"Ora e Zooparkut”, romani që
provokon kërshërinë e lexuesit

provokon kërshërinë e lexuesit">
Poetika narrative në mbarë opusin romanor të Zija Çelës, edhe tek romani  “Ora e Zooparkut”, është gjithnjë e veçantë, karakteristike dhe dalluese në prozën bashkëkohore të shqipes. Gjithnjë, për ndjesinë e hollë e të vërejturit të realitetit, përqendrimin maksimal, posaçërisht ndaj detajeve, mprehtësinë e mendimit, formimin origjinal në perceptimin e botës dhe jetës.

Pra, në prozën romanore dhe tregimtare të Zija Çelës realiteti nuk transponohet, përkatësisht nuk përcillet dhënie e gatshme; thjesht realiteti përreth ekziston si motivim, si arsye dhe shkas, pretekst për të sjellë fakte plotësuese gjithnjë në funksion të objektivit final, në funksion të krijimit të botës paralele, të krijimit të saj në mbështetje të imagjinatës, bota në roman është përshtypje personale, është perceptim personal i autorit. “Romani është epope subjektive ku autori i lejon vetes ta shohë botën në mënyrën e vet” – ka thënë Gëte.

Akti i krijimit letrar të botës në roman, vjen edhe ngasje e autorit, vjen edhe sfidë gjuhësore, që është një nga veçantitë dhe mjeshtëritë më fine e poetikës narrative të Zija Çelës. Ajo vjen ngasje për problematizimin e gjuhës, për të sjellë dhe gjallëruar tipare, funksione, detaje margjinale nga realiteti. Për të sjellë një tjetër rend dhe perceptim të përditshmërisë, për të sjellë shkëndijime thellësish të heshtura mes gjërave, bëmave, njerëzve.

Kështu gjuha narrative në prozën romanore të këtij autori vjen medium brenda së cilës koha dhe hapësira i plotësojnë boshësitë e veta dhe të njëra-tjetrës. Gjuha tek proza e Zija Çelës niset drejt një caku, drejt një objektivi dhe udhës zgjon dhe merr me vete gjurma jete të lëna ose të harruara. Gjuha këtu nuk ka vetëm për qëllim të sjellë, të bluajë në mullirin e vet realitetin, gjuha në fakt bëhet edhe vetë cak, duke qenë njëkohësisht gjuhë e labirinteve magjike në prozën e romaneve të Zija Çelës.

Labirinti narrativ është lojë e bukur, njëkohësisht tërheqëse dhe nxitëse e interpretimit të kuptimeve, e dekodimit të mistereve gjatë udhëtimit narrativ, duke vendosur kështu drejtpeshim të gjërave dhe veprimeve, duke vendosur harmoni mes joharmonikes, pas së cilës lexuesi i prozës së Zija Çelës arrin kënaqësinë e vërtetë të leximit.

Megaromanet e dhjetë viteve të fundit të Zija Çelës, “Sos një buzëqeshje”, “Goja e botës”, “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, “Arkipelagu Spiritus”, “Ora e Zooparkut”, për frymëzim kanë realitetin, botën përreth autorit. Ngasjen e tij e nxit, e ushqen, e shqetëson pikërisht ky realitet. Ndjesia e parë të shpie drejt një përditshmërie krizash morale, degradimit të njeriut, hapësirës aktuale.  

Në këtë kontekst, Zija Çela është, theksueshëm i veçantë, është krejtësisht origjinal në gjuhë, në stil, në qasjen e tij ndaj realitetit, ndaj njeriut, ndaj botës, jetës, i ndryshëm me lexuesin apo me personazhet, të cilët i ka me qindra në opusin e tij. Nuk mund të gjesh as edhe një, të vetmin rast, të ndonjë personazhi në kuptimin pozitiv e negativ, të prerë si me shpatë. Palët, në këtë botë krijuese, kanë më shumë ose më pak të drejtë, më shumë ose më pak mëkate. Vija e tehut që i ndan ato, qëllon të jetë aq e hollë sa, pa përqendrim të duhur, të rrëshqet fare kufiri i midisit.

