Pagat e reja për administratën
ndryshimet e bëra nga qeveria

Pagat e reja për administratën<br />ndryshimet e bëra nga qeveria
TIRANE - Pas publikimit për rritjen e pagave në forcat e armatosura, Polici e SHISH, dje është realizuar edhe botimi i radhës për ndryshimin e pagesës mujore për punonjësit e administratës qendrore e vendore shtetërore, duke bërë të mundur hyrjen në fuqi të vendimit përkatës të qeverisë Berisha.

Në Vendim nuk ka ndryshim paga e zëvendësministrit të të gjitha dikastereve të Ekzekutivit shqiptar, që ka qenë e mbetet 140 mijë lekë në muaj, ose 1.000 euro. Po kështu, edhe zyrtarët që marrin të njejtën pagë me ta nuk gëzojnë rritje të saj. Fjala është për kategori të tilla, si këshilltari i presidentit të Republikës apo kryeministrit e kryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të KQZ-së, por edhe zëdhënësin e presidentit, këshilltarët për protokollin e dy VIP-ave të shtetit, etj.

Ndërkohë, paga e kategorisë I-a të nëpunësit civil, pa shtesat e vjetërsisë në punë, që janë të ndryshme për persona të ndryshëm, apo shtesat për postin konkret, kalon nga 128 mijë lekë, në 128.500 lekë në muaj. Për kategoritë më të ulta të nëpunësit kjo rritje shkon edhe 1.500 lekë më shumë.

Rritja prej 5.000 lekësh të vjetra në pagë vendoset edhe për prefektin e qarkut të Tiranës dhe atë të çdo qarku tjetër dhe po kjo rritje caktohet edhe për pagat e nënprefektëve të të gjithë rretheve. Konkretisht, tani e tutje prefekti i Tiranës do të paguhet me 118.500 lekë në muaj, nga 118 mijë që merrte më parë, 110.500 lekë do të marrë prefekti në çdo qark tjetër të vendit.

Paga e një sekretari të presidentit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, kryetarit të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, zëvendëskryeministrit apo Avokatit të Popullit do të jetë 70 mijë lekë, me rritje 10 mijë lekë të vjetra, nga 69.000 që ishte deri tani. Kurse sekretari i ministrit apo i titullarit të një institucioni të pavarur do të paguhet me 59 mijë lekë në muaj, nga 57.700 lekë që merrte deri tani, me një rritje në masën 2.3 për qind.

Kryetarit të Akademisë së Shkencave nuk do t’i akordohet rritje page, ashtu si edhe zëvendësit të tij apo sekretarit shkencor të Akademisë. Kreu i këtij institucioni do të paguhet me 174.760 lekë në muaj, si më parë. Ndërkohë, paga e një profesori do të bëhet 110 mijë lekë, nga 108 mijë që ishte deri tani. Për profesorin e asociuar paga mujore shkon në 96 mijë lekë, nga 94 mijë, me rritje prej 2 përqindësh.

Më 24 korrik, kur janë miratuar nga qeveria këto vendime për rritjen përkatëse të pagave për kategoritë e ndryshme të nëpunësve të administratës publike, kryeministri në ikje, Sali Berisha, deklaroi se “ato janë në zotimin tonë për rritje rrogash dhe pensionesh. Ne e kemi bërë këtë rritje për 7 vite me radhë, nga viti 2006 e deri më sot dhe do ta bëjmë sa herë të jemi në pushtet. Kjo është filozofia jonë”, tha Berisha. Ndërkohë, eksponentë politikë të krahut kundërshtar, që ka dalë fitimtar në zgjedhjet parlamentare, kanë hedhur hijen e dyshimit për arsyet e vërtëta të rritjes së pagave e pensioneve, në një kohë kur borxhi publik është rritur tej çdo kuote logjike. Sipas tyre, fjala është për rritje qesharake për xhepin e punonjësve shtetërorë, por që rëndojnë më tej deficitin buxhetor në total, në një kohë që edhe ndërkombëtarët sugjerojnë shkurtim të shpenzimeve operative.
 
Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.03.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN