloj procesi që do të zgjidhjte gjithë vështirësitë e opozitës, por është në kuadër të atyre përpjekjeve që janë shumëfishuar në fakt, nga të gjitha anët e opozitës në këto muajt e fundit”, tha mes të tjerash Hasimja.

Hasimja vijoi më tej duke thënë se partitë e opozitës nëse përpiqen mund të arrijnë unifikimin mes tyre, duke sjellë si shembull rastin e përzgjedhjes së kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, Florjan Binaj (megjithëse zgjedhjet në Tiranë nuk u mbajtën).

“Ndoshta është më e vështirë kur je në opozitë, sesa kur je në pushtet. Pushteti është unifikues kur ka një dorë të fortë që i mbledh të gjithë. Në rastin e opozitës është pak më ndryshe, sepse nuk kontrollohet gjithë opozita nga një qendër e vetme. Janë tre parti kryesore, PD, Shehaj-Lapaj dhe Qori në një masë më të vogël që e kanë shpërndrarë elektoratin e opozitës. Por bashkimi nuk është i pamundur, ka pasur shembuj që e kanë treguar se kjo është plotësisht e mundshme, siç ka qenë shembulli i një kandidati të përbashkët për Tiranën para disa muajsh. Palët bashkëpunuan në atë rast. I shihje bashkë edhe PD, edhe përfaqësues të Lapajt apo Shehajt”, shtoi Hasimja.

Hasimja vijoi më tej duke thënë se kërkesa e opozitës për qeveri teknike është tërësisht legjitime dhe e drejtë, në kushtet që sipas tij qeveria Rama nuk do që të garantojë një proces të ndershëm zgjedhor.

“Qeveria teknike mendoj unë se do të bënte gati situatën për zgjedhje të parakohshme. Është logjike ajo gjë. Qeveria teknike ka një qëllim, që të përgatisi vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, meqënëse argumenti i sotëm i opozitës, që është edhe argument i OSBE/ODIHR, që në Shqipëri zgjedhjet nuk janë në standardet europiane. Kanë probleme shumë të mëdha që e tjetërsojnë votën e shqiptarëve në masë të konsiderueshme. Dhe që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk mund ti organizojnë ata që e kanë dëshmuar prej kohësh se nuk duan zgjedhje të lira e të ndershme, dhe ky është qëllimi i qeverisë teknike”, vijoi Hasimja.