Për dashnorët e flaktë të 'bazës'...

Për dashnorët e flaktë të 'bazës'...

Sali Berisha

I

Edhe pse nuk gjendet në terminologjinë e një partie të djathë, komisarët e dritës të grupimit heroik të Sali Berishës kanë gjetur strehë tek “baza”. Për gjithçka që mund të diskutosh apo të analizosh me ta, të tregojnë “bazën”. Nëse u flet për parime, të përplasin surratit perimet “e bazës”. Nëse u flet për ligjshmëri apo gjykatë, ta kthejnë sandraç se nuk ka ligj që prevalon mbi “bazën”. 

Nëse u shpjegon se një parti e djathtë nuk vepron mbi “bazën” popullore, por mbi përfaqësimin e vullnetit që çdo individë merr dhe e ushtron atë në përputhje me interesin e përgjithshëm të partisë dhe të vendit, ata të turrin “bazën” dhe të shndërrojnë në tabelë qitjeje, ku çdo proletar i “bazës” mund të japë mendim dhe gjykim për gjithçka, ndonëse nuk është ekspert dhe i kualifikuar për asgjë. Meqë jemi tek “baza”, ajo është koncept i partive komuniste.

Por nga buron gjithë kjo dashuri për “bazën”? A kanë qenë kaq të dhënë dhe kaq të dëgjueshëm ndaj saj edhe në pushtet, apo vetëm tani në opozitë, ku, veç humbjes, nuk kanë asgjë për të “ndarë”? Mos “baza” është një entitet i gjallë, solid dhe një gurrë e pashtershme e burimit të forcës, energjisë dhe të filozofisë së një partie apo është një mekanizëm i verbër, lehtësisht i manipulueshëm, shpeshherë edhe i kritikueshëm për mënyrën se si funksionon apo se si dëshiron ta arrijë qëllimin për t’u shndërruar nga një grupim i pa tru në një qenie të arsyeshme dhe normale? Dhe, e fundit, mos “baza” po shërben sot për të ankoruar dështimin e sigurt dhe të plotë nesër?

II

Për të konkretizuar se sa të sinqertë e kanë këtë marrëdhënie të re, në këtë opozitë të gjatë, me “bazën” e partisë dhe të demokratëve, do të evokojë një ngjarje nga ditët “e arta” të pushtetit, sepse, siç thuhet, për të provuar karakterin e dikujt, jepi pushtet dhe shih se si do të sillet.

Duke qenë se për një kohë të gjatë kam qenë pjesë e strukturave drejtuese të PD-së në qytetin tim, ndërsa “baza” ishte mbledhur dhe diskutonte me plot pathos dhe orë të tëra se pse një i zgjedhur i saj, me plot kontribute dhe profesionist i fushës, duhej të emërohej në një drejtori, mua së bashku me disa miq të mi na vjen në tavolinën ku qëndronim një person “i fuqishëm”, që s’kishte lidhje me atë se çfarë diskutohej dhe as që ishte pjesë e diskutimeve të “bazës”, i cili na thotë: “Kot zihen ata budallenjtë e “bazës” së PD-së suaj, do jem unë drejtor në atë vend...

E kam mbyllur LART me filanin.” Dhe, në fakt, ashtu u bë. “Baza” ngeli me gisht në gojë, “i fuqishmi” që e kishte mbyllur LART u emërua drejtor dhe për 4 vite nuk futi asnjë person nga radhët e demokratëve në punë, sepse atë vend e kishte blerë me lekë dhe nuk kishte kurrfarë borxhi ndaj askujt. 

Miqtë e mi që kanë qenë dëshmitarë në atë tavolinë, besoj e kanë të qartë se për kë bëhet fjalë. Ai që u bë drejtor, sot është një ndër njerëzit kryesor të “Foltores”, kurse ai lart me të cilin e kishte “mbyllur” muhabetin, duke mos pyetur fare për “bazën”, është sot edhe formalisht komisar i përgjithshëm i grupimit heroik të Sali Berishës.
Në këtë situatë, unë e kam të pamundur të kuptojë dhe të logjikojë se si sot mund të qëndrojnë bashkë këto dy grupe: “baza”, nga një anë, dhe këta të tjerët, të cilët, kur e kanë pasur në dorë, e kanë shkelur me të dyja këmbët “bazën” e demokratëve!

III

Pavarësisht të gjithave, komisarët e dritës së grupimit heroik të Sali Berishës, kur flasin për “bazën” e konsiderojnë atë një grupim homogjen. Madje, nëpërmjet kësaj gjëje, sulmojnë grupin e deputetëve që nuk kanë rënë ende pre e presionit dhe e sulmit të tyre, duke i akuzuar si njerëz pa mbështetje në “bazë”, si politikanë që i shërbejnë regjimit apo si deputetë që nuk u vete kush nga prapa, sepse të gjithë janë me ata, me komisarët e dritës.

E vërteta nuk është kaq bardhezi. Ajo është me ngjyrja. Edhe në diskutimet e fundit përsa i përket dështimit të bisedimeve për të shkuar me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale, unë do të evidentoja tri grupime, të cilët, ashtu sikurse në Tiranë, edhe në radhët e demokratëve janë të ndarë qartazi nga njëri-tjetri.

Grupimi i parë është ai që do një PD të bashkuar, larg konfliktit, dhe do një alternativë dhe forcë që të përballojë me sukses regjimin e Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste. Këta zakonisht janë njerëz që nuk kanë interesa tek Partia Demokratike, por që dëshirojnë një PD të fortë dhe të bashkuar. 

Grupimi i dytë janë mbështetësit e “Foltores” dhe të hallit personal të Sali Berishës, të cilët, veç të tjerash, këtë rikthim të tyre në “krye” të PD-së e shohin si një përmbysje të një “klase” dhe të rikthimit të “sërës” së tyre. Këta janë manipuluar nga propaganda dhe mendojnë se vetëm duke pasur Saliun në krye dhe Flamurin pas tij do të fitojnë. Këta nuk e duan, kurrsesi, bashkimin, sepse bashkim do të thotë përmbysje të rendit të ri dhe rikthim i rendit të vjetër. 

Më mirë këta në krye dhe PD-ja të vijë në pushtet kur ka kohën për të ardhur se sa një PD e bashkuar që mund të vijë në pushtet, por që nuk garanton qenësinë e tyre në krye. Grupimi i tretë në radhët e demokratëve janë qëndrestarët e revanshit të gjuhës së baltës dhe të linçimit. Këta janë një grup i qenësishëm, por jo i organizuar; janë të mbledhur rreth asaj që i bashkon, por nuk kanë një kokë që t’i udhëheqë apo t’i udhëzojë se çfarë duhet dhe si duhet bërë.

Prania e këtij grupimi është fakt i pamohueshëm. Marrëveshjen e mundshme me Sali Berishën, këta e kanë parë si “tradhëti” ndaj qëndrimeve dhe vlerave të tyre dhe mos arritjen e një pakti si një sukses dhe si një mundësi të evidentimit dhe të forcimit të radhëve të tyre.

IV

Gjatë prezantimit të tij si kryeministër i Anglisë, i zgjedhur me shumicën e votave të Partisë Konservatore, e cila vjen nga një traditë e gjatë demokracie dhe e ushtrimit të saj pa asnjë lloj kompleksi, Rishi Sunak, veç të tjerash, tha se “partia që ai përfaqëson është në rrezik ekzistencial”. Edhe shumicë qeverisëse, edhe e fortë, edhe e bashkuar rreth tij, edhe në rrezik ekzistencial?!

Tani, krahaso këto fjalë të një mendjeje të ndritur dhe të njeriut më të fuqishëm politik të momentit në Londër me lajthitjet bajate të komisarëve të dritës së grupimit heroik të Sali Berishës në Tiranë, të cilët ditë pas dite dhe studio për studio na mbushin mendjen se, pavarësisht se u ka rënë kulmi i shtëpisë në mes të odës së miqve, janë më të fuqishëm se kurrë më parë.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë