Fishta e Lezhës është kthyer në një nga destinacionet më të veçanta për festimin e Pashkëve, falë një aktiviteti që ndërthur traditën me argëtimin. Kampionati i thyerjes së vezëve ka mbledhur këtë vit qindra vizitorë nga zona të ndryshme të vendit, por edhe turistë të huaj, duke krijuar një atmosferë festive në zemër të natyrës.

Mbi 400 konkurrentë morën pjesë në garë, duke sfiduar njëri-tjetrin për të nxjerrë vezën më të fortë, në një ritual që lidhet ngushtë me simbolikën e kësaj feste. Ndërkohë, shumë të pranishëm të tjerë zgjodhën të shijojnë ambientin, ushqimin tradicional dhe organizimin që tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme.

Nismëtari i këtij eventi, Altin Prenga, theksoi se qëllimi është jo vetëm ruajtja e një zakoni të hershëm, por edhe promovimi i zonës si një destinacion turistik që ofron eksperienca autentike.

“Ishin të paktën dyfishi i atyre që ishu vjet dhe shpresojmë që viitn tjetër të jenë pesëfishi. Është një vend parajsë, një amfiteatër natyror që na ka falur Zoti. Ka lindur si ide q ëlidhet me gjithë kujtimet tona fëminore kur mblidheshim para kishës dhe thyenim vezët, kam dashur që të bëhet masive dhe të kujtojmë edhe At Gjergj Fishtën çdo vit dhe t’i gëzohemi natyrës sonë të bukur”, tha ai.

Fituesja e këtij edicioni, Xhuljana Ndoja, u shpreh se gara ishte plot emocione dhe një eksperiencë për t’u mbajtur mend, duke shtuar se aktivitete të tilla i japin më shumë jetë festave tradicionale.

“Nuk e prisja fare që të fitoja çmimin. Ndihem shumë e emocionuar. Është një ide absolutisht e mirë që njerëzit të kenë më shumë festa të tilla dhe të mblidhen”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, pjesëmarrës të tjerë treguan se kishin ardhur thjesht për atmosferën festive, por surpriza e fitores e bëri përvojën edhe më të veçantë.

I organizuar prej disa vitesh, kampionati i thyerjes së vezëve në Fishtë po tërheq çdo vit e më shumë interes. Për këtë edicion, fituesi i vendit të parë u shpërblye me 1000 euro, ndërsa nuk munguan edhe çmime të tjera për vendet pasuese.