Pa distancë, pamje e frikshme nga tubimi i shoqatës së transportit! Protestuesit: Duam pagë shtesë! Tensione me policinë, procedohen penalisht 7 persona

TIRANË- Shtimi i rasteve të reja me koronavirus në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, nuk ka sjellë ndërgjegjësimin e qytetarëve.

Ditën e sotme pamje të frikshme vijnë nga Tiranë, pranë Ministrisë së Infrastruktuës në protestën e shoqatave të transportit publik. Për shkak të shiut, ato janë grumbulluar në një strehë të një qendre tregtare, ngjitur me njëri- tjetrin, pa masa mbrojtëse e as nuk diskutohet mbajtja e distancimit fizik. Ata kërkojnë një pagë shtesë, pasi 40 mijë lekëshi është i pamjaftueshëm.

"Po kërkojmë bukën e kalamajvë, asgjë tjetër". Çfarë mund të bëhet me 100 mijë lekë"

"Do dalin më protestë çdo ditë. U hap avioni  full opsion, por ne?", shprehen një pjesë e protestuesve.

Edhe pse kryeministri Edi Rama, ka paralajmëruar ditën e djeshme se nuk do të lejohen grumbullimet e njerëzve, protestuesit shprehen se do të vijojnë protestat deri sa të realizohen kërkesat e tyre. Policia u ka bërë thirrje që të shpërndahen, në të kundërtën do shoqërohen në Komisariat, por ato shprehen se askush nuk do të lëvizë.

"Është e paligjshme. Duhet të shpërndahemi ose do shoqëroheni në komisariat nëse nuk shpërndaheni vetë", thotë policia. Thirrjet e policisë për t'u shpërndarë, nuk kaluan pa tensione mes tyre dhe protestuesve. Pas këtij momentin policia ka shoqëruar në komisariat 4 prej protestuesve, duke bërë që punonjësit e sektorit të transportit publik të jenë të parët që ndëshkohen për shkelje të distancimit social pas paralajmërimit të kryeministrit një ditë më parë.

Transporti publik u mbyll më 12 mars për të ndalur përhapjen e COVID-19. Nga qeveria u vendos fillimisht që ky shërbim të hapej me 15 qershor, por kjo nuk ndodhi dhe u shty më një javë për shkak të rritjes së shifrave alarmante me COVID në vendin tonë. Shoqata e Transportit kërkon plotësimin e disa prej kërkesave, në të kundërt nuk rifillojnë aktivitetin e tyre.

Kërkesat e Shoqatës së Transportit
1- Të hiqet akciza për naftës dhe taksave për karburantin si sektori i peshkimit.
2- Të ulet TVSH-ja nga 2% në 0% për këtë vit dhe më pas në vitin e ardhshëm të jetë 6%.
3-Rimbursimin e kapacitetit të munguar si pasojë e masave kufizuese.
4- Rimbursimin në burim i kategorive të cilat përfitojnë transport falas
5-Dje iu shtua dhe kërkesa e pagesës shtesë për shtyrjen me një javë të hapjes së shërbimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:27
'Jo më grumbullime', 11 të proceduar penalisht gjatë dy tubimeve në Tiranë! 7 nga Shoqata e Transportit, 4 nga protesta e studentëve

Tubimet e grumbullimet ndalohen me ligj për shkak të pandemisë dhe kjo u theksua me nota të larta edhe në deklaratën e djeshme të Kryeministrit Rama se grumbullimet nuk do të lejohen më, në të kundërt do të merren masa. Kjo ka bërë që policia e Tiranës të jetë më e rreptë në marrjen e masave të nevojshme.

Gjatë ditës së sotme policia ka proceduar 11 persona, pikërisht për organizim të paligjshëm të këtyre tubime në Tiranë, ku njëra ishte e Shoqatës së Transportit publik para Ministrisë së Infrastrukturës dhe një tjetër tubim ishte nga disa studentë para Ministrisë së Arsimit për uljen e tarifave të studimit.

11 të proceduarit akuzohen se kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e institucioneve, aq me tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet.

Gjatë protestës së Shoqatës së Transportit Publik, të cilët kanë kërkuar rihapjen  këtij shërbimi dhe pagë ekstra për shtyrjen e saj,  policia e Tiranës ka proceduar penalisht 7 persona si organizatorë të tubimit tek Ministria e Infrastrukturës.

Ndërsa një grup studentësh protestuan para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duke kërkuar uljen e tarifave të studimit dhe si rezultat i kësaj janë proceduar penalisht 4 të tjerë si organizatorë të tubimit.

Policia njofton se në të dyja tubimet "para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimet, ka bërë thirrje me megafon që protestuesit të shpërndahen, të mbajnë distancë sociale nga punonjësit e Policisë dhe nga njëri-tjetri, duke i paralajmëruar se në rast mosbindje, do të ndërhyjë në bazë të ligjit".

Materialet për këto ngjarje do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, në ngarkim të 11 personave të identifikuar si organizatorë, për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.

Ora 15:29
Ministria: Deklaratat e kompanive të transportit konfuze! Qeveria ia ka hequr të gjitha taksat për këtë vit

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka konsideruar si konfuze deklaratat e disa kompanive të transportit publik, të cilat sot dolën sërish në protesta. Nëpërmjet një reagimi për media, MIE thotë se kur Qeveria vendosi rinisjen e transportit publik, këta përfaqësues deklaruan se nuk do të nisnin punën në shenjë proteste, ndërsa sot ata kanë dalë me një kërkesë tjetër, për hapjen e transportit dhe nisjen e punës. Sipas ministrisë, tagrin për hapjen e transportit e ka Komiteti Teknik i Ekspertëve.

"Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dëshiron të sqarojë opinionin publik se, në kushtet e situatës së emergjencës shëndetësore në vend, hapja e transportit publik nuk është në tagrin as të MIE dhe aq më pak të kompanive të transportit, por vetëm të Komitetit Teknik të Ekspertëve, pasi Qeveria Shqiptare vlerëson se jeta dhe shëndeti i qytetarëve vlen më shumë se çdo interes tjetër.  Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur shtyrjen me një javë të hapjes së Transportit Publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike, nisur nga shtimi i rasteve të të prekurve me COVID-19", thuhet në njoftim.

Ministria thotë se qeveria shqiptare ka marrë dy vendime të rëndësishme. E para njohjen si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit. E dyta është vendosur heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020.

Deklarata e plotë
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është njohur me deklaratat konfuze të bëra nga përfaqësuesit e disa kompanive të transportit publik. Një javë më parë, kur Qeveria vendosi rinisjen e transportit publik, këta përfaqësues deklaruan se nuk do të nisnin punën në shenjë proteste,ndërsa sot ata kanë dalë me një kërkesë tjetër, për hapjen e transportit dhe nisjen e punës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dëshiron të sqarojë opinionin publik se, në kushtet e situatës së emergjencës shëndetësore në vend, hapja e transportit publik nuk është në tagrin as të MIE dhe aq më pak të kompanive të transportit, por vetëm të Komitetit Teknik të Ekspertëve, pasi Qeveria Shqiptare vlerëson se jeta dhe shëndeti i qytetarëve vlen më shumë se çdo interes tjetër.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur shtyrjen me një javë të hapjes së Transportit Publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike, nisur nga shtimi i rasteve të të prekurve me COVID-19.

Në funksion të mbështetjes së sektorit të transportit publik, ashtu sikurse është vepruar edhe me sektorët e tjerë të prekur nga masat parandaluese të COVID-19, Qeveria Shqiptare ka marrë tashmë vendime mjaft të rëndësishme si:

·        Njohja si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit;

·        Heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vazhdon përpjekjet e saj për të gjetur forma dhe mundësi për mbështetjen e sektorit të transportit publik dhe çdo nismë e re do të bëhet publike në momentin më të parë të mundshëm.

Nga ana tjetër MIE shpreh gadishmërinë e plotë për të mbështetur nisjen e veprimtarisë së transportit publik, menjëherë sapo të gjykohet e mundur nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe ju bën thirrje përfaqësuesve të kompanive të Transportit Publik, të distancohen nga disa individë në radhët e tyre, të cilët ditët e fundit kanë ushtruar dhunë dhe presion deri edhe ndaj përfaqësuesve të shoqatave të Transportit Publik.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisëështë duke përgatitur një reformë të thellë strukturore në sektorin e Transportit Publik, e cila synon nga njëra anë të formalizojë plotësisht këtë sektor dhe nga ana tjetër të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët. Kjo reformë do të prezantohet në fund të muajit shtator të këtij viti dhe do të nisë nga implementimi në janar të vitit 2021.

Ora 12:25
Tensionet me Policinë/ Shoqërohen në komisariat 4 protestues të Shoqatës së Transportit

4 protestues nga Shoqata e Transportit janë shoqëruar në Polici. Uniformat blu u kanë bërë thirrje që të shpërndahen në shtëpi, por kjo jo vetëm nuk ka ndodhur, por ka pasur edhe tension mes protestuesve dhe uniformave blu.

Ora 12:00
'Shërndahuni'/ Tension mes policisë dhe protestuese të shoqatës së Transportit: Duam pagë shtesë, 40-mijë lekëshi s'na del për bukë (VIDEO)

Tension mes policisë dhe protestuese të shoqatës së Transportit. Policia u ka bërë thirrje që të shpërndahen, por një urdhri të tillë, protestuesit nuk u janë bindur.Ata kërkojnë një paketë të dytë, një pagë të dytë lufte pasi sipas tyre, ky aktivitet ka qenë më i godituri nga mbyllja për shkak të COVID-it. 

Ora 11:48
'Sa lekë i mbetet Turit?'/ Shoqata e transportit kopjon pyetjen e famshme të 'Letërsisë': Paga e luftës e pamjaftueshme

Në protestën e Shoqatës së Transportit nuk kanë munguar pankartat e protestuesve, mes të cilave nuk kanë munguar edhe notat ironike. Në një prej pankartave, protestuesit kanë sjellë një version tjetër të pyetjes së famshme të provimit të letërsisë së maturantëve "Çfarë bëri Turi". Ato e kanë shndërruat në një tjetër version "Sa lekë i mbetet Turit", me anë të së cilës kërkojnë që të nxjerrin në pah që paka e luftës prej 40 mijë lekësh është e pamjaftueshme.

"40 000 mijë lekë paga e luftës

Drita= 18 000

Ujë 6 000

Bukë e thatë=10 000

Sa lekë i mbetet Turit?", shkruhet në pankartë.

Ora 11:30
Protesta e Shoqatës së Transportit zhvendoset te ministria e Financave (VIDEO)

Protesta e Shoqatës së Transportit është zhvendosur te ministria e Financave. Ato vijojnë të rezistojnë, pavarësisht thirrjeve të policisë për t'u shpërndarë. duke thënë se nuk do të ndalin protestat deri në realizimin e kërkesave të tyre.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Rondi: 17/06/2020 17:32

    Meqe po flasim per transport.une si qytetar i bej kerkese qeverise te pergjysmoje per vitin 2020,taksen e qarkullimit dhe siguracionin e automjeteve.per gati 4 muaj nuk kemi qarkulluar ose kemi qarkulluar ne menyre shume te kufizuar me mjetet tona motorrike.si rrjedhim nuk me duket e drejte qe keto tarifa ti paguajme te plota.Ne kete menyre ndihmohet edhe bisnesi,pasi parate e kursyera perdoren per mallra konsumi duke shtuar keshtu fuqine blerese. Respekte..

    Përgjigju
  • liku: 17/06/2020 17:22

    Per pagen e luftes mire bejne qe protestojne por autobuzet urbane nuk mund te qarkullojne mbushur mbushur me njerez si sardele

    Përgjigju
  • Hodo: 17/06/2020 13:33

    Turi paguan 180 mije leke drita,Turi qenka genjeshtar i madh.

    Përgjigju
  • Tirona: 17/06/2020 13:06

    Protestuesat mire bojne, qe pagen e "Luftes" po kerkojne, po ne Lufte me Flamurin Kuq e Zi te djegur nuk mund te shkosh....

    Përgjigju
  • Protestues: 17/06/2020 11:41

    PD duhet tu shperndaje maska fal PROTESTUESVE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave