PDIU dhe Nard Ndoka vendosin
në vështirësi Palokën dhe Ruçin

PDIU dhe Nard Ndoka vendosin<br />në vështirësi Palokën dhe Ruçin
Lëvizjet e partive politike apo individëve nga një koalicion në tjetrin kanë prishur balancat parlamentare. Përbërja e komisioneve parlamentare është hartuar sipas rezultatit zgjedhor 2013 dhe pozicionimit të atëhershëm të partive, por këto 4 vjet, pozicionet e partive të vogla kanë ndryshuar, duke çorientuar balancën pozitë-opozitë në komisione.

Kjo çështje ka vendosur në vështirësi dy krerët e grupeve parlamentare, PS dhe PD, Grmaoz Ruçi dhe Edi Paloka, të cilët i kanë kërkuar Metës zgjidhje në konferencën e kryetarëve.

Shqiptarja.com sjell procesverbalin e mbledhjes, ku ndër të tjera, të dy kryesuesit e grupeve, pranojnë se hetimi parlamentar ka degjeneruar dhe nuk jep asnjë produkt. Pavarësisht kësaj, Konferenca e Kryetarëve ka vendosur të ngrejë Komisionin Hetimor për  përgjimet me “IMSI Cather”, i cili do të fillojë nga puna ditën e nesërme.

Komisionet
Ilir Meta –Kemi edhe një çështje tjetër, për kërkesën e zotit Paloka për të anëtarësuar deputeten Dhurata Çupi në Komisionin e Ligjeve, e cila aktualisht është në Komisionin e Ekonomisë. Meqenëse neni 21 i Rregullores kërkon se anëtarësia në komisionet e përhershme të Kuvendit vendoset në Konferencën e Kryetarëve, mbështetur në listat e kandidatëve të caktuara nga kryetarët e grupeve parlamentare. Ndryshimi i përbërjes duhet bërë në përpjesëtim raportin që grupet parlamentare zënë në Kuvend. Ka ndonjë problem me këtë raport apo përpjesëtim?

Gramoz Ruçi – Po të jetë për përpjesëtim duhet të rregullojmë Komisionin e Ekonomisë.

Edi Paloka – Kur iku Koço Kokëdhima ai që erdhi nuk shkoi te Komisioni i Ekonomisë, por shkoi te Komisioni i Ligjeve! Këtu është bërë gjithë balancimi, prandaj ne ose do heqim zotërinë dhe ta kalojmë te Ekonomia.

Ilir Meta – Mos ka nevojë për kohë për ta studiuar?

Edi Paloka – Ne e kemi ngritur si shqetësim që javën e kaluar. Ç’kohë duhet!

Gramoz Ruçi –Ju tani thoni që të iki dhe një nga Ekonomia, të vejë të Ligjet dhe të prishet raporti dhe te Ligjet dhe te Ekonomia. Kjo nuk është logjike.

Edi Paloka – Ne shohim proporcionet tona, ku na intereson ne.

Gramoz Ruçi – Si qenka kjo punë kështu se ku ju intereson ju?

Edi Paloka – Te Ekonomia nuk e prishëm ne raportin.

Gramoz Ruçi – Ore zotëri, unë kam sot 12 veta si mazhorancë. Nëse do të lija edhe atë që zëvendësoi Koçon, atëherë do të bëheshin 13-të, dakord, ndërsa tek Ligjet kam 12-të.

Edmond Spaho – Zoti Ruçi, kur u ngritën komisionet para 3 vjetësh, kemi parë përbërjen e Kuvendit dhe raportet janë përcaktuar në bazë të përbërjes së Kuvendit. Ndryshimin e bëtë ju duke hequr një nga Komisioni i Ekonomisë duke e çuar te Komisioni i Ligjeve. Tani ju përpiqeni të na bindni se na intereson që të rregullojmë atë komision. Ne po flasim mbi një gjë që ka të bëjë më përbërjen dhe ndarjen e komisioneve. Ju e prishët raportin.

Gramoz Ruçi – Unë komisionet i shikoj të gjitha njësoj. Nëse i kam vlerësuar, i kam vlerësuar te të gjitha komisionet, në bazë të konsensusit që kemi bërë që në fillim. Më imtësisht kemi parë dy komisionet e Ekonomisë dhe Ligjeve, pasi kanë punën më të ngarkuar, ndërsa komisionet e tjera maksimumi me një diferencë ose me numër më të vogël.

Që të ulemi ne dhe të diskutojmë tani që mbaron mandati për përbërjen dhe përqindjen e komisioneve, mua nuk më duket normale. Përse nuk më duket normale?

Nëse do t’i futemi një analize, cilën do të marrim për bazë, rezultatin e zgjedhjeve të 2013-tës, siç i ka KQZ-ja apo riformulimet e ndryshme dhe kalimet që janë bërë nga njëri krah në tjetrin!

Çfarë do t’i them unë për shembull Nard Ndokës, opozitar apo mazhoritar? Çfarë do t’i them PDIU-së, që ka qenë në koalicion me ju opozitar, që unë ju kam dhënë raportet juve apo do ta quaj mazhorancë? Pra duhet të bëhet një analizë e plotë që të arrish në atë përfundim. Atëherë duhet të biem dakord se me cilën rregullore? Me atë rezultat të zgjedhjeve që kemi dalë në zgjedhje dhe rezultati i zgjedhjeve është raporti. Në rrugë e sipër raporti ka ndryshuar se kanë devijuar.

Dikush ka dalë i pavarur, dikush ka kaluar djathtas, dikush ka kaluar majtas. Hajde të bëjmë analizën dhe të biem dakord në parim, pasi Rregullorja nuk flet për këto.

Edi Paloka – Mos u shqetëso për këtë, pasi e ka zgjidhjen vetë, mjafton të bësh pak aritmetikë! Kalimi i PDIU-së këndej apo andej bën automatikisht dhe kalimin e deputetëve. Ne nuk po flasim, për shembull Tahir Muhedinin që është në Komision të Ligjeve. Dikur llogaritej i joni, ndërsa tani llogaritet i juaji.

Ne nuk kemi thënë që të na shtoni ju një ne, se Tahir Muhedini do kalojë me ju. Ne po flasim për atë që keni shtuar në mënyrë artificiale mbi numrin e komisionit. Komisioni ka pasur 19 edhe kur Tahir Muhedini ishte me ne. Nuk është problemi me PDIU-në, pasi ato kanë kaluar automatikisht.

Genc Pollo – Zoti Kryetar, këtë çështje unë e dija të zgjidhur. Rregullorja flet, dhe interpretimi në këtë rast është relativisht i qartë. Mazhoranca mund të riformatohet gjatë legjislaturës me ca parti e me ca të tjera, janë ato kalimet që u përmendën.

Në fund respektohen raportet që janë, nuk mund t’i kthehesh një gjendje që ka qenë e ndryshme nga kjo që është e raportuar nga KQZ-ja në fillim të legjislaturës. Kjo nuk shtrohet tani, gjithmonë kështu është bërë.

Hetimi 
Ilir Meta –
Në rend të ditës kemi shqyrtimin e kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për përdorimin dhe administrimin nga strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të pajisjes përgjuese “IMSI Cather”, dhe realizimin nëpërmjet saj të përgjimeve të paligjshme, si dhe shqyrtimin e propozimit të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për të caktuar 1 deputete në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Për çështjen e parë, dëshiron njeri të shprehet? Po zoti Paloka.

Edi Paloka – Kërkesën e kam lexuar dhe është në përputhje me Rregulloren e me të gjitha. Kërkesa duhej të ishte përfshirë automatikisht, pasi është bërë prej kohësh.

Gramoz Ruçi – Dy çështje kisha. Së pari, në planin e vullnetit politik ne si mazhorancë kemi deklaruar që do të pranojmë çdo lloj komisioni hetimor, ndaj në këtë kënd vështrim të jeni të qartë. Por nga pikëpamja institucionale e funksionimit të një parlamenti, sigurisht që opozita e di vetë, por unë do të thosha që po qe se ka kundërshtim ky parlament ka për komisionet hetimore. Ne në proces kemi dy apo tre, ku disa herë u kemi shtuar afatin e veprimtarisë së punimeve, shto e shto pa pasur asnjë produkt.

Nëse doni të vazhdoni kështu, ju vazhdoni është puna juaj, është misioni juaj se si e bëni opozitën apo si e ushtroni të drejtën kushtetuese për kontrollin parlamentar. Por edhe ne që jemi pjesëtarë të këtij Parlamenti nuk na vjen mirë që publiku të njihet dhe të degjenerojë në këtë farë feje një hallkë kaq e rëndësishme siç janë komisionet hetimore parlamentare.

Së dyti, kam vërejtje për objektin. Kur ngrihet komisioni hetimor, objekt kemi çështjen, për të hyrë më pas në programin e komisionit. Komisioni më pas bën kalendar veprimesh se çfarë do shqyrtojë, në funksion të çështjes, të objektit që ka përcaktuar vendimi i Parlamentit.

Dakord, ngrini një komision hetimor siç e keni përcaktuar që në fillim për pajisjen përgjuese “IMSI Cather”, për përgjimet e pa ligjshme. Më pas për programin dhe kalendarin që do të bëjë komisioni le të vendosë si mendon ai. Për sa i përket afati 6-të mujor për zgjatjen e afatit.

Kështu i takon që afati të mbarojë kur të jenë zgjedhjet elektorale. Sipas praktikës tuaj që keni kërkuar nja 10-të herë për të shtyrë afatet e komisioneve se nuk ju del koha.

Edi Paloka – Mesa kuptoj unë zoti Ruçi është dakord. Për sa i përket objektit, komisioni do bëjë programin e tij. Kërkesa për afatin e komisionit hetimor është bërë në një periudhë tjetër, por ne mund ta kufizojmë dhe ta bëjmë për 3 muaj.

Jam dakord me zotin Ruçi kur thotë se komisionet hetimore nuk ia arrijnë qëllimin e tyre. Kjo ndodh edhe për faj të opozitës, ku e kemi bërë të qartë, edhe për faj të mungesës së bashkëpunimit të Qeverisë dhe organeve shtetërore që duhet të bashkëpunojnë me komisionet hetimore.

Sa për informacion, ekskluzivisht për Konferencën e Kryetarëve, ne do fillojmë dhe do bëjmë kërkesë për ndjekje penale për ata që nuk kanë zbatuar ligjin për të bashkëpunuar me komisionin hetimor. Përpos këtyre gjërave, kjo nuk e pengon as dëshirën, as Kushtetutën për të dhënë të drejtën e komisioneve hetimore.



d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Realizohet me sukses operacioni në Spitalin e Traumës, hiqet një trup i huaj brenda trurit të pacientit

Realizohet me sukses operacioni në Spitalin e Traumës, hiqet një trup i huaj brenda trurit të pacientit