Porta e aeroportit të Vlorës qëndron sërish e mbyllur këtë të martë. Dhjetëra punëtorë të kompanisë Mabco dhe nënkontraktorë të saj janë penguar nga policia private e kompanisë “Vlora International Airport” për të hyrë në kantier. Nga ana tjetër, kamionët dhe punëtorët e “2A Group” vijojnë normalisht punën brenda aeroportit.
Konflikti mes dy aksionerëve është thelluar edhe më tej. Kompania ‘Mabco’ e biznesmenit Behgjet Pacolli akuzon ortakun Valon Ademi për veprime të paligjshme dhe bllokim arbitrar të aksesit në kantier.
“Nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e ‘Mabco’-s ose nënkontraktorëve të saj në aeroportin që ajo ka ndërtuar me investimet e veta. Ky ndalim i njëanshëm dhe arbitrar është vetëgjyqësi e pastër kriminale”.
Rreth 30 deri në 40 firma ndërtimi të kontraktuara nga ‘Mabco’ thonë se kanë mbetur jashtë kantierit, ndonëse punimet në terminal janë drejt përfundimit.
“Jemi njoftuar dje dhe kemi ardhur për punë, por nuk na kanë lejuar të hyjmë. Kemi ende veglat brenda dhe punën pa përfunduar. Për 10-15 ditë aeroporti mbaron komplet, janë punimet e fundit”, tha Florian Hadroj.
“Kanë mbetur vetëm 4-5 ditë punë. Kemi kryer mbi 90% të punimeve, por për shkak të konfliktit mes kompanive po penalizohemi ne si nënkontraktorë”, tha Pejan Krasniqi.
Konflikti mes Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit
Përplasja Pacolli–Ademi ka nisur ne vjeshtën e 2025 për aksionet dhe administrimin e VIA-s. Palët kishin firmosur një kontratë noteriale, sipas së cilës pjesa e “2A Group” do të rritej nga 2 në 49 për qind, por kjo kontratë nuk u regjistrua në QKB. “2A Group” iu drejtua gjykatës, e cila fillimisht bllokoi veprimtarinë e “Mabco” në asamble.
Një tjetër pikë është kontrata e kredisë prej 100 milionë eurosh që “Mabco” ka marrë nga fondi “Delphos”. Për këtë arsye, Ademi hapi një tjetër proces gjyqësor, duke kërkuar pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut, Pacolli. Gjykata e Apelit i njohu “2A Group” të drejtën e administrimit, me argumentin se vendimi parandalon tjetërsimin e aksioneve.
Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A., për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve. Paralelisht SPAK po heton anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave per procedurat e dhënies me koncesion të aeroportit të Vlorës.
Një prej punonjësve të firmës ‘Alb-SabInvestmet’ të nënkontraktuar nga ‘Mabco’ e Behgjet Pacollit, që ka përsipër disa punime në terminal shprehet se po pengohen të përfundojnë punimet e tyre dhe të marrin mjetet e punës.
Sipas tij, për mbylljen e punimeve nevojiten edhe rreth 10 ditë punë, por aktualisht hyrja në kantier u është bllokuar. Ata ankohen se po pengohen të vijojnë normalisht aktivitetin, ndërsa kërkojnë të lejohen të përfundojnë detyrimet e tyre dhe të tërheqin pajisjet e punës nga kantieri.
“Administratori i kompanisë time “Alb-Sab Investment” ka bërë punime këtu me gips, bojë dhe pllaka, punime dekorative dhe veshje muresh. Jemi njoftuar dje dhe kemi ardhur për punë, por nuk na kanë lejuar të hyjmë brenda objektit.
Ne këtu kemi ende veglat e punës dhe kemi punën pa përfunduar. Nuk e kuptoj arsyen se çfarë ka ndodhur me 2 kompanitë, por nuk është e drejtë të na ndalohet hyrja brenda. Ne e kemi marrëveshjen në Mabco dhe çdo gjë ka shkuar mirë deri dje. Dje, pa asnjë informacion, jemi vënë në dijeni se nuk lejohemi të hyjmë brenda. Sot kemi ardhur të mbarojmë punimet, sepse për 10–15 ditë mbaron komplet aeroporti, janë punimet e fundit.
Ne e kishim kontratën në fund të prillit. Na janë bërë edhe më parë pengesa, por jo kaq të mëdha. Janë shumë si puna ime. Kemi qenë në përfundim, kanë ngelur vetëm gjëra të vogla. Kam të gjitha veglat dhe tani po përpiqem të shkoj të marr veglat e punës”, tha Florian Hadroj.
Të njëjtën gjë ka thënë dhe Pejan Krasniqi, pjesë e kompanisë ‘Krasniqi Group’ e nënkontraktuar nga ‘Mabco’.
“Jo më shumë se 4–5 punë kanë mbetur dhe terminali dorëzohet. Unë jam nënkontraktor i Mabco-s, kam bërë mbi 90% të punimeve, që nga gipsat, shtresat, pllakat e të tjera.
Janë edhe rreth 100 metra pllaka për t’u përfunduar. Dje kemi ardhur në punë, por me urdhër të VIA-s nuk na kanë lejuar të hyjmë, pasi thonë që kontrata e Mabco-s me VIA-n ka përfunduar dhe kanë problemet e tyre.
Kjo nuk mendoj se është arsye për të pezulluar punimet. Terminali për 4–5 ditë përfundon. Mosmarrëveshja që kanë po na penalizon ne si nënkontraktorë, që të mos dorëzojmë punimet që kemi kryer. Jemi rreth 30–40 nënkontraktorë”, tha Pejan Krasniqi.

Kompania ‘Mabco Constructions S.A’, e drejtuar nga Behgjet Pacolli ka bërë një reagim zyrtar në ditën e dytë të përplasjeve në hyrje të aeroportit të Vlorës me kompaninë ‘2A Group’ të Valon Ademit.
‘Mabco’ thotë se vendimi i gjykatës që pretendon Valon Ademi se i jep të drejtë për të ndaluar hyrjen e punonjësve në kantier, i referohet pezullimit të së drejtës së votës të ‘Mabco’ në shoqëri, por jo ndalimit të punimeve.
Kompania e Behgjet Pacollit thotë se ndalimi i hyrjes në kantier dhe vijimi i punës nga nënkontraktorët e ‘Mabco’ është një vetëgjyqësi e Valon Ademit dhe se shteti duhet të ndërhyrë menjëherë.
Reagimi zyrtar i shqoërisë Mabco Constructions S.A.
Sot, për herë të dytë, në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po përsëritet e njëjta situatë e papranueshme, plotësisht e paligjshme me VETËGJYQËSI të Valon Ademit.
Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A., ortakut mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitorit kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ngritur.
Nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e Mabco-s ose nënkontraktorëve të saj në aeroportin që ajo ka ndërtuar me investimet e veta. Vendimi gjyqësor i pretenduar dje nga Valin Ademi dhe i shperndare ne media është ai që pezullon përkohësisht të drejtën e votës së Mabco-s në shoqëri, vendim që aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
ASNJË vendim gjyqësor nuk ka ndaluar hyrjen fizike të Mabco-s në kantier.
Ky ndalim i njëanshëm dhe arbitrar është vetëgjyqësi e pastër kriminale nga ana e z. Valon Ademi dhe ortakut minoritar 2%, e kryer nëpërmjet administratorit të kontestuar Vegim Hoxha dhe Bujar Ejupi.
Mabco Constructions S.A. nuk ka qenë dhe nuk është në asnjë rast nënkontraktor i shoqërisë VIA, siç tregohet qartë dhe pa asnjë dyshim në nenin 10.7 pika (iv) të Kontratës së Koncesionit. Mabco është ortaku mazhoritar, investitori kryesor, financuesi real dhe subjekti që përmbush kriteret teknike, financiare dhe operacionale mbi të cilat është dhënë vetë koncesioni.
Është detyrë ligjore e autoriteteve qeveritare dhe e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) të lejojnë dhe të garantojnë aksesin e lirë në hyrje dhe dalje të kantierit, sipas nenit 7.1 pika (b) dhe (c) të Kontratës së Koncesionit.
Mosveprimi i autoriteteve shtetërore ndaj këtij vendimi arbitrar të një ortaku me vetëm 2% të kuotave përbën qartazi mosplotësim të detyrimeve kontraktore nga ana e shtetit shqiptar.
Ekipi ynë ligjor ka njoftuar sërish dje Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për këtë situatë të rëndë dhe për dështimin e Policisë së Vlorës që, edhe sot, nuk po garanton rendin publik, sigurinë dhe mbrojtjen e pronës së investuar nga Mabco.
Ne presim nga autoritetet kompetente që të ndërhyjnë menjëherë për:
të ndalojnë këtë vetëgjyqësi kriminale;
të garantojnë aksesin e plotë dhe të papenguar të punonjësve, inxhinierëve dhe nënkontraktorëve tanë në kantier;
të mbajnë të paprekur terminalin dhe veprën e ndërtuar nga Mabco.
Mabco Constructions S.A. kërkon të besojë në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e investimeve të huaja dhe jo në VETËGJYQËSI kriminale të Valon Ademit. Do të vazhdojmë të ushtrojmë të gjitha të drejtat tona ligjore, civile dhe penale, ndaj çdo personi ose subjekti që cenon investimin tonë dhe interesin kombëtar të projektit.
Ekipi Ligjor i Mabco Constructions S.A.
Situata është tensionuar në hyrje të Aeroportit të Vlorës, ku protestues dhe përfaqësues të nënkontraktorëve të thirrur nga Behgjet Pacolli për kryerjen e punimeve në aeroport, kanë tentuar të futen me forcë në ambientet e kantierit. Policia dhe sigurimi privat i ‘2A Group’ nuk i lejon të kalojnë, moment ku ka pasur dhe shtyrje mes palëve.
Komente











Bashkia Vlore duhet te beje kerkese dhe tjua bleje ketyre firmave dhe keshtu nis Puna pra ta marri shteti bashkia Vlore tju kalojë vlonjateve
PërgjigjuEshte turp qe ushtari i Putinit Behgjet Pacolli u lejua te behej pjese e ketij projketi me kaq rendesi. Ne Kosove e kuptuan shpejt se kush ishte Pacolli dhe as edhe nje dite nuk e lane president. Mbajeni larg nga Shqiperia kete person.
PërgjigjuPACOLLI DUHEJ TE ISHTE NE KRYE TE TURMES ME HUNJE..GURE....TE NISTE SULMIN....
PërgjigjuNje gje nuk kuptojme , cfare pune ka policia e shtetit si Ketu , si ne Velipoje… kompani private .. investime private… keto probleme zgjidhem ne kompani sekurity po private … policia e shtetit eshte jashte loje aty ose mbron interesa private pushtetaresh ne hije te investuar ( korrupsion) ne kete projekt leshi ..!!
PërgjigjuBerti, per policin shqiptare po flet?!
Eshte shume e thjeshte per tu kuptuar.Si ketu edhe ne Velipoje ne baze te ligjeve kur policia private e shef qe situata perkeqsohet eshte e detyruar te therrase policine shteterore.Policise private nuk je i detyruar ti tregosh dokumente dhe as mund te kerkoje qe ti tja paraqesesh.Policia e shtetit nuk mbron asnje pervec ligjit ato te tjerat jane per konsum kafenesh.