Interi pësoi humbjen e dytë radhazi në Champions League. Të martën mbrëma djemtë e Chivu u mposhtën 0-1 në Milano nga Liverpoolii falë penalltisë të kthyer në gol nga Dominik Szoboszlai në minutën e 88-të.

Mbrojtësi zikaltër, Bastoni, tërhoqi nga fanella sulmuesin Wirtz brenda zonës, paçka se gjermani ishte me shpinë nga porta. Ky rast u fut në 'lupën' e VAR-it që ftoi kryesorin Zwayer për të riparë gjithçka. Ai vendosi 11 metërsh, që për shumë nuk qëndronte.

I mendimit kundër ishte edhe ish-trajneri Fabio Capello, që në studion e 'Sky Sport' e quajti 'një turp' fërshëllimin e asaj penalltie, pasi sipas tij mbajtje si ajo shihen në çdo goditje këndi.

“Unë nuk e kuptoj VAR-in, gjyqtari kishte parë gjithçka, pastaj ta lëmë mënjanë simulimin e lojtarit që u hodh në tokë. Për të anuluar golin e Liverpulit, VAR-it iu deshën tre minuta për të rishikuar aksionin, në këtë rast ka thirrur gjyqtarin për një mbajtje që shihet në çdo goditje nga këndi. Kjo krijon një precedent… por është një turp të fërshëllesh një penallti si kjo”, tha Capello në studion e 'Sky Sport'.