Ndërkohë që ende diskutohet për dy levrekët që bënë të shpërthejë marrëzia e Mihal Kokëdhimës ndaj një grupi turistësh spanjollë, kronika na çon në disa pika ujë që rridhnin nga një kondicioner, të cilat ishin shkaku i vrasjes së punëtorit të ri Indrit Çelaj. Vrasësit janë dy vëllezër, Griseldo dhe Albano Kusi, djemtë e pronarit të shtëpisë ku punëtori po montonte kondicionerin, i cili, për fat të keq të tij, pikonte.

Nëse Mihali do të kishte patur një pistoletë, ndoshta do t’i kishte vrarë spanjollët, pikërisht ashtu sikurse Griseldo dhe Albano vranë punëtorin. A do të ishte i nxehti ekstrem i këtyre ditëve shpjegimi për reagimin e çmendur të shumë Mihalëve, Griseldove dhe Albanove, të cilët rrezikojmë t’i hasim përballë çdo ditë pa e ditur?

Jo, nuk faji i vapës. Faji është i një kulture të dhunës, që është bërë pjesë e gjuhës së përditshme dhe brenda së cilës jemi zhytur 24 orë në ditë. Faji është i abuzimit që bëjmë me fjalët, të cilave iu japim më shumë peshë se sa meritojnë.

Faji është i politikës, e cila, e verbuar nga urrejtja njësoj si Mihali, si Griseldo, si Albano, përpiqet të asgjësojë kundërshtarin e vet sikurse kanë bërë ata: duke përdorur forcën që kanë në dispozicion, e  cila mund të jetë forcë fizike, forcë me armë apo forcë me fjalë. Pasi, nëse çdo gjë rreth nesh përkufizohet çdo ditë si “kriminale”, edhe fjala “krim” bëhet normale. Dhe të gjithë, pa e ditur, bëhemi kriminelë.