E veçanta e prozës së Çelës, dallohet nga prirja që, fenomenin në fjalë, ta sjellë përmes një shumësie zërash, galeri personazhesh që shtrihen horizontalisht në hapësirë të gjerë. Secili nga ata sjell pjesën e mëkatit dhe të pafajësisë së vet njëherësh, gjithnjë, si përbërës aktiv të realitetit dhe përditshmërisë.

Dikush vjen me strajcën më të rënduar të mëkatit, të tjerët me të kundërtën, dhe së bashku, përmes botës paralele fiktive sjellin realitetin konkret.  Bota e njeriut që sjell Zija Çela në prozën romanore dhe tregimtare është mozaik nuancash, është filozofi që beson se në thelb njeriu, njerëzimi në natyrën e vet të qenies e ka në embrion si mbarësinë, ashtu edhe prapësinë.
 
Një yllësi e tërë personazhesh, të cilët lëvizin korridoreve të shumtë mbi tokë por edhe nën të, e që kanë fijen e lidhjes ndër vete, përkatësisht që, për asnjë çast nuk e humbin fillin e Arianes, dhe çuditërisht secili me secilin lidhet, secili me secilin preket a përplaset, nga perspektiva dhe statuse të veçantë. Është një yllësi, si e Olimpit mitologjik të Homerit, ku ka dhjetëra e qindra perëndi a gjysmëperëndi, mbretër e tiranë që veprojnë dhe shtrihen, secili me ngjyrën e vet, në fronin e vet, në fushën e pafund të endit të thurur përsosmërisht në këtë prozë, e që të gjithë pleksur pandashëm në universin njerëzor...
 
Sonda narrative e Zija Çelës lëviz thellësive të heshtura dhe gjysmë të heshtura, lëvizje këto që, kur ia arrijnë, përcjellin impulse dhe ndjesi që nuk i kemi njohur më parë. E tillë, dhe mbi këtë bazament sfondi, është përplasja e dy personazheve bartës, mes nënës dhe birit, mes Fjonës dhe Martinit, në romanin “Ora e Zooparkut”.
 
Tema e romanit “Ora e Zooparkut” i përket realitetit të sotëm shqiptar. Hapësira e veprimit të personazheve, Shqipëria dhe Italia. Perspektiva nga e cila rrëfehet është veta e parë, përkatësisht, fjala është për shënimet në formën e ditarit të personazhit kryesor të romanit, Martinit. Fletorja e shënimeve të tij mbështetet në raportin konfliktual të tij me të ëmën, Fjonën. Ky raport, Martin – Fjona, pra nënë e bir, është boshti qendror narrativ i romanit. Rrëfimi në të vërtetë fillon të rrjedhë nga koha kur Martini është rreth të njëzetave dhe shtrihet në rreth pesëmbëdhjetë vite të tij të kaluara në Itali, si anëtar i një klani mafioz.

Ato vite i rrëfen, i lexon, nga perspektiva e të kthyerit në Tiranë pasi nga Italia ka shpallur vdekjen e tij të rreme, me të cilën ka dashur ta ndëshkojë deri në absurd të ëmën. Ky është skeleti bruto i fabulës, për ta lënë dhe nxitur të hapur përsiatjen e lexuesit, pandehmat dhe supozimet nga më të ndryshmet, edhe nga sfera e skajshme e fshehtësive, nga misteret e botës së njeriut, që në rrëfimin e Zija Çelës, si edhe në krejt veprën romanore të tij, dalin edhe përtej skeletit fabular.

Konfliktet, nënë e bir, fillojnë kur Fjona e mbetur e ve, plot njëzetë vite, do të dashurohet dhe lidhet me një biznesmen i cili është vetëm disa vite më i madh se i biri. Këtë gjendje Martini nuk do të mundë ta durojë, acarim ky që kulmon kur Fjona e sjellë të dashurin në banesë, e atëherë Martini, përmes një shoku të njohur, tani në Itali, gjen mënyrën dhe arratiset.

Pas viteve të kaluara në Itali, Martini kthehet tebdil në Tiranë, ndërton një vilë luksoze dhe tani në fakt sikur fillon drama e tij: i bërë dysh me persekutor mëkatin e tij, shfaq një kërshëri të zbehtë të dijë ndonjë të dhënë për Fjonën, por njëkohësisht i frenuar nga një refuzim i brendshëm që e mban larg nga ajo. Refuzimi shkon deri në atë shkallë sa Martini, i dërgon edhe kumtin e vdekjes së vet asaj. Mëkatet e saj sipas Martinit  ishin: sjellja e saj me dashnorin moshatar të djalit, humbja e përgjegjësisë në fluturimet ekzaltuese të saj, sjellja publike e shëmtuar, veshja jo adekuate.

Që të gjitha këto në ditarin e vet Martini i sjell si mëkate. Pikërisht kjo e bën Martinin që, në banesën e vet, ku e ëma e sjell edhe dashnorin, të ndjehet si në ferr... Perspektiva e rrëfimit lëviz, si për shembull në skenën kur Fjona nuk i mban dot lotët kur kujton vdekjen e supozuar të birit, apo theksohen çastet e tundimit të djalit për t’u takuar me të ëmën, si biri i kthyer nga bota e përtejme.

Lexuesi do të zgjedhë vetë, në bazë të ditarit të Martinit, nga do të anojë, dhe ka më shumë gjasa që në vend të gjykimit bardh e zi lexuesi ta shohë secilin personazh në kompleksitetin e vet dhe pikërisht ky kompleksitet i bën edhe më realë e më bindës për lexuesin. Pluset dhe minuset lidhur me dy personazhet bartës tek romani në fjalë, vijnë në përputhje me filozofinë e lashtë të njeriut të brumosur te legjenda e  Abelit dhe Kainit.

Edhe kjo botë e realitetit të sotëm shqiptar, nga e cila e ushqen kërshërinë dhe ngasjen krijuese Zija Çela, është e tillë: të pranishme i ka, njësoj, prirjet e të parit dhe të dytit. E tillë edhe përplasja nënë e bir, vjen si e drejtë legjitime e njeriut, e njërit dhe e tjetrit, përkatësisht, e njëjtë në të padrejtën dhe në të drejtën e vet.  Të tilla vijnë personazhet në prozën romanore të Zija Çelës, derdhen dhe degëzohen në shumësi ngjyrash me të bardhën dhe të zezën bashkë, rrëmbehen nga shkrepjet e mbamendjes dhe të gjithësisë, përkatësisht sferat e harruara të saj, duke e ftuar lexuesin që vazhdimisht ta ribëjë personazhin ashtu si edhe veten.
 
Umberto Eko, te libri i tij “Vepra e hapur (pa kufi)”, por edhe me rastin e shkrimeve të tjera, i sugjeron shkrimtarit modernist, përkatësisht postmodernist, që ta inkuadrojë lexuesin si pjesëtar aktiv, me rol deri në koautor, në romanin e vet. Përmes shumësisë së zërave, personazheve, detajeve dhe digresioneve, poetika narrative në romanet e Zija Çelës është plot pulsime të natyrës së pyetjeve të rëndësishme të sferave të ndryshme të botës, të jetës dhe qenies.

Krejt kjo nuk vjen si kërkesë e sforcuar kulturologjike, si synim për të qenë në trend me rrjedhat e kohës, por del përcaktim i brendshëm tek poetika romanore e tij. Hapja narrative, zotërimi i kufijve zhanrorë, pranimi në paradhomën e tij, por edhe në studio, të lexuesit, përfshirja e personazheve margjinale me rol dhe status faktorizimi, nuk janë flirt trendesh moderniste, por dhunti krijuese e autorit. Nuk ka sensacione në rrëfimin e Çelës, nuk ka kthesa të papritura, tensione përmbysjesh apo tërmetesh narrative, përkundrazi kemi rrjedhë të natyrshme, me prirje psikologjike, rrëfim që ngul këmbë në çështje të ekzistencës, kemi frymëmarrje dhe rrjedhë indesh të brendshme që rrahin sa drejt thellësive, aq edhe sipërfaqeve, drejt thelbësores në jetë, që kontekstin e kanë dhe e bartin brenda vetvetiu.

 Pikërisht për këtë, Zija Çela aq sa është format i madh i shkrimtarit, vjen edhe shkollë në zotërimin dhe praktikimin e poetikave narrative ne studion e tij. Fuqia shprehëse e fjalës, shpesh me kontekst të veçantë, u jep detajeve dhe reflekseve, konture të një forme të paparë e të padëgjuar. Kjo e bën narracionin përsosmërisht origjinal, duke sjellë shpesh provokime në raportin realitet – letërsi, provokime këto, të një shkalle të thellë në prozën bashkëkohore shqipe. Kjo plotëson misionin e letërsisë dhe rolin e saj përballë realitetit.

Madje, raporti realitet – letërsi (art) është proces përjetësisht i hapur, me zhvillime, përshtatje, adaptime të ndërsjella, transformime gjatë historisë të këtij raporti. Digresionet si ndërhyrje çasti, si detaj i rastit apo i regjistruar diku e i ndërmendur, si ndërhyrje për krijim atmosfere, si refleks asociativ, sentencial, si takim a lexim i zgjuar befas, si pasion  i momentit, shpesh edhe të atilla që s’kemi dëshirë t’i kujtojmë, bëma dhe mendime që tundojnë, dyshime, mall a melankoli, ëndrra të natës a të ditës, etj, nga të cilat vlon poetika narrative e Zija Çelës. Parë nga një perspektivë, të gjitha këto, vijnë edhe si ndërtekstualitete, tipike për rrëfimin postmodernist.    
 
Rrëfimi romanor edhe tek “Ora e Zooparkut”  ka imazhe fantastike, gjithnjë të mëkuara nga ky realitet, natyrisht shpesh edhe me premisa magjike, që në një mënyrë, është prirje dhe natyrë e Zija Çelës, e pranishme në tërë krijimtarinë e tij. Dhe pa e gjetur këtë çelës qasjeje, lexuesi qëllon që edhe të humbasë rrjedhën, fillin, të ndjehet edhe konfuz si lexues, të mos e shijojë plotësisht kënaqësinë e vërtetë në këtë rrëfim paralel, të botës reale, brenda së cilës është personazh edhe lexuesi, me atë që bën dhe me atë që nuk bën.

Ndërtimi fabular në veprën letrare të Zija Çelës është gjithashtu i veçantë. Le të përmendim edhe një herë romanet e cituara në fillim të këtij shkrimi, tek të cilët jo vetëm që është e pamundur të përcaktohet saktësisht shtrati bosht dhe unik fabular, por si lexues jemi të gatshëm të heqim dorë nga një kërshëri e tillë, sidomos kur rrëmbehemi nga kjo poetikë narrative, pasi i jemi dorëzuar kënaqësisë së leximit të rrëfimit pa kufij të kësaj natyre, kur boshti i madh narrativ i nënshtrohet degëzimit përmbajtjesor horizontalisht dhe vertikalisht, në kohë dhe hapësirë në poetikën narrative të Zija Çelës, që gjithashtu vjen shkollë më vete.

Degëzimi fabular sjell me vete dhe degëzim detajesh, shumësi zërash dhe personazhesh, që aktivizohen dhe faktorizohen secili kokë në vete, por që në ecje e sipër bëhen bashkë në poentimin filozofik të rrëfimit. 
 
Formati stilistik i këtij narracioni e vë nën kontroll refleksionin emotiv, ekspresionin afektiv, por njëkohësisht shmang referencialitetin. Është një prirje për ta mbajtur distancën e indiferencës përballë realitetit, e sidomos përmes një indiskrecioni ironik elegant. Statusi i objektit, kështu, në këtë rrëfim ndryshon kontekste në heshtje, ai prore lëviz gjatë udhëtimit dhe fare spontanisht situatat e reja sjellin pleksje raportesh të reja mes vetes. Tërë kjo, e vë në përgjegjësi lexuesin, që edhe ai të ndërrojë perspektivë perceptimi të pandërprerë dhe të krijojë përqendrim maksimal dhe të vëmendshëm.

Përdegëzimet narrative të shpeshta, gati të pafundme në këtë prozë, gjithë një rrezatim shpërndarës i saj në kohë dhe hapësirë, në pamje të parë duket sikur e bën të vështirë transparencën e realitetit që rrëshqet, që duket se shpërbëhet, ose  si shtrirje e mjegullt e përtokëzuar në truallin antik dhe që në të vërtetë nuk ndodh, përkatësisht ndodh e kundërta.

Në dispersivitetin e marramendshëm të vijave narrative edhe lexuesi detyrohet të zhvendosë perspektivën e vet, statusin e vet, marrëdhëniet e tij me narratorin, që ky i fundit në raste të veçanta shfaqet qartë, e herëve të tjera tretet pa adresë dhe zë, dhe nganjëherë që të degëzohet e të tretet me personazhet edhe ai. Dhe natyrisht lexuesi i pamësuar me këtë teknikë narrative vjen i pavendosur dhe pa shkathtësinë për t’i hyrë labirinthit, mund edhe të heqë dorë në mes të udhëtim-leximit. Këtu lind edhe një lloj hamendësimi: mos vallë ky format dhe kjo poetikë romanore i ka, vërtet më të pakët lexuesit?

Është rrugë tjetër e transformimit të botës artistike, një tjetër transformimi i gjuhës përpara së cilës ndodhet lexuesi i Zija Çelës. Ai ndodhet përballë një përthyerjeje komplekse, para një procesi gjithëpërfshirës të realitetit, përpara një udhëtimi, i cili jo vetëm që i mbledh dhe faktorizon detajet, shumësinë e vogëlsive në dy anët e udhës, por i merr dhe i ngarkon ato në karrocën e vet narrative, u jep rëndësi statusore, baras me rrjedhat dhe personazhet kryesorë.
 
Nga një lexim i vëmendshëm i kësaj poetike, pos tërë ngarkesave të frazës narrative, nuk humb asgjë në tekst, asgjë nga formati i narracionit klasik realist, as individi, as objekti, as lënda, as kuptimi, as lexuesi. Vetëm sa ndryshon perspektiva dhe statusi i tyre, funksioni i tyre, përkatësisht zhvendosja e perspektivave të tyre.

Rrëfimi i tillë e zgjeron hapësirën kuptimore, pavarëson të gjithë përbërësit e rrëfimit, që vetëdijesohen pa ndihmën e jashtme. Vetë teksti tërheq vëmendje, rritet perceptimi i lëndës në të gjitha rrafshet e hapësirës dhe kohës, në rrafshin topografik e sugjestiv. Për këtë natyrë krijuese, ndryshe nga ajo e narracionit klasik realist, duket se, vetëm nëse përfshin horizontalisht shumë përbërës të realitetit, bota e rikrijuar në artin letrar, del më e plotë. Për dallim nga imitimi, që në letërsi narrative sjell vetëm atë që shikon, imagjinata krijuese sjell edhe atë që nuk duket.

Kështu, narracioni i Zija Çelës, nuk kushtëzohet nga realiteti perspektivë, as ka nevojë për një kushtëzim të tillë, pasi natyra e përfytyrimit të tij ndaj botës, e ka privilegjin që t’i lejojë vetes që, gjithçka ta shndërrojë në gjithçka, të shpirtëzojë natyrën, pamje sipas diktatit të kodeve të veta krijuese dhe, me këtë rast, arrin që në rrëfimin e vet, të vendoset çdo gjë në marrëveshje dhe harmoni me veten e tij. Në penën romanore të Zija Çelës, që funksionon edhe si një alkimist antik, përmes krijimtarisë artistik synohet thelbi i gjithësisë, i universit dhe vjen bekim me prirje dhe korrespondim qiellor, vjen vullnet hyjnor dhe veprim njerëzor. 
 
 Në mbyllje, ritheksojmë se, rrëfimi në romanin “Ora e Zooparkut” është roman i hapur, i pakufi, nismëtar dhe i papërfunduar, pa pretendime për një poentim definitiv në fund. Është rrëfim romanor që ka, jo vetëm një të vërtetë sovrane, por më shumë të vërteta e të pavërteta, e që shpesh relativizohen me këtë rast. Kështu, bërthama e së vërtetës qëllon të sjellë edhe gënjeshtra dhe anasjelltas.

As njëra, as tjetra nuk kanë privilegjin absolut të saj, madje as vetë autori, mbase vetëm lexuesi. Edhe njërën, edhe tjetrën, nuk e dëshmon vetëm një zë, as një personazh, janë disa të tillë edhe në “Ditari i Martinit”, që ndërhyjnë me perspektivat e veta rrëfimore. Dhe, qysh në këtë pikë, nis narracioni i hapur, që është sidomos, i veçantë i poetikës romanore të Zija Çelës në harkun kohor të dhjetë viteve të fundit. Njësoj edhe në romanin “Ora e Zooparkut”, duke u nisur që nga titulli që provokon kërshërinë e lexuesit para dhe pasi ta lexojë romanin.

Ç’është kjo orë e Zooparkut? Një orë leksioni ndoshta? Po të qëndrojmë këtu, imagjinata e shtyn më tej kërshërinë e lexuesit. Mos bëhet fjala për një orë leksioni politik, leksioni historik, një orë leksioni patriotik, apo leksioni moral? Por mund të jetë edhe ftesë për një orë para skenës së një teatri. Dhe, përsëri, na shkon ndërmend teatri politik, teatri komik, dramatik, tragjik... ose mund të jetë një nga orët e lexuesit, orët e ditës dhe të jetës, ku ndërthuren realja me imagjinaren.

Nga tërë kjo, Zija Çela krijon një metaforë të përsosur, përmes së cilës, realitetin e sotëm e vendos si dëshmi dhe kurorëzim të krejt asaj që rrëfehet në roman dhe në kopshtin zoologjik të njeriut tonë e të botës sonë, dhe i pleks, përkatësisht i shkëmben maskat dhe rolet mes njerëzve dhe kafshëve të egra. Dhe le ta gjejë vetë lexuesi, ky koautor kult në romanet e Zija Çelës, se pse, në vend të luanit që e copëton vizitorin, i cili e sfidon kafshën duke i hyrë në kafaz, rojtari e vret njeriun...

Mua si lexues, duke lexuar këtë kapitull nga fundi i romanit, mu kujtua një detaj nga koha kur bëja ushtrinë në fillim të viteve ‘60 të shekullit të kaluar, në qytetin Mostar të Bosnjës. Në njësinë e veterinarisë ku më kishin caktuar ta kryej mandatin dhe ku ne për detyrë kishim mirëmbajtjen dhe kalërimin ushtrues të kuajve, në rregulloren e njësisë, ndër të tjera shkruhej: pas dy viktimave, domethënë vrasjeve të dy ushtarëve, kali do të dënohej me likuidim. Edhe luani në romanin e Zija Çelës – por kini kujdes, paralajmëron autori, luani në kafazin e zooparkut të Tiranës mund të ketë vetëm maskën për t’u shndërruar në luan, mbase një vip, politikan i madh, prandaj ai do të kursehet ose mund të ketë edhe pandehma të tjera në imagjinatën e lexuesit.

Por ora e Zooparkut shqiptar në romanin e Zija Çelës, fatkeqësisht mbetet e hapur. Ajo nuk do të thotë vetëm një orë. Mund të jetë një orë që mund të shtrihet në pakufi, ose një orë që përsëritet pa fund, që është ora e degradimit moral në realitetin tonë, në rrëfimin pa kufi në romanin e Zija Çelës.  Si gjithandej, ky autor nuk sjell dhe nuk sugjeron përfundime moralizuese.

Nga aluzione të tërthorta, por edhe ironizime të lehta dhe elegante, përkatësisht nga kontekste të tilla, lexuesi edhe mund të nxjerrë ndonjë sugjerim. Ai më i rëndësishmi do të ishte që Zija Çela nuk ka iluzion se bëhet fjalë vetëm për një orë kaluese të kësaj krize të vlerave që, aktualisht ka mbërthyer hapësirën tonë.

Diç e tillë mund të nxirret edhe nga shumë kapituj dhe shumica e të cilëve qëndrojnë si medaljone narrative refleksive të përsosur, mbase të pashembullt në prozën bashkëkohore shqipe, por të gjitha këto lihen në kompetencën e lexuesit. Me pak fjalë, “Ora e Zooparkut”, është një roman që nxit tundime medituese për sferat më të qenësishme të ekzistencës dhe që, do të thosha, është privilegj që lexuesi ka në dorë një kryevepër të tillë.
zija cela
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime