Përse e duan median persona
që kanë probleme me Drejtësinë?

Në Shkodër operojnë katër televizione private. Ka qenë viti 1997, kur u çelën dy të parët. Asnjë nga pronarët e tyre nuk ishte qytetar shkodran i origjinës. Për të bërë të ditur thjesht se sa ndikon figura e pronarit të medias në performancën profesionale të saj, vlen një kuriozitet domethënës që i takon stafit të një prej televizioneve të parë në kryeqendrën veriore në vitin e trazirave 1997.

Aksioneri kryesor i tij u gdhi si biznesmen pas përmbysjes së vitit ‘90 falë lidhjeve me pjesën më të errët të ish-nomenklaturës, e cila, në atë periudhë, humbjen e pushtetit politik synoi ta kompensojë me fitimin e pushtetit ekonomik. Por “biznesmeni” në fjalë, tashmë pronar televizioni, në atë kohë vijoi zanatin e vjetër, atë të mashtruesit.

Si pasojë u dënua dy herë. Herën e parë shpëtoi në 1997-ën dhe të dytën u dënua përsëri për mashtrim me katër vjet burg (ndoshta më shumë, por aq ndenji brenda - A.L.) në vitet 2001-2005. Kishte mashtruar  qytetarët me viza, duke u hequr si përfaqësues i Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe se do t’i çonte ata në SHBA por – vini re - pasi të shkelnin së pari në Kubë(!) Sinjalizimi në atë kohë i pat shkuar Prokurorisë në formë proteste dhe indinjate nga vetë Ambasada e SHBA-së në Tiranë, pas investigimit të FBI-së.

Ishte periudha kur në krye të kësaj Ambasade ishte i ndjeri Limpreht. Aktualisht, ky person vijon përsëri zanatin e tij të vjetër, atë të mashtruesit ordiner, në një ambjent shumë të papërshtatshëm për sojin e tij, pra përsëri në Tiranë. Në bazë të informacioneve konfidenciale të fundit, ai do të jetë edhe objekt hetimi në procesin e vettingut nga Byroja Speciale e Hetimit (SPAK), kësaj radhe për ta fundosur përfundimisht me këdo tjetër që ka guxuar përsëri të kruhet.  

Në televizionin e këtij të fundit u patën gdhirë befas si gazetarë dhe kameramanë edhe ish-kuzhinierë, mekanikë, llamarinistë dhe barinj. Vetëm pak muaj pas çeljes së këtij televizioni, ky person, të cilin nuk e lidhte asgjë me median, u largua me pahir nga Shkodra sepse stafi u shthur për arsye që merren me mend dhe ai vetë nuk paguante dot as qiranë e banesës(!) Jo vetëm stafi i atëhershëm, por edhe opinioni qytetar i Shkodrës e di mirë këtë histori të televizionit që ai krijoi në periudhën 1997-98.

Në kushtet kur çdo lloj pronari lejohet të hapë një televizion privat, edhe pa kurrfarë kriteri profesional, pronarë të tjerë mediash televizive në Shkodër kanë vënë në objektiv të punës së tyre “mediatike” fitimin nëpërmjet njoftimeve të vdekjeve dhe porosive të këngëve tallava, duke bastarduar kështu edhe shijet e publikut, sidomos të gjeneratës së re. Gjë, së cilës ia kanë arritur në një masë të konsiderueshmë tashmë pas dy dekadash…

Për të ilustruar gabimet dhe gafat e tmerrshme në hartimin e teksteve, jo vetëm të informacioneve të lajmeve por edhe të emisioneve të ndryshme me karakter historik, edukativ, politik, sportiv etj., mjafton që të komunikosh edhe me një qytetar me formim të mesëm dhe vërejtjet më të përsëritura do të jenë: mungesa e theksuar e memories dhe e lidhjes së lajmit me ngjarje, data, personazhe dhe tradita të këtij qyteti, nga gazetarë të paformuar dhe mediokër, apo studentë gazetarie, që vijnë edhe nga rrethet e tjera e që nuk kanë fare njohuri për këtë terren, jo të lehtë për gazetari. E natyrisht, që të gjithë në mëshirën e pagave qesharake dhe diskriminuese.

Po citoj fjalë për fjalë ato që më tha një i njohur kohët e fundit. Ishte takuar me një titullar institucioni dhe i ishte ankuar se kishin punësuar pa konkurs një person të paaftë, në një kohë që ai kishte shumë vite pune eksperiencë për atë vend pune. Titullari i kishte shprehur keqardhjen dhe i ishte betuar se kishte bërë njoftim publik në dy nga televizionet lokale të Shkodrës dhe se kishte pasur vetëm një candidature: atë që ishte shpallur fituese pa hyrë në “ring”.

“Ti po e pohon me gojën tënde se ke luajtur teatër. Kush i ndjek televizionet lokale në Shkodër, meqë e paske vendosur pikërisht atje njoftimin ?! Ti je vetë shkodran dhe e di fort mirë këtë. Pse nuk thua se ke emëruar atë militant që ke dashur dhe, për të qenë në rregull, i ke çuar njoftimet te askushi?”, iu përgjigj bashkëfolësi me indinjatë falsitetit dhe hipokrizisë së titullarit partiak. 

**) Autori është Koordinator Rajonal i Veriut pranë Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

KE
Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja.com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian

dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis