'Pasi vendosëm të formonim organizatën e fshehtë antikomuniste, shkova në shtëpi për të marrë flamurin pa yll, që nëna e kishte…'/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik nga Vlora

'Pasi vendosëm të formonim organizatën e fshehtë antikomuniste, shkova në shtëpi për të marrë flamurin pa yll, që nëna e kishte…'/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik nga Vlora

Pasditeve shkonim në Shtëpinë e Pionierit. Vazhdoja rrethet e letërsisë dhe teatrit. Ishin dy pasionet e mia. Ëndërroja të bëhesha shkrimtar dhe aktor teatri. Kursin e letërsisë e drejtonte mësuesi i njohur, Eqerem Shijaku, që na jepte mësim edhe në shkollë. Ishte i mrekullueshëm. Kishte një gjuhë të rrjedhshme sa, kur shpjegonte, nuk të mbetej veçse t’i hapje fare pak librat në shtëpi, për të mësuar. Kursin e teatrit e drejtonte Alipi Shtrepi, një shoqe e Fatushes, aktore në teatrin amator të Vlorës. Në këtë teatër, merrte pjesë edhe Fatushja. Ajo ishte ndër aktoret më të mira të tij.

Në Shtëpinë e Pionierit, u njoha edhe me shokë të tjerë, si; Pirro Dokon dhe Nikollaq Vangjelin, që i binin fizarmonikës, Luan Çipin, Qirjako Savën dhe sidomos, Myrteza Baboçin, një moshatarin tonë, që vazhdonte klasën e shtatë në shkollën numër një. Ai merrte pjesë në rrethin e teatrit dhe të muzikës. Kishte një zë të mrekullueshëm. Ishte këngëtari më i mirë i grupit. Vinte nga Gjirokastra. I ati ishte nëpunës. U lidhëm shumë me njeri-tjetrin. Megjithëse ishim në shkolla të ndryshme, formuam një shoqëri të sinqertë. Ndoshta na lidhnin më tepër, bindjet tona.

Shpesh herë organizonim shfaqje të ndryshme që jepnim për popullin e Vlorës apo, në zonat përreth, si; në Selenicë, Novoselë, Himarë e, të tjera. Kishim përgatitur disa pjesë teatrale, midis të cilave; “Timuri dhe shokët e tij”, të Arkadi Gajdar-it. Unë luaja rolin e një anëtari të bandës së gangsterëve. Po ashtu edhe një dramatizim të poemës; “Ushtari dhe vdekja“ të Aleksandër Tvardovskit. Rolin e ushtarit, e luante Myrtezai, ndërsa atë të vdekjes, Mina Naqua. Unë luaja rolin e poetit. Kishim përgatitur gjithashtu edhe dy tablo muzikore. Njëra titullohej; “Ora e muzikës“ dhe një tjetër me temë sportive, të cilës nuk ia mbaj mend titullin.

Këto tablo, ishin shkruar dhe kompozuar nga mësuesi ynë i shquar i muzikës, Tish Daija, që më vonë do bëhej një kompozitor i njohur. Ai kishte kompozuar edhe disa këngë për fëmijë, që na i mësonte në shkollë. Të tilla ishin: “Kanga e bretkosave, Guli, guli, guli”, “Karamboli”, “Zogu i vogël”, dhe të tjera, që tashmë i kam harruar. Simpatinë për të e ruaj edhe në ditët e sotme. Tishi ishte edhe një futbollist i mirë. Luante si qendërsulmues, me “Flamurtarin”, e Vlorës.

Fundi i ditëve të qeta 

Vitet 1949—1950, ishin vite të vështira për ekonominë e vendit. Marrëdhëniet me Jugosllavinë ishin ndërprerë. Ato me Bashkimin Sovjetik, nuk ishin konsoliduar si duhet. Në këto kushte, arka e shtetit kishte filluar të zbrazej. Por, mendjet e udhëheqësve tanë, nxorën një metodë të rafinuar, për të grumbulluar para. Kjo metodë ishte huaja shtetërore. Të gjithë qytetarët që ishin në punë me shtetin, detyroheshin të blinin një sasi të caktuar, të obligacioneve të kësaj huaje.

Shlyerja e saj, do të bëhej çdo muaj me llotari, për një periudhë prej njëzet vjetësh. Por, në të vërtetë, me këtë mënyrë u shlyen vetëm fare pak dhe, kur u plotësua ky afat, u shpik një nismë tjetër, sipas së cilës, ato që kishin mbetur pa shlyer, i faleshin shtetit, gjoja vullnetarisht. Kështu përfunduan në xhepin e shtetit, ato pak të holla, që kishin qytetarët.

Ne kishim në punë babanë dhe Fatushen. Si gjithë të tjerët edhe ata u detyruan të blinin sasinë e caktuar të obligacioneve. Por kjo nuk mjaftoi. Me një vendim të posaçëm të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, të gjithë ish-tregtarët, u detyruan të blejnë një sasi të madhe obligacionesh. Ne na u caktuan për të blerë; 50.000 lekë të vjetra obligacione të tjera, një shumë kjo e barabartë me rrogën e dy vjetëve, të një punëtori të asaj kohe.

U detyruam të nxirrnim në treg, edhe ato pak sende të vyera që na kishin mbetur. Por, këto nuk mjaftuan. Atëhere babai u detyrua t’u drejtohej për ndihmë disa miqve të tij. Ata u treguan të gatshëm. Këto borxhe, mundëm t’i lanim vetëm pas disa vitesh, falë zemërgjerësisë së tyre. Kështu e kaluam edhe këtë vështirësi…!

15 Prill 1950. Im vëlla Besniku, po përgatitej për të shkuar në një mbrëmje vallëzimi, që organizonte klasa e tij në shkollë. U la, u pastrua, veshi kostumin bojë kafe, që ia kishte dhuruar babai, u kreh dhe u rregullua mirë e bukur, sikur do të bëhej dhëndër. Ishte sqimatar i madh. Kishte lezet ta shikoje, kur u nis për në mbrëmje.

Pasi mbaroi darka, u hoqa mënjanë dhe fillova të lexoj një libër. Mësimet i kisha bërë në pasdite. Dikur ndjeva se po më mbylleshin sytë. U ngrita, u thashë të tjerëve natën e mirë dhe shkova në dhomën e gjumit. Rashë në shtrat dhe më zuri gjumi menjëherë.

Kishin kaluar disa orë. U zgjova. Vura re se shtretërit e vëllezërve dhe ai i motrës, ishin të patrazuar. Pashë përjashta. Sapo kishte filluar të agonte.

– “Ku të kenë shkuar që me mëngjes”?! – mendova me veten time.

Nga dhoma poshtë dëgjoheshin zëra. U vesha dhe shkova. Në dhomë ishin të gjithë me përjashtim të Besnikut.

– “Çfarë ka ndodhur”?! – pyeta i habitur.

– “Besniku, nuk është kthyer në shtëpi mbrëmë”! – u përgjigj motra.

Sytë më shkuan te ora e murit. Ajo tregonte 5.30.

– “Ku të jetë vallë?! Mbrëmjet e vallëzimit, nuk vazhdojnë kaq gjatë”?!

Askush nuk u përgjigj. Babai vinte rrotull nëpër dhomë me duart nga prapa dhe duke folur me vete. Xhaxhai, mundohej ta qetësonte. Nëna ishte mbledhur sa një grusht në një qoshe dhe qante pa zë.

– “Të presim edhe pak dhe vemi të pyesim Lavdoshin” –  tha Agimi.

Lavdoshi ishte shoku i ngushtë i Besos, së bashku me Dinon. Pritëm ndonjë orë dhe Agimi u nis për atje. Lavdoshi u trondit shumë, kur mori vesh se ç’kishte ndodhur.

– “Nuk e di –  tha – Ne u çuditëm, se ai nuk erdhi fare në mbrëmje”.

Nëpër mendje kalonim variante nga më të ndryshmet, por asnjëri nuk na dukej i mundshëm. Karakteri i Besnikut, na kish krijuar këtë bindje. Atë ditë nuk shkuam në shkollë. Qëndroja në heshtje dhe dëgjoja bisedat që bëheshin. Vështroja nënën dhe motrën që qanin pa zë dhe nuk e di sepse, edhe mua më mbulonin lotët.

– “Këto kohët e fundit në shkollë, kanë filluar të shpërndahen trakte të fshehta. Disa prej tyre, i kam lexuar edhe unë. Mos ka gjë lidhje me to”?! –  pyeti  Agimi.

Të gjithë pamë njeri-tjetrin, por asnjeri nuk foli. Në këtë kohë, hyri në dhomë Çelo Banci, që banonte në shtëpinë tonë. Kur mori vesh se ç’kishte ndodhur, tha:

– “Me siguri, këtu duhet të jetë, në mes ndonjë femër”.

– “Jo, jo!– u përgjigj im atë. – Nuk kam ashtu djali unë”!

Kështu, duke pritur me ankth, kaloi ajo ditë. Në mbrëmje, trokiti porta. Në dhomë hynë dy oficerë të Degës së Punëve të Brendshme. Prania e tyre na shqetësoi. Ata e kuptuan dhe njeri prej tyre foli:

– “Mos u shqetësoni. Besnikun e kemi ndaluar ne për të sqaruar diçka”.

– “Çfarë ka bërë”?! – pyeti babai.

– “Asgjë. Mbrëmë është grindur me një femër dhe ajo është ankuar. Kështu që ne duhet ta verifikojmë. Tani na falni, por duhet të kontrollojmë librat e tij”.

Në të vërtetë, kthyen përmbys gjithçka. Librat e Besnikut, Fatushes, Agimit, të miat, etazherin dhe gjithçka tjetër. Si nuk gjetën gjë, morën disa fletore të tij. Para se të largoheshin, ai që kishte folur më parë, tha:

– “Mos u shqetësoni. Kjo punë, për dy-tre ditë, merr fund”.

U ndjemë disi më të qetë. Të paktën tani e dinim  ku ishte. Babai, si parashikues i madh, foli:

– “Të gjitha ato që thanë, nuk janë veçse mbroçkulla. Ishin njësoj, si ato që tha Çelua. Atij, me siguri, do t’ia ketë thënë Tefta, që punon në Degën e Brendshme. Ajo është shoqe me çupën e tij. Agimi ka të drejtë. U nda djali nga gjiri ynë. Nuk e di në se do të rrojë, deri sa ta shoh edhe një herë”?!

Për herë të parë, pashë lot në sytë e tij. Ishte pesëdhjetë e tetë vjeç. Goditjet e njëpasnjëshme të pesë viteve të fundit, ia kishin lodhur zemrën. Edhe kjo i duhej. I folën të gjithë, deri sa e mblodhi veten.

Pas dy ditësh, na lajmëruan që t’i shpinim rrobat. Kjo gjë vërtetoi fjalët e babait. Tre javë më vonë, u arrestuan Lavdoshi me Dinon. Tani çdo gjë u qartësua. Ata ishin arrestuar për krijimin e një organizate klandestine, që shpërndante trakte me përmbajtje kundër pushtetit, në shkollë. Kaluan gjashtë muaj. Gjykata Ushtarake Gjirokastër, e dënoi me njëzet vjet burgim. Lavdoshin me Dinon, me nga pesëmbëdhjetë vjet. Gjykata e Apelit, e ktheu dënimin e Besnikut, në pesëmbëdhjetë vjet.

Arrestimi dhe dënimi i Besnikut, ndikuan shumë në formimin tim. Porsa kisha mbushur të katërmbëdhjetë vjetët. Isha në një moshë që nuk arrija të kuptoja, se kush ishte e drejta dhe kush jo. Megjithatë, ngjarjet e këtyre viteve të fundit, kishin influencuar në formimin e botëkuptimit tim. Vrasja e djaloshit para shtëpisë tonë, ngjarja me partizanët për doktor Kërçikun në kohën e luftës së Tiranës, qëndrimi i Xhemilit karshi meje, dëbimi nga Tirana dhe së fundi, episodi me mësues Kiçon, e kishin shndërruar në një farë mase, karakterin tim.

Nuk isha më ai djaloshi moskokëçarës, që nuk i interesonte se çfarë ndodhte rreth e rrotull tij, që kishte si synim vetëm shkollën dhe arritjen e majave më të larta. Një ndjenjë tjetër kishte filluar të ziente brenda vetes time. Ishte ndjenja e protestës. Ajo priste vetëm shkëndinë që të shpërthente me gjithë forcën e saj.

Tre muaj më prapa, xhaxhai u martua përsëri. Ishte i detyruar të bënte një veprim të tillë. Vetëm tridhjetenëntë vjeç dhe me katër fëmijë. Shtëpia ndjente nevojën e gruas. U martua me Zenepen, bijën e ish-tregtarit nga Kruja, Sulejman Bedenit. Tregtari, gjeti tregtarin. Për të marrë Zenepen në Tiranë, shkuan xhaxhai me Qamilen.

Erdhën me autobuzin e linjës. Në agjensi i priste Agimi, me një karrocë me kuaj. Në çastin kur ajo po hynte në shtëpi, Fatbardha, vajza e madhe e xhaxhait, ia nisi të qarit me zë të lartë. Ishte shtatëmbëdhjetë vjeç dhe, me siguri, në ato çaste, kujtonte nënën e saj të vdekur. Zenepja u bë zonjë shtëpie. Ajo u kujdes për burrin dhe fëmijët.

Në gusht, tim atë e pushuan nga puna. Në motivin e shkruar thuhej: – “Pushoheni nga puna, për shkak të aktivitetit armiqësor kundër Pushtetit Popullor, të djalit tuaj, Besnik Kripa”.

Që nga ajo ditë, nuk hyri më në punë. Mbetëm vetëm me rrogën e Fatushes. Duhej të ushqeheshim pesë veta dhe të mbanim edhe Besnikun në burg. Për t’i bërë ballë, detyroheshim të punonim një bahçe të vogël që kishim akoma pranë truallit, ku tashmë shteti kishte ngritur një fabrikë të re vaji. Aty mbillnim perime të ndryshme, që i përdornim për veten tonë. Përveç kësaj, kishim edhe ndihmën e motrave të martuara.

Drita, që kishte ardhur në Vlorë, i propozoi tim eti, të më merrte mua të vazhdoja shkollën në gjimnazin e Tiranës. Në këtë mënyrë hiqesh edhe një njeri nga pjesëtarët e familjes, që duheshin ushqyer. Babai pranoi. Por, për fatin tim të keq, në gjimnazin e vetëm të Tiranës në atë kohë, nuk kishte më vende. Mbetej vetëm shkolla pedagogjike. Babai nuk pranoi.

– “Pse të gjithë fëmijët e mi, do të vazhdojnë shkollën Pedagogjike”?! – tha ai.

Këtu kishte parasysh Lirinë, Dritën dhe Fatushen, që kishin vazhduar të njëjtën shkollë. Edhe unë u gëzova, që kjo nuk u realizua. Një gjë e tillë, do më ndante nga Neri. Megjithatë, ndoshta do të kishte qenë më mirë, të kisha shkuar.

