/ATSH/ -Në Venecia u hap Pavijoni Shqiptar i Artit, ku Shqipëria përfaqësohet me kuratorin Marco Scotini dhe artistin Armando Lulaj me "Albanian Trilogy: A Series of Devious Stratagems"

Pavijoni u hap nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila u shpreh se "bienalja ndërkombëtare e Venecias është rasti më i mirë për t'u njohur, falë urave të artit, kulturës dhe komunikimit bashkëkohor. Sot Shqipëria flet me punën e kuratorit të njohur Marco Scotini dhe artistit shqiptar Armando Lulaj, me "Trilogjinë shqiptare" që vjen me mesazhe politike dhe estetike, me metafora të fuqishme dhe imazhe të mirëfillta të një vendi me potenciale të mëdha".

Artistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi, tha ministrja duke shtuar se "për fat, por jo rastësisht, Shqipëria ka shumë prej tyre. Është i dyti vit që Shqipëria vendoset në qendër të Arsenales në Bienale".
"Pas suksesit të Pavijonit shqiptar në Ekspozitën e Arkitekturës në Bienale 2014, me Edi Hilën dhe Adrian Pacin, kuruar nga Beyond Entropy, Ministria e Kulturës e kthen në sistem të qendrueshëm përfaqësimin dinjitoz dhe cilësor të Artit shqiptar me merita të plota në skenën më të madhe botërore të arteve pamore", tha më tej Mirela Kumbaro në fjalën e saj.
Duke sjellë në vëmëndje tre aktivitetet e rëndësishme si pavijonin tonë në Expo-Milano, në Festivalin e Artit e Librit TiranaOpen dhe ekspozitën e jashtëzakonshme të artit ë Venecia, Ministrja theksoi se "në të tri vendtakimet kultura flet shqip dhe kudo kjo shqipe kuptohet, shijohet, dëgjohet, përcillet dhe vlerësohet, falë artistëve tanë! Kjo është skena që po ndërtojmë për artin e kulturën".
Kumbaro nënvizoi se "për Shqipërinë komunikimi me të gjitha mjetet shprehëse, hapja e kufijëve të mendjes dhe të shpirtit, zgjerimi i skenës përtej caqeve të Republikës, krijimi i hapësirave të realizimit artistik për artistët shqiptarë, është përparësi e politikës sonë kulturore. Investimi që bëjmë sot në art dhe kulturë është investimi më i sigurt për të ardhmen për zhvillim dhe qytetërimin e Shqipërisë së Brezit Tjetër".
Kuratori Marco Scotini u shpreh se është i rëndësishëm fakti që për të parën herë Shqipëria prezantohet më një Pavijon qendror në Bienalen e Artit të Venecias, falë përpjekjes shumë të madhe të Ministrisë së Kulturës dhe vetë ministres Kumbaro.
Pavijoni tërhoqi vizitorë të shumtë mes të cilëve koleksionstë shumë të njohur, si Ene Righi, një ndër mbështetësit e këtij Pavijoni, kritikë arti, drejtues muzesh dhe galerish të rëndësishme, gazetarë e aritstë, shqiptarë dhe të huaj.
Presidenti Paolo Baratti shprehet se "është një Ekspozitë e Artit ku kthehet vemendja mes Artit dhe Zhvillimit social e politik boteror, duke parë sesi tensionet e kohës që jetojmë përkthehen në sensibilitetin, energjinë krijuese, ekspresivitetin dhe shpirtin e Artisteve" .