Deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për zjarret në vend, i është përgjigjur përmes një postimi në Facebook edhe deputeti i zgjedhur i PS-së në Qarkun Fier, Petro Koçi.

Kreu i PD-së tha dje se qeveria ka dështuar në menaxhimin e situatës së zjarreve që kanë mbërthyer vendin në të katërta anët prej disa ditësh. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Koçi i bën thirrje kryedemokratit Basha të distancohet nga zjarrvënia.

 “Basha, distancohu nga zjarrvënia! Ore ti që kërkoke të bëhesh burrë shteti dhe që ta ngecën sërish partinë e Saliut, ku e ke ndërgjegjen shtetërore dhe vizionin e liderit? Bën gërr-mërr për helikopterin se mund të jetë përdorur nga Kryeministri për arsye shtetërore (jo private). Dil more dhe fol i shqetësuar për situatën. Për zjarrin që t’i adhuron si mjet politik, por që kësaj radhe po merr dhe jetë njerëzish.

Sensibilizo organet ligjzbatuese që të zbulojnë e të ndëshkojnë të papërgjegjshmit e stinës. Kërko angazhim gjithëpërfshirës për t’i bërë ballë situatës. Shprehu mirënjohjen atyre qindra efektivëve të FA që po rrezikojnë dhe veten për të shpëtuar jetë, shtëpi e katandi! Pastaj kujtohu që je dhe opozitar i mjerë. Si PD-ja jote në Fier që është opozita “Poshtë inceneratori, rroftë inceneratori”. Thellohu Luli!”, shkruan Koçi.