Vlerësohet se së paku 20 mijë shqiptarë të Luginës së Preshevës janë të pajisur me letërnjoftime të Republikës së Kosovës, pra të shtetit pjesë e të cilit janë ndjerë përherë. Shumë prej tyre janë vendosur këndej nga zullumi i shtetit nën të cilin janë zyrtarisht.

Njoh disa që kanë ikur nga ato vise pasi kishin marrë ftesa për t’u rekrutuar në ushtrinë serbe për të luftuar kundër fuqisë më të madhe ushtarake – NATO-s, por edhe kundër vëllezërve të tyre në Kosovë. Për shkak të etnisë së tyre, shumë të tjerë janë përndjekur, po ashtu, në pranverën e vitit 1999, nga forcat serbe, të cilat po realizonin planin e qeverisë së tyre për pastrimin etnik.

Edhe shumë të tjerë kanë dalë këndej pas tensioneve në atë që quhej Kosova Lindore, por që nën influencën e medieve ndërkombëtare, që nga konflikti mes UÇPMB-së dhe forcave serbe, po quhet Lugina e Preshevës.

Ka edhe të tjerë që janë vendosur brenda kufijve zyrtarë të Kosovës për studime, biznes, apo thjeshtë nga frika se për shkak të ndonjë aktiviteti të tyre një natë, teksa janë në gjumin më të mirë, shtëpia do t’u mbushej me policë e xhandarë serbë. Diç që nuk ka ndodhur rrallë.

Mirëpo, pas zbutjes së Beogradit, sidomos pas miratimit të Ligjit për Amnisti, shqiptarët e atjeshëm filluan të ktheheshin më lirshëm në shtëpitë e trojet e tyre, por pa harruar asnjëherë shtëpinë e dytë këndej.

E, me kalimin e kohës, ata filluan të bëhen viktimë e do veprimeve të qeverisë në Prishtinë, e cila bëhej sikur po i kundërvihej, diçka si masë reciprociteti, qeverisë së Beogradit.

Qeveria kosovare vendosi taksë për çdo automjet me tabela serbe që hynte në Kosovë. Taksë që u pagua vetëm nga shqiptarët e Luginës sa herë që hynë këtej. Taksa e njëjtë për veturat nuk vlejti edhe për serbët, të cilët hynin e dilnin sa herë donin nga pikat kufitare në veri.

Këto taksa ndikuan që shqiptarët e atjeshëm të rrallonin shkuarje-ardhjet. Sa për sqarim, për një veturë të thjeshtë, qytetarët që duhej të hynin në territorin e Kosovës duhej të paguanin nga 20 euro për një javë.

Një mik, që veç gjumin e bën andej, sepse punën dhe gjithçka tjetër i ka këtej, më ka treguar se i ka faturat që ka paguar mbi 600 euro. Po ta shfrytëzonte gjithherë veturën, me siguri shuma do të ishte edhe dy herë më e lartë.

Dhe, të premten, qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi ka marrë vendim për heqjen e taksave për veturat në vendkalimet kufitare për qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kur hyjnë në territorin e Kosovës. Këtë vendim e ka marrë pasi prej po të njëjtëve ka vjelë hiç më pak se 25 milionë euro brenda një periudhe më pak se dyvjeçare.

Por ç’e shtyri, a thua, Hashim Thaçin, gardianin e vetëshpallur të interesave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, që ta marrë këtë vendim? Pse mu tani ai do të bëhet i mirë për shqiptarët e Luginës? Për patriotizëm? Nëse po, pse pranoi që në fillim t’u vihej kjo taksë këtyre bashkëpatriotëve?

Sido që të jetë, vendimi i marrë në këtë kohë, të fushatës zgjedhore pra, nuk të lë shumë shtigje për të kuptuar qëllimet. Por, a mund të jetë aq naiv shefi i qeverisë e të shpresojë që për këtë “të mirë” do të shpërblehet me votat e mijëra luginasve, të cilat mund të jenë me peshë vendimtare në komunat e rajonit të Anamoravës?

Gjithçka është e mundur. Nuk është çudi që ata ta hanë karremin. Të blihen për një taksë, të cilën e kanë paguar pa meritë. Dhe të bien pre e logjikës së hajdutit: “Pasi ua morëm paratë, tash duhet t’ua marrim votat”. Prandaj, vërtetë gjithçka është e mundur. Sepse po jetojmë në kohë të çudirave. Sa e mirë kjo thënie antologjike: “Ç'pret nga një botë, ku i mashtruari turpërohet më shumë se mashtruesi”.