Në shtator fillova klasën e parë në gjimnazin “Ali Demi” të Vlorës. Qëndroja në një bankë me Jorgo Beshon nga Çatistra e Poliçanit. Ai vinte nga shkolla numër një. Shpejt formuam shoqëri me njeri-tjetrin. Ishim prej shtresash të ndryshme shoqërore. Unë, bir tregtari, ai bir i një butexhiu të varfër. Megjithatë, kjo nuk ishte pengesë në shoqërinë tonë. Unë isha nxënës i mirë, kurse Jorgua i nivelit mesatar.

Ishim në moshën e rinisë. Por për t’u pranuar në organizatën e saj, duhej bërë kërkesë. Gjithë klasa bëmë nga një të tillë. Ditën që organizata u mblodh për të shqyrtuar kërkesat, u grumbulluam të gjithë para shkollës. Prisnim rezultatet. Sekretari i rinisë, doli para hyrjes së shkollës dhe filloi të lexojë emrat e atyre që ishin pranuar. U lexuan të gjithë emrat e klasës. Vetëm emri im mungonte. Ishin pasojat e dënimit të Besnikut. E ndjeva veten shumë ngushtë.

U largova i vetëm dhe po ecja duke menduar. Dëgjova që më thërrisnin. Ktheva kokën dhe pashë Jorgon me Myrtezanë

– “Mos u mërzit”! –  tha Myrtezai.

– “Ju faleminderit”!- u thashë.- Për mua është e çmuar shoqëria e juaj”.

Të nesërmen në shkollë, qëndroja i mënjanuar. Kisha frikë se shokët do të më qëndronin larg. Por nuk ndodhi kështu. Shumica e klasës, u sollën me mua njësoj si më parë. Në mënyrë të veçantë, më afër më qëndruan Donika, Aliqi, Neimeja, Myneverja, Ana, Vjoleta, Shazja, Zymbylja, Luani, Leka, Shezaiu, Minella, Spirua, Mihali, Zakua, Dhimitri, Nexhati, Ibrua dhe të tjerë. Ato ditë katër vajza; Vjoleta Muçua, Ana Papakosta, Shaze Xhindi dhe Zymbyle Hoxha, krijuan nja grup shoqëror që ne, duke u nisur nga katër inicialet e emrave të tyre, e quajtëm “VASHZ”.

Po në të njëjtën kohë edhe ne, katër djem; Zenel Zeneli, Jorgo Beshua, Ali Zankua dhe unë, formuam grupin “ZJAR“. Ato ishin vetëm lojëra fëmijësh, por mua nuk më shkonte ndër mend, se vetëm pak muaj më vonë, së bashku me Jorgon dhe Myrtezanë, do të formonim një grup të vërtetë, që do bëhej shkak për ndryshimin e jetëve tona.

 Vrull rinor 

Fundi i shkurtit 1951. Ditë e dielë. Nëna kishte përgatitur kullure, një lloj gurabije, që bënte herë pas here në ditët e pushimit. Atë pasdite, e kishim lënë për të përgatitur detyrat, së bashku me Jorgon. Mora disa kullure, i mbështolla me gazetë dhe u nisa. Kur dola jashtë, si zakonisht, këmbët më çuan nga rrugica e Nerit. E pashë në shesh pushimin e shkallëve, duke pastruar. Edhe ajo më pa, por uli kokën dhe bëri sikur nuk shihte gjë. Kisha vendosur ta qerasja me kullure, por nuk guxova t’i flisja. Kalova pa folur dhe shkova në shtëpinë e Jorgos. Atje gjeta edhe Myrtezanë.

U dhashë kulluret dhe pastaj hapëm librat. Filluam të bëjmë detyrat. Mësimi nuk po na ecte. Kisha vënë re se Jorgua, kishte disa ditë që nuk ishte si zakonisht. Nuk përqendrohesh dot. I ishte hequr vëmendja nga gjithçka.

– “Jorgo, sot nuk më dukesh mirë. Çfarë ke”?! – I thashë.

– “Ka tre ditë që kam humbur triskat e bukës. Në shtëpi nuk kemi ç’të hamë. A nuk e keni vënë re që edhe në shkollë nuk e kam mendjen në mësim”?!

– “Ku i humbe”? – pyeti Myrtezai.

– “Nuk e di. Mora bukën dhe u ktheva në shtëpi. Atje pashë se triskat nuk i kisha  me  vete. Atë mbrëmje babai, më rrahu keq”.

– “A u ankuat gjëkundi”?!

– “Babai vajti në zyrën e triskëtimit, por ata e pritën me mospërfillje”!

– “Nuk menduan, se me çfarë do të jetonte kjo familje”?!

Një revoltë shpërtheu në zemrat tona. Kishte kohë që ishte grumbulluar dhe tani i erdhi çasti të shpërthente. Secili prej nesh, filloi të shprehte pakënaqësinë kundër pushtetit. Ishin vitet e përplasjeve të mëdha, ndërmjet vlerave dhe antivlerave. Në këto ditë të turbullta njeriu, pavarësisht nga mosha, duhej të gjente veten e tij.

– “Nuk e di se si jam këto ditë”, – foli Myrtezai. – Ndjej diçka përbrenda vetes time.

Unë i pohova të njëjtën gjë. Po ashtu edhe Jorgua. Ishim të tre në një mendje. E ndienim që duhej të bënim diçka. Po çfarë?

– “Unë mendoj të krijojmë një organizatë dhe të shpërndajmë trakte në qytet”. – fola unë.

Myrtezai, pasi u mendua pak, filloi të na tregonte se si para dy vjetësh, me disa shokë, kishin formuar një organizatë të tillë dhe shpërndanin trakte…! Mua m’u kujtua një vjershë që kisha lexuar në një trakt të asaj kohe. Ajo i kushtohej dy të rënëve, Hysen Sinanit nga Lepenica dhe Zagoll Shenajt, nga Gjormi, që u vranë në përpjekje me Forcat e Mbrojtjes. Ata i prunë ashtu të gjakosur dhe i hodhën pranë “Shtizës së flamurit”, në sheshin me të njëjtin emër, për të terrorizuar popullatën. Akoma i kam parasysh, disa nga vargjet e asaj poezie: 

“Ju ratë viktima,

Si burra, si trima,

Në luftë heroike,

Me zemër kreshnike.

Ju të dy shokë,

Luftuat tokë,

Luftuat me trimëri,

Për mëmën Shqipëri.

Ju bij të Lepenicës,

Dukatit, Selenicës,

Të Gjormit, an’e mbanë

Shqipërisë tanë.

 

Në çastin e fundit,

Me një zë ju thatë,

Poshtë kush sundon,

Popullin e ngratë”. 

– “Atë poezi e bëra unë. E shkruajta në shumë kopje dhe e hodhëm në disa pika ku grumbulloheshin njerëz, – vazhdoi Myrtezai. – Unë jam dakord të krijojmë organizatën”.

– “Edhe unë” –  foli Jorgua.

Shkëndija ishte ndezur. Tani pritej që ndjenja e protestës të shpërthente.

– “Por më parë duhet të betohemi. Më prisni këtu”.

U thashë dhe fluturova si era, për në shtëpi. Kisha parë që nëna ruante një flamur kombëtar, pa yll, në sëndukun e saj. Kur mbërrita atje, Fatushja me Agimin, ishin në dhomën lart. Nëna përgatiste darkën në kuzhinë. Babai nuk kishte ardhur ende. Hyra në dhomën e zjarrit, hapa sëndukun, mora flamurin dhe e mbështolla me gazetë. Kur po dilja, erdhi nëna dhe më tha:

– “Ku po shkon”?!

– “Te Jorgua”.

Fluturova dhe, sa hap e mbyll sytë, u ndodha në shtëpinë e Jorgos. E hapëm flamurin mbi tavolinë dhe u thashë shokëve të vendosnin pëllëmbën e dorës së djathtë, mbi shqiponjën dykrenore. Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën