Panairi i ‘Çmimeve inkurajuese’

Panairi i ‘Çmimeve inkurajuese’

Panairi i 21-të i librit “Tirana 2018” ka disa ditë që i mbylli ditët e tij, por kjo s’do të thotë që s’duhet folur për të. Me Festën e bukur të Librit shfaqen edhe shumë dukuri, disa janë përmirësuar, disa të tjera janë përsëritur, e disa të tjera kanë pësuar regres. Gjithsesi edhe ky Panair mbetet në kujtesë se libri duhet shfletuar dhe lexuar. Se duhet rendur drejt tij për të njohur dijet, të fshehtat, sekretet dhe çuditë e tij, si dhe kohën e shkrimtarëve.

 Juria dha dhe çmimet, si një ritual i përvitshëm i saj dhe i Panairit. Gjithsesi, edhe dhënia e çmimeve është një tregues, që na bën të mendojmë për problematikat, arritjet dhe mosarritjet e letërsisë. Kështu, juria dha një çmim karriere, një çmim për krijimtari origjinale, një për përkthim, tre çmime inkurajues dhe një special. Duke pasur përparësi çmimi inkurajues, sipas jurisë, vlerat e librave të paraqitura në këtë Panair ofronin te çmimi inkurajues. Pra, arritjet e letërsisë, aktualisht, janë në stadin e çmimit inkurajues. Po mendoj se, këto libra që fituan trofetë e çmimeve do të bëhen objekt shqyrtimi në të ardhmen e afërt ose të largët. Por jam mosbesues se na mungojnë studiuesit e kritikët e letërsisë bashkëkohore, e për rrjedhojë edhe këto libra do të kalojnë në heshtje si shumë të tjerë, por… në kujtesë me një vlerësim jurie. Dhe procesi letrar i shqipes do të vazhdojë të mos ketë njohje të plotë.

Ndonëse nata e parë qe pakëz e rrëmujshme, nuk mund të mos shquash sytë kuriozë të lexuesve të moshave të ndryshme, blerësit, këmbëngulësit për të blerë qoftë edhe një libër, bukinistët, dashamirësit, mosblerësit dhe pamundësitë e blerësve për arsye çmimi, që në shumë raste ishte i lartë. Dhe, vetë, stendat nuk ishin pa njerëz dhe pa pyetje. Dhe një nga pyetjet që i bëra vetes ishte se, cilat ishin të rejat e Panairit? Do të thoja, në vija të përgjithshme, Panairi i sivjetëm kishte pothuajse të njëjtën fytyrë si i një viti më parë. Në formë po, por edhe në disa disa dukuri të përmbajtjes. Po mundohem t’i analizoj.

Së pari, letërsia shqipe për fëmijë u paraqit më e tkurrur se një vit më parë. Nuk paraqiste prurje cilësore. Të pakët ishin autorët pjesëmarrës. Premtonin me librat e tyre autorë,  si: Rovena Rrozhani e Xhulio Fierzaj. Por kishte edhe libra të tjerë me vlerë si: “Planeti i buzëqeshjes i buzëqeshjes” (poezi për fëmijë e të rinj) të autorit nga Kosova, Avdush Canaj, libri me studime “Sfidat estetike të letërsisë për fëmijë” (Nga letërsia e sotme shqipe për fëmijë) të studiuesit Prend Buzhala, për të cilët edhe mund t’u jepej çmim. Ndoshta nuk kanë rënë në “sy” të jurisë…

Së dyti, po për letërsinë shqipe për fëmijë, tkurrjen e saj e shoh edhe në raport me botimet nga letërsia e huaj për fëmijë. Nga Panairi i vjetshëm, sivjet kishte më vërshim, në të dytën. Doemos, njohja me krijimtarinë e autorëve botërorë dhe me modelet e tyre letrare është një vlerë dhe letërsia shqipe për fëmijë ka nevojë për këto vlera. Për këtë guxim botimesh vlen të vlerësohet Shtëpia Botuese “Dituria”. Librat e botuar paraqesin jo vetëm interes, por edhe një përgjegjësi në përkthim. Por… duhet menduar edhe për letërsinë shqipe për fëmijë, për letërsinë e rrënjëve dhe të identitetit, që ajo një ditë të mos kthehet një ditë… në kujtesë. E, në këtë hulli, dua të përgëzoj përpjekjet e mira të Shtëpisë Botuese Albas, e cila me serinë “Unë quhem…” i jep letërsisë shqipe për fëmijë edhe dimension historik, kulturor dhe shenja vlerash të modeleve historike që kanë dhënë kontribute në fusha të ndryshme, fusha që duhen njohur, që duhen kujtuar dhe marrë si shembull. Duhet njohur tradita, në fund të fundit. Në këto kërkime e parafytyra të reja që bën kjo shtëpi botuese duhet të bëjnë përpjekje edhe shtëpitë e tjera botuese, pa u cënuar profilet e tyre botuese. Pak e pamë këtë dukuri kërkimi në këtë panair.

Së treti, po vazhdoj përsëri për letërsinë për fëmijë, kësaj radhe për parashkollorët. Shumë botime kishte për këtë moshë. Dhe interesante. Por po t’i shfletosh faqet e saj, do të vëresh se pak mbartin vlera , të cilat janë të kërkuara për këtë moshë. Biznesi, në këtë rast i ka mundur vlerat.

Së katërti, e quaj të rëndësishme një raport që ende e vuan ‘gjeografia e letërsiëë’ nga pikëpamja e hapësirës letrare, si ajo: njohja e mosnjohja e letërsisë shqipe dhe e shkruara bashkëkohore, përtej kufijve shtërorë. E kam fjalën, dhe që ishte risi e panairit, për librin “Poema arbëreshe” të Zef Skiro Di Maxha, poema që shquhen për kodet, rrëfimin e qashtër e poetikën e ëmbël shqipe në këndvështrimin e motivit. Ky zgjerim i hapësirës letrare shqipe duhet të mbetet një objektiv edhe për botuesit e tjerë. Letërsia shqipe e ka të nevojshme plotësimin dhe thellimin e portretit të saj. Shembulli i shtëpisë botuese OMBRA GVG mbetet udhërrëfyese.

Së pesti, librat e paraqitura në panair (dhe flas për librat që përmbajnë vlera), sa do të jenë të pranishëm në bibliotekat e shkollave, në fjalën e mësuesit, në shkrimet e studimet e kritikëve? Kjo mbetet për t’u parë, por është e nevojshme një prani e tillë e librit. Domosdoshmëri, do të thosha. Harresa dhe kujtesa e librit shqip mbetet një raport problemor që i duhet dhënë rrugë mbarësie.

Së gjashti, Panairi me dritat dhe hijet e tij, mbetet në vetvete një vatër e rëndësishme e njohjes, leximit dhe studimit të librit, aq i nevojshëm për ne shqiptarët, pasi në këtë aspekt e marrëdhënie ende kemi probleme, ngërçe e shtigje të pazbuluara. Panairi, në mes shumë vlerave pati edhe një vlerë, atë të një “leximi njohës” të të gjithë atyre që e vizitituan. Kjo nuk është pak.  Çdo shikim i tyre, çdo prekje e librit, çdo qëndrim estetik, çdo fjalë e thënë, në vetvete është një komunikim, është mbresë dhe rikthim përsëri tek Panairi, ndoshta për të blerë librin që i ka mbetur në mendje…

Së shtati, Panairi duhet njohur… për të përcaktuar vizionet e së nesërmes.      

Shkodër, nëntor 2018

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite