OSBE, Wollfarth: Anëtari i LSI
në KQZ mund të vazhdojë punën

OSBE, Wollfarth: Anëtari i LSI<br />në KQZ mund të vazhdojë punën
TIRANË – Nisma e PD për ndërhyrje në KQZ solli qëndrim të ashpër nga ana e ndërkombëtarëve, të cilët kërkojnë respektimin e Kodit Zgjedhor që palët vetë e kanë miratuar me konsensus. Ata kërkojnë mënjanimin e politikës nga KQZ. Sot Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth deklaron se Ilirjan Muho, anëtari i LSI-së në KQZ mund të vazhdojë punën ndërsa shton se OSBE po verifikon procedurën e ndërmarrë nga PD. Dy ditë më parë Komisioni i Ligjeve miratoi shkarkimin e Ilirjan Muhos nga KQZ dhe zëvendësimin e tij me një emër të propozuar nga PR, ndërkohë që të hënën kërkesa do të hidhet për votim në Kuvend. Mbrëmë ambasada e SHBA-së deklaroi se anëtarët e KQZ-së janë apolitikë dhe kërkoi respektimin e marrëveshjes së 2012 për Kodin Zgjedhor.

WOLLFARTH NGA BERATI: MUHO TE VAZHDOJE PUNEN

Duke vlerësuar punën e mirë që është bërë deri tani për përgatitjen e zgjedhjeve, Wollfarth tha se "anëtari i LSI në KQZ mund të vazhdojë punën", ndërsa OSBE është në “proces sqarimi të bazës ligjore të përdorur nga PD”.

“Nga njëra anë kemi vendimin e komisionit të ligjeve në parlament i cili propozoi shkarkimin e anëtarit të LSI nga KQZ, por interpretimet janë të ndryshme, ky anëtar mund të vazhdojë punën e tij në KQZ. Jemi në pritje të sqarimeve të bazës ligjore dhe ky proces kërkon pak kohë, ndërsa të hënën Kuvendi do ta rishqyrtojë këtë çeshtje. Është një proces që kërkon një dialog të mirë mes partive politike, por nuk duhet harruar se KQZ është një organ apolitik dhe teknik."- Deklarata e Wollfarth u bë sot paradite gjatë një vizite në qytetin e Beratit.

"Duhet të ketë një dialog të hapur mes politikanëve dhe qytetarëve. Politkanët duhet të bëjnë të qarta programet politike dhe duhet tua bëjnë të qartë se si do t’i zbatojnë ato programe me financimet apo me strukturat. Qytetarët nga ana e tyre duhet të bëjnë të qartë se çfarë presin nga politika dhe ky dialog duhet të arrijë në zgjidhje realiste. Ajo çka është më e rëndësishme është se ku dialog duhet të jetë konstruktiv, i qytetëruar dhe me tone të qeta." - tha Wollfarth.

SHBA: TE RESPEKTOHET MARREVESHJA E 2012
“Për sa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është me rëndësi të mbahet mend që anëtarët e KQZ-së – të cilët u përzgjodhën dhe emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në
përputhje me Kodin Zgjedhor – konsiderohen se janë apolitikë”, është ky apeli i fortë, i ardhur mbrëmë  nga Ambasada Amerikane në vendin tonë, pas nismës së PD për ndërhyrje në KQZ duke zvendësuar anëtarin që është prpozuar nga LSI.

Në reagimin e ambasadorit amerikan thuhet se SHBA nxit të gjitha aktorët politikë që të riafirmojnë përkushtimin e tyre të shpallur ndaj integritetit dhe transparencës procedurale kur shqyrtojnë çfarëdo veprimi
të mundshëm lidhur me përbërjen e KQZ-së

Duke vlerësuar vendimin e seancës plenare të së enjtes (dje, 11 prill 2013) për shtyrjen e vendimit mbi këtë çështje, përmes një deklarate për mediat, Aleksandër Arvizu thekson se “me t’u emëruar, anëtarët e KQZ-së janë betuar, dhe janë të detyruar, që të kryejnë detyrat e tyre për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri”.  LEXONI KETU reagimin e plote te Ambasades se SHBA ne Tirane

Apeli i SHBA-së erdhi mbrëmjen e djeshme ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, pati reagime edhe nga Brukseli, nëpërmjet zëdhënësit të Komisionerit Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, ambasadorit të BE-së në Tiranë, si dhe ambasadorit të OSBE-së Wollfarth.

Situata politike ne vend eshte tensionuar pas nismës së Partisë Demokratike për shkarkimin Ilirjan Muhos nga KQZ dhe zëvendësimin e tij me një emër të propozuar nga Partia Republikane. Kuvendi ishte parashikuar të votonte dje (11 prill) zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, por PS këmbënguli të shtynte votimin të hënën duke e quajtur antikushtetuese dhe antiligjore kërkesën e PD-së. Nga ana tjetër kryetari i LSI-së Ilir Meta e quajti, dje, një lëvizje jo politike por diversante veprimin e PD-së për të hequr nga KQZ anëtarin e propozuar nga kjo parti.

Në këtë situatë Zëdhënësi i Komisionerit Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, përmes një interviste telefonike në tv "A1 REPORT!" i kërkon partive politike të respektojnë  marrëveshjen për Kodin Zgjedhor, që është arritur me konsensus një vit më parë.

Ndërkohë marrëveshja për Kodin Zgjedhor e vitit 2012 nuk parashikon në asnjë pikë, shkarkimin në rast se prishen balancat politike, siç ka ndodhur në rastin konkret kur LSI-ja u largua nga koalicioni.

STANO I BE: NE MENYRE URGJENTE RIVENDOSNI KONSENSUS
"Politika t'i përmbahet atij konsensusi që është arritur. Në çdo moment ju ndjekim me kujdes, ndjekim atë ç’ka ndodh në Shqipëri. Në kontekstin e ditës do doja të nënvizoja se anëtarët e KQZ-së në Tiranë duhet të bazohen në çdo veprim tek Kodi Zgjedhore, tek një marrëveshje e arritur vitin e kaluar me të gjitha forcat politike, që duhet të sillen në mënyrë të paanshme, profesionale. Ato duhen të funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe shumë transparente. Pavarësia është ajo për të cilën janë betuar të 7 anëtarët e KQZ-së dhe në këtë kontekst, pavarësia duhet garantuar. Nga ana tjetër, të gjitha partite politike kanë detyrimin për të garantuar pavarësinë e KQZ-së dhe së fundmi dua të kujtoj marrëveshjen për Kodin Zgjedhor, që u arrit vitin e shkuar."- nënvizon Stano i cili shton se marrëveshja për Kodin Zgjedhor ishte një shenjë e pastër mirekuptimi dhe konsensusi mes partive ne qeveri dhe opozitës si një qëllim për të çuar vendin përpara drejt BE-së.

"I bëj thirrje të gjitha partive politike që të rivendosin konsensusin e arritur një vit më pare, sepse kjo është në të mirë të vendit dhe për të mirën e çdo qytetari. Trupa e Komisionit Qëndror Zgjedhor duhet të operojë në bazë të marrëveshjes për Kodin Elektoral. E theksoj, në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Ata kanë premtuar se do të ruajnë pavarësinë dhe paanësinë e KQZ-së. Ata duhet të punojnë në mënyrë të besueshme, që qytetarët të kenë besim tek ata. Ndaj është shumë e rëndësishme të flitet me gjuhën e ligjit, duke u bazuar në marrëveshjen e arritur sic ishte Kodi Zgjedhor, një mirëkuptim mes të të gjitha palëve politike.
Ndaj unë mundem vetëm të vë theksin tek Kodi dhe sinqerisht i bëj thirrje urgjente që të rivendosin konsensusin e arritur një vit më pare, që na la të kuptojmë dhe besojme se Qeveria dhe opozita kanë vullnet të bashkëpunojmë për çështje, të cilat nëse nuk kanë consensus, mund të komplikojnë rrugën e Shqipërisë drej BE-së. Përgjigjet i gjeni në Kodin Zgjedhor. Sepse gjithçka është aty brenda. E vetmja gjë e rëndësishme është ligji. Dhe siç është theksuar në raportin e dhjetorit nga Komisioni, zgjedhjet e 23 qershorit do të shihen si një shenjë e qartë e standarteve europiane për Shqipërinë. Është shumë e rëndësishme që të dallohet se gjithçka po kryhet në bazë të ligjit dhe standarteve euopiane.

Ne po ju vëzhgojmë. Vendet anëtare po ju vëzhgojnë; Komisioni gjithashtu. I kemi sytë nga ju. Mesazhet janë dhënë nga vendet anëtare, nga vizita e fundit e para pak ditëve e Komisionerit Fyle. Ato janë ende të vlefshme" - përfundon apelin e e fortë që Stano i përcolli në këtë ditë të sotme partive politike në emër të Brukselit.



(Video: Apeli i Peter Stanos në TV A1 REPORT!)

MARREVESHJA E 2012-ES S' PERCAKTON SHKARKIMIN E KOMISIONERIT

Marrëveshja për Kodin Zgjedhor e vitit 2012, në nenin 18 te saj, ku flitet për ndërprerjen para kohe të mandatit te KQZ-së, nuk parashikon në asnjë pikë, shkarkimin në rast se prishen balancat politike, siç ka ndodhur në rastin konkret kur LSI-ja u largua nga koalicioni.

Në nenin 14, ku flitet për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së, parashikohet që: Dy anëtarë të propozohen nga partia mazhoritare në parlament; dy anëtarë, nga partia opozitare që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend; anëtari i pestë propozohet nga partia me shumicë parlamentare, por duke përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës.

Anëtari i gjashtë zgjidhet nga partia e opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës.

Anëtari i KQZ-së ka mandat gjashtëvjeçar. Propozimi për shkarkimin e anëtarit e KQZ-së miratohet nga Kuvendi dhe bëhet vetëm me propozim të KQZ-së,ndryshe nga rasti konkret kur ai u propozua nga komisioni i Ligjeve.

LEXONI  MARREVESHJEN E PLOTE PS-PD, JA CFARE PARASHIKON KODI ZGJEDHOR 2012



(Video: Marreveshja e 2012)

ÇFARE NDODHI DJE NE KUVEND, 11 PRILL 2013


SITUATA E TENSIONUAR NE KUVEND, SHTYHET VOTIMI PER SHKARKIMIN E KOMISIONERIT

Pas 3 orëve pritje të deputetëve nëpër korridoret e Kuvendit dhe në oborrin e Parlamentit, duke kalkuluar votat nëse do miratohej apo jo shkarkimi dhe zëvendësimi i anëtarit të LSI-së , kryetarja e Kuvendit nisi seancën duke lexuar rendin e ditës.

Në të nuk ishte përfshirë votimi i zëvendësimit të anëtarit të LSI-së, i cili u shkarkua dje në komisionin e Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës.

Seanca në Kuvend ishte planifikuar të niste në orën 10:00 por nisi në 13:15.  Gjatë më shumë se 3 orëve pritje jashtë parlamentit deputetët e PS, LSI e PBDNJ, e cilësuan veprimin e Partisë Demokratike antikushtetues dhe në shkelje me ligjin. Kryetari i LSI-së Ilir Meta tha se ishte një sjellje diversante dhe jo politike ndërkohë që kryetari i grupit parlamentar Lefter Koka tha se veprimi tensiononte situatën politike.  

Nga ana e saj Partia Republikane i dorëzoi zyrtarisht kandidaturat për të zëvendësuar Ilirjan Muhon. Ata janë Klement Zguri dhe Patriot Çobo.

Debatet përfshinë dhe KQZ-në, e cila u mbyll pasi anëtarët e propozuar nga PS e PBDNJ u larguan nga mbledhja duke u shprehur kundër këtij veprimi.  Ndërkohë që ambasadori I BE-së dhe OSBE-së u shprehën se do të shqyrtonin veprimin e PD-së.
 
TOPALLI-RUCI PER PERVJETORIN E HOXHES

Kryetarja e Kuvendit gjatë seancës plenare ndërsa ka kërkuar të votohen tre ligjet të cilësuara si të integrimit ka ironizuar opozitën duke rikujtuar përvjetorin e udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Kjo ka sjellë edhe reagimin e kreut te grupit parlamentar Gramoz Ruci i cili e ka cilesuar provokuese sjelljen e kryeparlamentares.

RUCI: NUK MUND TE PROPOZOHET DHE KERKOHET VOTIMI NE KUVEND

Ora 14: 20
Në një prononcim për TVA1REPORT!, kreu i grupit PS-së Gramoz Ruçi shpjegoi arsyet pse kishte kërkuar shtyrjen e votimit.

“Përpjekja e PD është antikushtetuese, antiproceduriale. Nuk mundet, që njëherësh të propozohet dhe kërkohet votimi në Kuvend. Ishte kohë e pamjaftueshme për t’u njohur me kërkesën e PD-së, - tha Ruçi për gazetaren Joniada Koçi, duke shtuar se “ Qëndrimi i PS për anëtarin e KQZ të bëhet publik në seancën e ardhshme plenare”.

BALLA i PS: RUÇI KERKOI SHTYRJEN E VOTIMIT


Ora 13:30
Deputeti i PS-së Taulant Balla tha se kishte qenë vetë kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi që në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve kishte kërkuar të hiqet nga rendi i ditës kjo pikë pasi ishte jashtë çdo rregulli dhe pika ishte futur si artificë në rend të ditës.

SEANCA NIS 3 ORË ME VONËSE, SHTYHET TË HËNËN VOTIMI I ZËVENDËSIMIT TË MUHOS


Ora 13:15
Seanca nis 3 orë me vonesë. Ishte parashikuar të niste në orën 10:00 dhe nisi në orën 13: 15. Në rend të ditës nuk është parashikuar votimi i zëvendësimit të Ilirjan Muhos. Kuvendi shtyu për të hënën votimin.

KADELI DHE DOGJANI ULEN PRANE PD, NACO E KOKA PRANE PS
Dy ish-socialistët Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, ndonëse janë deklaruar si të pavaruar janë ulur pranë deputetëve të djathtë. Nëpërmjet tyre mësohet se ka qenë pikërisht grupi parlamentar socialist, që ka kërkuar spostimin e atyre nga radhët e grupit të majtë. Ndrësa ishin deputetët Lefter Koka dhe Nasip Naço, të cilët u ulën në radhët e fundit të deputetëve të majtë.

NACO, KADELI, DOGJANI
(Në të majtë Kadeli e Dogjani në karriget e PD, në të djathtë Naco e Koka, ne karriget e PS)

NAÇO: PD-JA ËSHTË NË MINORANCË SOT, S’I KA VOTAT


Ora 13:10
Për gazetaren e TVA1 REPORT! Joniada Koçi, deputeti i LSI-së Nasip Naço e quajti antiligjor procesin. "Kërkesa është antiligjore dhe ky proces është i panegociushëm, siç kërkohet edhe nga ndërkomëbëtarët. Marrëveshja është bërë para se të vinim në parlament dhe të gjithë jemi të detyruar të respektojmë ligjin.
Anëtari i KQZ-së nuk mund të barazohet me anëtarët e KZAZ-ëve. Kjo tregon frikë dhe panik në radhët e mazhorancës. Ju e shihni se seanca nuk fillon se PD-ja nuk mund të vazhdojë me deputetë të marrë hua nga PS-ja, pra, s’e ka kuorumin e nevojshëm. Mund të them që ligji po shkelet hapur; minimalisht kërkesa duhet t’i ishte drejtuar Kuvendit nga KQZ-ja, por nuk është bërë . Ky është një rrezik real, që po i kanoset Shqipërisë për ta larguar nga zgjedhje të drejta. Përsa i përket LSI-së, ajo s’mund të bjerë pre e diversioneve dhe të kërkojë që me nje veprim antiligjor të vërë në vend një tjetër antiligjor. Në emër të frikës së pushtetit të nesërme, të shkelet ligji. Sot, siç e shihni, mazhoranca e djeshme është në minorancë."- tha deputeti Naço në një prononcim në oborrin e parlamentit në pritje të fillimit të seancës.

DULE: S’MUND TE NDRYSHOJE KQZ SA HERË TË NDRYSHOJNË ALEANCAT

Ora 13:00
Vangjel Dule i PBDNJ-së tha se “Kemi të bëjmë me një nismë në kundërshtim të hapur e arrogant me Kushtetutën nga ana politike. Një minë me sahat që i vihet sfidës për zgjedhje të lira.
"Përbërja e KQZ nuk mund të ndryshojë sa herë që ndryshojnë aleancat politike.”- tha Dule në një prononcim nga oborri i parlamentit ku deputetët presin të nisë seanca. E pyetur për këtë shtyrje Dule tha  “Më kujton tregjet ambulante. Prej dy orësh e gjysëm duhej të kishte nisur seanca, të gjithë enden korridoreve."

TAHIRI: ATENTAT NDAJ SHTETIT LIGJOR


Ora 12:30
Seanca e cila ishte caktuar për tu nisur në orën 10:00 ende nuk ka nisur. Deputeti Sajmir Tahiri në një prononcim për TV A1 REPORT! tha: "Çështja nuk vjen ne Parlament mbi baza ligjore por morale e politike duke vërtetuar se anëtarët e KQZ nuk janë të pavarur por militantë partie në KQZ. Ku është koncepti i mazhorancës jo i yni. Kjo është shfaqja më e hapur e dhunës së kartonëve. Eshtë procedurë jo kushtetuese, atentat ndaj shtetit ligjor”

KOKA: NDRYSHIMI I KQZ ËSHTË NJË PRECEDENT I RREZIKSHËM


0ra 11:30
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Lefter Koka tha se ndryshimi i KQZ është një precedent i rrezikshëm dhe nëse bëhet zgjedhjet janë në rrezik.
 “Uroj që mazhoranca të ketë qetësinë dhe të mos ngrenjë një tension parazgjedhor. Tensioni është shumë i lartë. Forcat politike janë të tensionuara uroj të mos ndodhë ndonjë gjë e paparashikuar.”- tha Koka në një prononcim në oborrin e parlamentit.

WOLLFARTH E SEQUI: DO E VERIFIKOJME

Ora 11:15
Kreu i prezencës së OSBEsë në Tiranë Eugen Wollfarth, paralajmëron se do të kërkojë sqarim për vendimin që Komisoni i Ligjeve mori për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZsë, Ilirian Muho. “Aspektet
politike varen nga palët politike, por aspektet ligjore duhet të jenë në vëmendje të të gjitha palëve. Duhet të shohim bazën ligjore me të cilën është marrë një vendim i tillë. Do të kërkojmë edhe një sqarim,
sigurisht që kjo kërkon kohë dhe për këtë arsye çdo vendim duhet të merret me kujdes të madh dhe konsensus”, tha ambasadori Wollfarth. Për ambasadorin e BE-së Ettore, Sequi është herët për të folur
për vendimin e Komisionit të Ligjeve, i cili miratoi lirimin nga detyra të anëtarit të LSIsë nga KQZ.

META: SJELLJA E PD, DIVERSANTE, OLLDASHI: GJYKIM PREJ PAL MELYSHI


Ora 11:00
Kryetari i LSI-së Ilir Meta e quajti lëvizjen e PD-së një “sjellje prej diversanti jo prej politikanësh". Deklarata u bë  para se të niste seanca parlamentare.

“Nuk ka lidhje me ligjshmerine dhe as me kushtetueshmerine. Ne kemi një sjellje prej diversantësh ne politike. Kemi një sjellje prej diversantësh, jo prej ligjvënësish, jo prej politikanësh, jo prej njerëzish të përgjegjshëm, ky është shqetësimi. Të tjerat do të zgjidhen patjetër më 23 qershor”- tha Meta në një prononcim për gazetarët.

I menjëhershëm erdhi reagimi i Partisë Demokratike, i cili përmes deputetit dhe ministrit Sokol Olldashi deklaroi se “dikush tha sot se PD ka sjellje politike prej diversanti. Çudi e madhe. Duket si gjykim prej Pal Melyshi”, tha Olldashi pas qëndrimit të Metës.

Ora 10:10 PS  MBLEDH GRUPIN PS: DO VOTOJME KUNDER

Partia Socialiste mblodhi grupin parlamentar. Burime nga PS thanë se deputetët socialistë do të votojnë kundër largimit të Ilirjan Muhos nga KQZ

PR DOREZON KANDIDATURAT

Nëpërmjet një kërkese zyrtare dorëzuar Kuvendit, Partia Republikane propozoi dy kandidaturat për të propozuar për anëtar të KQZ. Ajo ka propozuar Klement Zgurin, i cili ka qenë anëtar i propozuar nga PR edhe në 2009 si dhe Patriot Çobon.

Deputeti i vetëm i PR në Kuvend, Fatmir Mediu kërkonte zbatimin e Kodit Zgjedhor. “Partia Republikane si parti pjesëmarrëse në grupimin e shumicës parlamentare bazuar në nenin 14, të Ligjit nr. 10019, dt. 29.12.2008, i ndryshuar "Kodi Zgjedhjor i Republikës së Shqipërisë".

Unë si deputet i Republikës së Shqipërisë, në emër të Partisë Republikane paraqes kandidaturat për fazën e përzgjedhjes të një anëtari të KQZ-së si më poshtë vijon: KlementZguri dhe Patriot Çobo. Kandidaturat e mësipërme plotësojnë kushtet e kërkuara nga neni 12 i Kodit Zgjedhor”, thuhet në kërkesën e depozituar nga kreu i PR, Fatmir Mediu, shkruante sot në mëngjes gazeta "Shqiptarja.com" (print).

DJE KOMISIONI SEANCA DËGJIMORE ME ZGURIN E ÇOBON PA PRANINE E PS
Pas miratimit me shumicën e votave të PD në Komisionin e Ligjeve të kërkesë së PR, dje pa praninë e opozitës, e cila u largua, komisioni realizoi seancë dëgjimore me dy propozimet e PR për anëtar të KQZ. Klement Zguri dhe Petrit Çobo gjatë fjalës së tyre paraqitën shkurtimisht të dhëna mbi CV-të e tyre. “Kam 21 vite kontakt me procesin zgjedhor.

Kam mbaruar fakultetin juridik. Kam një eksperiencë që e favorizon kandidaturën time. 97-98, kryetar bashkie”, tha Zguri. “Për mua është respekt dhe nder të paraqitem si kandidaturë në KQZ. Mbi 38 vjet kam në adminstratën shtetërore, kam qenë për disa vite në agjencinë e pronave, në drejtorinë e burgjeve si shef juridik. Tek Mjedisi, si drejtor i peshkimit”, tha Çoba.
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!